E premte, 26.04.2024, 06:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (IX)

E marte, 30.03.2010, 09:57 PM


DREJT STANARDIZMIT TË GJUHËS SHQIPE

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj

 

IX. STANDARDI DHE PROFILI I  STANDARDOLOGUT

TË SHQIPES NË PËRBALLJE ME SFIDAT

E GLOBALIZMIT TË SOTËM

  

                                   

Për të qenë më e kompletuar tema-titull Drejt normëzimit të gjuhës shqipe e pamë të arsyeshme që në vijim të bëjmë fjalë rreth temës aktuale Standardi dhe profili i standardologut të shqipes në përballje me sfidat e globalizmit të sotëm, ku kemi përfshirë këta nënkrerë:

së pari, rreth historikut të globalizmit si doktrinë dhe ballafaqimi i shqipes me huazime nëpër shekuj dhe sot,

së dyti, rreth raportit standardi gjuhësor/ krijimtaria letrare /dialektet, dhe

së treti, meditim rreth profilit të standardologut ndaj historianit të gjuhës 

 

 

1. Rreth historikut  të globalizmit si doktrinë dhe ballafaqimi

               i shqipes me huazime nëpër shekuj dhe sot

 

a) Pak fjalë rreth historikut të globalizmit  si doktrinë

 

Me sa dimë, ndërkombëtarizmi globalizëm vjen nga rrënjë-tema glob vjen nga latinishtja globus dhe që në shqipen e sotme ka kuptimin e parë: rruzulli i tokës, bota, por etimologjikisht, veç si rruzull a top, kishte kuptimin edhe për konceptet grumbull, shtëllungë (Shih Fjalori latinisht-shqip (Lacaj-Fishta), Prishtinë, 1980, f. 200), ndërkaq ermi globalizëm, vjen nga trajta frënge: global/e (mbiemër) + isme (-izëm), prapashtesë speciale kjo, për emërtimin e termave në cilësinë e ndërkombëtarizmit që shërben për emërtimin e metodave a të doktrinave të degëve përkatëse nga fushat e ndryshme të shkencave përkatëse të ekonomisë, politikës, letërsisë etj.

Dihet historikisht se ky term (globalizëm) formëzimin zanafillës për një koncept të tillë me cilësi metode a doktrine të caktuar e ka që në shekullin XIX, po nga gazeta me të njëjtin emër Globe e frëngjishtes  (1824 -1832), e cila si organ i sensimonistëve, thuhet se ka luajtur rol mjaft të rëndësishëm në konceptimin dhe përhapjen e ideve romantike të globalizmit në fushën e letërsisë, të filozofisë dhe të politikës, të mbështetur në frymën e fuqisë së bazës materiale ekonomike, bazë kjo e cila, sipas tyre frymon dhe dirigjon, përmes anës materiale, përveç vetë qenshmërinë materiale edhe tek të gjitha veprimtaritë e tjera shoqërore.

Në të vërtetë sensimonistët ishin ithtarë të doktrinës së themeluar nga socialisti utopist frances Sen Simoni (1876- 1825), i cili si dhe pasuesit e tij mendonin se me shtetin duhet të qeverisin jo fisnikët e zyrtarët e lartë, po ekskluzivisht ekonomistët, dhe ekonomia, sipas tyre, duhet me u organizue mbi bazë të kooperativave prodhuese etj. Pra, në shtet e shoqëri duhet të mbizotërojnë, si të themi, ligjet ekonomike.

Së këtejmi, sipas Xhavit Beqirit  globalizmi rrënjët e veta i ka shtrirë në “regjimin e tregtisë së lirë, mbrojtës kryesor i të cilit në shekullin XIX ishte Mbretëria Britanike ( Shih: Seminari 27/1 f.  463).

 

Sido që të ketë qenë, e shohim të nevojshme të sqarojmë paksa edhe rreth barasvlerësisë që ka në shqipe mbiemrit globale i frëngjishtes. Ky mbiemër (globale) në shqipe del i përkthyer me barasvlerësit sinonimikë global, i përgjithshëm, i tërësishëm dhe së këtejmi, pikërisht në këtë kontekst + prapashtesa –isme (-izëm) doli emërtimi ndërkombëtar i metodës ose doktrinës përkatëse përgjithësuese globalizëm globalizmi, i përvetësuar edhe në shqipe, që në konceptin bashkëkohor nga koncepti “të qenët i përgjithshëm, tërësor i plotë ose vlerësim i punëve, i ngjarjeve etj. në mënyrë globale” është specifikuar si metodë ose drejtim përgjithësues i ekonomisë politike e më gjerë, duke përfshirë proceset e dukuritë, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe të fushave të tjera, siç janë financat, tregtia, politika dhe përgjithësisht të gjitha sferat e jetës shoqërore në një shteti, aleance shtetesh, deri edhe në mbarë rruzullin tokësor. Pra, siç nënkuptohet, kjo dukuri kap domosdo edhe fushën e gjuhës, së këtejmi e ka prekur e po e prek dhe do ta prekë gjithnjë e më me forcë edhe gjuhën tonë, prandaj tema e këtij kreu  është titulluar Standardi dhe profili i standardologut të shqipes në përballje me sfidat e globalizmit të sotëm, ku nënkuptohet dhe nevoja për përmirësimin e strandardizimit të shqipes, sepse çdo përmirësim shëndeti e përforcon atë në luftën për jetesë.

 

Në të vërtetë, fillimisht globalizmi ekonomik si doktrinë a sistem mendimi e veprimi i formëzuar në botën kapitaliste binte në kundërshtim me doktrinën në fushën e ekonomisë të dirigjuar socialiste, prandaj edhe kritikohej, ashtu siç mund të kritikohet edhe sot, po sot ka oponencë nga pikëpamje të tjera. Në këtë kontekst kemi parasysh edhe vlerësimin kritik rreth kësaj doktrine të nobelistit Joseph Stigl, i cili në veprën Dier Schaten der Globarliserung, Siedler Verlag, Berlin 2002, veç tjerash, përmend ndonjë të mirë, por thekson edhe pakënaqësitë e rrezikun gllabërues që sjell ky sistem, sidomos tek vendet në zhvillim e sipër ose ndaj gjuhëve të popujve të vegjël, të cilët nuk e kanë lehtë të gjenden në valët e këtij globalizmi të përgjithshëm gllabërues botëror, që prek të gjitha segmentet e jetës shoqërore bashkë me gjuhën me mbrojtje të shkriftë të tyre.

Te ne mbi ketë temë dalin mjaft shkrime cilësore, pothuajse nga të gjitha fushat e jetës, por në veçanti dallohen shkrimet që trajtojnë këtë problematikë  nga fusha e ekonomisë dhe e politikës. Në këtë kontekst po veçojmë veprën e dr. Bedri Selmanit, me titull Glabalizimi, Prishtinë (2008),  ku rrah problemin e globalizmit, këtij rendi a sistemi të ri botëror më tepër nga pikëpamja e ndërmarrjeve ekonomike ndërkombëtare, rend ky, i cili pas thyerjes së sistemit socialist, tani po mbizotëron pothuajse në tërë botën, ndonëse nuk perceptohet  njëlloj nga të gjithë. Tash së voni po qarkullon te ne edhe vepra e studueses kroate Vesna Plavnik Pas globalizimit, Prishtinë 2003, e përkthyer shqip nga Hajrush Podvorica, ku veç tjerash flitet edhe për dimensione të caktuara konkrete që faktikisht kap kjo doktrinë në shoqërinë globale të sotme botërore.   

Sa i përket globalizmit gjuhësor lidhur me shqipen ndonjë konstatim do të ceket në vijim të trajtimit..

 

 

b) Ballafaqimi i shqipes me huazime në të kaluarën

             dhe në globalizmin e sotëm

 

Sidoqoftë, ne do të përqendrohemi rreth sfidave të gjuhës sonë ndaj këtij procesi, sfida këto me të cilat tashmë është duke i përjetuar ndjeshëm gjuha jonë, sidomos në fushën e terminologjisë teknike-shkencore dhe më gjerë. Në të vërtetë, gjuha jonë trysni të ngjashme gjuhësore ka pasur shekuj të tërë dhe në vazhdimësi që është manifestuar edhe me huazime të shumta gjuhësore nga gjuhët e mëdha nëpër shekuj nga pikëpamja, kulturore e fetare, politike e ideologjike, shtetërore e ushtarake, për çka do t’i themi pak fjalë në vijim. 

Siç na është e ditur përherë lëvizjet e mëdha a reformat e caktuara në shkallë kontinentale, ndërkontinentale e botërore si dhe revolucionet ekonomike, teknike e politike kanë ndikuar domosdo edhe në sistemin përkatës gjuhësor, më pak a më shumë, tek të gjitha gjuhët, natyrisht edhe në gjuhën tonë. Kur është fjala te ndikimet në gjuhën tonë, po t’i hedhim një sy kah rotrespektiva, kuptojmë faktin se në periudha të caktuara historike gjuha shqipe është ndikuar nga gjuhët e kulturat e popujve dhe të shteteve të ndryshme e më tepër me ato, me të cilat ndodhej në kontakt, qoftë fizikisht, qoftë kulturisht, të cilat me sa dimë mbizotëronin forcërisht si në pikëpamje politike, ekonomike, ushtarake, gjithsesi edhe ideologjike ndaj komunitetit shqipfolës. Mjafton të sjellim në kujtesë raportin e huazimeve të vjetra që dihen, duke filluar nga huazimet nga koha e vjetër: helene, latine, sllave, pastaj turko-persiane-arabe. Edhe më vonë huazimet nga italishtja, greqishtja e re, serbishtja,. Studiuesi Naser Pajaziti  huazimet e vjetra i quan huazime intime, kurse të tjerat si më të mëvonshme: huazime kulturore  (Shih Seminari 27/1 f. 570). Kështu hove-hove shqipja huazoi fjalë intime e kulturore nga frëngjishtja, gjermanishtja, rusishtja e anglishtja dhe aktualisht, pikërisht në këtë periudhë tonën, gjuha jonë është në përballje të ndërliqshme, sidomos në raport me gjuhën amerikano-angleze, jo vetëm për shkak të terminologjisë elektronike kompjuterike etj, por edhe për faktin se në Kosovë gati tash 10 vjet anglishtja ishte e shpallur edhe si gjuhë e parë zyrtare, por edhe në Shqipëri ndikimi i tillë pothuajse nuk është aspak më i vogël. Edhe tashti, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, edhe pse zyrtarisht shqipja zë vendin e parë në radhë sipas Kushtetutës, përsëri ndikimi i gjuhës amerakano-angleze zyrtarisht do të jetë i padobësuar, përkundrazi, prandaj survejimi, përkujdesja dhe ndihma e specialistëve tanë që duhet dhënë shqipes ndaj kësaj përballjeje, duhet të jetë gjithnjë e më e niveluar si shkencërisht ashtu edhe organizativisht. 

 

 Sidoqoftë, e dimë se, që nga periudha parashkrimore dhe në vazhdimësi deri në ditët tona, përballë të gjitha trysnive, gjuha shqipe atavikisht, me rregullim të brendshëm, ka arritur ta ruajë identitetin e vet, porse atë atavizëm anonim spontan ose atë qendresë spontane e kanë ndihmuar edhe shkrimtarët e specialistët e gjuhës anonimë e joanonimë gjatë të gjitha periudhave, para e sidomos në epokën e Rilindjes sonë kombëtar, por edhe më vonë deri në ditët tona, aktiviteti i të cilëve njihet sadokudo. Andaj edhe sot e tutje, kur ndaj gjuhës sonë po vazhdon  trysni e pandërprerë, madje edhe më intensitet të shtuar dhe me mjete e makineri më moderne e qëndrime më të moderuara e më të sofistikuara se përpara, njerëzit tanë të dijes e sidomos standardologët duhet ta ndihmojnë dhe t’i dalin zot gjuhës sonë edhe më me zell dhe më në mënyrë edhe më të organizuar. Në të vërtetë, në këto rrethana, deshëm s’deshëm, patjetër jemi të detyruar ta pranojmë se si të gjitha gjuhët e tjera edhe shqipja është e prekur fort nga një dukuri e tillë që tashti po njihet me termin globalizëm gjuhësor. 

Kjo prekje a do të jetë vetëm ndikuese si dukuritë e mëparshme, gjurmët e të cilave tashmë po dihen e po ndihen, apo do të jetë edhe gllabëruese, siç po thuhet troç, me shqetësim të ligjshëm nga dikush-dikushi te ne e më gjerë, nuk kemi përgjigje të njëllojshme. Prandaj kjo është çështje vërtet meriton jo vetëm të konstatohet, por edhe imponohet që të trajtohet, siç e thamë, shkencërisht dhe në mënyrë sa më të organizuar.

Mendoj se këtu është vendi të paraqitim mendimet e tre studiuesve: Nebi Caka, Agron Duro e Shefkije Islamaj, që e prekin këtë temë:.

 

a) Studiuesit Nebi Caka, lidhur me terminologjinë tekniko-shkencore nga fusha e kopjuteristikës shprehet:

 

“Anglishtja është duke krijuar fjalë të reja me një ritëm që vështirë e kanë ta ndjekin gjuhët e tjera, ndaj edhe ne duhet të marrim mjaft fjalë  nga ajo, nëse dëshirojmë të jemi në hap me shkencën, teknologjinë e ekonominë e  përparuar të botës”  andaj sipas tij ne:

Duhet përgatitur sa më mirë që dimë, duke mësuar nga përvojat e të tjerëve, që të përballojmë sa më lehtë këtë “mësyemje” të anglishtes, në radhë të parë, duke gjetur fjalë të përshtatshme për ato të anglishtes dhe duke i hdhur këto në qarkullim - dhe cila fiton, fiton, pa ndërhyrje administrative, pa polici gjuhësore”. (Shih Koha ditore (për kulturë), 30 shtator 2006 f 29.)

 

 b) Edhe prof. Agron Duro  prek këtë temë:

:

Një ndër shtytësit e rëndësishëm të ngritjes së shqipes standarde në mëvetinë e gjuhëve të tjera të BE-së do të jetë edhe terminologjia e saj, e cila me njësitë e përbashkëta (ndërkombëtare) të përmbajtjes  (koncepteve shkencore-teknike) dhe vetjakë (kombëtare) të shprehjes të termave do të sjellë më afër shqipen me gjuhët e tjera të Europës. Sigurisht ndërmjet këtyre njësive të shprehjes (të termave), termat e huaj, sidomos ato ndërkombëtare si fond i përbashkët gjuhësor kulturor do të jetë mishërim i idesë së globalizmit kulturor në fushë të gjuhës.

 

 c) Studiuesja Shefkije Islamaj, huazimet në këtë etapë i lidh me modernizimin, duke theksuar:

 

Shqipja standarde duhet të modernizohet se dhe vetë shqiptarët e shoqëria shqiptare në përgjithësi po modernizohen. Modernizimi i shqipes duhet parë edhe përmes pranimit të fjalëve të huaja... për të cilat duhet të ketë planifikim a politikë gjuhësore.

 

Në të vërtetë, nuk është fjala vetëm për terminologjinë elektronike kompjuterike, si terminolgji moderne, por më gjerë, edhe për terminologjinë tjetër tekniko-shkencore e politike dhe të të gjitha dijeve universale e të veçanta. Dihet në raste të tilla rezistenca e gjuhës shqipe del e pjesshme, huazimet e tilla të shumta për nga numri janë të domosdoshme dhe si të tilla janë të tolerueshme në të shumtën e rasteve. Por kur kemi parasysh faktin se edhe huazimet, sa i përket përvetësimit janë disa llojesh, si p.sh. huazim tranfer, i pjesshëm, i kalkëzuar etj. specialistët e gjuhës bashkë me specialistët e degëve ose te stileve funksionale përkatëse duhet ta ndihmojnë gjuhën.

Në këtë proces duhet të jetë aktive tërë armata e mësuesve dhe e intelektualëve bashkë me dashamirësit e gjuhës sonë. Edhe pse mbajmë anën e atyre që janë të sigurt se shqipja edhe në këtë luftë do të ngadhënjejë, madje më mirë se përpara, pra, do të dijë ta ruajë e ta sforcojë identitetin e vet në kuadër të gjuhëve të tjera, megjithatë në këtë luftë për ekzistencë patjetër duhet të ndihmohet edhe nga pushtetarët e shkrimtarët, por barra më e madhe bie mbi standardologët e specialistët tanë, të punësuar në institucionet përkatëse që, ç’është e vërteta, me emra nuk na mungojnë, prandaj profilit të standardologut bashkëkohor të gjuhës sonë, aq sa mujtëm dhe aq sa ditëm, i kemi kushtuar mjaft vend në nënkreun  e fundit të këtij kreu.

 

         2. Rreth raportit: standardi gjuhësor/krijimtaria

                                      letrare/dialektet

                                  

                     Siç mund të shihet nga formulimi titullit të këtij nënkreu,  këtu, së pari do të sqarojmë konsolidimin e nënfushave semantike të termit gjuhë standarde dhe të asaj gjuhë letrare, së dyti, rreth raportit standardi/krijimtaria letrare dhe së treti, standardi dhe dialektet e shqipes.

      

           1) Rreth konsolidimit të nënfushave semantike të termave

                               gjuhë letrare/gjuhë standarde

                       

                     Në literaturën e gjuhësisë sonë shkencore termi gjuhë standarde është relativisht i ri. Në traditën e gjuhës sonë për nocionin e tillë janë përdorur trajta të ndryshme, si gjuhë e shkruar, gjuhë zyrtare, gjuhë e shkollës, gjuhë e gramatikës etj, por ka mbizotëruar trajta gjuhë letrare, gjuhë e sotme letrare ose gjuhë letrare kombëtare. Kështu e ndeshim, pothuajse në të gjitha burimet përkatëse deri në dhjetëvjetëshin e fundit, madje kështu del e përdorur edhe në punimin tonë hera-hera. Në të vërtetë, në burimet tona normative në vend të standardit të shqipes deri në fillim viteve ’70-a, ndeshim termin gjuha e sotme letrare shqipe, por kur në Konsultën e Prishtinës (!968) u pranua drejtshkrimi i Tiranës atëherë në prag të Kongresit të Drejtshkrimit (1972) e në vazhdim u instalua disi më theksueshëm dhe jo pa të drejtë termi: gjuhë letrare kombëtare shqipe,  i cili në këto 10 vitet e fundit korrespondon me termin gjuhë standarde shqipe. Në të vërtetë, lidhur me konvertimin e termave në fjalë, para 10 vjetësh  e kemi pasë shprehur këtë mendim:

 

Mbizotëron mendimi se togfjalësh “gjuhë e sotme letrare” për t’u quajtur vërtet gjuhë letrare kombëtare ose gjuhë e standardizuar kombëtare” duhet të integrojë në sistemin e vet, përveç paskajores me “me” edhe disa elemente të tjera  nga dialekti verior (ish-shqipja letrare mbi bazë të gegërishtes), përkatësisht nga baza e vet e hershme,..” ,  ngase ”vetëm me integrimin a përfshirjen e vlerave formëzuese e fjalëformuese nga tradita që është burim i pashtershëm dhe që janë si me thënë, vlera me tapi, gjuha e sotme letrare shqipe do ta arsyetonte emërtimin të quhet me koncept të ri përmbajtësor: gjuhë standarde kombëtare”. (Shih: N. V. Paskajorja - çështje e shqipes standarde, Dradania sacra Shtufi, Prishtinë 2000, f. 17.)

                    

                     Sidoqoftë, një mendim i tillë për atë kohë ishte vërtet një mendim i guximshëm, ndërsa sot mund të vlerësohet dhe të regjistrohet si një kërkesë normale. Sido që të jetë, pasi këtu do të trajtohet paksa më hollësisht tema e njëjtë, e shohim të nevojshme që nga Fjalori enciklopedik shqiptar (FESH), të shkëpusim përkufizimin për termin gjuha letrare shqipe:

 

Gjuhë letrare shqipe quhet varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar. Përfshin gjuhën zyrtare, atë të letërsisë artistike(!), të veprave shkencore, të shtypit e të publicistikës, të ligjëratave botore... Është e normëzuar në të shkruar e në të folur... Ka një sistem të vetin mbidialektor, me një strukturë të harmonishme e origjinale... përbëhet në radhë të parë nga elemente që janë të përbashkëta për të dy dialektet e shqipes. Krahas tyre ajo përfshin, në përpjesëtime të ndryshme edhe elemente të veçanta, që janë tipare dalluese të dialektit verior ose të atij jugor. Një ndërthurje e tillë vihet re në fushën e fonetikës, të morfologjisë si dhe në fushën e leksikologjisë e të formimit të fjalëve... Kështu gjuha jonë letrare e njësuar nuk është një shndërrim i drejtpërdrejtë i një ish-varianti letrar në gjuhë letrare kombëtare, por është ndërtuar si një koine sui generis, në të cilën janë shkrirë organikisht elementet e përbashkëta të të dy dialekteve dhe disa elemente të veçanta të tyre, gjuha popullore dhe krijimet e mjeshtërve të gjuhës... Gjuha letrare kombëtare shqipe është bërë sot një gjuhë e pasur, e lëvruar në mënyrë të gjithanshme, plotësisht e aftë të shprehë vlerat më të mëdha të kulturës kombëtare e botërore. (Aty f. 350-351).

 

                     Në të vërtetë, të gjitha ata studiues e intelektualë që janë në rrjedha bashkëkohore e dinë se këto tipare të sapocekura të gjuhës sonë letrare janë të përdëshiruara, ngase në realitetin tonë të sotëm i janë shtruar verfikimit dhe vlerësimeve kritike, madje, në pika të caktuara, jo pa arsye. Sidoqoftë, vihen në dyshim ose quhen të përdëshiruara disa konstatime rreth disa tipareve themelore të sipërcekura, duke e filluar nga karakteri (gjithë) popullor, ai i harmonisë dydialektore deri edhe te konstatimi rreth koinesë sui generis etj., po ne me paraqitjen e përkufziimit të mësipërm, patëm për qëllim të tregojmë, se të gjitha këto karakteristika, përveç krijimtarisë letrare a letërsisë artistike (që ne e shoqëruam me pikëçuditje në kllapa), i mëvishen tani kryekreje dhe i rrinë mirë kuptimit të termit gjuhë standarde shqipe. Pra, gjuha standarde përfshin të gjitha stilet funksionale si gjuhën zyrtare-administrative, atë prapagandistike afariste-tregtare e të fushave të tjera të jetës publike që nuk i përkasin thjesht letërsisë, sipas kuptimit të ngushte të saj (prozë e poezi, dramë) Madje theksohen edhe tipare të tjera që ne disa prej tyre fragmentarisht do t’i nxjerrim të nuancuara në vijim, ku bëjmë fjalë për mendim-konstatimet e studiuesve përkatës, citime këto me të cilat, besojmë se sadokudo, do të dalë më i plotë mozaiku i përkufizimeve të nocionit të gjuhës standarde përgjithësisht dhe të standardit të shqipes në veçanti.

                     Siqoqoftë, kërkohet nga lexuesi që tek citimet e mëposhtme dhe ndërhyrjet tona, të vihen re përveç vijës kryesore edhe ngjyresat semantike dalluese të përkufizimit përkatës, ashtu siç i japin vetë autorët e caktuar:

 

                     1) Ja si e çfarë mendimi kishte Atë Gjergj Fishta për standardin (gjuhën letrare) të përbashkët ende të paformëzuar kënaqshëm të gjuhës shqipe:

 

Për me u përba gjuha letrare, nuk asht nevoja me krijue një gjuhë të re, lypset vetëm me e njoftë gjuhën e me i diejtë rregullat e saja mirë, e masandej me i rreshtue fjalët me shkrim e rregullsi e atëherë koha e dija e estetika kanë me gjykue se cili dialekt do të zgjedhet për gjuhë letrare n’Shqypni.

Pra, autori në radhë të parë kërkon studimin, njohjen e gjuhës dhe sidomos rregullsitë  (modelet) që dalin nga  gjuha e natyrshme globale dhe përzgjdhja të bëhet me dije, me shije estetike dhe duke shrytëzuar  kohën,  rrethanat a momentin historik. 

 

                     2)  Ja si e përkufizon standardin e shqipes në vitet e ’40 të shekullit të kaluar Mustafa Kruja:

 

“Gjuha  kombëtare  (standarde n. v.  ) nuk asht nji fenomen i natyrshëm si gjuha vetë, domethanë, si virtuti i së folmes së një grumbulli njerëzish (bashkësie folëse n.v.) me nji mjet të përbashkët të pagdhendun, ashtu siç e kanë trashëgue prej shekujsh. Gjuha kombëtare asht  pikëspari nji  gjuhë letrare. Nji gjuhë e shkrueme e lavrueme dhe e shtrime dalngadalë në gjithë popullin me anë të shkollës, e të veprave letrare... Asht nji produkt historik. (Shih gazeta Pavarësia , 31. 08. ’04, f. 17.)

 

Ndonëse të shprehurit e autorit  rreth veprave letrare që ne tani e pranojmë me rezervë, karakteristikat e tjera në raportin dihotimik fenomen natyror ndaj atij artificial dhe sandardin si produkt historik përgjithësisht e quajmë me vend, por gjithsesi kjo çështje kërkon  sqarim e përcaktim plotësues më të plotë.

                      

                     3) Prof. Rexhep Ismajli, pasi e ben si të vetin mendimin e përgjithshëm se “Gjuha standarde si një formë e gjuhës... e cila në përgjithësi ësht e normuar dhe u shtrohet instituicioneve që e rregullojnë” (Shih: Në gjuhë dhe për gjuhë, Pejë 1998, f. 17) përveçon:

 

Shqipja standarde ka karakter të një korpusi preskriptiv, prandaj legjitimohet si mbiregjional dhe mbidialektor “,

 

ku, përveç korpusit preskriptiv, autori, shton edhe karakterin mbiregjional ndaj atij mbidialektor të standardit, siç e ka të theksuar edhe standardi i gjuhës gjermane.

 

                     4) Prof. Rami Memushaj, me gjasë sipas ndikimit  të formulimit që i jepet kësaj gjuhe në gjuhën frënge e atë ruse, mozaikut i shton diçka tjetër:

 

“Gjuhët standarde - thekson ky studiues - janë pjellë e planifikimit gjuhësor” dhe “në këtë proces të planifikimit të korpusit dhe të statusit gjuhësor marrin pjesë tre aktorë kryesorë: planifikuesit gjuhësorë, bashkësia që do ta përdorë gjuhën standarde dhe autoriteti shtetëror”.

 

Kështu duke i cekur këta tre aktorë si faktorë të domosdoshëm na bën të cysin mendjen dhe të pyesim: Kur standardi i sotëm i shqipes nuk kënaq masivisht, ngase një pjesë e madhe e bashkësisë, ende nuk e ka gjetë veten në të, vallë, te cili aktor ndodhiose ndodhet defekti, tek planifikuesit, tek bashkësia apo tek autoriteti shtetëror, apo mbase tek të gjithë ngapak (a nga shumë)? Sido që të jetë, po vazhdojmë me  formulime të aurtorëve të tjerë.

 

                     5) Në një kumtesë të ASHAK-ut thuhet:

“Gjuha standarde si varietet mbirajonal, ka njëlloj baraspeshe vijimisht të ndryshueshme, midis fiksimit dhe evoluimit”.

Këtu, siç po shihet mozaikut, të formulimeve i shtohet, baraspesha midis fiksimit dhe evoluimit ose, si ta themi ndryshe: midis konzervatorizmit dhe risimeve.

 

                     6) Prof. Xhevat Lloshi tek standardi, përveç funksionit me të cilin zhvillohen të gjitha veprimtaritë e publike dallon paksa një funksion tjetër specifik.  Sipas tij:

“Kryesore është norma standarde, sepse u jep qëndrueshmëri nënsistemeve të gjuhës dhe në marrëdhënie me të mund të shqyrtohen përdorimet e tyre”,

d.m.th. të nënsistemeve, ku mund të përfshihen edhe nënstandardet apo jo?

                    

                     7) Edhe studiuesja Ledi Shamku - Shkreli jep një konstatim paksa të ndryshëm përgjithsues, jo pa interes:

“Gjuha standarde është ajo që mundëson komunikim në hapësirë e në kohë... gjithsesi në funksion për “gjetje të një ekuilibri delikat midis gjendjes vulgare dhe prirjeve për intelektualizim të gjuhës”,

  ku  përmirësimi i standardit del edhe si intelektualizim.

 

                     8) Prof. Mehmet Çeliku, standardit i jep një ngjyresë tjetër, i shton  funksionin konkret shoqëror, sepse, siç thekson autori:

Gjuha letrare e njësuar përbën thelbin e unitetit dhe të dinjitetit kombëtar, ajo është treguese dhe mburrja e kombit”.

Vërtet, konstatim përgjithësues i përdëshiruar dhe shumë me vend.

                    

                     9) Edhe prof. Shezai Rrokaj e rrah shkencërisht këtë temë. Ky ndër të tjera  thekson:

 Standardi si varietet i gjuhës... është shumë i rëndësishëm edhe për njësim kombëtar e politik, për bashkim të njerëzve rreth një ideali kombëtar e politik për industrializimin e shtetit në të gjitha strukturat e funksionimit të tij.

Ku ky industrializim kuptohet si një mishërim gjithpërfshirës i modernizimit.

 

                     10) Studiuesi Xhavit Beqiri, veç karakteristikave të tjera që i sjell me një akribi për lakmi, standardin e fikson kështu:

“Gjuha standarde i qëndron gjithmonë karshi gjuhës së natyrshme. Ajo rrafshon diversitetet e një gjuhe dhe sado që ka tendenca për t’u cilësuar si “e vetme gjuhë e vërtetë”,  prapseprap mbetet vetëm njëri nga shumë variatetet e gjuhës...

 duke e nxjerrë standardin, fundi i fundit, jo pavend, si variatet të rëndësishëm, por jo si të vetëm të gjuhës së përgjithshme të natyrshme.

 

                     11) Shkrimtari Ismail Kadare, pasi pranon se standardi i shqipes së sotme është vendosur në themel të një tradite që nuk e meritonte, thekson, duke aluduar se:

 Standardi është (ose duhej të ketë qenë) bashkim mekanik i dy traditave. Duhet të jetë harmonioz për të dy traditat. Harmonia kërkohet jo në sipërfaqe, por në thellësi. Standardi në fund të fundit nuk është vetëm një kompromis.

Sipas I. Kadaresë bashkimi mekanik dhe kompromisi është dashur që nga fillimi ta karakterizonte më dukshëm edhe standardin e sotëm gjuhësor të shqipes, mbi bazë të dy dialekteve, pasi kështu, sipas tij, ka ndodhur edhe me gjuhët e Europës.

                     12)  Ësht me interes se si është shprehur për standardin e shqipes  dashamirësi i gjuhës shqipe Lanksch:

“Dihet se për një gjuhë standarde zakonisht merret ndonjë element qendror, mesi gjeografik, pikëprerja gjeografike, qendra administrative (qeveritare) ose kulturore. Mirëpo dihet edhe as gjuha e një kombi dhe as norma e standardizuar gjuhësore nuk farkëtohet nëpër zyrat e  gjuhëtarëve zyrtarë, të cilët vendosin se si të flasë ose të shkruajë kombi, por merret parasysh (dhe jo nëpërkombje) shumështresshmëria e gjuhës... Ç’janë njëzet- dyzet vjet në histori?. S’ka njeri që mund të më mbushë mendjen se brenda dy-katër dekadave mund të bëhet një akt i kryer (fait accompli)  në lëmin e gjuhës, i cili pastaj nuk mund të hiqet... Paskajoren p.sh. gegërishtja, e ka pasur në normën e vet letrare.

Natyrisht çdo akt që nuk i qëndron kohës hiqet, por ne për standardin e sotëm, nuk mendojmë se duhet të hiqet, por që duhet të rinohet e përmirësohet patjetër.

 

                     13) E shohim të arsyeshme që në vijim të japim përkufizimin ose specifikimin që i jep gjuhës letrare ose standarde prof. Isa Bajçinca:

 

Gjuha letrare është “një formë e veçantë e gjuhës kombëtare, e cila përdoret në shumë sfera të jetës, si mjeti  më i përpunuar i komunikimit dhe këtu nuk bëhet fjalë për një komunikim çfarëdo, por për një komunikim, do të thoshim, të kulturuar, në fushën e letërsisë, të dijes përgjithësisht e në jetën politiko-shoqërore –

dhe vazhdon të sqarojë më tej:

 

Pikërisht kjo formë e gjuhës e krijuar në formë të ndërgjegjshme mbi forma të tjera të gjuhës, e cila gëzon ndonjë respekt e epërsi të veçanta ndaj të tjerave forma ndër popujt e qytetëruar është emërtuar: gjuhë letrare, por nga gjysma e  dytë  e shekullit që shkoi ka zënë të emërtohet gjuhë standarde... Thënë shkurt, është quajtur kjo gjuhë standarde, sepse në të mund të përdoren dhe/ose lejohen të përdoren dhe/ose vlerësohen të drejta për t’u përdorur vetëm elemente gjuhësore të standardizuara, duke u nisur nga shqiptimi i fonemave dhe morfemave për mes përdorimit të formave gramatikore deri tek drejtshkrimi e përdorimi i mjeteve sintaksore në frymën e standardit të gjuhës së caktuar”. (Shih: Gjuha shqipe 1/2007)

Ndërsa  si tipare kryesore të gjuhës standarde autori dallon këto:

 

1) formimin e standardit në mënyrë të ndërgjegjshme, 2) përfundimin me marrëveshje, me bashkim pikëpamjesh, 3) përpunimin në shkallën më të lartë në të gjitha nënsistemet, 4) përpunimin më të lartë të njësive në të gjitha nënsistemet dhe 5) mundësinë e përpunimit të vazhdueshëm..

 

Vërtet, të gjitha këto tipare janë të përdëshirueshme për standardin e shqipes së sotme apo jo? Pra, lë vlerësohet më mirë, si qëndron e drejta, e verteta dhe e përdëshiruarja?

 

                     14) Edhe formulimi i prof. Emil Lafes gëzon respekt. Me standard gjuhësor sipas tij kuptojmë:

 Formën sa më të njësuar gjuhësore që t’u shërbejë gjithë anëtarëve të shoqërisë, të lehtësojë komunikimin në mes tyre dhe zhvillimin e kulturës kombëtare... standard do të thotë që fjala të ketë një mënyrë të vetme të shkruari e të shqiptuari... që fjala të ketë forma gramatikore të përcaktuara. Standardi ka të bëjë edhe me rregullat e lidhjes së formave të fjalëve në fjali... Përcaktimi i standardit është punë e gjuhëtarëve dhe e institucioneve të specializuara për këtë qëllim...Gjuha standarde ose gjuha letrare kombëtare mbështet gjithmonë në një dialekt të caktuar dhe pasurohet organikisht me lëndën  e nevojshme edhe nga dialektet e tjera... Gjuha standarde është një madhësi kulturore që krijohet nga lëvruesit e saj në rrethana të caktuara dhe normohet nga gjuhëtarët, duke përzgjedhur nga format ekzistuese atë që prestigji i kombit e ka përhapur më shumë në gjuhën e shkrimit dhe që pajtohen me mirë me  vetë ecurinë e zhvillimit historik të asaj gjuhe. (Shih: Gjuha shqipe 2/2005)

Nga formulimet e mësipërme të thëna të gjitha me vend do të veçonim këto dy raste  së pari se gjuha standarde normohet nga gjuhëtarët dhe  së dytë  dialekti i emnuem si bazë standardi pasurohet organikisht me lëndën e nevojshme edhe nga dialektet e tjera  Lidhur me këtë po shtojmë një pyetje, nëse këto kërkesa nuk janë sendërzuar mirë, atëherë gjuhëtarët e kanë të drejtë dhe detyrë për të rinormëzuar ose përmirësuar standardin e sotëm apo jo?

 

                      Meqë kjo panoramë mozaikësh rreth karakteristikave të standardit do të përplotësohet edhe në nënkrerët vijues kur do të bëjmë fjalë për raportin standardi/krijimtaria letrare dhe standardi/dialekti, këtu nuk po vazhdojmë me citate të autorëve të tjerë, edhe pse numri i tyre nuk është i vogël dhe jo se nuk zgjojnë interes, por tani tërheqim vëmendjen e lexuesit tek një qëllim tjetër yni.  Në të gjitha citimet e mësipërme të studiuesve, përveç ndonjë rasti, siç e pamë, nuk përmendet funksioni që ka gjuha standarde në veprimtarinë ose krijimtarinë letrare-artistike, siç i është vënë në radhë të parë në përkufizimin fillimisht e M. Krujës e të ndonjë tjetri dhe të Enciklopedisë shqiptare, sepse termi gjuhë letrare gjithnjë e më tepër ka dalë ndërkohë dhe sot qëndron si një model i specifikuar vetëm për gjuhën e veprave letrare, andaj këtë dallim standardi/krijimtaria letrare do ta trajtojmë pak më në hollësi në nëntitullin vijues.

 

 

                     2) Rreth raportit: gjuha standarde/krijimtaria letrare

 

                     Edhe lidhur me raportin gjuha standarde / krijimtaria letrare janë dhënë përkufizime e vlerësime herë ekzagjeruese e herë jo.

                     Së këtejmi del qëllimi ynë, pra, që kjo çështje terminologjikisht ose konceptualisht të bëhet më e qartë.

 

                     Që në fillim po e shfrytëzojmë shpjegimin me vend të prof.. Isa Bajçincës, i cili, veç tjerash thekson:

 

Nuk ka dyshim se gjuha letrare fushën më të përshtatshme dhe mundësitë më të mëdha të pasurimit i gjen pikërisht në krijimtarinë letrare  dhe kjo për dy arsye:

 

e para, shkrimtarët janë njohësit më të muirë të thesarit gjuhësor dhepëdoruesit mjeshtërorë të këtij thesari, madje duke mbajtur parasysh gjithë përdorimet, qoftë në krijimtarinë popullore, qoftë në krijimtarinë e shkrimtarëve paraardhës;

e dyta, sepse pikërisht në letërsi gjuha gjen realizimin e të gjitha potencialeve e të zhdërvjelltësisë deri në shkallën e përdorimit figurativ e të përmbysur të elementeve të veçanta gjuhësore e të lidhjeve nga më të pasurat të mundshme në njësi të ndryshme gjuhësore, sidomos në fushën e fjalëformimit dhe të ndërtimit të marrëdhënieve sintaksore... Megjithëkëtë, në letërsi ,... krahas elementeve të standardizuara, autori mund të përdorë, dhe zakonisht përdor, edhe fjalë e njësi frazeologjike të marra nga dialekte të ndryshme të gjuhës, ndonjëherë edhe fjalë e shprehje arkaike... barbarizma e të tjera, që shkrimtari do t’i përdorë  për të kararterizuar  personazhe  të një konteksti të caktuar historik, politik e kulturor, ose edhe për të shënuar luftën dhe dallimet midis brezave e klasave shoqërore në një të kaluar të afërt a të largët. (Shih Gjuha shqipe 1/2007).

 

                     Në të vërtetë, gjuha standarde, pa përjashtuar përgjithësisht as nocionin e termit gjuhë letrare që kishte në kuptim të gjerë, përveç atyre që u përmendën në nënkreun e mëparshëm, sipas kuptimit të sotëm: mbulon ose funksionon në dy nocione:paksa të veçanta:

 

 e para, përfaqëson ose e ndërlidh gjuhën e shkruar nga e kaluara

(tradita) me të tashmën (realitetin e sotëm gjuhësor), në njërën anë dhe

            e dyta, në anë tjetër shërben si model–udhëzues se si duhet

  përdorur gjuha  e shkruar zyrtare  në të ardhmen.

 

                     Për dallim, pra, nga gjuha letrare, e cila sipas konceptit të ri, për gjuhësinë tonë, përfshin, kryesisht vetëm gjuhën e veprave letraro-artistike ose krijimtarinë letraro-artististike e kulturore që më tepër ndalet në pasqyrimin e botën subjektive të individit a të  personazhit përkatës, gjuha standarde del në pozicion tjetër, më të gjerë e njëherazi më të specifikuar, kur kemi parasysh se me këtë gjuhë shprehen të gjitha fushat e tjera semantike që kanë të bëjnë me botën reale ose realitetin objektiv, por në tema të caktuara mund të shprehë gjëra specifike fort të veçanta. Përkundrazi, në krijimtarinë letrare sipas kuptimit të ngushtë, shprehet bota subjektive konkrete e autorit përkatës, por jo ajo botë reale dredjtpërdrejt objektivisht e asnjanësisht. Megjithatë edhe këtu del i nevojshëm një sqarim plotësues. Gjithsesi fusha letraro-artistike si një fushë a botë e vetme (subjektive) karakterizohet me shprehje të dukshme stilistike si simboli, krahasimi, metonimia e sidomos metafora etj., por shprehje të tilla stilistike metaforike etj. dalin fatlumnisht edhe në veprat shkencore e të tjera edhe pse të shkruara në gjuhën standarde, ngase dy janë elemente të domosdoshme që vlejnë për të dyja versionet e të shprehurit e çdo vepre të shkruar, e këto janë: arsyeja dhe emocionet (motivet). Mirëpo dallimi është se në vepra letrare  emocioni zë vendin e parë, ndërsa arsyeja, si me thënë, vendin e dytë dhe kjo kuptohet si nga forma e të shprehurit, qoftë, në vargje, poemë, prozë artistike, dramë etj, ashtu edhe nga përmbajtja, kurse në veprat shkencore-publicistike, në praktikën administrative, në shkresat zyrtare, në diplomaci etj., vendin e dytë e zë emocioni, madje dhe mund të përjashtohet plotësisht,  sepse gjithsesi vendin e parë ose të vetëm e zë arsyeja, d.m.th. të shprehurit e komunikimit normal, neutral, edhe pse mund të ketë edhe ndonjë shprehje emotive, alegorike, metaforike e ku ta dimë, por kjo mënyrë e të shprehurit dallohet dukshëm nga të shprehurit në vepra letraro-artistike. 

                     Po e përmendim në këtë kontekst edhe një të vërtetë tjetër. Siç dihet krijimtaria letrare, jashtë kornizave të kodit të paracaktuar përkatës, varësisht nga lënda që trajtohet, ka liri shprehjeje gjuhësore më tepër se ajo standarde. Atë në këtë liri shprehjeje e mbron e drejta universale e ashtuquajturt licentia poetica, të cilën nuk e ka gjuha standarde. Gjuha standarde, megjithatë, në të vërtetë, për dallim nga ajo letrare, ka një veçori tjetër që ndërlidhet me karakterin detyrues të respektimit të normës, me përjashtim të ndonjë idiome a akzode. Me fjalë të tjera, rregullat e standardit janë detyruese për përdoruesit në plan zyrtar etj. dhe për mosrespektimin e tyre mund të ketë sanksione, jo vetëm morale, por edhe të tjera, ndërsa gjuha letrare lidhur me këtë ka detyrim fakultativ, siç e thamë, varësisht nga tema që trajtohet dhe synimi i autorit, temë kjo që do të trajtohet pak më poshtë, pasi të thuhen edhe disa fjalë rreth veçorisë së gjuhës së krijimtarisë letrare, kundrejrt asaj standarde.

                     Medituesi Flamur Maloku pasi shënon titullin simbolizues trivial në kontinuitet (si të themi proces – rezultat): shpirti/poezia, poezia /gjuha,  aksiologji e rrafshtarit, veç tjerash  shprehet:

Gjuha e letërsisë (poezisë)... thyen rregulla, sepse është në pyetje figura dhe loja e përhershme e diskurseve... që krijon kozmosin e saj, rendin e tërësisë ekzistenciale me një ndjeshmëri të plotë... Bota e poezisë njeh individualitetet krijuese individuale e unuiversale... sepse vetë shpirti dëshiron të jetojë në hapësirën e përgjithshme... (Shih Kosova sot, 16.01.’10, f. 13.)

 

                     Është me interes të  të dihet se si shprejhet edhe poeti Ag Apolloni lidhur me  këtë çështje: gjuhën e poezisë, konceptin e së cilës u përpoqëm ta shprehnim edhe ne pak më sipër:

 

“Ashtu si fjala që ishte përzgjedhje tingujsh, germash, edhe poezia matet me gram, prandaj është e pumundur të shkruhet poezia në gjuhën standarde. Poeti përherë e ka poseduar të drejtën licentia poetica ... Për poetin fjala (gjuha) nuk është thjesht mjet për marrëveshje, ajo shumë më shumë... është filozofi e fellë. Poeti është licensuar për të shkelur standardin... Autori i krijimtarisë letrare ka natyrë triniteti: njeri, poet, perceptues.... Që të arrish te poezia është e udhës që të bësh një projekt për poezi... Shpërthimi dhe pojektimi nëkuptojnë emotio dhe ratio, kurse bashkimi i këtyre rezulton poezine... Rrjedhimisht  poezia lyp ndjenjë, dije, shije dhe përkushtim”. (Shih: Kosova sot , 12.07.’09, f.  13,)

 

                     Nga citimi i mësipërm të vihet re se autori përpara e shënon emotio  (ndjenjësinë) dhe pastaj ratio (arsyen), ashtu siç e shënuan edhe ne si tipar për gjuhën e letërsisë artistike (poetike). Sidoqoftë, nuk do të thotë që për ndonjë thënie nga citimi i mëspërm nuk shprehim rezervë ose nuk pajtohemi plotësisht, sepse poezi shkruhen edhe në gjuhën standarde, madje kjo do të ishte shumë e mirëseardhur, sidomos për absorbimin e poezisë në orët e mësimit në procesin e rregullt shkollor e më gjerë, ngase arti i tillë sidomos në gjendjen e sotme të standardit të shqipes, ndihmon në përvetësimin më të lehtë të gjuhës zyrtare (shkollore) që është aq e nevojshme për tërë shoqërinë shqiptare. Njëherazi dihet se, nga standardi i formëzuar që ka traditë, gjuha poetike, si me thënë, më shumë merr se jep. Është e vërtetë se nga fondi i gjerë i standardit, jo vetëm në parim, por edhe faktikisht, përfiton gjuha e letërsisë artistike, sepse siç dihet standardi sipas rregullit i ka përfshirë (ose duhej t’i përfshinte) në normëzim të gjitha vlerat e dialekteve dhe të shtresave shoqërore si edhe vlerat (leksikun) e gjuhës së veprave poetike të njohura më parë. Fundi i fundit edhe gjuha standarde, edhe ajo poetike janë versione të shqipes së përgjithshme globale, nga kornizat e së cilës në shkallë të gjerë assesi s’mund të shkëputen, por janë si të thuash promotore që e shpiejnë më tej koenizimin e gjuhës sonë mbarëkombëtare.

                     Vërtet, ka ndodhur që me rastin e formimeve të koineve përkatëse të gjuhëve kombëtare (zyrtare) shkrimtarët me krijimtarinë e tyre kanë pasur ndikim themelor, si me thënë: parimor, në formëzimin e standardit, dhe se ajo gjuha e shkrimtarëve ka shërbyer sigurisht vertëm si mbështetje e parë, sepse standardi, gjatë zhvillimit veç asaj gjuhe (poetike a përshkruese) del e koenizuar, d.m.th. e përpunuar me qëllim përgjithësimi, duke u pajisur edhe me shumë vlera të tjera nga të gjitha stilet funksionale që domosdo duhet t’i ketë çdo gjuhë e shkruar, sidomos nga stili publicistiko-administrativ, zyrtar etj. dhe jo vetëm nga stili i letërsisë, i cili tani kalon në margjinë ose edhe ndahet oaw dallohet sigurisht sidomos për nga forma nga ai zyrtar ose ai shkencor-publicistik. Tek e mbramja, siç u tha edhe më sipër, standardi gjuhësor me stilet e tij ka tjetër ecuri zhvillimi, ka tjetër funksion shoqëror nga ai letraro-artistik që shfaqet i mishëruar kryesisht në vepra letraro-artistike të gjinive të llojeve të ndryshme të njohura.

                     Na  ka rënë me ndëgjue se qenkan kritikuar për shkak të gjuhës së tyre b.f. Atë Gjergj Fishta (poet shkodran, gegë, me famë kombëtare), dhe Lazgush Poradeci (poet pogradecar, toskë, po ashtu me famë kombëtare), pse në veprat e tyre letrare-poetike në epokën e Pavarësisë nuk iu paskan përmbajtur atëbotë normës së rekomanduar, mbi bazë të gjuhës së mesme (elbasanishtes), po paskan përdorur secili gjuhën dialektore të së folmeve të rrethinës përkatëse etj. Për mendimin tonë kritikat e tilla janë fort të paqëndrueshme, sepse poeti i vërtetë e përdor dhe e përpunon atë gjuhë që e njeh, atë gjuhë ku e gjen dhe e ndjen veten më mirë, atë që e ndjen me shpirt,  varësisht nga tema që e trajton. Thjesht, po ta përdornin ndonjë gjuhë të dhunshme që nuk do t’u shkonte për zemër, nuk do të ishin ata që janë: poetë kombëtarë, me veçori të veçanta stilistike e gjuhësore. .Por, nuk përjashtohen edhe shkrimtarë të famshëm që e përdorin gjuhën e elitës, por le të dihet se tjetër është gjuha zyrtare, administrativo-juridike, diplomatike  etj e tjetër është gjuha   letrare - poetike.

 

                     Pra,  tjetër është gjuha situatore e Atë Gjergj Fishtes, b.f. në mesha, tjetër në tubime zyrtare dhe krejt tjetër në vepra poetike ose satirike. E para, i takon stilit liturgjik fetar, gjuha e dytë patjetër, siç u tha, duhet të respektojë koinenë zyrtare ose normën e sanksionuar, ndërsa gjuha e tretë poetike, jopatjetër është e obliguar me e zbatue standardin përkatës zyrtar.  S’do mend se se çdo vepër e shkruar kërkon përkushtim, parapërgatitje dhe njohje solide paraprake të rregullave globale të gjuhës. Patjetër edhe shkrimtari ashtu si edhe shkencëtari duhet ta njohin mirë edhe standardin e përgjithshëm e pastaj mund të manipulojnë me stilin përkatës që ia përshtatin temës që e trajtojnë.

 

                     Sidoqoftë, në asnjë vend të botës krijimtaria letrare nuk del si robëruese, por as robëreshë e standardit. Ajo shfrytëzon standardin, por njëherazi shfrytëzon edhe dialektin edhe reliefin gjeografik edhe dallimin shtresor gjuhësor të shoqërisë etj.. Ajo njomet me kreativitetin krijues personal të autorit, ideolektin që është veçori e talentit të tij, dhe kështu pasuron standardin dhe gjuhën në përgjithësi si dhe gjuhën poetike me prurje të reja,. qoftë nga dialekti, qoftë me risimet inventive vetjake që i krijon secili shkrimtar i mirë.

                     Gjuha letrare, pra, parimisht është çështje vetjake e shkrimtarit. Bën pjesë në lirinë e krijimit – thotë Ismail Kadare. Ndërkaq Agron Tufa lidhur me këtë dukuri shprehet kështu: Sinioret dhe zotërimett e gjuhës janë e vetmja pronë e shkrimtarit, d.m.th.. rregullat e drejtshkrimit mund të mos jenë sinore (kufi i prerë) për shkrimtarin e gjuhën e tij, kurse gjuha e shkencëtarit nuk mund të jetë gjuhë vetjake, ajo patjetër duhet të jetë në gjuhën standarde, të përgjithshme të koinezuar, edhe pse mund të njomet me elemente stilistike, risime frazeologjike e terminologjike, varësisht nga tema që trajtohet dhe aftësia e autorit.

                     Konkretisht mendojmë se krijimtaria letrare e të gjitha trevave shqipfolëse edhe nëse e shfrytëzon me mjeshtri të folmet ose nëndialektin përkatës nuk duhet të cilësohet si antinormë, por si një mënyrë e të shprehurit, nga e cila duhet a mund të përfitojë secili individ, pra edhe standardologu, ngase duke njohur gjuhën e shkrimtarit dhe të protogonistëve të tij ai do ta njohë më mirë edhe shpirtin e gjuhës, me prrjet e saj  në përgjithësi. Standardologu duke u njohur me mendimet dhe ndjenjat e vet autorit përkatës mund t’i ndihmojë poetit, por edhe vetëvetes dhe anasjallas. Gjithsesi që të dyja palët duhet të përpiqen që të jenë sa më të zotët në zanatet e  tyre  të veçanta, jo të lehtë, ngase kështu nga të dyja palët hetohen më mirë edhe prirjet e zhvillimit të gjuhës.

                     Gjithsesi nuk duhet përjashtuar, siç u cek pak para, as stimulimin e të shkruarit në gjuhën thjesht standarde në dobi të shkollës dhe edukimit të masës së lexuesve. S’do mend se krijuesi i mirë letrar ashtu si edhe standardologu sa më në hollësi dhe në thellësi që ta njohin gjuhën globale, aq më tepër do të kenë mundësi të përzgjedhin sinonimet  ose dysorët alternativë etj. që shpiejnë drejt konvergjencës në shkallë kombëtare.

                     E thënë me fjalë të tjera, letërsia jonë, jo vetëm ajo artistike, por edhe ajo shkencore, publicistike etj. nuk duhet të ngecë, vetëm në disa fjalë e fraza të thata të përmbledhura në fjalorët përkatëstë të deritashëm normativë, por sigurisht duke i shfrytëzuar ato të dhëna, sidomos modelet fjalëformuese mund të shpikin e të përftojnë edhe fjalë e shprehje të reja inventive që imponohen varësisht nga tema e stili përkatës funksional që trajtohet tema përkatëse, pa përjashtuar edhe kalkëzimet a huazimet e domosdoshme të fjalëve të huaja, sidomos ato me cilësi ndërkombëtare e të tjera.

                     Fundi i fundit edhe sa i përket interpretimit të gjuhës në raportin standard/krijimtari letrare ka dallim të madh, por ka edhe afrime. Ndërsa gjuha e standardit duhet të jetë sa më e qartë dhe të shprehë një kuptim strumbullar të kuptueshëm për të gjithë, përkatësisht për profilin e njerëzve të shtzresës, grupmoshës a të profesionit përkatës, gjuha e krijimtarisë letrare sa më shumë variante interpretimesh që mund të ketë konsiderohet si krijimtari më e arrirë, ngase të shprehurit e rëndomtë për krijimtarinë letrare është e huaj, të shprehurit e saj dallon nga rëndomtësia e të shprehurit. Pra qëllimi i krjimtarisë letrare nuk është gjuha administrative njëkuptimshe, por shumëkuptimësia, të shprehurit e fytyruar, jo i rëndomtë, por çdo lexues i pasionuar ndryshe-ndryshe, andaj lexuesi duhet ta kërkojë dhe ta gjejë veten në veprën përkatëse letraro-artistike.

 

                     Nga sa u tha standardologët e sotëm assesi nuk duhet të jenë rob e të veprojnë nën ndikimin e veprave të ndonjë letrari që aktualisht propaganda e ka ngitur lart, por duhet të shfrytëzojnë në radhë të parë vlerat e punës të secilit shkrimtar dhe të secilit shkencëtar, ashtu si edhe vlerat e dialekteve dhe të të folmeve përkatëse të gjalla popullore, por njëherazi edhe vlerat gjuhësore të letërsisë së shkruar popullore e para se gjithash duhet të shfrytëzojë gjuhën shkencore të stileve përkatëse funksionale, në mënyrë që standardi të jetë më gjithëpërfshirës dhe të jetë sa më i kuptueshëm dhe të shërbejë për të gjitha trevat e shtresat shoqërore shqipfolëse si gjuhë e përbashkët shkrimi, madje ndërkohë edhe si gjuhë e përbashkët shqiptimi.

 

 

 

                        3) Rreth raportit gjuhë standarde / dialekt

 

                      Meqenëse rreth kuptimiit leksikor të fjalë-termit dialekt dhe konkretisht për dialektet e të e folmet e shqipes dhe për shtrirjen e tyre, kemi bërë fjalë në fillim të këtij punimi, këtu më tepër do të ndalemi vetëm te raporti gjuhë standarde/dialekt, si dy dukuri të gjalla aktive që bashkëjetojnë edhe si standard edhe si nënstandard. Në këtë kontekst në gjuhën tonë ka pasur edhe konstatime jo të drejta, keqkuptime ose keqinterpretime lidhur me gjallimin a zhdukjen e dialekteve me rastin e formimit të gjuhës standarde, edhe për këtë ne nuk do të ndalemi në mënyrë të veçantë. Tani, kalimthi do të cekim mendimet e disa  gjuhëtarëve, të cilët janë shprehur pikërisht rreth raportit gjuhë standarde – dialekt. Sigurisht pa hyrë në analiza më të thella  gjykojmë se është vendi që menjëherë të përmendim mendimin shumë të qëlluar për kohën që ka shprehur prof. Maksmilian Lamberci lidhur me këtë raport në Komisinë Letrare të Shkodrës 1917, kur bëhej fjalë rreth përzgjedhjes së bazës së shqipes letrare (kupto bazës së shqipes standarde), ku ai  shpjegonte:

 

Gjuha letrare (lexo standarde n.v.) nuk ka për qëllim me shtypë dhe me i farue dialektet e tjerë, por ka me sjellë njësinë kombëtare.  

 

Po në atë frymë duhet të kuptohet edhe mendimi i prof. Eqerem Çabejt:se “dialektet janë prroje që e furnizojnë lumin e gjuhës letrare” ndërsa prof. Aleksandër Xhuvani, duke e konsideruar dialektin (dialektet) si gjuhë popullore, sqaronte:

 

 Gjuha e shkrueme (standarde n.v.) nuk asht e nuk duhet të jetë tjetër veçse gjuha e popullit e rregullueme dhe e disiplinueme.

 

Mustafa Kruja, ka koncept edhe më të përparuar, ky p.sh. dialektin e përkufizonte kështu:

“Edhe dialekti s’asht kurrgja ma pak se nji gjuhë, mbasi atë e flasin  e me të merren vesh  një grumbull i madh njerëzish.

Pra e përkufizon si gjuhë po jo si gjuhë kombëtare, siç e quante M. Kruja standardin.

                     Sidoqoftë, edhe ne mendojmë se dialektet e shqipes ose të folmet popullore shqipe nuk duhen konsideruar si mbeturina, ngase ato do të ekzistojnë, por natyrisht, siç do t’i japin furnizim standardit ashtu edhe do të furnizohen e do të afrohen gjithnjë e më shumë edhe vetë nga standardi. Kështu, duke u pajisur me vlera të reja, nga dialektet e të folmet përkatëse standardi fuqizon vetveten dhe po kështu duke dhënë e duke marrë dialekti nga standardi edhe ky fuqizon vetveten. Njëherazi edhe gjuha standarde si përfaqësuese zyrtare e bashkësisë folëse shoqërore si “gjuhë e rregullueme dhe e displinueme” do të jetë më popullore në aspektin e brendshëm, por edhe me e denjë dhe me e fortë në aspektin e jashtëm. Këtu e kemi fjalën rreth ballafaqimit të saj me sfidat, qoftë në raport me të folmet e ndërdialektet, qoftë në raport me gjuhët e huaja. Mendimin tonë po e ilustrojmë me një citat nga vepra e studiuesit tonë, shumë të respektuar, Shezai Rrokajt me titull Hyrje në gjuhësinë e përgjithshme, ku prek pikërisht këtë temë:

 

Standardi i shqipes ka nevojë të pasurohet edhe. Vetë larmia demografike e shqipfolësve (të ndarë në disa shtete) bën të domosdoshme ruajtjen dhe pasurimin e standardit nëpërmjet përfshirjes gjithmonë e më të madhe të formave të mbarë gjuhës dhe përdorimit të varianteve, të cilat i japin hijeshi mozaikut gjuhësor dhe tregojnë pasurinë e vitalitetin e tij. Falë konkurrencës, variantet e një gjuhe vijnë e specifikohen duke marrë kuptime e funksione të reja. Ajo që quhet normë e standardit nuk mund t’i kundërviheti prerazi normës së gjuhës mbarëkombëtare, që ka në themel parimin e komunikimit dhe të të kuptuarit në shqip. Midis tyre ekziston një ecejak i pandërprerë me prirje afruese dhe jo një ndarje e ngurtë. Këto dy norma hapen ndaj njëra tjetrës. Por që të dyja duhet të jenë të kujdesshme përsa u përket huazimeve nga gjuhët e tjera. (Aty f. 140.) 

                    

                     Këtu përveç dialektit a të folmeve përkatëse që gjithsesi dallohen me koenizimin e tyre të caktuar përmendet edhe norma e natyrshme mbarëkombëtare, koenizim ky i përgjithësuar i  formuar atavikisht, nga procesi i rregullimit të brendshëm, dhe që ka shërbyer dhe shërben edhe sot për komunikim solid të masës së gjerë të kësaj bashkësie folëse, andaj asnjë normëzim nuk duhet të bie ndesh me zgjidhjet e tilla atavike nga ajo normë globale. Pikërisht ky fakt i domosdoshëm na duket se fare pak është marrë parasysh, madje edhe na duket se nuk del edhe i studiuar sa e si duhet ky fakt i pamohueshëm në gjuhësinë e qendrës sonë të standardologjisë gjuhësore tash e gjysmë shekulli

            Gjithsesi këto konstatime sidomos atë se “norma standarde nuk mund t’i kundërvihet prerazi normës së gjuhës mbarëkombëtare” (globale) dhe disa të tjera që do të ceken në vazhdim sipas nëntitujve përkatës, duhet t’i bëjnë të vetat, sidomos standardologët tanë të sotëm, të cilët janë të ngarkuar për rishikimin e qëndrueshmërisë së standardit të shqipes së sotme. Në tëvërtetë, diskutime nuk kanë munguar edhe më përpara nga kjo fushë, por rezultate të plota ende nuk shihen në realitet. Ku qëndron ngecja nuk duam të supozojmë, por pikërisht ky ishte motivi që na shtyri të meditojmë rreth profilit të standardologut të sotëm që prek ose ndërlidhet domosdo me këtë temë, siç do të shohim në vijim.

 

 

 

3.  Meditime rreth profilit të standardologut të sotëm

       të shqipes në krahasim me historianin e gjuhës

 

Që në fillim po cekim se standardolog të gjuhës shqipe, sipas kuptimit të ngushtëquajmë vetëm profesionistët, për profilin e tyre do të bëjmë fjalë më në hollësui më poshtë, ndërsa sipas kuptimit të gjerë standardoolgë  nuk i konsiderojmë vetëm të punësuarit në institucionet përkatëse, por të gjithë intelektualët që mund të kontribuojnë ose të kenë kontribuar për të mirë të kompletimit dhe konsolidimit të standardit të shqipes që nga fillet e Rindjes sonë Kombëtare, d.m.th. që nga Shoqëria  Shkronjave Shqip e Stambollit deri në ditët e sotme, ku domosdo bëjnë pjesë hartuesit e gramatikave normative të gjuhës shqipe, hartuesit ose pjesëmarrësit në hartimin e drejtshkrimeve të shqipes, hartuesit e fjalorëve normativë, dhe një armatë të tërë mësuesish, dashamirësish dhe miq të gjuhës shqipe, ku domosdo bëjnë pjesë të gjithë, profesorët e filologët me tituj e grada shkencore e në veçanti, të gjithë anëtarët e Këshillit ndërakademik Tiranë-Prishtinë, si dhe domosdo anëtarët e grupeve profesionale që veprojnë në kuadër të këtij këshilli, të cilët, me sa jemi në dijeni, edhe janë duke punuar rreth verifikimit të qëndrueshmërisë së standardit të shqipes së sotme, përkatësisht, duke trajtuar çështje të diskutueshme me qëllim të fuqizimit a të përmirësimit. të normës në fuqi.

 

Meqë në koluare po flitet se jo të gjithë anëtarët e këtyre komisioneve janë të specializuar për nënfushën përkatëse ku bëjnë pjesë, ne, në vijim do të meditojmë për profilin e standardologut të sotëm të shqipes në krahasim me profilin e historianit të gjuhës shqipe dhe nën  hije do të përmendim edhe profile të tjera të gjuhëtarëve ose studiuesve të gjuhës.

Siç dihet diakronia dhe sinkronia janë dy metoda studimi, të cilat gërshetohen njëra me tjetrën, por megjithatë kanë edhe dallime. Thuhet se nuk ka diakroni (ligjërim) pa rrafshe sinkronie, në njërën anë dhe në anën tjetër, theksohet po ashtu se nuk ka as sinkroni (gjuhë aktuale) pa gjurmë diakronie (pa histori). S’do mend se po këto dy metoda i ndeshim edhe lidhur me studimin e gjuhës sonë. Madje me shikue përgjithësisht gjuhëtarët tanë, sipas fushëveprimit a specializimit të tyre i dallojmë në vija të trasha po sipas këtyre dy metodave në grupe a profile. Ata që merren me diakroni i quajmë historianë të gjuhës shqipe, ndërsa ata që merren me sinkroni ose me normën aktuale dhe përkujdesjen ndaj saj i quajmë standardologë.

Këto dy profile gjuhëtarësh mpleksen edhe veçori të profileve të tjera gjuhëtarësh, si janë: dialektologët, terminologët, antropologët, sociolinguistët, psikolinguistët, stilistikanët e gjuhës etj., por ç’është e vërteta, veprimtaria e tyre filologjike zakonisht shkon në dobi të njërit ose të tjetrit profil ose të të dyja profileve bashkë të cekur prej nesh, qoftë në të mirë të historisë së gjuhës më tepër, qoftë në dobi të standardizimit të gjuhës. Kjo është arsyeja pse ne po i trajtojmë krahasimisht pak më në hollësi kryesisht vetëm këto dy profile, d.m.th. nocionin e: standardolugut të shqipes dhe kuptimin e historianit të gjuhës shqipe. Kështu po veprojmë, sepse në të vërtetë në standardizimin e gjuhës shqipe, siç e kemi parë në krerët përkatës të këtij punimi, zakonisht kanë marrë pjesë, personat më shumë të njohur si historianët të gjuhës, por jo si standardologë. Me thënë të drejtën, nga normëvënësit e deritashëm për letrarishten e sotme ky emërtim mund t’i takonte më fort prof. Androkli Kostallarit si organizator, pa e përjashtuar prof. A. Xhuvanin e mbase edhe prof. Mahir Domin, i cili edhe pse më tepër është shquar si sintaksolog, ka kontribuar shumë në kontinuitet lidhur me formulimin e rregullave drejtshkrimore. Andaj në kritika ndaj standardit të viteve ’70-’80-a që ende është në fuqi më fort në thumb, jo gjithmonë me të drejtë, është vënë  prof. A. Kostallari, ndërsa  këtij thumbimi, nëse mund të thuhet kështu, nuk duhet t’i shpëtojë as prof. Mahir Domi.

Ç’është e vërteta, siç u tha, edhe diakronikanët edhe sinkronikanët konkurrohen e përplotësohen nga profile e nënprofile të tjerë të gjuhëtarëve, por kur është fjala për gjuhën tonë diakronikani a historiani i gjuhës nuk mund të krahasohet assesi me standardologun. Madje me profilin e standardologut s’mund të krahasahet as sinkronikani, sepse standardologu ka fushë të veçantë veprimi. Sinkronikani mund të jetë dialektolog ose filolog e ngjashëm, ngase  materialin të përpunuar dhe të sistemuar e sjell, qoftë nga terreni ose nga ndonjë burim i caktuar, ndërsa standardologu ka për detyrë të përzgjedhë nga ai metarial, ta krahasojë me materiale të tjera dhe të fusë në normë vetëm vlerat më të përgjithshme nga të gjitha të folmet, dokumentat ose gjuhën e veprave përkatëse në kuadër të të dy dialekteve.

Sido që të jetë, e marrim me mend se studiuesit e të dyja profileve historianët e gjuhës shqipe dhe standardologët sipas rregullit domosdo duhet të kenë një pikënisje baze e kjo është a duhet të jetë: gjendja e sotme e natyrshme globale e gjuhës shqipe, të cilën duhet ta njohin në mënyrë solide, ku nënkuptohet si pikënisje zotërimi i standardit, i drejtshkrimit, i rregullave gramatikore si dhe të jetë i njohur me përmbajtjen e fjalorit normativ. Dhe së këtejmi sipas profilit studiuesit e tillë marrin drejtime të ndryshme rrugëtimi. Të parët, historianët e gjuhës nisur, pra, nga gjendja e sotme ngjiten në kohëhapësirat historike, ndërsa të dytët, standardologët, nisur po ashtu nga gjendja e sotme sillen e përsillen gjithandej në sinkroni dhe ndalen po në këtë rrafsh. Që të dyja profilet e studiuesve kanë rrugëtim të vështirë për të arritur në cakun e duhur. Gjithsesi punët e tilla janë punë me shumë përgjegjësi. Të parët, duke hulumtuar të kaluarën nëse nuk u punojnë mirë sytë e mendjes mund të humbin në mugëtirën e shekujve të panjohur dhe kjo do të linte pasoja për shkencën në përgjithësi, ndërsa të dytët, nëse sorollaten dhe nuk janë në gjendje me e njohtë mirë tërë relievin gjuhësor mbarëkombëtar si dhe modelet ekzistuese të fjalë- e termformimit dhe nëse u mungon intuita e talenti për të hetuar e gjetur shtigjet e prirjeve për të ardhshmen, bëjnë gabime edhe më të rënda. Këta, që të dyja profilet e gjuhëtarëve, assesi nuk duhet të vetëkënaqen me konstatime e sugjerime ose me të dhënat e mëparshme, të servuara, qoftë nga të tjerët, qoftë edhe nga konstatimet e veta, të cilat mund t’i kanë formëzuar në kushte e rrethana të tjera, ngase kushtet në kohë e hapësira të ndryshme kurrë nuk mund të jenë të njëjta. Qasja e re mund të sjellë edhe gjykim të ri. Gabimi ose edhe lajthitja e standardologëve mund të jetë e pariparueshme nëse vetë nuk janë të zotët me i zotnue, shfrytëzue dhe me i sendërtue vlerat e domosdoshme që i hapin perspektivë standardit të mbarë shqipes. Njerëzit e tillë përgjegjës duhet ta dinë mirë se përveç faktit që të gjitha rregullat e deritashme duhet të verifikohen, por ato duhen riformuluar madje edhe korrigjuar e mbase edhe duhen rishtuar rregulla të reja që dalin të domosdshme ose imponohen në kushte e rrethana të reja. Fundja ata duhet të jenë të vetëdijshëm se dijenitë e reja të fituara, përkatësisht çdo konstatim i ri i mbështetur në baza të forta, para se të propozohet, interepretohet ose sforcohet si normë, faktikisht duhet ta shprehin e ta diskutojnë botërisht në formë sprove dhe të kërkojnë verifikimin a vlersimin e duhur nga studiuesit e tjerë, edhe nga vetë masa që i dedikohet norma, përndryshe, jo vetëm mund ta humbin rrugën në oborrin e vet, por edhe mund t’i hapin ose t’i shtojnë plagë gangrenëse kodit të përbashkët të shqipes, sa që vështirë mund të shërohen pastaj në të ardhmen ato gërrica nga shtati dhe shpirti delikat  i shqipes mbarëkombëtare.

 

Të parët, siç u tha, d.m.th. historianët e gjuhës nga e sotmja, duke u ngjitur në kohë deri në periudhat më të mugëta, natyrisht duke bërë krahasime me gjuhën e dialekteve të gjuhës së vet edhe me gjuhët e huaja, të vdekura e të gjalla, mund ta ndihmojnë shumë, jo vetëm historinë e gjuhës, por edhe historinë e kombit tonë. Në të vërtetë, në veprimet e tilla disa studiues tanë, që tashmë dihen me emër, kanë pasur suksese, sepse kanë zgjidhur mjaft enigma të kombit e të gjuhës sonë, qoftë të sistemit emëror, qoftë të atij foljor. Por suksesi mund të quhet i arrirë vetëm atëherë, nëse rezultatet verifikohen në kuadër të sistemit gjuhësor të historikut të gjuhës shqipe, por edhe në krahasim me gjuhë të tjera, duke njohur e shfrytëzuar domosdo ndryshimet që janë shkaktuar sipas procesit të evolucionit të trajtave e të konstrukteve ligjërimore në periudha të caktuara. Por, siç e pranojnë edhe vetë, megjithë rezultateve të arritura, kanë mbetur për t’u zbardhur edhe shumë çështje të tjera, sepse siç e thekson historiani ynë i mirënjohur i gjuhës shqipe, prof. Sh. Demiraj, studiuesit e këtij drejtimi, kur është fjala për shndëritjen e çështjeve të ndryshme historike të gjuhës sonë, siç janë edhe nyjë-mbaresat e fjalëve në shqipe “një përputhje të plotë mendimesh kanë vetëm për evolucionin e mbaresës së dikurshme -a (me theks horizontal n.v.) në –ë, kurse për evolucionin e mbaresave të tjera janë shprehur mendime të ndryshme”.

Ç’është e drejta, mospërputhje mund të ketë edhe në pika të tjera, po kjo fundi i fundit pak ose aspak nuk pengon punën e profilit tjetër të gjuhëtarëve të angazhuar rreth normëvënies, verifikimit ose konsolidimit të saj, sepse tekembramja, siç e thotë Xha Xhai:“konsiederatat historike nuk ngrejnë peshë në diskutimin e funksioneve të formave dhe të kategorive gramatikore”. Prandaj, kjo që sa u tha është njëra nga arsyet pse ne i ndamë gjuhëtarët sipas këtyre dy profileve dhe mendojmë se nuk është mirë të parapëlqehet propozimi që çdo historian i gjuhës, i cili është i orientuar në atë drejtim, ku ka harxhuar shumë kohë e energjinë në studime e specializime historike, të ngarkohet (pa dëshirën e tij) në punët e standardologut ose të bëhet drejtues i një veprimi të tillë(?!), siç ka ndodhur në të kaluarën gjatë procesit të normëzimit të gjuhës sonë, mbase siç po ndodhë edhe sot. Kështu po themi, sepse ndonjë lëshim nga përmbajtja e standardit të sotëm po ia ngarkojnë b.f. prof  E. Çabejt, prof. Sh. Demirajt ose prof. I. Ajetit, të cilët kanë shkëlqyer si historianë, si etimologë të shqipes ose në profile të tjera, por jo edhe si  standardologë, sepse në këto punë, me sa dimë, i kanë dëgjuar të tjerët dhe janë bërë argat të tyre.

Rreth profilit të standardologut do të përpiqemi të themi edhe diçka më konkrete. Për mendimin tonë standardologu i sotëm i gjuhës shqipe patjetër tërë energjinë e vet duhet t’ia kushtojë njohjes e perfeksionimit të profesionit të vet.  Në radhë të parë, duhet të pajiset me  njohuritë që sjellin historianët e gjuhës, pastaj dialektologët, antropologët, terminologët, sociolinguistët, pragmatist, logjikanët etj., por gjithsesi duhet t’i tejkalojë ata, kur është fjala te standardi, ngase detyra e tij është shumë më delikate. Standardologu i sotëm assesi nuk duhet të mbetet vetëm si normëmbrojtës ose si normëkorrigjues, por duhet të ketë aftësi që të jetë edhe si normërishtues ose autoritetin e tij shkencor ta përdorë për përmirësimin e standardit. Dihet se suksesi i standaologut, varet, jo vetëm nga faktet e brendshme gjuhësore, por edhe nga ato të jashtme, përfshirë edhe punët e planifikimit gjuhësor ose të politikës gjuhësore shtetërore e shoqërore, andaj, përveç harmonizimit të punëve të tilla, duhet të shfrytëzojë edhe të arriturat në linguistikë të përgjithshme dhe në shkencat e tjera ndihmëse. Puna e standardologut të sotëm ndërlidhet edhe me përgjegjësi të mëdha, ngase nuk është lehtë të rrëzohen mitet e krijuara me vend e pavend për një kohë mjaft të gjatë për individët e për vetë standardin. Nuk është lehtë të ndryshohen bindjet i ngulitura te njerëzit. Nuk është lehtë të cilësohen e gjykohen ndryshe tani disa kontatime e rregulla të normës në fuqi që më parë cilësoheshin të padiskutueshme, ngase ashtu për një mendjesi e botëkuptim të tillë të tillë diktonin kushtet e rrethanat edhe politike, që diktoheshin nga vetë sistemi shoqëror-poilitik si dhe funksionimi i propagandës së shtetit. Andaj për veprime të tilla duhet me pasë mirëkuptim, por njëjherazi nuk do të thotë se në kushte e rrethana të reja nuk duhen bërë korrigjime e përplotësime kur realiteti në rrethana të caktuara atë e kërkon.

Nga kjo del se përgjejësi edhe më e madhe bie mbi standardologët e sotëm, nëse nuk janë në gjendje të korrigjojnë normat e tejkaluara dhe të sajojnë e rregulla të reja..Sigurisht  rregullat e reja duhet të jenë të drejta e të arsyetuara shkencërisht e pragmatikisht, të qarta stilistikisht, të afrueshme dhe të pranueshme masivisht nga pjesëtarët e bashkësisë së caktuar folëse me intelektualët në krye dhe njëherazi duhet të jenë të motivueshme e joshëse pë t’u përvetësuar sa më lehtë dhe për një kohë sa më të shkurtër dhe njëherazi të kenë jetëgjatësi sa më të madhe përdorimui..

Në fund po e shtojmë edhe këtë se jemi të vetëdijshëm se asnjë njeri s’mund të jetë njeri-ideal, por kjo nuk do të thotë që kërkesat, siç është kjo jona, të mos jetë sa më ideale, ngase ideali i lartë si cak kërkon edhe përpjekje të mëdha  për të arritur atje, deri te caku. Pra, sa më afër ideales.Andaj nuk bën të mohohet puna e secilit gjuhëtar ose dashamirës të gjuhës që i ështrë rrekur dhe i përkushtohet punës së standardit me vetë dëshirë ose edhe i ngarkuar për një punë të tillë. Fundi i fundit, nuk bën keq që sesili anëtar i komisionit  i przgjedhur për rishqyrtimin e standardit ta testojë vetveten, ta testojë specializimin e vet,  është apo jo i zoti të përballet me një mision të tillë jo të lehtë, por të shenjtë. Sigurisht, përveç vullnetit, vetëdijes së lartë dhe kujtesës historike punëtori i tillë duhet të ketë edhe njohuri teorike të ortologjisë bashkëkohore dhe të posedojë parakushte të tjera për një mision të tillë.

Sidoqoftë, në këtë ndërlikueshmëri pune sot për sot paraqiten mjaft gjëra të diskutueshme, që kërkojnë maturi, ngase paraqiten ekstremizma nga disa palë, prandaj duhet luftuar për mesin e artë ose për zgjidhjen më fatlume që nuk është aq punë e lehtë, por jo edhe e pamundshme. Nëse vullneti i çeliktë i standardologëve tanë, si dhe disponimi shoqëror dhe politik, dhe domosdo interesi i përgjithshëm bashkë me favorin kombëtar e ndërkombëtar, atëherë suksesi do të jetë i sigurt.

 Në këtë ndërlikueshmëri, shfaqen, ose kanë dalë e dotë dalin, mjaft mendime e konstatime gjatë diskutimeve të gjuhëtarëve dhe intelektualëve të caktuar që sipas qëndrimit që marrin mund të nënprofilohen në disa grupe, mirëpo për këtë më gjerësisht në kreun vijues.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora