E shtune, 27.04.2024, 02:54 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Dokumenti, dalin provat e ryshfetit Meta-Prifti

E hene, 14.02.2011, 07:47 PM


Nga Tedi Blushi

 

Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në konkluzionin se ish- zv/kryeministri, Ilir Meta ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv. Ndërsa ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, atë të korrupsionit pasiv. Për këtë arsye organi i akuzës i ka kërkuar dy ditë më parë Kuvendit, t'i japë autorizimin për të ndjekur penalisht të dy deputetët. Por, nëse shkaku pse prokuroria kërkon heqjen e imunitetit për Ilir Metën tanimë është bërë publik, pra video-përgjimi i transmetuar në emisionin "Fiks Fare", interesant është fakti se arsyeja pse e njëjta kërkesë bëhet edhe për Dritan Priftin lidhet me një video të tjetër, ku ai ka regjistruar veten duke zhvilluar biseda për përfitime financiare të parregullta që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publike me ish-zv/ministrin e METE-s, Leonard Beqiri. "Në një moment shihet se ndajnë mes tyre një shumë parash prej rreth 70 mijë eurosh", thuhet në materialet e prokurorisë. Videoja që futi në "grackë" Priftin, u identifikua në kompjuterin e tij portativ, që ai ka depozituar në prokurori. Nga këqyrja e laptopit, ekspertët amerikanë të pajtuar nga organi i akuzës për ekspertizën e provave arritën të identifikojnë këtë video "të fshirë", duke mundësuar rikuperimin e saj të plotë. Një nga detajet interesante të materialeve që organi i akuzës ka depozituar në Kuvend është fakti se aparati regjistrues që po rrezikon karrierën politike të dy politikanëve është një orë/kamera, të cilën Prifti, rezulton se e ka blerë në një faqe interneti. Korrupsioni aktiv, për të cilin akuzohet Ilir Meta, parashikohet në Kodin Penal si vepër që dënohet nga një deri në 5 vjet dhe me gjobe nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë. Ndërsa korrupsioni pasiv në bashkëpunim, për të cilin akuzohet Dritan Prifti dënohet nga 4-12 vjet dhe me gjobe nga 1- 5 milionë lekë. "Gazeta Shqiptare" arriti dje të sigurojë dosjet e sigluara "sekret" që Prokuroria e Përgjithshme ka depozituar në Parlament duke i botuar ato sot të plota.

 

SEKRET

NR. PROT 260/18

LENDA: Kërkohet autorizim për ndjekjen penale të deputetit Ilir META

KUVENDIT TE SHQIPERISE

TIRANE

Të nderuar deputetë

Në mbështetje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës si dhe neneve 74, 75/b, paragrafi i dytë dhe 288 të Kodit të Procedurës Penale, ju paraqesim kërkesën për të marrë autorizimin tuaj, për të proceduar penalisht deputetin e Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta. Më datën 24.01.2011, Prokuroria e Përgjithshme, mbi bazën e akteve të procedimit penal nr. 136, të vitit 2011, ardhur për kompetencë lëndore nga prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr. 1, që bën fjalë për veprat penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë, si dhe shpërdorimit të detyrës, të parashikuara respektivisht nga nenet 245, 260 dhe 248 të Kodit Penal. Procedimi penal nr. 136 është regjistruar kryesisht, më dt.12.01.2011, për veprat penale të sipërpërmendura, nga prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë, bazuar në transmetimin e datës 11.01.2011, në emisionin "Fiks Fare", të orës 20:10 e në vijim, nga televizioni "TOP CHANNEL", të një regjistrimi audio-viziv të bërë me kamerë të fshehtë, në të cilën pasqyrohen biseda të bëra midis dy funksionarëve të lartë të shtetit (ish-ministrave, Dritan Prifti dhe Ilir Meta), për emërime të paligjshme të personave në poste drejtuese në institucione në varësi të dikastereve qendrore dhe favorizime subjektesh juridike në ankande e dhënie koncesionesh, kundrejt përfitimeve materiale. Regjistrimi i procedimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme është bërë në mbështetje të nenit 141, pika 1 të Kushtetutës, të neneve 287; 75/b, pika 2; 277/3; 24, pika 1 e 4; dhe 315/3 të K.Pr.Penale, si dhe nenit 8, pika 2, e nenit 13, pika 2, të ligjit nr. 8737, dt.12.02.2011 "Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë". Më dt.13.01.2011 në prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, është paraqitur me vullnetin e tij shtetasi, Dritan Prifti, i cili në deklarimet e dhëna në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllime të hetimit, sqaron se regjistrimi audio-viziv i materialit të transmetuar më datën 11.01.2011, ora 20:10 e në vijim, në emisionin "Fiks Fare" nga televizioni "Top Channel" Tiranë është realizuar prej tij. Po sipas tij, këtë regjistrim e ka bërë për shkak të kërkesave dhe ndërhyrjeve për favore, kërcënimeve, urdhrave e presioneve, të bëra nga ana e shtetasit, Ilir Meta, për të realizuar gjatë ushtrimit të detyrës së tij veprime jo në përputhje me ligjin, ndër të cilat janë dhe rastet e fiksuara dhe në këtë video, që konkretisht kanë të bëjnë me propozimin, duke i ofruar shumën prej 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve, për dhënien me koncesion, të H/C Egnatia Shushicë, bashkimit të përkohshëm të kompanisë "Vëllezërit Tola" sh.p.k dhe punësimin e shtetasit, Artur Hajdari, si drejtues i lartë në Inspektoratin Qendror Teknik, si dhe ndërhyrjen për të favorizuar shoqërinë "Halilaj Holding Group sh.a", në ankandin për "Shitje nafte bruto të prodhuar nga shoqëria "Albpetrol sh.a", sasia 50 mijë MT". Për këtë të fundit, sipas deklaruesit, nga shtetasi, Ilir Meta i është ofruar oferta financiare, për përfitim të paligjshëm deri në 1 000 000 (një milion) dollarë që do të ndaheshin mes tyre. Të njëjtat fakte shtetasi, Dritan Prifti, me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, i ka deklaruar edhe më dt.08.02.2011, në Prokurorinë e Përgjithshme. Për sa ka deklaruar, ky shtetas ka vënë në dispozicion si provë materiale edhe objektet me të cilat ka realizuar këtë regjistrim audio-viziv, si dhe video-regjistrimin origjinal. Këto prova materiale i janë nënshtruar ekspertimit teknik nga specialistë të fushës të një kompanie private të huaj, për të përcaktuar vërtetësinë, autenticitetin e këtij regjistrimi audio-viziv. Sipas konkluzionit të aktit të ekspertimit teknik rezulton se video-regjistrimi objekt ekspertimi është i patjetërsuar, personat që jepen në video janë të patjetërsuar dhe shkalla e gabimit është zero. Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ka të dhëna të mjaftueshme që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se deputeti, Ilir Meta, ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

Të nderuar deputetë:

Nga sa u parashtruar më lart, krijohet baza e mjaftueshme ligjore për të ushtruar ndjekjen penale ndaj deputetit, Ilir Meta. Për këto arsye, në mbështetje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës dhe neneve 74, 75/b, paragrafi i dytë, dhe 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë nga ana juaj dhënien e autorizimit për të proceduar penalisht ndaj z. Ilir Meta, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Bashkëlidhur, po ju dërgojmë dhe kopje të aktit të ekspertimit teknik.

PROKURORE E PERGJITHSHME

INA RAMA

 

LENDA: Kërkohet autorizim për ndjekjen penale të deputetit Dritan Prifti

KUVENDIT TE SHQIPERISE

TIRANE

Të nderuar deputetë

Në mbështetje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës si dhe neneve 74, 75/b, paragrafi i dytë dhe 288 të Kodit të Procedurës Penale, ju paraqesim kërkesën për të marrë autorizimin tuaj, për të proceduar penalisht deputetin e Kuvendit të Shqipërisë Dritan Prifti. Për sa ka deklaruar, ky shtetas ka vënë në dispozicion si provë materiale objektet me të cilat ka realizuar këtë regjistrim audio-viziv, si dhe video-regjistrimin origjinal. Këta materiale i janë nënshtruar ekspertimit teknik nga specialist të fushës të një kompanie private të huaj, për të përcaktuar vërtetësinë dhe autenticitetin e këtij regjistrimi audio-viziv. Nga ekspertimi teknik i kryer provave materiale ka rezultuar se në to ekziston dhe një video tjetër, e cila ishte fshirë dhe që është rikuperuar nga eksperti. Kjo video është e datës 11.03.2010 dhe në të janë regjistruar dy persona, njëri ndër të cilët është ish-ministri i METE-s dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, shtetasi, Dritan Prifti dhe tjetri është ish-zëvendësministri i METE-s, shtetasi, Leonard Veli Beqiri. Këta shtetas, sipas asaj që evidentohet në video, kanë zhvilluar biseda për përfitime financiare të parregullta që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publike dhe në një moment shihet se ndajnë mes tyre një shumë parash prej rreth 70 mijë euro. Regjistrimi i procedimit penal nr. 2, dt. 09.02.2011, në Prokurorinë e Përgjithshme është bërë në mbështetje të nenit 141, pika 1, të Kushtetutës, të neneve 287; 75/b, pika 2; 277/3; 24, pika 1 e 4; dhe 315/3 të K. Pr. Penale si dhe nenit 8, pika 2, e nenit 13, pika 2, të ligjit nr. 8737, dt.12.02.2001 "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë". Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ka të dhëna të mjaftueshme që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se deputeti, Dritan Prifti, ka kryer veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 260 e 25 të K. Penal.

Të nderuar deputetë:

Nga sa u parashtruar më lart, krijohet baza e mjaftueshme ligjore për të ushtruar ndjekjen penale ndaj deputetit, Ilir Meta. Për këto arsye, në mbështetje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës dhe neneve 74, 75/b, paragrafi i dytë, dhe 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë nga ana juaj dhënien e autorizimit për të proceduar penalisht ndaj z. Dritan Prifti, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Bashkëlidhur, po ju dërgojmë dhe kopje të aktit të ekspertimit teknik.

PROKURORE E PERGJITHSHME

INA RAMA

 

PERFUNDIME/PERMBLEDHJE

Mua më është kërkuar të ekzaminoj drive-in dhe të përcaktoj nëse dosjet e videos janë tjetërsuar (duhet të theksohet se tjetërsimi i videos është një proces shumë i vështirë dhe se programi për të bërë të mundur këtë gjë është shumë e shtrenjtë). Unë i studiova dosjet e programit (Program Files) dhe nuk gjeta asnjë program software të instaluar që të ishte përdorur për tjetërsimin e videos. Më poshtë gjeni opinionet e mia pas shqyrtimit të provave që janë dorëzuar brenda afateve kohore dhe kufizimeve të lejuara:

- Kamera/ora ka kapacitet ruajtës të brendshëm prej 8GB (gigabite) dhe është përdorur për të regjistruar në versionin video. Ajo është e lidhur dhe me sistemin e kompjuterit portabël (laptop). Po ashtu, unë isha në gjendje të zbardh një video e cila ishte fshirë nga apertura.

- USB-ja përmban tre dosje (dokumente) videoje që janë formatime të ndryshme të së njëjtës videoje.

- Videoja që është transmetuar në programin televiziv dhe që gjendet në USB, në fakt është vetëm gjysma e videos. Videoja e plotë gjendet në sistemin kompjuterik.

- Duket se videoja e plotë është ndarë në dy video të ndryshme, gjithsesi, unë nuk kam gjetur prova që personat që jepen në video të jenë tjetërsuar.

- Unë nuk isha në gjendje të pastroja segmentin audio të videos me pajisjet që pata në dispozicion.

- Data në BIOS dhe koha në kompjuter ishin në përputhje me datën dhe kohën aktuale në Shqipëri. Si rezultat, duket se të gjitha datat dhe kohët e dhëna më parë në këtë raport janë të sakta.

- Të gjitha dokumentet e përfshira në këtë raport shoqërojnë raportin në DVD. Ato ndahen në dosje duke identifikuar vendin e ndodhjes së tyre. Për shembull, videot që gjendet në kompjuterin portabël gjenden në dosjen me emrin "video nga kompjuteri portabël".

- Imazhet e ekzaminimit ligjor të objekteve të provave janë arkivuar dhe janë në dispozicion për shqyrtimin e mëtejshëm nga autoritetet shqiptare, nëse një gjë e tillë do të kërkohet në të ardhmen.

GLENN BARD

PROCEDURAT DHE REZULTATET

Më datë 26/01/2011 mora disa objekte provash nga Kaltër Serreqi. Me të marrë objektet krijova imazhe për ekzaminimin ligjor të secilit prej objekteve duke përdorur Imager FTK dhe Encase 6.17. Për krijimin e këtyre imazheve kam përdorur një kompjuter portabël të modelit "Dell Precision M6300", me programet Dual Boot OS Windows XP dhe Windows 7. Hard drive-i i kompjuterit portabël u lidh me makinerinë e ekspertizës ligjore nëpërmjet një Writeblocker-i Tableau. USB-ja dhe ora/kamera u lidhën me një USB, e cila ishte mbrojtur me software write protected dhe unë konfirmova se të gjitha objektet e shqyrtimit ishin të mbrojtura. DVD-ja u shqyrtua duke analizuar imazhet me anë të makinës së DVD-së për ekspertizë ligjore, e cila po ashtu ishte e mbrojtur me një program writeblocker.

Gjatë procesit të imazherimit kam aksesuar BIOS-in dhe kam kontrolluar datën dhe kohën e sistemit. Më poshtë po ju jap detajet e këtij procesi. Data dhe koha e BIOS-it: 27 janar 2011, në orën 12:34, paradite. Më pas kontrollova datën dhe kohën aktuale në Shqipëri dhe konstatova se ajo ishte në përputhje me datën dhe kohën e BIOS-it.

Pas krijimit të imazheve për ekzaminim fillova të analizoja përmbajtjet e objekteve për t'iu përgjigjur pyetjeve përkatëse të bëra në kuadër të hetimit. Si fillim, u njoha me videon në DVD në mënyrë që të isha në gjendje të identifikoja videon nëse do ta shihja në vende të tjera të ruajtur me emra të tjerë. Ndërsa po shqyrtoja përmbajtjen e DVD-së, pashë që DVD-ja është krijuar duke përdorur doftware-in Nero më 12/01/2011 në orën 2:18 pasdite. (Gjithsesi, kjo datë dhe kohë nuk mund të verifikohet nëse nuk bëhet e plotë një analizë në kompjuterin e përdorur për të krijuar diskun). Unë gjeta një dosje "Prifti-Meta me logo.avi". Më poshtë gjendet i gjithë informacionin që lidhet me atë dosje në DVD, duke përfshirë dhe datat dhe orët:

Videoja përshkruar bashkëbisedimin ndërmjet dy burrave. Kamera ishte drejtuar nga një burrë i ulur në divan, e që ishte i veshur me kostum. Në video ishte dhe një burrë tjetër. Kamera ka kapur pamjen në profilin e djathtë të burrit tjetër. Më pas shqyrtova USB-në dhe pashë se në fakt në këtë objekt ishin tre dosje/materiale të ruajtura. Më poshtë jepen dokumentet e gjetura në USB.

***

E aksesuar për herë të fundit: 07/12/10 04:38:29 të mëngjesit

Pasi gjeta të tri dosjet/dokumentet, kontrollova menjëherë përmbajtjet e dosjes në zip dhe konstatova se ajo përmbante një video me emrin "Man2V4. mpg". Më pas shqyrtova të tria videot e ruajtura në USB dhe konstatova se ato ishin të njëjta me videon e DVD-së, por thjesht të ruajtura në formatime të ndryshme dhe me emra të ndryshme dokumentesh. (Të gjitha dosjet e shoqërojnë këtë raport me DVD-në e përfshirë). Më pas fillova analizimin e kameras/orës. Ndërsa aksesova memorien e brendshme të aparatit, konstatova se në aparat kishte qenë një video, e cila më pas ishte fshirë, të cilën unë isha në gjendje ta gjurmoja. Më poshtë gjeni informacionin e lidhur me këtë dosje/dokument.

***

E shkruar së fundmi: 11/03/10 05:30:00 të mbrëmjes

Unë e rikuperova dokumentin dhe pashë më pas përmbajtjet. Materiali është një vend tjetër video ndërmjet të dy burrave që flasin me njëri-tjetrin, por këtë herë ata janë në një vend tjetër. Kjo dosje jepet në DVD-në që shoqëron këtë raport. Po ashtu, bëra kërkime në përpjekje për të gjetur një burim nga ku është marrë kamera/ora. Gjatë kërkimeve të mia konstatova se aparatura (ora) kishte qenë në shitje në një faqe interneti. Pas pozicionimit të të gjitha dosjeve në aparaturat periferike, më pas fillova të rishikoja përmbajtjet në hard drive-in e kompjuterit portabël. Procesi i parë ishte të përcaktoja nëse mund të gjeja pozicionimin e të tre dosjeve që gjendeshin në USB, të ruajtura gjithashtu dhe në hard drive-in e kompjuterit. Isha në gjendje të përcaktoja pozicionimin e tyre,...

Pasi konfirmova se si në USB dhe në kompjuterin portabël ishin ruajtur të njëjta dosje/dokumente, më pas konfirmova se USB-ja dhe kamera/ora ishin lidhur me kompjuterin portabël. Për të bërë këtë gjë, kontrollova USB-të e lidhura tek regjistri dhe pashë se të dyja ato ishin lidhura me kompjuterin portabël.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora