E premte, 26.04.2024, 09:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Jetëshkrim historik me gjithfarë trazirash - Dom Ndoc Nikaj

E hene, 20.09.2010, 09:57 PM


JETËSHKRIM HISTORIK ME GJITHFARË TRAZIRASH

 

Dom Ndoc Nikaj, “Kujtime të nji jetës së kalueme”, Tiranë 2003

 

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin

 

Jeta dhe veprimtaria e dom Ndoc Nikaj. Ai lindi në Shkodër më 15 qershor 1865. Mësimet fillestare i kreu tek françeskanët, kurse në moshë 13 vjeçare hyri tek jezuitët në Kolegjin Papnor në Shkodër të cilat i përfundoi më sukses duke u bërë meshtar në vitin 1888. Veprimtaria e tij, e cila filloi pas shugurimit për meshtar, ishte fetare shkencore, historike, letrare, publicistike dhe politike, e botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si shkrimtar filloi që në moshën 24 vjeçare, kohë kur shkrim leximi në gjuhën shqipe ishte rrepstësisht i ndaluar prej qeverisë turke. Nikaj është më i pari krijues i romanit shqip. Ai shkroi më se 30 vepra të zhanrit të ndryshëm.

 

Nga shtëpia botuese  Plejad në Tiranë, shtypi librin e autorit dom Ndoc Nikaj. Libri, redaktorë të të cilit janë dr. Nevila Nika dhe Ibrahim Kadriu, mban titullin  Kujtime  të nji jetës së kalueme, të cilin e përgatiti dhe e pajisi me shënime dom Nikë Ukgjini. Tekstin origjinal të dorëshkrimit që e ka lënë vetë autori, e botoi  për herë të parë “Zëri” i Prishtinës, kurse më pas ”Tema” e Tiranës. Ky interesim i mediumeve në Kosovë dhe në Shqipëri  tregon se fjala është për një libër me vlerë, në të cilin autori shkodran ka shënuar  kujtimet e tij historike, të cilat janë shkruar sipas rëndësisë së ngjarjeve të historisë sonë, e të cilat përfshijnë periudhën e viteve 1870  1945, kur, siç thotë vetë autori, mbarojnë diftesat e këtyne kujtimeve pse plotsohet tetëdhjetë vjetori i kësaj jete të kalueme, me trazime gjithfarësh. Këto kujtime histrorike të dom Ndoc Nikaj na përkujtojnë në ato rrëfimet e gjyshërve tanë për të kaluarën tonë sa të lavdishme  aq edhe tronditëse, andaj edhe lexohen  lehtë e me kënaqësi, sepse siç pohon autori,  zbulojnë ndrrimet e mëdhaja mbrenda një kohe sa asht nji brez jete e nji populli” dhe shton “ ma tepër i shtyepm prej tjerve se prej andjes  s'ëme nisa me rreshtue n'uzdajë se dishka ka për t'i vjeftë të rive t'ardheshem per defrim leximi  e ashtu edhe per ndonji perfitim moral e per drejtim jete, ku kan me mujtë me msue sende për t'u ndjekë e sende për t'u largue porsi te rrezikshme sikur i paraqesin rasat e diftueme. Vlerësojmë se  ky  libër ia arriti qëllimit  që i kishte parashtuar vetes autori, sepse këto kujtime, edhe pse përgjithësisht nuk kanë kronologji kohore dhe sigurisht kanë nevojë për theksimin e disa datave që lidhen me  disa nga këto ngjarje,  për lexuesin  janë sa të këndshme  aq edhe të dobishme.  Lexuesi në këto shkrime,  shprehet autori  ka me gjetë dashtunin ma shejten e ma të çmueshmen që i kje e asht dhe ka me kenë për njeriun e ndershëm dashtunin e atëdheut, burrnitë, kreshnikitë, flijimet që e ushqejnë dhe e ngjijnë shpirtnisht  e mendsisht njerin e urtë.  Në një jetëshkrim siç është ky, ku mosha përfshin plot një jetë njeriu, çdo lexues do të gjejë diçka që atij i intereson dhe  i ofrohet mundësia të mësojë diçka nga ngjarjet e ndodhura në krahinën e Gegënisë. Lexuesi, veç kësaj, ka mundësi edhe të përfitojë nga ky libër, duke iu shmangur sendeve që i vëren se janë devijuese e të dëmshme dhe  të përvetësojë ato  që i vlerëson se janë të vlefshme dhe të ndershme. Dom Ndoc Nikaj  përshkrimin e jetëshkrimim e tij në këtë libër e fillon  në ato vite kur edhe pat filluar jeta e tij.  Fillimisht na tregon  një biografi të vetën, për fatin e njëmbëdhjetë vëllezërve dhe motrave të tij, për kushtet e jetesës së prindërve të tij, të cilët  materialisht ishin të varfër, por shpirtërisht të pasur. Në vazhdim  shkruan për  vajzat e Malësisë, fejesat, martesat, doket, zakonet, ngatërresat, vrasjet e gjaqet që për atë kohë, madje edhe sot, ishin të vështira për pajtime. Ngjarja e parë që ka mbetur e ngulitur në mendjen e dom Ndoc Nikaj qysh në vegjëli, ishte varrimi i Bibdodë Pashës së Mirditës,  ngjarje kjo që ka ndodhur  atëherë kur autori  nuk kishte mbushur ende 5 vjet. Nga ngjarjet e shumta e mjaft interesante të këtij libri, për të cilat autori shprehet se faktet i ka diftue lakuriq sikur janë kenë  po përmendim vetëm disa, të cilat mendojmë se do të zgjojnë kureshtjen e lexuesve. Veçojmë ndezjen e tmerrshme të xhebehaneve të Kështjellës së Shkodrës në dhjetor të vititi 1874, ngatërresat ndër ortodoksë dhe katolikë rreth Kuvendit të Urdhërit  Benediktin në Rash, të cilat kanë ndodhur në vitin 1855 dhe 1869,  rrënojat e Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, përshkrimi i kohës së kapadajive guximtarë të cilët mendjen e kishin në pushkë e grabitje, e cila u referohet viteve 1888-1892, formimi  i Lidhjes Kombëtare në Shkrel “Bashkimi Kombëtar” ose “Lidhja e Mshehet” në vitin 1893, pastaj  përjetimet e autorit gjatë viteve 1900-1901, kur i bëri vizitë edhe Faik Konicës në Paris, qëndrimin e tij në Sarajevë dhe Vienë më 1905 dhe më vonë aktiviten e tij në Shkodër gjatë viteve 1907-1912 me qëllim që ta lidhë ekonomikisht Mirditën me Shkodrën. Një kapitull të veçantë ia ka kushtuar edhe Kryengritjes së Malësisë së Madhe (1910-1911) dhe gjuhës shqipe në kohën kur Turqia kishte hyrë në Shqipëri, në kohën kur  përdorej vetëm gjuha e folur, por jo edhe e shkruar.Giuha vetem e folun gojarisht nuk shkaktonte asnji rrezik t'ardheshem mbasi qi nuk ishte mjet me komunikue e me perhap mendimet e njanës anë me tjetren, me shumicë mendimesh për nji herë... Për kundra giuha me të shkrueme mund t'ishte nji rrezik i vazhdueshëm per nga  ana e sundimit, pse shkrimet depertojnë qetëlsisht e mshehtas, bindin mendjet e tjerëve qi i lexojnë…  Turki prandej, me shum arrsye, dronte kulturën e shkrimet e kendimet se sa për giuhen e folur gojarisht nuk u interesue me ca ndryshime. Per at qellim shkollat në giuhen shqype kjene të ndalueme me ligjë të veçantë. Nuk mund të botoheshin libra e fletore a të përkohëshme e tjera sende përkatëse. Çdo libër në giuhen shqype ishte i dnueshëm edhe rrebtsisht i ndaluem. Kuej i gjindej në dorë ndeshkohej me burgim e tretnin, shkruan  dom Ndoc Nikaj. Ai po ashtu  në vazhdim shkruan për ngjarjet ngatërruese rreth flamurit dhe shkronjave të gjuhës shqipe midis muhamedanëve të Shkodrës dhe katolikëve. Të parët  këmbëngulnin  që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja turqishte, kurse të dytët  kërkonin që shipja të shkruhet me shkronja latine.  Në këtë jetëshkrim historik autori flet edhe për Luftën e Parë Botërore, 1914, qëndrimin e  lirshëm të ushtrisë serbomalazeze në Shkodër  që nga 5 qershori i i vitit 1915 e deri më 2 shtator 1916, qëndrimin e ushrtrisë austriake në Shkodër në vitin 1916-1918,  Luftën Ballkanike, 1912-1914 dhe  Lëvizjet e Mirëditës më 1920. Mjaft interesant është edhe kapitulli  kushtuar  themelimit të shoqërisë “Bashkimi” në vitin 1899, shoqërisë “Agimi” më 1902 dhe Luftën e Kastratit më 1910-1911, Luftën me Mal të Zi më 1911, Lëvizjen e Mirëditës , qeverinë shiptare të Durrësit , vrasjen e Prenkë Pashës,  kohën kur në Shqipëri  hypi në postin e ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu, kohën kur u themelua Qeveria e Nolit, ikjen e Zogut nga Shqipëria në Londër, më 7 prill 1939 dhe ngjarje tjera mjaft interesante.  Fakti se autori ishte tetëdhjetçvjeç kur fillon t'i shkruaj këto kujtime  dëshmon se sa  e fortë dhe e qëndrueshme është kujtesa e njeriut.

 

Shkurt 2005



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora