E premte, 26.04.2024, 07:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Qerim Vrioni: Ngjyra e detit

E diele, 13.03.2011, 08:58 PM


NGJYRA E DETIT

 

(Si homazh për piktorin  Vangjush  Mio  në 120 vjetorin e lindjes*)

 

Nga Qerim Vrioni,  Michigan (SHBA)

 

Nisja e punës nga studiuesja Suzana  Varvarica Kuka për një monografi mbi jetën dhe krijimtarinë e piktorit të njohur të natyrës shqiptare, Vangjush Mio, më ngacmoi kujtesën mbi një takim të rastësishëm,  me artistin e  shquar të penelit. Kjo ka ndodhur para më tepër se pesëdhjet vitesh. Aso kohe banonim me familjen në lagjen Uji i Ftohët të Vlorës e, ne si çuna 13-14 vjeçarë, shpesh herë mbasditeve luanim futboll në ranishten e lagur buzë detit (pak më vonë ajo u bë “Plazhi i ri” i qytetit). Si zakonisht, dhe atë ditë ishim po ai grup djemsh, ndër ta im vëlla Luani, Mexhiti, Babaçja i Xhemaliut, unë  e, s’mbaj mend kush tjetër. Aty nga mbarimi i lojës, na tërhoqi vëmendjen një burrë me syze e kasketë të bardhë që po pikturonte me ngjyra vaji,  mbi një telajo të vendosur në një trekëmbësh prej druri. Pamja e zgjedhur prej tij kapte dhe një pjesë  të bregut, atje ku ai puthej butësisht me detin. Pranë,  në një fron të vogël prej rrobe, nga ata që mbyllen, ishte ulur një vajzë. U afruam dhe i hodhëm një sy peizazhit që kish nisur të merrte formë mbi kanavacë. Ai, po  përfshinte gurishten a zhavorrin me zeje të bardhë si vezët, mu aty ku mbaron bregdeti ranor dhe fillon bregdeti shkëmbor i Jugut, Rrapin e Ferrit (një rrap shekullor që u vetrrëzua në një mesnatë nga pesha e moteve pak kohë më parë dhe i kishte dhënë emrin një pjese të mirë të lagjes, emër që e mban edhe sot), 2-3 shtëpi dykatëshe, Kampin e Puntorëve me shkëmbin e tij të gjelbëruar që bie thikë mbi rrugë, pak Karaburun e, natyrisht edhe detin bashkë me qiellin. Panorama ishte vërtetë tërheqëse, sidomos afër perëndimit, kur dielli ulej i lodhur mbi det  dhe krijonte dritë-hije interesante e të ngrohta.

Kureshtja na shtyu dhe pyetëm vajzën për emrin e piktorit  e, ajo me zë të ulët tha se quhej Vangjush Mio. Çuditërisht, emri nuk ishte  fare i panjohur për ne. Piktori na hodhi  një sy të heshtur, por miqësor të shtuar dhe me pak buzëqeshje dhe, vazhdoi punën. Si kreu vizatimin e peizazhit me laps, nisi të hidhte ngjyrat,

Vangjush  Mio
Vangjush Mio
fillimisht nisi të shtrinte detin, po nuk e përfundoi, diçka në të nuk i pëlqeu dhe përdori disa nuanca të tjera ngjyrash për herë të dytë. E la detin e filloi me të bardhat dhe jeshilet  për gurët dhe bimësinë, mandej iu kthye sërish atij, por “deti” i tij edhe këtë rradhë nuk e kënaqi. Seç kish diçka që s’po e kuptonte, sapo e përfundonte të paktën si gamë, deti merrte ngjyrim tjetër. Kishte pikturuar kaq herë liqenin e Pogradecit, madje dhe fotografuar mjaft, por nuk i kishte ndodhur kjo gjë. Rrinte i menduar e shihte herë detin e Vlorës, herë të “tijin”. Hidhte ca penelata tek pjesët e tjera të tablos e, kthehej rishtas te deti. E ndryshoi për herë të tretë gamën, tashmë ndoshta dhe pak i nervozuar. Duke menduar se prania jonë ishte e tepërt, qëndruam dhe pak e, u larguam prej aty, duke e lënë artistin në botën e tij, por dhe me diçka të re që e treguam në shtëpit tona si të veçantën e ditës. Pak kohë më vonë, dëgjuam se piktori Vangjush Mio, kish ndërruar jetë, njoftim që u dha nga Radio-Tirana dhe shtypi i atëkohshëm, duke e cilësuar ikjen e tij të përherëshme e disi të papritur, si “një humbje të madhe për artin dhe kulturën tonë”. Lajmin për shuarjen e njeriut  që kishte pikturuar Ujin e Ftohtë, e biseduam gjallërisht me shokët, duke ndjerë kënaqësi se e kishim parë atë fare nga afër kur punonte, fat që sipas nesh nuk i ishte dhuruar kujtdo. Për këtë ndjenim krenari, për ne krejt të natyrshme, thua se ishim pjesëmarrës aktiv në një ngjarje të veçantë.

