E premte, 26.04.2024, 01:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Fjalët dhe plagët e një poeti shqiptar

E shtune, 13.11.2010, 08:58 PM


Fjalët dhe plagët e një poeti shqiptar

 

Nga Baki Ymeri

 

Halil Haxhosaj u lind para 60 vitesh në Preklukaj të Vokshit. Kreu studimet universitare të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Prishtinë, është profesor  i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në një shkollë të mesme gjakovare, poet, eseist, prozator dhe kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Gjakovë. Deri tani ka botuar dhjetë vepra letrare gjinishë të ndryshme, ndër të cilat shquhen vëllimet poetike Damarë të ringjalllur, Në kafaz me pantera, Këngë të ngrira, Zëra të grisur, Hija e orëligës, Hija e ëndrrave, etj.

 

       Para 6 vitesh, poeti pat fat të dalë para opinionit rumun me vëllimin Umbra viselor/ Hija e ëndrrave, me 50 poezi të rikënduara në gjuhën e Eminescut, të cilat qenë dekoruar me një varg recensionesh të favorshme. Duke deshifruar vlerat e lirikës së tij, eseisti  i shquar shqiptar, Luan Topçiu, do të shkruajë: “Poeti ruan koloraturën lokale dhe kombëtare përmes artikullimit të shenjave poetike autoktone. Librit të tij ia shtojnë vlerën edhe qëndrime dhe regjistra shumë të pasura me ndjenja, si një poezi autorefleksive, ku heroi lirik i drejtohet mëkatit, mallkimit, faljes, pendimit, mallit, mëshirës.  Ardhja e poetit në gjuhën rumune  është një ngjarje, një ogur i mbarë, që paralajmëron ardhjen e poezisë kosovare tek lëçitësit rumunë, në këtë vend të bekuar nga Perëndia, ku kanë parë dritën e botimit veprat e Naim Frashërit, Asdrenit, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit.”

 

Paralelisht me Sali Bashotën, Ibrahim Kadriun dhe Miradije Ramiqin, Halil Haxhosaj është poeti i parë i Kosovës që krijoi admirim në gjirin e një populli me të cilin kemi qenë fqinj para se ta përgjakin Dardaninë barbarët e Rusisë (serbët). Dhe ja, pas tre vitesh autori vjen para publikut shqiptar me një vëllim të ri, të pasur përnga përmbajtja dhe të bukur përnga pamja: Fjalë e plagë, duke  patur për redaktor Engjëll Berishën,, autor i ballinës: Shkëlzen Rexha. Vepra më e re poetike e H. Haxhosajt strukturohet në pesë cikle: Vargje për vetvete, Lëmsh i mjegullt, Dënesje mbi ndihmë, Thinja mbi gjithçka, Pikë në zemër. Sipas Besim  Muhadrit (recensent), Halil Haxhosaj është poet i cili në themelet ë poezisë së tij vë fatin e individit dhe të kolektivitetit. Por në poezinë e këtij poeti ndjehet fryma e vazhdueshme e stabilizimit të formës poetike dhe të individualitetit krijues. Ndërkaq, poezitë e këtij vëllimi janë poezi të një koncepcioni të qartë, në të cilat realiteti poetik ndërtohet përmes metaforës dhe figuracionit që rrezatojnë detaje artistike, kuptime dhe disponime të ndryshme shpirtërore.

 

        Në poezinë e Halil Haxhosajt, sipas vlerësimeve eseistike prezente në faqet e brendshme të ballinës, tingëllon një jehonë ironike në shpërthimin e revoltës ndaj realitetit, mëdyshjet ndaj këtij realiteti mbyllen në thellësi të shpirtit dhe kërkimin e vetvetes së “mashtruar” në këtë realitet të shpërfillur dhe në këtë shprishje morale e njerëzore, ku vazhdimisht fryjnë erëra të zeza, që e zezojnë kohën, jetën dhe hapësirën e brishtë të atdheut të poetit, ku hipkokrizia ka pllakosur dhe ëndrrat janë shpirishur nga shenjat e epidemisë vrastare. Poezia e Halil Haxhosajt në këtë libër shënon një ngritje dhe një mëtim të vazhdueshëm për të ecur përpara në rrugën e poezisë dhe të artit në përgjithësi. E gjithë kjo është rezultat i punës këmbëngulëse të poetit në gdhendjen e fjalës, mendimit dhe të shkrirjes së tyre në estetikën e artit poetik.

 

        As që ka nevojë e vend për një vlerësim më të mirë për këtë libër frymëzimesh të mirëfillta, ku besa e artë vjen shtigjeve të fluturës, ku Besa Shqiptare vetëm një herë e ngriti gishtin dhe u betua në tokë e qiell, në gjak e varre, në lot e djersë, në histori e beteja, dhe u bë këngë, dhe u bë vaj, dhe u bë kujtim, dhe u bë mit, dhe mbeti legjendë, deri në krenarinë tonë, besa e artë.  Më pëlqen të pranoj lule dhe fjalë, thekson poetesha rumune Iuliana Tudor. Janë bërë buqeta me lule në fjalët e plagët e lirisë, thot autori i librit Fjalë e plagë dhe shton: Toka e Atdheut/ Nuk premton më/ Të hapen/ Varreza të reja/ Stinëve me plagë. Ja pra se ku janë fjalët dhe plagët e një poeti shqiptar! Pas këtyre vargjeve brilante, as që ka nevojë e vend për vlerësime të mëtejshme të poezisë së një shpirti që e ka në shpirt atdhedashurinë e shtrenjtë ndaj Kosovës së Shenjtë. (Halil Haxhosaj, Fjalë e plagë, Klubi letrar Gjon Nikollë Kazazi, Gjakovë, 2007)



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora