E merkure, 01.05.2024, 01:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Përse qanin vajzat nga tri ditë para se të shkonin nuse tek burri?

E premte, 12.11.2010, 10:59 PM


Gjurmëve të traditës sonë:

 

PËRSE QANIN VAJZAT NGA TRI DITË PARA SE TË SHKONIN  NUSE TEK BURRI ?

 

Nga Demir KRASNIQI

 

Njëra nga ritet më të vjetra në traditën e dasmave , jo vetëm në Malësinë e Gollakut, por edhe më gjerë në hapësirat e krahinave shqiptare , pa dyshim është riti i martesave të vajzave , që në gjuhen e popullit është i njohur si :”Qitja e shamisë së vajzës”, ose “ Bërja e vajzës  me vaj “.

            Në kohërat më të hershme , dita më e preferuar për dasmat e martesave ndër popullin shqiptar , ka qenë dita e Enjte , e cila konsiderohej si “Ditë e Madhe”, “Ditë e Shenjtë”, “Ditë e Mbarë”, “Natë e Madhe”...etj.

            Shumë më vonë, gjatë periudhës së komunizmit , fillon të aplikohet edhe dita e Diele, si ditë e dytë e javës, për organizimin e ceremonive të martesave familjare .

Kjo ditë, shfrytëzohej për dasmat popullore nga rrethanat e krijuara shoqërore, nga se në këtë periudhë fillojnë njerëzia të punësohen nëpër vende të ndryshme pune, si dhe gjeneratat e reja fillojnë që të shkollohen . Kështu që, organizimi i dasmave dhe ahengjeve tjera familjare ditën e Enjte, thuaj se ishte i pa mundur për shkak të mungesave në vendet e punës dhe nëpër shkolla .

Në anën tjetër, në periudhat më të hershme kohore , tek popullata autoktone shqiptare – dita e Diele konsiderohej si ditë e dasmave dhe martesave të serbëve !

 Përveç kësaj bindje, shqiptarët i druanin organizimit të dasmave në ditën e Diele, nga se ekzistonte rreziku permanent që turmat e krushqve shqiptarë , mund të ndeshen me turmat e krushqve serbë, me ç’ rast shumë lehtë do të mund të shpërthente konflikti dypalësh i cili do të përfundonte me pasoja të pa parashikueshme fatale !

Sipas traditave dhe zakoneve më të hershme , dasmat e martesave tek shqiptarët autokton , kanë zgjatur nga 5 ditë efektive .

Po qe se dita e dasmës është përcaktuar për ditën e Enjte , ajo ka filluar që nga dita e Hëne, kur në shtëpinë e vajzës e cila do të bëhej nuse – do të fillonte ceremonia e “Bërjes me vaj të vajzës”, kurse në shtëpinë e dasmorit , i cili do ta martojë djalin , po në të njëjtën ditë , do të sitet mielli për gatesën e “Kulaçit të Nuses” dhe dasma do të përfundonte definitivisht në ditën e Premte .

Po qe se dita e dasmës është përcaktuar për ditën e Diele, atëherë ajo ka filluar që nga dita e Enjte, në shtëpinë e vajzës e cila do të bëhej nuse dhe atë ditë ceremonia dasmore do të fillonte me “Bërjen me vaj të vajzës”, kurse në shtëpinë e dasmorit, i cili do ta martojë djalin , po në atë ditë, do të sitet mielli për gatesën e “Kulaçit të Nuses” dhe dasma do të përfundonte definitivisht në ditën e Hëne .

 

Orari i zhvillimit  të ceremonive të dasmës në shtëpinë e vajzës e cila do të bëhej nuse

 

Po qe se Dita e Dasmës, është përcaktuar për ditën e Enjte, atëherë ceremonitë tradicionale për këtë dasmë , në shtëpinë e vajzës e cila do të bëhet nuse , ritet dhe zakonet  do të zhvilloheshin sipas këtij orari :

 

1.      Dita e Hënë

 

-          Mbledhja e bijave të shtëpisë, kushërirave , grave të lagjes , mikeshave, grave të farefisit , të dajallarëve ...etj.

-          Qitja e shamisë dhe bërja e vajzës me vaj ,

-          Ndërrimi i rrobave të vajzërisë dhe veshja solemne me rroba të nusërisë së vajzës e cila do të bëhet nuse .

 

2. Dita e Marte

 

Është dita e dytë e “Vajit të vajzës” e cila do të bëhet nuse dhe kjo ditë ndryshe quhet: ”Dita e daljes së vajzës nëpër kojshi”.

Në këtë ditë, të gjitha mysafiret pjesëmarrëse të dasmës së vajzës e cila do të bëhet nuse, do të zgjohen herët në mëngjes, do të përgatiten vet dhe do ta përgatisin vajzën që do të shkojë nuse, që së pari t’i merr ngrykë të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm duke filluar nga anëtarët e ngushtë të familjes së saj e deri tek fëmija më i vogël, pastaj do ta ngrënin mëngjesin e hershëm dhe menjëherë do të fillojnë turneun nëpër të gjitha shtëpitë dhe familjet e lagjes (kojshive).

Kjo ceremoni , tradicionalisht , organizohet me qëllim që vajza e cila do të bëhet nuse, të përshëndetet me të gjithë njerëzit e lagjes (të afërmit, kushërinjtë e gjakut), që nga më i vjetri e deri tek më i riu , duke i marrë ngryk ngrohtësisht me të qarë me zë dhe duke ua kërkuar hallallin që të gjithëve, nga se ajo po ndahet përgjithmonë prej tyre !

Ceremonia e daljes së vajzës që do të shkojë nuse , nëpër kojshi, pa dyshim se është njëra ndër ceremonitë më të prekshme dhe më nostalgjike për të gjithë ata që do të jenë të pranishëm gjatë kësaj ceremonie !

Karakteristikë e veçantë e kësaj ceremonie është zakoni që vajza e cila do të bëhet nuse , përveç vizitave të secilës familje nëpër kojshitë e saj dhe marrjes ngryk të secilit anëtarë familje në shenj përshëndetjeje dhe hallallshtisje , ajo do t’i përqafojë ngrohtësisht duke qarë me zë të lartë edhe dyert e oborreve të çdo shtëpie, pragjet e shtëpive, oxhaqet e shtëpive, magjet e bukës dhe të gjitha elementet më vitale të shtëpive. Ky akt i përshëndetjes dhe vajit të vajzës, është akt shumë i prekshëm për të pranishmit sa populli thotë:”Gurë e dru i bëri me vaj”!

 

3. Dita e Mërkurë

 

            Dita e Mërkurë, shënon ditën e tretë kalendarike të dasmës së vajzës e cila do të bëhet nuse .

            Kjo ditë , në ceremonitë e dasmës së vajzave, ndryshe quhet:”Dita e grave”, apo “Dita e çejzit “.

            Pra , ditën e Mërkurë, në shtëpinë e vajzës e cila do të bëhet nuse, që nga orët e para të mëngjesit bëhet shtrirja dhe ekspozimi i çejzit të përgatitur gjatë qëndrimit të vajzës “Nën unazë”(koha që prej kur është fejuar vajza), në mënyrë që të mund të shihet e vizitohet nga një numër i madh grash , nusesh dhe vajzash që do të vijnë atë ditë pa u ftuar, nga të gjitha fshatrat më të afërta për rreth .

            Të Mërkurën në mbrëmje, pasi të jetë ngrënë darka , vazhdon ceremonia e ngjitjes së kanës – vajzës e cila do të bëhet nuse , duke filluar nga ngjyrosja e flokëve, gishtërinjve , duarve dhe disa pjesëve tjera të trupit.

            Kaptinë e veçantë e kësaj mbrëmje, e cila llogaritet si mbrëmja e fundit e qëndrimit të vajzës që do të shkojë nuse, në shtëpinë e babait dhe në gjirin e saj familjarë, ku ka lindur dhe është rritur .

            Në këtë mbrëmje, këndohen këngët më të prekshme pikëlluese, madje edhe vajtuese. Në fund të kësaj ceremonie, vajza e cila do të shkojë nuse, do t’ ua le për kujtim familjarëve të saj nga disa gishta kanë, nëpër muret e shtëpisë, të cilat nuk do të shlyhen gjatë nga ato mure !

 

            4. Dita e Enjte

 

            Dita e Enjte, shënon ditën e katërt të dasmës së martesës së vajzës e cila do të shkojë nuse .Kjo ditë, njëherësh është dita e martesës së vajzës dhe djalit – çiftit të ri, i cili do të lidhë një jetë të re bashkëshortore në shtëpinë dhe familjen e djalit i cili do të martohet .

            Gjatë kësaj dite, vajza e cila do të shkojë nuse , do të përgatitet vet dhe bashkë me te edhe çejzin e saj, për të udhëtuar deri tek shtëpia e djalit me të cilin do të martohet .

            Rrugëtimi , apo marrja e nuses është bërë në disa mënyra: krushqit kanë udhëtuar kryesisht këmbë e disa me kuaj, kurse nusja është marrë me koçi , saj, qerre dyshe, qerre katërshe, me qe, me kuaj, apo edhe me gomarë në rastet kur kanë ekzistuar terrene të vështira malore .

 

            5. Dita e Premte

 

            Dita e Premte, shënon ditën e pestë të dasmës së vajzës dhe kjo ditë quhet :”Dita e çejzit të nuses “, ku ekspozohet çejzi i nuses në shtëpinë e djalit që është martuar, me qëllim që të gjithë dasmorët pjesëmarrës, por edhe të gjitha gratë, nuset dhe vajzat e fshatrave për rreth, të vijnë dhe ta shohin çejzin e nuses bashkë me nusen .

            Po atë ditë, në mëngjes bëhet “Thyerja e Kulaçit të Nuses”, ku në këtë ceremoni do të marrin pjesë të gjithë anëtarët e familjes së djalit që është martuar , miqtë më të afërm dhe të afërmit e kësaj familje.

            Ceremonia e “Thyerjes së Kulaçit të Nuses” dhe ngrënia e tij, bëhen në shenj nderimi dhe krenarie ndaj autoritetit dhe dinjitetit moral të nuses e cila ka ruajtur me besnikëri moralin e saj të pastër si loti i syrit .

            Vlen të theksohet se të gjitha këto ceremoni zakonore do të zhvillohen sipas të njëjtit orar edhe në rastet kur dasmat do të organizohen ditën e Diele . Në këtë rast, vajza e cila do të bëhet nuse, do të bëhet me vaj ditën e Enjte, për të vazhduar pastaj ceremonitë tjera ditën e Premte, e Shtune, e Diele dhe e Hëne .

 

            Kush ia vë shaminë vajzës në ditën që do të bëhet me vaj dhe si do të qajë vajza gjatë tri ditëve , deri sa të shkojë nuse ?

 

            Sipas traditës dhe zakoneve shqiptare, në ditën kur vajza që do të shkojë nuse, do t’i vihet shamia dhe do të bëhet me vaj, gratë e shtëpisë, gratë e familjarëve më të afërm, bijat e shtëpisë dhe mikeshat e shtëpisë, do të mblidhen në një dhomë të veçantë, ku nuk do të kontaktojnë me vajzën e cila do të shkojë nuse dhe që në asnjë mënyrë, as vajza nuk do t’i shohë gratë e bijat të cilat kanë ardhur për ta bërë nuse atë!

            Vajza që do të bëhet nuse, atë ditë, që nga orët e hershme të mëngjesit, do të qëndrojë e mbyllur dhe e vetmuar në një dhomë të veçantë të shtëpisë së saj dhe ajo gjatë tërë kohës simulon , kinse nuk po e di se për çfarë janë mbledhur gjithë ato mysafire në shtëpinë e saj ?! Madje, ajo deri në momentin kur do t’i vihet shamia, do të qëndisë diçka, ose do të thurë diçka me kërrabëza !

            Diku , pak para orës 12.00, sipas zakonit dhe traditës, është momenti kur vajzës e cila  do të bëhet nuse – do t’ i  vihet shamia dhe do të bëhet me vaj .

            Për t’ia vu shaminë vajzës dhe për ta bërë atë me vaj, zakonisht caktohet një nuse e re e familjes, apo një bijë e martuar që është e qëndrueshme dhe e fortë fizikisht ! Kjo përzgjedhje bëhet me qëllim që së pari ajo që ia vë shaminë vajzës – duhet t’i përballojë vajit dhe nostalgjisë së madhe në atë rast, por në anën tjetër, vajza që do të bëhet nuse do të tentojë me tërë forcën e saj, që t’i rezistojë vënies së shamisë mbi kokë me qëllim që të demonstrojë kundërshtimin e saj se gjoja, ajo nuk dëshiron që të bëhet nuse, as që të ndahet nga shtëpia dhe familja e saj !

            Nusja, apo bija e shtëpisë e cila do të përcaktohet që t’ia vë shaminë vajzës dhe ta bëjë me vaj atë, është e angazhuar që para vajzës – t’ia fillojë e para që të qajë me zë, sipas zakonit, me qëllim që t’a mësojë vajzën që do të bëhet nuse se si duhet të qajë ajo , pasi që t’i jetë vu shamia !

            Po kjo nuse, apo bijë prijatare e vajit të vajzës e cila do të bëhet nuse, do ta ketë rolin prijës edhe gjatë ceremonisë së zhveshjes së vajzës nga rrobat e vajzërisë dhe veshjes së rrobave të nusërisë, nga se edhe në këtë ceremoni – vajza e cila do të bëhet nuse, duhet të kundërshtoj ashpër hedhjen e rrobave të vajzërisë dhe veshjen e rrobave të nusërisë !

 

            Si qanë vajza që bëhet nuse dhe përse ia mbulojnë kokën me shami?

 

            Sipas traditave dhe zakoneve , vajzës e cila do të bëhet nuse , duhet t’i mbulohet koka dhe fytyra me një shami të bardhë, në mënyrë që gjatë tri ditëve sa do të qajë ajo, të mos i shihen lotët fytyrës dhe të mos turpërohet nga familjarët dhe të afërmit e saj, për faktin se ajo do të shkojë nuse dhe do ta braktis përgjithmonë familjen, shtëpinë dhe të afërmit e saj !

            Në anën tjetër, në rastet kur vajzës që është bërë me vaj, nuk do t’i shihen lotët, atëherë ajo do të llogaritej si e paturpshme dhe kureshtare që po shkon te burri !

            Që nga dita e parë e të bërit të vajzës me vaj , e deri në momentin e fundit të daljes së saj nga shtëpia, ndarjes nga të afërmit dhe familjarët e saj , sipas traditës , vajza duhet të qajë me zë të lartë aq sa të dëgjohet në mbarë lagjen e saj dhe gjithnjë duke klithur me pasthirrmën :”Uh!Uh!”

            Klithja dhe vaji i trishtueshëm gjatë tri ditëve rresht , nën pasthirrmën :”Uh!Uh!”, nënkupton pezmin e thellë shpirtëror të vajzës e cila do të shkojë nuse, pezmin tronditës të ndarjes së saj nga gjiri i ngrohtë familjarë dhe ndarja nga çerdhja ku është lindur e rritur nën gëzimet dhe përjetimet më të ëmbla në jetë !

 

            Çka rrëfenin muhaxhirët e vjetër rreth vajit të vajzave për tri ditë rresht para se të shkonin nuse ?

 

            Jo rrallë herë, na ka rënë rasti që nëpër ndeje të odave të ndryshme, nëpër dasma e tubime të ndryshme , të dëgjojmë rrëfime rrëqethëse nga disa pleq të vjetër që ishin pasardhës të muhaxhirëve të shpërngulur me dhunë nga regjimet barbare serbe nga vatrat e tyre stërgjyshore në Jabllanicë, Toplicë, Sanxhakun e Nishit, Vrajës, Leskocit dhe vendbanimeve tjera të banuara me popullatë autoktone shqiptare .

            Shpërnguljet masive të kësaj popullate kishin filluar që nga viti 1872, për të vazhduar me kontinuitet në vitet 1876, 1878 e më vonë .

            Popullata shqiptare e shpërngulur me dhunë nga ato treva, janë vendosur nëpër vendbanime të ndryshme të Kosovës dhe krahinave tjera shqiptare . Ata, si kujtim të përjetshëm për të kujtuar nostalgjinë e tyre ndaj vendlindjeve të tyre, me vendosmëri edhe deri në ditët e sotme , i kanë përdorur në administratën civile si mbiemra – emrat e fshatrave të tyre prej nga janë përndjekur !

            Përveç këtyre mbiemrave, popullata e shpërngulur nga ato krahina , të cilët në shenj përbuzje ndaj tyre, nga ana e pushtetarëve të atëhershëm turkë, janë quajtur:”Muhaxhir”, që në gjuhën shqipe do të thotë:”Ardhacakë”, bashkë me veti, përveç shpirtrave të tyre , kanë sjellë edhe shumë gjëra nga tradita dhe kultura e tyre autoktone nga ato vise, të cilat i kanë ruajtur me xhelozi dhe i kanë kultivuar me besnikëri deri në ditët e sotme .

            Njëra prej traditave dhe zakoneve më karakteristike që ka gjenezën nga trashëgimia kulturore e shpirtërore e atyre krahinave, pa dyshim është edhe riti i martesës së vajzave , të cilat para se të bëheshin nuse , duhet të qanin me zë të lartë plot tri ditë para se të shkonin nuse në familjen e burrit për të cilin i kishin fejuar prindërit e tyre.

            Një variant shumë autokton rreth këtyre riteve dhe zakoneve rreth vajit të vajzës plot tri ditë para se të shkonte nuse , e kanë tregua me lot në sy dhe fjalë rrëqethëse shumë pleq e plaka të vjetër, të cilët kishin ardhur në Kosovë, nga ato krahina !

            Ata , me zë të ngulfatur nën fyt nga frika se po i  përgjonte  dikush nga shërbëtorët e pushtetarëve serbë dhe me fytyra të lara me lot, na pëshpëritnin për arsyet dhe motivet se përse kishte mbetur traditë që vajzat shqiptare – para se të bëheshin nuse , të qanin me shami mbi kokë e fytyrë , me zë të lartë vajtues plot tri ditë rresht, para se të shkonin te burri !

            Lidhur me këtë traditë të hidhur, pleqtë e vjetër me prejardhje muhaxhirësh , tregonin si vijon:

            “Kur ka filluar shpërngulja e madhe e shqiptarëve nga krahinat e Jabllanicës, Toplicës, Nishit, Leskocit, Vrajës ...me përdorimin e torturave më çnjerëzore , frikësimit, kërcënimit, djegëjeve të shtëpive e deri tek vrasjet dhe kasapitjet e atyre shqiptarëve të cilët nuk iu bindeshin urdhrave të pushtetarëve serbë , për t’u shpërngulur nga vatrat e tyre stërgjyshore ; njëri ndër kushtet të cilin serbët ua kishin propozuar shqiptarëve që t’ua plotësojnë, po qe se duan që të qëndrojnë edhe më tutje nëpër vatrat, shtëpitë dhe tokat e tyre – atëherë duhet të pranojnë me vullnet që të bëjnë martesa të përziera me serbët e atjeshëm ! Në këtë rast, fjala ishte për martesën e vajzave shqiptare me djemtë e serbëve nga ato krahina ?!

            Disa vajza shqiptare , duke i kuptuar thellë kërkesat genocidale serbe, për të lidhur martesa të përziera me vajzat shqiptare dhe në këtë mënyrë, për ta asimiluar sa më shpejtë popullatën shqiptare të atyre krahinave , në pamundësi për të rezistuar dhe luftuar me kasapët ardhacak karpatjanë dhe me shpresë se do t’i shpëtojnë familjet e tyre nga djegëjet, vrasjet dhe kasapitjet nga thikat e gjakpirësve serbë, kishin vendosur me dëshirë që të bëhen kurbane , apo viktima të familjeve të tyre dhe t’i  pranojnë ato martesa, vetëm e vetëm që t’i shpëtojnë familjet e tyre bashkë me shtëpitë dhe pasuritë e tyre !

            Nga këto rrethana , vajzat të cilat e përjetuan fatin e zi të martesave të dhunshme me serbë, nga malli i madh, nga dhembja shpirtërore dhe nga vetëdija se çka do t’ i  priste më vonë nga ato martesa, filluan që të qajnë me zë të lartë vajtues, me fytyrë dhe kokë të mbuluar nga turpi, plot tri ditë rresht para se të shkonin nuse në familjen e serbijanit!”...

            Lidhur me motivet dhe rrëfimet e cekura më lartë , nga ana e pleqve të ardhur muhaxhirë nga ato krahina , po e shtoj edhe një motiv që ka të bëjë me folklorin tradicional të bartur nga ato krahina:

            -Të parët e familjes së nënës sime , kanë qenë nga një fshat i rrethit të Medvegjës që është quajtur Balltiq . Ata , bashkë me shumë shqiptarë të tjerë të përndjekur me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore , kishin ardhur në fshatin Gëmicë të Malësisë së Gollakut, ku ishin vendosur në lagjen e Korçajve .

            Dajallarët e mi, si edhe nëna ime, që të gjithë kishin pasur traditë këngën dhe këndimin. Nëna ime, Hysa , ndjesë pastë, ka ditur shumë këngë të cilat herë pas here mi këndonte që kur isha fëmijë .Jo rrallë, ndër shumë këngë të tjera që i dinte ajo, ma këndonte edhe këngën popullore me motive të kanagjegjit , që titullohej :”Kajë hatixhe, kajë se shkove”!

            Kjo këngë, ndonëse isha fëmijë, më bënte përshtypje shumë, sidomos kur e dëgjoja se çfarë teksti kishte! Një ditë, nuk mu durua dot dhe e pyeta nënën time, se prej nga e ka mësuar këtë këngë dhe kush ia ka këndua asaj ?!

            Nëna ime, pa hezitim mu përgjigj :”Po biro! Këtë këngë ma ka këndua dhe mësua nëna ime – Ziza e cila më ka treguar se këtë këngë e kanë këndua shumë herët nëpër dasma e kanagjeçe të ndryshme, gratë e muhaxhirëve të ardhur nga Balltiqi dhe rrethi i Medvegjës , të cilët i ka përzënë Serbia prej tokave dhe shtëpive të tyre !”...

            Fatmirësisht, unë edhe pse isha fëmijë , nga kureshtja e madhe dhe nga dëshira e flaktë që t’i ruaj për kujtim këngët që i këndonte nëna ime, e pata shënuar atë këngë dhe tani me gjithë dëshirë do t’ ua dhuroj edhe lexuesve të nderuar, si dhe të gjithë atyre të cilët merren me studime etnomuzikologjike :

 

            KAJË HATIXHE , KAJË SE SHKOVE

 

Kajë Hatixhe, kajë se shkove ,

T’ ka  pasë baba, zojë Gjakove .

 

Zojë Gjakove , zojë Gillani ,

Sod  po t’ çon te serbijani !

 

Serbijani , pak ma i zi ,

N’ Natë t’ Bajramit, pret ni thi !

 

N’ Natë t’ Bajramit, pret ni thi ,

N’ Ditë t’ Bajramit , pinë raki !

 

Serbijanët janë çergaxhi

Derë me derë si  kallajxhi !

 

Nuk kanë plang, as nuk kanë shpi ,

S’ kanë oxhak tim me përbi !

 

S’ kanë verig , as s’ kanë kusi ,

Nuk kanë magje , as s’ kanë tepsi !

 

N’ ven t’ kusisë e vnojnë ni vrobë ,

N’ ven t’ verigut e vnojnë ni tojë !

 

Me çue naltë  -  nuk po vlon vorba ,

Me ungjë poshtë -  ju soset toja !

 

             Simbolika e lënies së gishtave të kanës për kujtim familjarëve nga ana e vajzës e cila do të shkojë nuse

 

            Krahas traditës së vajit të vajzave të cilat qanin plot tri ditë rresht , para se të shkonin nuse, gjatë natës së tretë të vajit të vajzës, përkatësisht , në mbrëmjen e fundit të qëndrimit të saj në familjen e vet, para se të shkojë nuse, ka qenë zakon që të organizohet “Nata e kanës”, apo “Kanagjeçi” i vajzës .

            Në këtë mbrëmje përshëndetëse, përveç që i është vu kana vajzës e cila të nesërmen do të shkojë nuse, i janë këndua shumë këngë nostalgjike dhe vajtimi ndër më të ndryshmet . Kjo është bërë me qëllim që vajza e cila po shkon nuse, të mos habitet e mashtrohet për asnjë çast, por të kuptojë fare mirë se sa i rëndë është malli për prindërit, familjen, vëllezërit, motrat, të afërmit , shtëpinë, vendlindjen , në çastet kur ajo duhet të ndahet përgjithmonë !

            Në këtë mbrëmje, me këngët dhe vajtimet që bëhen nga vajzat, bijat dhe të afërmet e familjes së vajzës e cila do të shkojë nuse , është e pamundur që dikush të shpëtoj pa u larë me lot ! Madje, thuhet se këngët dhe vajet e këtilla i shtyjnë që të qajnë edhe gurët dhe lisat e malit!

            Pa dyshim, se momenti më i pikëlluar gjatë kësaj ceremonie , është ai kur vajzat dhe bijat që e këndojnë dhe e vajtojnë vajzën e cila po shkon nuse, përmes vargjeve të këngës e thërrasin vajzën që t’ua lënë për kujtim nga disa gishta kane nëpër muret e shtëpisë, të gjithë anëtarëve të familjes së saj, duke filluar nga babai, nëna, vëllezërit dhe motrat .

            Gjurmët e gishtave të kanës , të cilat vajza ua lë për kujtim familjarëve të saj, mbi muret e shtëpisë, nuk guxojnë të fshihen dhe ata do të qëndrojnë gjatë derisa të shlyhen vet, në mënyrë që familjarët e vajzës sa herë që t’i shohin ato shenja mbi mure – ta kujtojnë bijën dhe motrën e vet e cila ka shkuar nuse në derë të huaj dhe që nuk do ta harrojnë kurrë!

            Ja vargjet e një kënge të këtillë, që janë kënduar në një kanagjeç në fshatin Tugjec, në vitin 1967 dhe që i kam shënua unë vet, autori i këtij shkrimi:

 

Kajë, moj motër , kajë me mallë –

Çka po i len babës për mallë?

 

-Po ja la  dhetë  gishta kanë ,

Se takamin ja kam lanë !

 

Ngjiti motër, ren me ren –

Sa herë t’i  shohin – le t’ përmen!

 

Kajë, moj motër , kajë me mallë –

Çka po i len nanës për mallë?

 

-Po ja la  dhetë gishta kanë –

Ndihma e jeme e ka lanë !

 

Ngjitja , oj motër, edhe ni pikë –

Le t’ kujtojnë qi je mahitë !

 

Kajë , moj motër , kajë me mallë –

Çka po u len vllazënve për mallë?

 

-Po ja u la pesë gishta kanë –

Hyzmeti i jem i ka lanë !

 

Ngjiti, motër, ren me ren –

Sa herë t’ i  shohin, kan me t’përmenë!

 

Kajë, oj motër , kajë me mallë –

Çka po u len motrav’  për mallë?

 

-Po ja u la pesë gishta kanë –

Loja e jeme i ka lanë !

 

Ngjiti , motër, pa pritue –

Sa herë t’i  shohin , kan me t’ kujtue !

 

Demir KRASNIQI – Gjilan, më 10 Nëntor 2010.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora