E diele, 28.04.2024, 06:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuri Plaku: ''Uni'' real dhe mistik tek ''mëkati...'' i Kutelit

E shtune, 13.11.2010, 08:57 PM


“UNI” REAL DHE MISTIK TEK “MEKATI…” I KUTELIT

   

(Mitrush KUTELI, E madhe është gjëma e mëkatit, Tiranë, “M. KUTELI”, 2000)

 

Nga Nuri PLAKU

 

Novela “E madhe është gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit përbën një nga veprat e rëndësishme të prozës shqiptare, e cila ka tërhequr herë pas here vëmendjen e kritikëve të ndryshëm për vlerat e saj të mirëfillta letrare dhe artistike. Në shtresimet e shumta kuptimore të kësaj vepre, mbushur me “magmën” estetike të tekstit lakonik, ndërthuren disa kode të shumëfishta, të cilët “apelojnë” për zona të virgjëra ndërmjet tij dhe interpretime të reja artistike. Një zonë e tillë është edhe ajo e udhës drejt mëkatit, e kryerjes së mëkatit dhe daljes prej tij. Në të tria këto momente të bie në sy konflikti i pashmangshëm midis “unit” real dhe “unit” mistik të personazhit, i cili, në thelb, përfaqëson konfliktin midis dy filozofive; asaj të materies dhe ideales. Ky konflikt mban në këmbë gjithë strukturën e veprës dhe, nëpërmjet tij, vetë vepra nxjerr në pah një nga temat më madhore të historisë së njerëzimit; raportin midis trupit e shpirtit. Në këtë këndvështrim, kjo prozë duhet t’i kapërcejë kufijtë e lexuesve të gjuhës origjinale për tu kthyer atë në një dëshmi elitare të artit shqiptar.

                                             

RRUGA DREJT MËKATIT

 

   Të gjitha situatat e krijuara në novelë Mitrush Kuteli i përgatit në mënyrë të natyrshme nga pikëpamja e rrethanave dhe ngarkesës psikologjike të personazhit. Ngjarja që zhvillohet aty konceptohet e tëra mbi një realitet të veshur me ndërgjegje dhe arsyetim të plotë veprimi. Tat Tanushi, personazhi kryesor i veprës, është i kompletuar me të gjithë parametrat e duhur për të hyrë në një konflikt madhor me Zotin, për të pritur dënimin e tij dhe për ta përballuar atë me stoicizëm. Duke u mbështetur mbi traditën popullore të jetesës, duke qenë një mjeshtër i njohjes së  trashëgimisë kulturore të fiseve dhe krahinave të ndryshme të vendit, Kuteli jo më kot e ka zgjedhur atë nga “dheu i butë i anëdetit” shqiptar. Është pikërisht kjo krahinë ku elementët gjeografikë, historikë dhe etnopsikologjikë, funksionojnë në mënyrë të harmonizuar drejt një startimi sipëran të personazhit. Në këtë pikëpamje, Kuteli jo vetëm e paraqet personazhin e tij si përfaqësuesin më tipik të pasardhësve ilirë, por duket sikur e ka gjetur portretin e tij të gatshëm midis banorëve të Myzeqesë. Edhe emri i Kalijes, të shoqes së Tatës, është tipik myzeqar. Gjithë ngjarja zhvillohet në zemër të kësaj krahine, në fshatin Bubutimë, që është Bubullima e sotme e rrethit të Lushnjes. Dihet se kjo zonë është zemra e krishtërimit në Shqipëri, pasi këtu u filluan predikimet e para që me Shën Palin në vitin 50 pas Krishtit. Pra, nga apostujt e parë, nga mësuesit e parë e deri te ndërtimi i strukturave të religjionit mbas zyrtarizimit të kësaj feje nga Shën Kostandini në vitin 313, ortodoksia shqiptare ka pasur këtu bazën e saj të patundshme. Në mesjetën e vonë, pikërisht këtu u ngrit kulti i Shën Mërisë në përputhje me përhapjen e tij në Europën Perëndimore. Është po kjo zonë që e priti pushtimin turk me “piramidë kokash ortodoksish” nga rezistenca kundër tyre. Janë pikërisht këta banorë, që i rezistuan konvertimit të tyre në fenë e pushtuesit, duke preferuar të banonin në kasollet e thjeshta të fushave sesa në pallatet e kasabave të privilegjuara nga çallma osmane. Janë këta banorë, që, në pavarësinë e Shqipërisë, numëronin 43 kisha e manastire dhe, së fundi, janë po këta banorë, që, si rrallë gjetkë, adhurojnë femrën deri në kult.

  Pra, me Tat Tanushin e Bubutimës, Kuteli ka realizuar në letërsinë shqipe figurën e një burri të fushave myzeqare në një formë të përkryer e tepër origjinale të karakterit të tij, në burrëri dhe dashurinë ndaj femrës. Kjo figurë është një përmendore e vërtetë letrare ngritur në letërsinë shqipe për një burrë myzeqar, një burrë që ndeshet me Zotin në një ndeshje biblike, një sivëlla i Prometeut antik. Nëse Prometeu ia rrëmbeu zjarrin Zotit, Zoti i rrëmbeu Tatës lumturinë. Mëria është e kundërt, ndërsa dënimi është i njëjtë; shqiponja tek Prometeu dhe pavdekësia tek Tata. Nga kjo pikëpamje në novelë gjejmë karakteristikat më përfaqësuese të kësaj treve, të cilat duhen evidentuar për vlerat e tyre etnokulturore, si manifeste të revoltës së thellë shpirtërore.

   Mëria e Tatës ndaj Zotit për vdekjen e Kalijes, ecja e tij e vetëdijshme drejt mëkatit dhe përpjekja për t’iu kundërvënë dënimit të Zotit, tregojnë karakterin e paepur, i cili, në kompleksin e trashëgimisë fisnore dhe në kontakt me zhvillimin e tij human, përbënë “unin” real të individit. Ky “unë”, sipas Frojdit apo “vetë” sipas Jungut, përbën nga njëra anë forcën kryesore të konfliktit të novelës. Anën tjetër të saj e përbën “uni” mistik fetar, i cili, te Tata, është gjithashtu një formim i vetëdijshëm për shkak të detyrës së priftërisë dhe besimit në Zot.   

   Dhe në ndeshjen e këtyre dy “unë” - ve, Kuteli bëhet aq i vëmendshëm sa të mahnit me filozofinë, argumentin dhe përgjegjësinë e përbashkët të tyre.

   Që në fillim të novelës Tata na jepet një burrë i realizuar. Ai jo vetëm se është i lumtur me jetën e me gruan e tij, por edhe e vlerëson pa masë këtë lumturi. Gjatë gjithë aktivitetit fetar, ai nuk shfaqet asnjëherë “erotik” me grigjën e besimtareve. Pra, është edhe dinjitar edhe i virtytshëm deri në plotëri. Në këtë pjesë të novelës, në vetëdijen e Tatës janë të përputhur në mënyrë të harmonishme të dy “unet”. Ata funksionojnë në unitet të plotë sipas nevojave më imediate të qenies humane dhe fetare, metabolizmit dhe besimit. Në mënyrë skematike në këtë pjesë të novelës, kemi aktivë vetëm raportin e çiftit, Tatë – Kalie. Por nga vezullimi i ndjenjës së dashurisë së Tatës për të shoqen, lihet të nënkuptohet fakti se pesha specifike e “unit” real është më e madhe se ajo e “unit” mistik. Tata përjeton lumturinë e tij të plotë. Ai i ka të gjitha të mirat; shëndetin fizik, mendor dhe shpirtëror. “...nëse uni personal është i madh dhe i pasur, mund të përjetojmë lumturinë më të madhe që mund të arrihet në këtë botë.” [1] Por befas ai e ndjen si hije të keqen që i afrohet kësaj lumturie. Ai e ndjen se “uni” i tij do të cënohet së afërmi. Kjo duket tek dhimbja që ndien ai kur i sëmuret e shoqja. Faqe të tëra të novelës përshkruajnë intensitetin e kësaj lumturie jo si proces real por si trishtim për mungesën e afërme të saj. Ajo afrohet si kënga e mjelmës së plakur. Sa vjen dhe sëmundja e pikëllon Tatën aq shumë sa ai e ndien atë si ndëshkim. Kjo jepet në tre momente kulmore të veprës:

   Momenti i parë është kur i përgjigjet të shoqes me sy të mbyllur si në jerm; “Që të të shoh më mirë, zemra ime.” [2]    Momenti i dytë kur i lutet Zotit, “Merr vite nga vitet që më ke dhënë dhe jepja shërbetores tënde Kali që të lavdërohet emri yt përjetë.” [3]

  Dhe momenti i tretë kur, “Nga dhimbja e madhe mjekra e flokët e tij u zbardhë krejt, sa dukej plak i shkuar dhe jo njeri më tridhjetë e shtatat.”  [4]

   Me shfaqjen e sëmundjes, kemi njëkohësisht edhe prishjen e skemës aktive të bashkëveprimit të çiftit dhe futjen midis tyre të Zotit, duke ndërtuar trinomin; Tat – Kalie – Zot.

Kjo është faza e parë e realizimit të tij si personazh dhe, padyshim, përbën pjesën më të bukur të novelës ku Kuteli ka arritur të na japi një himn të vërtetë për dashurinë, nëpërmjet një gjuhe figurative aq të pasur, aq të kursyer e aq të thelluar. Hapësira përshkruese ndihet kudo dhe kudo himni i dashurisë nuk shkruhet me fjalë por me sende dhe objekte, me lëvizje kurmi dhe shpirti. Dëshpërimi dhe sëmundja afrohen duke paralajmëruar këngën e trishtë të mjelmës. Puthja është te Kuteli e vetmja frymë e jetës mbi hijen e lagësht të vdekjes.”Buzët u takuan dhe reja u tret”, thotë ai. Është një takim që diç jep e merr me energjinë e jetës dhe të vdekjes e cila e kthen atë grua nga peng i ngurtësuar në “kore” të gdhendur.

   Fazën e zhvillimit të personazhit të tij Kuteli e ka dhënë pikërisht nëpërmjet trinomit të sipërcituar ku Tata shpreh zemërimin e vet. Pikërisht te ky trinom ndihet edhe “plasaritja” e ‘unit” mistik. Pikërisht te ky trinom Kuteli fillon të shfaq në prozën e tij edhe elemente të letërsisë apokaliptike, ku vetë skenat e ëndërrave, engjëjt, zërat në mur, japin vizione të qarta ezoterike duke e mbushur atë me vokacion biblik që buron herë - herë mugët si një frymë e butë bari, herë - herë si një duf dherash ku përziehen rënia, thyerja, prerja, mjekra dhe zëri, mbushur me ankth e tmerr apokaliptik.

   Faza e dytë e zhvillimit të personazhit lidhet me hyrjen e tij në udhën e mëkatit. Kjo ndodh gjatë rebelimit në periudhën e mbajtjes së zisë për të shoqen. Edhe këtu dallohen tri momente kryesore, që kulmojnë këtë revoltë. Duket si në fazën e parë edhe në të dytën Kuteli operon me numrin tre që është numri i shenjtë i trinitetit të krishterë.

Momenti i parë lidhet me dëshirën për t’u futur në varr.

   “Tat Tanush, Tat Tanush – i thirri një zë së larti, – Përse e zemëron Zotnë me dhimbjen tënde?” [5]

  Ky ishte mëkat i madh dhe si mëkat iu shkrua në librin e jetës.

Momenti i dytë lidhet me mendimin e tij se porta e varrit është porta që hyn në botën e përtejme dhe Zoti i drejtohet: “Lëre dhimbjen tënde dhe ruaj kopenë time.” [6] Dhe ia shkruan mëkatin e dytë në librin e jetës. Por konflikti sa vjen e thellohet.

Momenti i tretë lidhet me dëshirën për hapjen e varrit.  

Dikur, nga malli, i shkau mëndja t’i hapë varrë që ta shëkojë edhe një herë. Këtë nuk e bëri me dorë, por e kreu me mendje edhe kaq mjaftonte sa t’i shkruhej si mëkat i rëndë.” [7]    Në këtë fazë “uni” mistik është tronditur së tepërmi. Zoti ende nuk po e ndalon dotë bariun e tij të mos shkojë në rrugën e mëtejshme të mëkatit.

   “Frika e perëndive dhe e ligjeve na mban që të mos e ngarkojmë shpirtin me mëkate...”, [8] thoshte Sokrati i Athinës. Por Tata nuk e njeh frikën sipas këtij filozofi. Përjetimi i dhimbjes dhe shenjtërimi i dashurisë lindin mospranimin e vdekjes nga vdektari dhe kundërvënien e tij ndaj fatit të verbër të perëndive. Edhe këtu kemi një mesazh të qartë, i cili lidhet me revoltën e Prometeut. Madje Kuteli në këtë moment personazhin e tij e ngarkon edhe me një mëkat tjetër suplementar, me skulpturimin e fytyrës së Kalijes në dru. Ky mëkat e lidh atë me Kishën e Perëndimit. Koret janë gjurmë që shfaqen në lidhje me kulturën e Europës Perëndimore. “Dyke punuar kështu ay iu afrua punëve që punojnë ata të Kishës së Perëndimit.[9]    “Kaluan kështu tre vjet dhe nëkëta tre vjet ay u largua nga i Madhi i jetës, për një dorë eshtra e përfytyra të bëra në dru. Emri dhe fjalët e Zotit ishin edhe tani në buzët e tij, po zemra lark – sepse mbante mëri.” [10]

Pjesa e tretë e udhës drejt mëkatit fillon mbas mbarimit të zisë. Kuteli respekton me fanatizëm ligjet e pashkruara të trevës së anëdetit, ku përgjat tre vjetëve një burrë i ve duhet të mbajë “kreshmë syri” në respekt të të ndjerës. Mbas kësaj periudhe ai është i lirë të martohet. Po për Tatën është krejt ndryshe.

   Dhe ligji i hirit nuk e lejonte të dashurojë e të marrë grua të dytë.[11]

Ky rregull priftëror bëhet pjesë e privimit të kënaqësisë seksuale të njeriut, pra pjesë e “unit” mistik për shkak të detyrës. Dhe pikërisht këtu Tata i kundërvihet Zotit. Tashmë kemi shtresim dytësor të konfliktit. Shtresimit të  parë për shkak të Kalies, i shtohet i dyti për shkak të detyrës. Dhe natyrisht i dyti është më i hapur e më madhor se i pari. Por Tata është një burrë i realizuar dhe në një moshë të re ku ende digjet brenda tij etja për lumturinë dhe kënaqësitë trupore e cila i gjallon instiktet e brendshme.

  “Pa me që nuk zotëronte dot dëshirat e mishit, mendimi e shpuri në të tjera mëkate. Nisi të dëshirojë ato që i shihte syri; qengjat e kopesë së tij.” [12]

   Në këtë fazë të konfliktit të veprës trinomi i mëparshëm Tatë-Kalie – Zot, pëson një ndryshim të dukshëm. Kalija që me ikjen e saj, shkaktoi mërinë e Tatës ndaj Zotit, zëvendësohet tani, dora dorës, me imazhin e një gruaje të munguar e cila rizgjon me ardhjen e saj mërinë e Zotit ndaj Tatës. Ajo tashmë e ka mbaruar procesin e glorifikimit. Dy periudhat e shfaqjes së saj në novelë janë si dy faza të plota hëne; dashuria me Tatën dhe nderimi në periudhën e zisë. Ajo është kthyer tashmë në një hënë të ngrënë e mbuluar në të shumtën e rateve nga pjesa e padukshme. Dhe kjo jepet në mënyrë mjeshtërore vetëm me një rresht. “Dhe kur pluhuri mbulonte të gëdhendurat me fytyrën e Kalijes, trupi i tij kërkonte trup, me egërsinë e përrenjve që s’shohën ku zbresën. Filloj tani të dëshirojë fatin e Jakovit që kish shumë gra e shumë shërbëtore për dëshirat e tij.” [13]

   Duket se Tata është hedhur në sulm hakmarrës ndaj Zotit jo për hir të Kalies por për hir të lumturisë së tij të munguar. ‘Uni” mistik religjonar fillon tashmë të tronditet për shkak të lirisë së individit përfaqësuar nga “uni” ekzistencial. Pikërisht këtu shfaqet vlera kryesore e kësaj vepre; lufta për lirinë e individit me forcën më madhore të përfytyruar. Qellimi final i kësaj lirie me joshje të lumturisë, shkruan Shopenhaueri,”…ngulitet në formën e disa imazheve që do të na dalin gjithnjë përpara dhe do të vazhdojë të qendrojë shpesh, deri në gjysmën e jetës e ndonjëherë deri në vdekje. Ato janë si shtojzovallet.” [14]

   Kuteli i jep fare qart “shtojzovallet” e Schopenhauerit, që i shfaqen Tatës në pragmugun e mëkatit të ngjasuara me Kalien.

   “Buza e njërës që priste kungatën prej dorës së tij i ngjiste buzës së Kalijes dhe e dëshëronte atë me dëshirë burri; syri i tjatrës kish shkëlqimin e syrit të Kalijes dhe e dëshëronte përsëri me dëshirë burri; gjiret e së tretës që shponin linjën e bardhë ishin si gjiret e Kalijes..[15]

   Detyra e priftërisë, e cila përbën veç një “ide të mendimit abstrakt” e që formon kornizën atraktive të së veçantës, zbehet përpara dëshirës së ndjerë, e cila është një prekje reale e mishit të bardhë, kthyer në një mankth konkret që e zbeh abstrakten.

Kuteli bën kujdes që personazhin e tij të mos e lërë të verbër në konflikt me Zotin. Krahas etjes së ndjenjave dhe “egërsisë së përrenjve”, ai e ndërgjegjësonë atë për veprimin që kryen duke e frymëzuar me moralin e ”shkronjës” së Solomonit. “Uni” real bëhet kështu më i plotë e më i formësuar përballë “unit” mistik. Tashmë të dy këta “une” ndeshen të bazuar mbi argumente teorike, që përfaqësojnë dy filozofi të kundërta në historinë e njerëzimit; materialen dhe idealen.

   Kushdo që ve re grua, me dëshërim, ka kurvëruar me atë në zemërët, thuhet në shkrimet fetare. Kjo është “kreshma e syrit”, e cila lidhet me disiplinimin e besimtarit në shkrimet e shenjta. “Nuk ha mish? Bukuri, por mos i lë sytë të hanë imoralitet dhe paturpësi.” [16]

   Kurse nga ana tjetër ai këndonte; “Të më puthë me të puthurat e gojës së saj!...Sepse e fortë si vdekja është dashurija.” Këto të gjitha i këndonte Tata në librën e Sollomonit, mbretit të Izraelit dhe u jepte atyre kuptimin e mishit, jo të frymës.” [17]

   Në këtë fazë, Tata është bërë krejt i ndërgjegjshëm për mëkatin e tij. “uni” real ka fituar mbi “unin” mistik. Madje Tata ka bërë edhe argumentimin logjik më të kulluar:

   “ – Mëkat? A s’janë të gjitha në Shkronjë? A nuk i ka shkrojtur i biri i Dhavidhit, Sollomoni, që mbretëronte mbi Izrail?” [18] Tashmë, Tata vjen para mëkatit plotësisht i argumentuar. “Dhe ças për ças kurvëronte me zemrën e tij me berrat e tufës së tij e me sa i shihte syri. Ardhi pastaj edhe shembja e madhe; trupi i tij njohu trup gruaje.” [19]

     Mjaftojnë ky fakt për të pohuar se tashmë formula e vjetër fetare, përmbajtja e “kreshmës së syrit” që në thelb është esenca e “unit” mistik, të jet shembur nga kujtesa e Tatës dhe vendin e saj e kan zënë “shtojzovallet” e Schopenhauerit.

   Deri këtu përfundon udha e Tatës drejt mëkatit. Tashmë ai ndodhet përpara derës së tij dhe nga çasti në çast bëhet gati të hyjë brenda.

                                                             MËKATI

   Për të realizuar mëkatin Kuteli ka operuar edhe me fabulën e Judës. Ai e ka shfrytëzuar mençurisht atë, duke e endur si një vel të turbullt mjegullor për të paralajmëruar enigmën e pashembullt të një gjëme mëkatari. Për Kutelin Juda dhe fabula e tij nuk përqasen vetëm si paralele të tradhëtisë, por edhe të mjetit biblik, në funksionin letrar dhe estetik të saj. Juda si shembëlltyrë imagjinare bëhet gjithashtu edhe pjesë e trinitetit në mëkat. Zoti është i sfiduar tashmë e midis Tatës dhe gruas nga qyteti vepron si hije imazhi turbullues i Judës.

Edhe njëherë Kuteli e jep Tatën në gjykimin e tij të vetëdijshëm. “Ai e zotëroi mishin dhe mbeti si shtyllë guri.” [20]

   Por këto ngurime janë vetëm “thërmiat” e fundit të “unit” mistik. Pas kësaj dileme në ndërgjegjen e tij gjemojnë si bubullimë fjalët e Ekleziastit: Shijo jetën tënde me gruan që do. Të gjitha ato që ke në dorë t’i bësh bëji me gjith fuqinë tënde sepse në varr nukë ka asgjë, as mendim, as dituri, as urtësi..” [21]

   Kjo është “kredoja” e “unit” real të Tatës. Dhe ai “…kreu mëkatin e madh të mishit, brenda në shtëpinë e tij, përpara korave dhe të gëdhendurave me fytyrën e Kalijes.”[22]

   Tashmë fillon hakmarrja. Tata vihet përballë mërisë ndëshkuese të Zotit. Por Kuteli nuk e braktis personazhin e vet. Ai e çon deri në fund karakterin burrëror të tij. Edhe këtu jepet rebelimi i tij i shfrenuar, bazuar mbi vetëdijen e formimit të “unit” ekzistencial. Është e habitshme se si Tata i kundërvihet rregullores së priftërisë duke shkuar në meshë pa u rrëfyer. Është një shpërfillje totale dhe jo pa qellim jepet ky element në dukje anësor dhe i parëndësishëm. Kjo do të thotë se Tata është “ i shkundur” nga thërrimet e “unit” mistik dhe se ai ka vënë në altarin e tij shpirtëror jo më shkrimet e shenjta por Ekleziastin dhe Solomonin. Kjo është edhe një domethënie shumë e thellë e novelës, e cila lidhet me shpërfilljen e skolastikës kishtare dhe rregullat kanonike të saj. Dashuria dhe liria e individit, kërkimi i lumturisë dhe i kënaqësisë së jetës, bëhen tek personazhi i Kutelit synimi absolut i qënies së vet. Me këtë motivim të brendshëm, oshanari i ardhshëm i Bubutimës, do të dalë në duel përballë Zotit: Për tri të thëna që tha, tri përgjigje dëgjoj nga muri i faltores. Edhe si ish i shpejtë në zemërim – si kanë qenë e janë të gjithë ilirianët, edhe atëhere kur kanë hirin e Zotit – thirri me zë të vrazhët:

-          Aty mbeç!

Dhe zëri ia ktheu:

-          -Kurrë mos vdekç!” [23]

Mbas këtij çasti Kuteli e jep ngarkesën psikologjike të personazhit në një trandje të “heshtur”. Ai vizatohet në dy momente të rëndësishme përjetimi, i prekur si një hakmarrje në pikën më të dobët të tij; në zhdukjen e gjurmëve të Kalies dhe në shkëlqimin e argjendit të gruas së qytetit.”I vetmi send që shkëlqente në një botë të murme”.

                                     

UDHA E DALJES NGA MËKATI

 

   Bota e murme është ngjyra e mallkimit të tij. Goditja e parë e Zotit ishte zhdukja e kujtimit të Kalijes si i vetmi element ngushullues për Tatën. Ajo ç’ka Zoti ka lënë të paprekur në gjithë atë zymtësi apokaliptike, është vetëm shkëlqimi i “asprave të Judës”. Po kaq apokaliptike është edhe rrojtja e pastajme e Tatës. Ai është kthyer i tëri në një “unë” mistik. “Uni” real i tij është shkrehur thuajse krejt. Tek-tuk duken disa “thërrime” të tij: Binte në ujëra e s’mbytej, hynte në zjarr e s’digjej, shkonte nëpër luftë e s’vritej.” [24]

Me këtë zgjidhje kemi identifikimin e fabulës me legjendën e Denisit i cili u dënua nga Zoti me pavdekësi. Por, ndërsa Denisi duhej të shkrihej sapo t’i shfaqej Zoti, Tata duhej të priste sa ta falte Zoti. Dhe kjo udhë kalon nëpër shekuj për të ardhur tek falja. Falja si një sekret i zbuluar nga prift Nikanori, lidhet me elementin gjeografik të shenjtërimit. Gurët e vjetër të kishës së Bubutimës janë padyshim rikthimi në varrin e përkitur të origjinës. Në atë prag të shenjtë ku Kuteli bën edhe Zotin të kërkojë faljen e Tatës, çka do të thotë se lufta midis tyre ka qenë sa dinjitare aq edhe e vlerësuar prej të dyve.

 



[1] Arthur Schopenhauer. Këshilla për jetën. Tiranë, “IDEART”, 2003, fq. 121.

[2] M. Kuteli. E madhe është gjëma e mëkatit, Tiranë, “M. KUTELI”, 2000, fq. 22.

[3] M. Kuteli, po aty, fq. 27.

[4] M. Kuteli, po aty, fq. 27.

[5] M. Kuteli, po aty, fq. 28.

[6] M. Kuteli, po aty, fq. 28.

[7] M. Kuteli, po aty, fq. 29.

[8] Kostas Varnalis. Apologjia e vërtetë e Sokratit. Tiranë, “N. FRASHERI”, 1959, fq. 72.

[9] M. Kuteli, vepër e cituar, fq. 29.

[10] M. Kuteli, po aty, fq. 30.

[11] M. Kuteli, po aty, fq. 30.

[12] M. Kuteli, po aty, fq.  30.

[13] M. Kuteli, po aty, fq. 32.

[14] A. Schopenhauer, vepër e cituar, fq. 140.

[15] M. Kuteli, vepër e cituar, fq. 31.

[16] Shën Joan Gojarti. “Kreshma e vërtetë”. Ngjallja, Mars 2008, fq. 5.

[17] M. Kuteli, vepër e cituar, fq. 31.

[18] M. Kuteli, po aty, fq. 32.

[19] M. Kuteli, po aty, fq. 32.

[20] M. Kuteli, po aty, fq. 35.

[21] M. Kuteli, po aty, fq. 36.

[22] M. Kuteli, po aty, fq. 36.

[23] M. Kuteli, po aty, fq. 38.

[24] M. Kuteli, po aty, fq. 42.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora