E diele, 28.04.2024, 07:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Gjorgj Bajroni dhe koha e jonë

E shtune, 13.11.2010, 08:56 PM


GJORGJ BAJRONI DHE KOHA E JONË

 

Nga Begzad BALIU

 

Dy shekuj më parë, më 1810, një shkrimtar i ri anglez i vizitonte tokat shqiptare të Jugut në kufi me Greqinë. Siç ndodh rrallë me fatet e njerëzve, ngjarjeve historike dhe madje me popujt e tërë, ky shkrimtar me këtë udhëtim, jo vetëm do të përcaktojë vendin e tij në letërsinë angleze dhe madje në atë përbotshme, por do të përcaktojë  edhe fatin e një pushteti dhe shteti, sado i vogël të ketë qenë (Pashallëku i Janinës) dhe fatin e një populli të vogël e të panjohur në sytë e Europës perëndimore - popullit shqiptar.

 

Nuk e di a është e domosdoshme të thuhet në këtë rast, se në këtë kohë, ishte edhe një Pashallëk tjetër në Veri të Shqipërisë, i cili drejtohej po ashtu nga një Pasha, se kishte porte bregdetare e qytete me zhvillime të jashtëzakonshme qytetare e qytetëruese, që gjatë kësaj kohe përjetonin një zhvillim po kaq kulturor, ekonomik e social, përballë qyteteve perëndimore të Italisë, por dija jonë për të është zbehur shumë, ndërsa reflektimi i tij në sytë e Europës është pothuajse i panjohur.

 

Sot historianët tanë ndërkaq përmasat e pakrahasueshme të këtyre dy pashallëqeve i shpjegojnë te prania e Bajronit në Jug, por jo edhe në Veri të Shqipërisë.

 

A është kjo arsyeja pse jo vetëm shtetet dhe pushtetet më të fuqishme demokratike, por edhe pushtetet më të egra, edhe diktatorët më të urryer të të gjitha sistemeve dhe të të gjitha shteteve janë kujdesur që në oborret e tyre mbretërore, në pallatet e tyre shtetërore e qeveritare, të krijojnë kushte më se të favorshme për shkrimtarët kombëtarë dhe për shkrimtarët më të njohur të botës.

 

A është kjo arsyeja pse gjatë shekullit XX shqiptarët e rrethuar nga diktatura dhe shqiptarët e pushtuar jashtë kufijve të shtetit shqiptar, shumë kohë kanë lakmuar përvojën e shteteve dhe të popujve që me kaq përkushtim ua kanë ofruar krijuesve nga gjithë bota mundësinë që të frymëzoheshin jo vetëm prej mrekullive që ka krijuar natyra: Kanionin e Madh, Pengesën e Madhe Koralore, Portin e Rio de Zhaneiros, Malin Everest, Agimin Polar, Vullkanin e Parikutinit, Ujëvarën e Viktorias, Trekëndëshin e Bermudeve etj, por edhe prej mrekullive që kanë krijuar paraardhësit e tyre: Piramidën e Keopsit, Kopshtet e Varura të Babilonisë, Shtatoren e Zeusit në Olimp, Kolosin e Rodosit, Farin e Aleksandrisë, Koloseumin, Murin kinez, Aja Sofinë, Kullën e Pjerrët të Pizës, Tunelin e La Manshit, Digat e Holandës, Kanalin e Panamasë, Murin Kinez, Taxhë Mahallën etj., pavarësisht prej kohës kur janë krijuar dhe pavarësisht prej pushtetit, sistemit shoqëror dhe personalitetet që i ka frymëzuar.

 

A është kjo arsyeja pse gjatë gjysmës së dytë të shekullit që sapo e lamë ne shqiptarët e kemi lakmuar shumë përvojën e jo vetëm popujve europianë, por edhe të fqinjëve tanë të rajonit: grekëve, bullgarëve, maqedonasve, serbëve, malazezëve, boshnjakëve, kroatëve, turqve e të tjerëve, për organizimin e aktiviteteve të veçanta letrare me krijues nga e gjithë bota, për vendosjen e tyre në pikat më të bukura turistike të vendeve përkatëse dhe për respektin me të cilin i prisnin dhe i përcillnin ata.

 

A është kjo arsyeja pse gjatë gjithë këtij gjysmë shekulli shqiptarët dhe hapësira etnografike e tyre: gjuha, kultura, mitet dhe legjendat, heronjtë e lashtësisë dhe heronjtë e kohës së re, vendbanimet dhe vendet turistike, shenjat arkeologjike dhe objektet bashkëkohore, janë kaq pak të pranishme në krijimtarinë letrare artistike të letërsisë së huaj, në mos më të pakta se gjatë gjithë historisë sonë. E ne kishim çka t’iu ofrojmë dhe me çka t’i frymëzojmë, ashtu si edhe Athina, Rodosi, Olimpi, Liqeni i Ohrit e Ura mbi Dri, Varna, Stambolli e Aja Sofija, Sfeti Stefani, Dubrovniku, Kalimegdani, Ura e Mostarit, Shpella e Postonjes etj., dhe do të donim që në poezinë e letërsisë së përbotshme të kishim edhe referenca të gjeografisë, historisë e të kulturës shqiptare: Syrin e kaltër, Kalanë e Krujës, Kalanë e Rozafës, Butrintin, Liqenet e Lurës, Sahatin e Tiranës, Kishën e Laçit, Urën e Shejtë, Prizrenin, Rugovën, Shpellën e Gadimes etj. 

 

Dhe kjo ndodhte madje në kohën kur letërsia klasike e popujve fqinjë dhe e popujve të Europës: temat, heronjtë e saj dhe rrezatimi shekullor i tyre ishin veprat më të lexuara të këtij brezi në gjithë hapësirën shqiptare. Në këtë kohë shumë të vështirë të rrethimit ideologjik, pragmatik dhe kulturor, pra rrethimit material e shpirtëror të hapësirës shqiptare, lexuesi ynë më parë se sa Kuranin dhe Biblën, mbante në dorë Këngët kreshnike shqiptare, Epin e Gilgameshit, Këngët e Rolandit dhe poemat homerike,  Virgjilin dhe Eskilin, Danten dhe Shekspirin, Servantesin dhe Gëten, Dikensin dhe Hygon, Kafkën dhe Xhojsin e të tjerë, në një kohë kur pengesat ideologjike në Shqipëri dhe të drejtat nacionale në Kosovë, pengonin idenë për lirinë dhe demokracinë që rrezatonin shkrimtarët e romantizmit kombëtare apo edhe të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

 

Në një kohë kur shkrimtarët fqinjë dhe ata nga Europa e Amerika nuk mund të vinin në hapësirën shqiptare, lexuesit e këtij brezi frymëzoheshin dhe i mbanin për simbol heronjtë e letërsisë së përbotshme, duke i bërë ata pjesë të sjelljes së përditshme të jetës së tyre, duke përfshirë këtu edhe emërtimin e fëmijëve me emrat e shkrimtarëve apo të heronjve të veprave të tyre. Kjo është arsyeja pse në amzën e antroponimisë shqiptare mund të vjelët dhe të krijohet një sistem i tërë emrash të shkrimtarëve klasikë dhe madje bashkëkohorë, një sistem po kaq i pasur emrash të personazheve të veprave letrare nga antikitetit greko-romak, më pak mesjetar, por shumë i pasur nga periudha e romantizmit europian dhe sidomos Revolucioni borgjez francez. Kjo është arsyeja pse shqiptarët edhe në një periudhë mjaft të mugët të gjysmës së dytë të shekullit XX, në prag të rënies së Murit të Berlinit, identifikuan dhe u identifikuan, ndoshta më fuqishëm se të gjithë popujt fqinj të tyre me shembullin e heronjve të Homerit, me konceptet e demokracisë së Eskilit, me ferrin e Dante Aligerit, me Brutin e Shekspirit, me Don Kishotin e Servantesit, me Vilhelm Telin e Fridrih Shilerit, lirinë me heronjtë e poezisë lirike të Lorkës dhe demokracinë me përmasën e përfytyrimit të Don Kishotit në shoqërinë shqiptare.

 

Le të kujtohet këtu se veprat universale të letërsisë së përbotshme, për lirinë dhe demokracinë, shqiptarët i kanë frymëzuar edhe gjatë luftës së Kosovës, kur bardët e kësaj lufte vazhdonin të prodhonin një epos kaq të pasur, brenda të cilit, ata kanë ruajtur kujtesën dhe vlerat më të çmuara historike, materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Ndoshta, mu për faktin se ata ishin pjesëmarrës të këtyre ngjarjeve historike, në këngët e tyre ka kaq shumë përjetime të brendshme, po edhe shije estetike edhe semantike të ndërtimit e të rindërtimit të jashtëzakonshëm të figurave dhe ngjarjeve historike, në mos edhe këtu vazhdon natyrshëm tradita mijëvjeçare e famës së eposeve dhe bardëve të tyre të njohur: Homerit, Virgjilit, Dantes, Servantesit, Shekspirit, Honore de Balzakut, Lew Tolstoit, Fjodor M. Dostojevskit, Jeronim de Radës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës etj.

 

Le të kthehemi edhe njëherë te Gjorgj Bajroni. Dy shekuj më parë shkrimtari i madh anglez Gjorgj Bajroni, pasi kaloi Portugalinë dhe Spanjën erdhi në Pashallakun e Ali Pashë Tepelenës, shkroi kryeveprën e tij "Shtegtimi i Çajlld Harolldit", duke ia falur kështu gjithë madhështinë e tij e të botës materiale e shpirtërore shqiptare Europës Perëndimore dhe pas më shumë se një dekade ia fali jetën lirisë së Greqisë. Jemi me fat që prej shkrimtarëve të sotëm nuk kërkohet flijimi, si sakrifica më e lartë sublime e tyre për lirinë dhe demokracinë e Europës, por në qoftë se mitet dhe heronjtë e letërsisë së  shkruar të antikitetit grek vazhdojnë të jetojnë në zonat e thella kontinentale të alpeve shqiptare, si dhe të frymëzojnë lirinë universale të botës shpirtërore dhe materiale shqiptare (në mos i paçin frymëzuar dikur pikërisht këta poetët e antikitetit helen), nëse heronjtë e Homerit, veprën e të cilit e ka përkthyer kryerilindësi ynë i madh Naim Frashëri, kanë frymëzuar luftëtarët e zgjimit kombëtar shqiptar të shekullit XIX, nëse heronjtë e Kazanzakisit e të Lorkës i kanë frymëzuar luftëtarët e luftës së Kosovës, kjo do të thotë se të gjithë këto vlera kanë vendin në gjakun e themeleve të pavarësisë së Kosovës e të lirisë sonë.

 

Le të besojmë të nderuar kolegë nga Greqia dhe Spanja se kjo është e mjaftueshme që qeveria e sotme greke dhe ajo spanjolle ta njoh pavarësinë e Kosovës, sepse duke njohur pavarësinë e Kosovës, ato nderojnë njëkohësisht edhe djepin e trashëgimisë së tyre, që me shekuj ka frymëzuar lirinë dhe demokracinë europiane.

 

(Fjalë e mbajtur në Orën e madhe letrare të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Kritikëve Ndërkombëtarë, në Universitetin Dardania, në Prishtinë, më 10.11. 2010.)



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora