Kulturë
Isuf Grajçevci: Dita në kalendarin tim të jetës
E diele, 17.04.2011, 07:41 PM
DITA NË KALENDARIN TIM TË JETËS
Nga Isuf Grajçevci
Unë nuk po besoja akoma për atë që po ndodhte, duke fshirë lotin në faqe, lotin e dhimbjes dhe të krenarisë. Por, ishte koha që ta bindja veten se është një realitet, se është një e vërtetë. Flamuri që mbaja në duar akoma pikonte gjak lirie. Ishte gjaku i hollë me ngjyrë trëndafili. Gjak i pranverave të përgjakshme, i marseve dhe i nëntorëve të përflakur të lirisë. E shtrëngova fortë me duar, e putha dhe e mbështolla në trup. Këtë herë s’mund të ma gjakos askush, asnjë armik. E shikoja me dashuri dhe po e bindja vetën se kjo që po ndodhte, tashmë ishte e vërtetë. Unë mezi po e mbaja veten. Pamja e kryeqytetit dhe e gjithë Dardanisë po më mahniste me begatitë e saj.
Asnjëherë nuk kam pasur një ndjenjë të tillë, ndjenjë malli, dashurie, dhimbjeje e krenarie. E diela e 17 shkurtit të vitit 2008, ishte një ditë e veçantë për mua dhe popullin tim. Ishte ditë e rrallë dimri me mot të një pranvere të hershme. Në ato çaste gëzimi i harrova shumë vuajtje të së kaluarës dhe iu bashkova karvanit të gjatë të dasmorëve, të cilët ia thoshin këngës e po e hidhnin vallen e lirisë. U futa në mesin e tyre edhe pse më dridheshin këmbët. Në sytë e tyre lexova të kaluarën e hidhur dhe të sotmen e gëzuar. Derisa të gjithë po festonin, për një çast mu kujtua se si na kishin larguar me dhunë nga trojet tona. Mu kujtuan vitet në Amerikën e largët, ku bashkë me shumë atdhetarë tjerë kontribuuam sado pak për këtë ditë. Brenda meje zienin mendime të shumta. U përpoqa ta bind veten se tani nuk duhej të mendoja diç të tillë ... U ula në një ulëse afër Sheshit Nënë Tereza, po vështroja e po më kënaqej zemra me kremten që po bëhej.