    “Takimin” ose më mirë,  praninë time gjatë punës së peizazhistit të njohur e kam kujtuar, thuajse sa herë që përmendej emri i tij, por njëkohësisht të shoqëruar nga kureshtja e madhe e përherë në rritje për ta shikuar të përfunduar pikturën, por sidomos detin. Monografinë për Mion që shkroi piktori Vangjush Tushi, rreth viteve ’70,  e shfletova me nxitim se mos shihja peizazhin e Ujit të Ftohtë, por më kot. Fillova, ta përfytyroj si në mjegull panoramën të përfunduar e të hedhur në telajo. Për këtë, imagjinatën time e ndihmonin dy gjera. Pamjen e zgjedhur nga piktori e njihja fare mirë, më kish dalë përpara, pak të thuash me mijra herë dhe, e dyta, me kalimin e viteve, duke shikuar punë të tjera të Mios, nisa diçka ta njoh e dalloj nga të tjerët edhe “penelin” e tij. Kështu, gjatë kërkimeve të mija të herëpashershme për të gjetur e shikuar, në ndonjë mur ekspozite apo faqe albumi a libri, peizazhin e lagjes tim, dalëngadalë e, si padashur edhe unë po e “krijoja” në parafytyrimin tim tabllon nga Uji i Ftohtë, por tashmë jo me ngjyra vaji…. Në çdo përçapje për ta gjetur “atë“ të Mios, mbaja parasysh “peizazhin tim” e, si pavetdije, prisja që ta ballafaqoja me të parin. Kisha një farë sigurie se, dy visoret, në mos  binjake, të paktën motra, do ishin me njera-tjetrën.

    Çelja, në vitin 2006 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e ekspozitës më të madhe të gjithë krijimtarisë së Vangjush Mios, më ngjalli shpresa të shumta se më në fund do t’a shihja pikturën. Madje, kisha vendosur t’a prekja lehtë me majat e gishtave (si diçka të humbur e të sapo gjetur)  atë punë që e kisha shikuar duke u krijuar në çastet e para, por edhe ëndëruar gjatë. Besoja se do ta “takoja”, edhe sepse, ishte njoftuar se në atë veprimtari, do paraqiteshin për herë të parë edhe punime të tij që nuk ishin ekspozuar ndonjëherë. E kalova fluturimthi e pafrymë gjithë ekspozitën në të dy katet e galerisë…por përsëri jo, “peizazhi im” (kishte kohë që ishte bërë “i imi”), nuk dukej gjëkundi. Pyeta, disi i shqetësuar dhe i habitur për të, por përgjigjja ishte e thatë, e prerë, goditëse, nuk është.  I “këputur” nga përgjigjja, përsiata gjatë, ato çaste e më pas,  për fatin e atij kuadri. Ku do të jetë ajo pikturë që më kishte munduar prej mjaft kohësh duke e kërkuar ? Mundësitë ishin të shumta, e pambaruar, e prishur,  pikturuar diçka tjetër  mbi atë telajo,  e vjedhur, e shitur jashtë shtetit, pronë e ndokujt që nuk i di vlerën, apo e strukur diku në errësirë e braktisur dhe harruar, etj, etj. Rëndësi për mua kishte, se ende nuk po e shihja dot peizazhin e dashur të lagjes time. Kjo ndodhi rreth gjysmë shekullit largë nga koha kur “Pamje nga Uji i Ftohtë“ (titulli që sipas meje do t’i kishte vënë piktori) ishte krijuar nga Mio. Ndërmjet kaq viteve, duke menduar e përsiatur shpesh për të, dalëngadalë, sikur e kisha “pikturuar” dhe unë. Madje, kisha bindur vehten se punimi  i krijuar nga unë për një kohë të gjatë me fantazinë time, do të ishte thuajse kopje me të parin, atë që do kishte dalë nga dora e artistit. Vetvetiu, i lodhur nga kërkimet e pafrytëshme, më në fund, e “pikturova” në vetdijen time (dhe e ”përfundova” se ndoshta piktori s’e kish arritur këtë), e futa brenda një kornize të praruar “e vendosa” në një mur të zgjedhur të përfytyrimit tim. Në murin ku vura “peizazhin tim” nuk ekspozova asnjë punim tjetër. Prej disa kohëve, “Pamje nga Uji i Ftohtë“ qëndron aty vetëm dhe, unë e shoh me lehtësi e kënaqësi sa herë përmendet emri i piktorit të madh të peizazhit shqiptar, Vangjush Mio.      

 

*Vangjush Mio, Piktor i Popullit  (3 mars 1891-29.12.1957)

 

       Qerim Vrioni është studiues i fotografisë, autor i shumë artikujve për fotografinë shqiptare dhe të huaj në shtypin vendas dhe në atë shqip në SHBA, Rep.e Kosovës, Greqi, Rumani, Maqedoni, Itali, Angli etj. Po ashtu, është autor i librit që mbahet i pari në historinë e kulturës shqiptare për fotografinë me titull “Fotografia -një grusht diell” të botuar më 2005, dhe të pritur mjaft mirë nga opinioni. Ka bërë të njohura për publikun, shumë figura të hershme të fotografisë shqiptare, të zhytyra në mjegullat e kohëve. /shtë bashkëautor në albumin fotografik “50 Years of the University of Tirana in 100 photos”( “50 vjet të Universitetit të Tiranës në 100 foto”) , kushtuar 50 vjetorit të krijimit të Universitetit të Tiranës, të botuar më 2007. Në vitin 2008, Qerim Vrioni, organizoi me nisëm vetjake, veprimtarinë “150 vjet- fotografi shqiptare”, pjesa historike e saj ishte shoqëruar me shfaqjen me videoprojektor të mbi 70 fotove të zgjedhura nga historia e fotografisë shqiptare. Kjo veprimtari u zhvillua në Galerinë e Arteve në Tiranë, në atë të Prishtinës si dhe në qytetin e Vlorës. Në vitin 2009, hodhi në qarkullim botimin jubilar “150 vjet fotografi shqiptare”, që përbën librin e parë të historisë së fotografisë shqiptare, gjithashtu po atë vit përfaqësoi vendin në Ekspozitën Fotografike të Mesdheut në Romë (Itali) me gjashtë fotografi. Jeton në Tiranë. 

 



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora