E premte, 26.04.2024, 11:29 PM (GMT+1)

Speciale

Milazim Kadriu: Përkujtohen të ekzekutuarit e familjeve Duriqi, Bogujevci ...

E hene, 29.03.2010, 09:59 PM


Lapidari te varrezat e familjes Duriçi
Lapidari te varrezat e familjes Duriçi

 

Saranda Bogujevci
Saranda Bogujevci
Në 11 vjetorin e masakrës së 28 marsit 1999 në Besianë

 

Përkujtohen të  ekzekutuarit e familjeve Duriqi, Bogujevci ...

 

Nga Milazim KADRIU

 

Në Besianë (Podujevë) u përkujtua masakra e 28 marsit të vitit 1999 që u bë nga paramilitarët serb ndaj familjes Duriqi, Bogujevci... Edhe një herë  u përkujtua  dhembja  e madhe të pranverës së vitit 1999, e mbytur në tmerret, vajet e fëmijëve, klithjet e nënave dhe lotët e pashtershëm të shumë familjeve shqiptare në Llap e Kosovë. Një ngjarje për një jetë që vazhdon të ribëhet dhe të bëhet bashkë me dhembjen e natyrshme, mallin për fëmijët dhe prindërit... Kështu në 11 vjetorin e masakrës serbe mbi civil shqiptarë në Besianë kur u ekzekutuan disa qytetarë, u përkujtuan nga  familjarët dhe qytetarët tjerë  të Besianës. 11 vite më parë, pjesëtarë të njësisë speciale të forcave paramilitare serbe të njohur me emrin, "Shkorpionët" në oborrin e shtëpisë së Halim Gashit,  në afërsi të stacionit të policisë në Besianë në ditën e tretë të bombardimeve të pozicioneve serbe nga ana e NATO-së, ditën e festës fetare të Bajramit kanë ekzekutuar pa gjyq paraprak në Besianë  civil të pafajshëm shqiptarë.

 

Më 28 mars 1999, në oborrin e shtëpisë së Halim Gashit nga Podujeva u vranë 14 njerëz, për një kohë të shkurtër e në të njëjtin vend. Familja Bogujevci humbën anëtarët e familjes: Shehiden (67), Shefkaten (43), Salën (39), fëmijët: Norën (15), Shpendin (13) dhe Shpëtimin (15), kurse nga familja Duriqi u vranë: Hamdiu (71), Isma (65), Fitnetja (36), Dafina (10), Arbëri (8), Mimoza (5) dhe Albioni (2). Bashkë me këto dy familje u vranë edhe Nefise Llugaliu (54) dhe Fezdrie Llugaliu (21). Në një lokal afër u vranë edhe Selman Gashi dhe Idriz e Selim Tahiri (babë e birë nga Dumnica ). Ndërsa kësaj masakre i kanë shpëtuar pesë fëmijë të familjes Bogujefci. Nga 19 civilët, sa ishin mbështetur për muri në shtëpinë e Halim Gashit, kryesisht gra e fëmijë  (më i riu fëmija dyvjeçar), masakrës  i mbijetuan pesë fëmijë të familjes Bogujevci, Jehona, Saranda, Liria, Genci dhe Fatosi të cilët pas përfundimit të luftës në Kosovë  u dërguan për shërim në Manchester të Anglisë ku ndodhen edhe aktualisht. Njëra nga fëmijët e mbijetuar është Saranda Bogujefci që  asokohe ishte 13 vjeç, ishte qëlluar me 16 plumba në këmbën e djathtë dhe dorën e majtë, nga gjithsej 97 gëzhoja plumbash sa u gjetën në vendin e ngjarjes.

 

Përvjetorët e përkujtimeve gjithmonë sjellin dhembje e mall për më të dashurit. Mirëpo kujtesa për asnjë moment nuk duhet të na ligështojë, por bashkërisht të punojmë në të mirë të qytetarëve, sepse kështu nderojmë edhe kujtimin për fëmijët, nënat, baballarët, motrat dhe vëllezërit që na i vranë. Andaj dhembjen e natyrshme ta shndërrojnë në përpjekje të përbashkëta për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e Llapit dhe tërë Kosovës. Me  familjet Bogujevci e Duriqi dhe të gjitha familjet e viktimave civile dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve, duhet të kemi të gjithë mirëkuptim dhe takime jo vetëm në raste përkujtimi a përvjetorësh. Edhe në këto raste nuk duhet harruar që të falënderojmë miqtë nga Mançesteri i Anglisë që janë përkujdesur për familjen Bogujevci dhe sidomos për fëmijët e mbijetuar që u janë nënshtruar tretmanit mjekësor. Pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, familja Bogujevci me ndihmën e mjekut Dejvid Vasallo qe transferuar në Angli për të vazhduar tretmanin mjekësor të fëmijëve të mbijetuar. Tashmë ata atje kanë filluar një jetë të re.  Ndërsa për nderë të tyre me iniciativën e OJQ "MAK" në Besianë është ndërtua Parku i Paqes së Manqesterit, ku janë mbëltuar lloj-lloj drunjtësh dekorativ dhe lule të shumta.

 

Më vonë në Beograd ndaj pjesëtarëve të njësisë "Shkorpion" është mbajtur gjykimi nga Gjykata serbe për krime lufte.

 

 

U EKZEKUTUAN NJË NGA NJË

 

Pranvera erdhi

Lulet nuk lulëzuan

Si të lulëzonin

Kokën shovinistët ua shkurtuan.

 

28 mars 1999

Ditë që s’harrohet assesi

Anëtarë të katër-pesë familjeve

U ekzekutuan një nga një.

 

Në rresht burrat, gra e fëmijë

Ekzekutoheshin nga barbarët e zi

Dafina, Arbëri, Mimoza…

Dhe dyvjeçari Albioni.

 

Në këtë ditë të kobshme

Që ndodhi në Besianë

S’do të harrohet ndër brezni

U ekzekutuan gra, pleq e fëmijë.

 

Shpëtoi Saranda 13 vjeçare,

16 plumba i ranë

Edhe Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci

Vdekjes i shpëtuan.

 

Ç’ faj pati Albioni

Ai ishte vetëm dyvjeçar

Ende s’dinte të flasë mirë

E ekzekutuan ata barbar.

 

Gjaku i njomë i tij

Tokën e ka skuqur

Aty tani mbin një lule

Me kurorë të bukur.

 

Po faj asnjëri s’ kishte

Se kërkonin liri

Por atë ditë në Besianë

U ekzekutuan  gra, pleq e fëmijë.

Lapidari te varrezat e familjes Bogujevci
Lapidari te varrezat e familjes Bogujevci



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora