E diele, 28.04.2024, 04:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gàzulli: Me qeshë e me qa

E shtune, 13.11.2010, 08:57 PM


Daniel Gàzulli

 

Me qeshë e me qa

 

- Humorisitikë e jetueme -

 

            Në muejn Gusht të çdo viti kelmendasit organizojnë një festë popullore në bjeshkë, ku ma së shumti gëzojnë gra e vajza, se bajnë një sfilatë të vërtetë veshjesh të herëshme e jo vetëm veshjesh, por edhe një bukurie të rrallë. Kur rrotullojnë ato xhubletat, mendt u merren burrave.

Aty edhe tingujt e lahutës, si zbuten nëpër gjethnajë, vijnë ma të butë e joshës, e sjellin një gaz të vetëvetijshem ndër pjesëmarrës.

Mblidhen prej anës e anës, e jo vetëm prej Malësive të Kelmendit. Kur kthehen në vendet e tyne, vazhdojnë me tregue të vërteta e të pavërteta, aq ta ngjallë fantazinë festa e kelmendasve.

            Kishin shkue me marrë pjesë në këte festë edhe Prof. M., gjuhëtar, akademik, dhe Prof. S., gjuhëtar e në Akademi edhe ai.

            Në kthim, ndalen në Lezhë. Takohemi e i ftoj për një kafe. Kishin nevojë me pushue pak, se mezi po tretëshin mishin e pjekun të dashit, që kishin ngranë pa i vu fre vetes. As rakia njëzet gradëshe nuk i kishte ndihmue me tretë mishin e undyrshëm.

            I pyeta si e kishin kalue e ata, shend e verë, më thanë se ajo trevë ishte një minierë ari me fjalë të rralla të brumit të mirëfilltë ilir. Se ndoshta do të ktheheshin atje përsëri e jo vetëm pë festë. Minierë ari, përsëriten, me fjalë të lashta sa vetë Zoti!

            U shkelqenin sytë, megjithëse dukeshin të lodhun nga pagjumësia.

            “Ja, për shembull – nxitoi të më ilustronte Prof. S, me të folmen e tij si në një skenë teatri antik, ndërsa Prof. M përforconte – Bukës së misrit i thonin “Bukë gërtuke”. Fjala “gërtuke” asht me siguri e burimit të mirëfilltë ilir.

            U bana një grusht. Si t’ua thoja, që të mos e çonin edhe tjetërkund atë marrëzi.

            - Kristofor Kolombi e ka zbulue Ameriken më 1492 – thash unë si përhumbshëm.

            - Nga t’u kujtua K. Kolombi? – ndërhyni Prof. M.

            - Jo, m’u kujtue Amerika, profesor. Se, pa u zbulue Amerika, misri, patatja e domatja nuk njiheshin në Europë. Misri erdh prej Amerike nga gjysa e dytë e shek. XVI.

Malësitë tona, nëpërmjet Ulqinit, e moren prej Venecies. Ata e quenin “grano turco”, se e kishin marrë në Misir (Egjipt), që ishte pjesë e Turqisë në atë kohë. Dhe malësorët, nga “grano turco” e kanë shndrrue në “gërtuke”. Janë kund 1.000 vjet distancë këto ngjarje nga ilirët, i dashun profesor.

            - Ba! Si nuk na asht kujtua Krostoforo Kolombo?! – qeshi me të madhe Profesor S., kurse Profesor M. nxori nga çanta e tij e vjetër prej lëkure diçka të mbështjellun në gazetë. E la mbi tryezë që ta merrte kamarieri e ta hidhte. Deshprimi i tij ishte dërrmues, sa me të ardhë keq për të. Në atë gazetë ai kishte mbështjellë një copë bukë misri dhe kishte andërrue sa herë çastin kur do të hynte në Akademi. Atëherë do t’u drejtohej kolegëve triumfalisht: “E dini çfarë kam këtu?! E dini?! – dhe mbas një heshtje rrënqethëse, do të fliste po triumfalisht – Unë këtu u kam sjellë një fjalë ilire: Bukë gërtuke!”

            E ndava mos me folë ma. Ma mirë me gjerbë me nge kafen e me e shijue taman.

            Si thotë Beaumarchais për gjanat e turpshme : ("Hâtons-nous d’en rire avant que d’en pleurer”) “Ma mirë  le të qeshim, se s’ia vlen me qa!”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora