E shtune, 27.04.2024, 01:37 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

E vrasin para familjes

E merkure, 24.11.2010, 10:57 PM


Arben Sejdiu, polic i Kosovës, u vra në familje. Ai u ekzekutua në sy të gruas, djalit gjashtë muajsh e të afërmve. Vrasësit u larguan nëpër shi e mjegull. E tronditur dhe e tmerruar, Familja Sejdiu kërkon drejtësi.

 

Nga Lirita Halili, Express

 

Grabanicë, Klinë - Në mur janë vrimat e plumbave, e në divan, gjaku.

 

Xhamat e thyer të dritares, dëshmojnë shkatërrimin e një familjeje.

 

Një i vrarë, dy të plagosur, një grua të ve, një djalë gjashtë muajsh jetim.

Arben Sejdiu, 40-vjeçar, pjesëtar i Policisë së Kosovës, ka mbetur i vdekur në vend.

 

Ai nuk u vra në rrugë, atje ku shërbente si polic patrullues. Por në shtëpi, derisa ishte mysafir tek axha i tij. Bashkë me të u plagosën edhe dy të afërm të tij, axha Naimi nga plumbi, e djali i axhës, Qemajli, nga xhamat e copëtuar që i ranë mbi kokë.

 

Në fshatin Grabanicë të Klinës, nga nata e së hënës, rreth orës 22, kur ka ndodhur tragjedia, nuk ka rahati. Aq më tepër kur njeriu vritet brenda mureve të shtëpisë, në prani të të afërmve, gruas dhe djalit gjashtë muajsh.

Ai që rrëfen ngjarjen është Qemajli, mbi kokën e të cilit plumbat kanë kaluar, për ta goditur djalin e axhës së tij, Arbenin.

 

“Gjatë asaj kohe ka qenë qetësi, deri kah ora 22:00. Pas pak orësh, në kohën kur kemi qenë duke shikuar televizorin dhe duke qeshur me të madhe”, kujton ai, çastin e një nate më parë.

 

“... I kemi dëgjuar disa të shtëna rafal, derisa është harxhuar shanzheri”, tregon Qemajli, për Express.

 

Në momentin kur janë dëgjuar të shtënat, të cilat sipas Qemajlit, kanë ardhur nga dritarja që ndodhet në drejtim të oborrit, është dëgjuar një britmë.

 

“E gjithë familja ishin shtrirë në tokë. Përveç Arbenit që nuk iu dha rasti nga gjuajtjet e njëpasnjëshme”, rrëfen Qemajli i tronditur dhe me fasha në kokë nga prerjet e xhamave.

 

Sipas tij, të gjitha gjuajtjet që janë bërë, kanë qenë të drejtuara tek Arbeni.

“Të shtënat në drejtim të Arbenit e kanë kapë edhe babanë tim që ishte ulur afër të ndjerit”, vazhdon ai.

 

“Mua më ka rënë në kokë një pjesë e xhamit, sepse isha ulur afër dritares nga janë bërë gjuajtjet”, thotë Qemajli, ende i tronditur nga ajo që kanë përjetuar.

 

Ashtu si i mpirë nga dhembja, Qemajli thotë se në momentin kur është shpërndarë gjaku i Arbenit, në murin e dhomës dhe në divan, e gjitha familja e cila në atë moment ndodhej aty, ishin si të shtangur.

 

“Edhe një ditë pas ngjarjes të gjithë ne, fëmijët, të rriturit edhe gjyshja, që kemi qenë në dhomën ku ndodhi krimi, jemi të tmerruar nga ajo që kemi parë natën e së hënës”, shpjegon Qemajli për Express.

 

Ai vazhdimisht shikon njollat e gjakut, të cilat nuk ka kush fuqi t’i fshijë.

“Kemi qenë shumë keq në atë moment. Më keq ndjehemi kur e dimë se kush ka qenë Arbeni”, thotë Qemajli.

 

“Ishte njeriu që kurrë askujt nuk i ka bërë keq, njeriu që ka pasë uniformën e shtetit dhe që i ka shërbyer shtetit e ligjit”, thotë ai, i cili tregon se në momentin kur është vrarë Arbeni, ka dalë jashtë nga dhoma e krimit, për të lajmëruar policinë, pasi aty nuk kishte valë në telefon.

 

“Kanë qenë sekondat në pyetje, por unë nuk kam parë askënd, sepse mjegulla ka qenë tmerrësisht e dendur dhe binte shi. Nuk ka pasë as makinë afër shtëpisë sonë, sepse do të ishte dëgjuar. Dorasit kanë qenë në këmbë”, thotë i bindur ai.

 

Iu dha lamtumira e fundit policit të vrarë

 

Mijëra qytetarë të Klinës dhe anembanë të vendit kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Arben Sejdiut, zyrtar policor, i vrarë në rrethana ende të pasqaruara dy ditë më parë.

 

Me këtë rast, zëvendëskryeministri i Kosovës në largim Hajredin Kuçi ka thënë se është vrarë demokracia e shtetit të Kosovës, por do të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta zbardhur këtë vrasje dhe autorët të dalin para drejtësisë.

 

Komandanti i stacionit policor në Klinë, kapiten Agron Hasanaj, ka thënë se Arbeni do të mbetet gjithmonë në mendje si njeri që punoi në shërbim të atdheut, ndërsa në emër të familjes foli publicisti Musa Kurhasku.

 

“Kur thirri atdheu, Arbeni iu përgjigj, dhe luftoi në brigadën “Agim Ramadani”. Më pas ai punoi në shërbim të atdheut, duke qenë njëri ndër policët më të vyer. U bënë shume vrasje në këtë anë dhe Arbeni kishte uruar që mos të ndodhin më, mirëpo edhe ai nuk u kursye nga dora kriminale”, tha Kurhasku.

 

Arben Sejdiu, pjesëtar i Policisë së Kosovës, është vrarë të hënën mbrëma në shtëpinë e tij në Grabanicë të Klinës, ndërsa dy të tjerë janë plagosur. Arbeni la pas vetes gruan dhe djalin pesëmuajsh.

 

Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e Naim Sejdiut, nga Grabanica, i cili ishte i pranishëm së bashku me viktimën, oficerin policor dhe Qemajl Sejdiun.

Bota sot: Jakup Krasniqi thotë se ka një ndërhyrje të politikës në hetimin e vrasjeve të pasluftës

Vrasje e policit Arben Sejdiu u dënua nga shumë personalitete të larta të shtetit. Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, në një ligjëratë të mbajtur në Prishtinë vlerëson se duke mos u ndëshkuar krimet, kjo tregon shenja jo të mira për sundimin e ligjit në Kosovë. Ai thotë se mos ndëshkimi i tyre është pasojë se krimi në Kosovë nuk është ndjekur gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Sipas tij, në mos zbulimin e tij, ka pas dorë edhe politika. “Duke mbetur krimet e pandëshkuara kemi rastet e fundit qoftë sulmin në policin në Klinë, qoftë sulmi i djeshëm mbi një punëtor të EULEX-it, janë shenja jo të mira për sundimin e ligjit në Kosovë. Kjo është një pasojë se krimet në Kosovë nuk janë ndjekë gjatë këtyre dhjetë viteve ose ka pasur një ndërhyrje të politikës në përgjithësi”, thotë Krasniqi.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora