E premte, 26.04.2024, 06:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Priftuli, shpirti i lirë që endet në kohë

E hene, 15.10.2007, 07:14 PM


Nga Astrit Kola - 55
    
Përurohet në Durrës ekspozita retrospektivë in memoriam “Priftuli dhe miqtë”, homazh për nder të piktorit Gavril Priftuli

Gavril Priftuli
Pasditen e së mërkurës, më datë 10 tetor 2007, në Sallonin e Artit “Priftuli”, që ndodhet pranë bulevardit kryesor të qytetit të Durrësit, (ish kinema “Iliria”), u përurua ekspozita retrospektivë “Priftuli dhe miqtë”, organizuar nga familjarët e piktorit dhe skulptorit të shquar durrsak Gavril Priftuli, (i cili fatkeqësisht nuk jeton më), si dhe nga miqtë e tij piktorë e skulptorë.
Në të ishin ekspozuar punët më të mira të piktorit dhe skulptorit Gavril Priftuli, si dhe të miqve të tij piktorë e skulptorë të shquar si: Naxhi Bakalli; Bujar Zajmi; Skënder Kamberi; Agim Faja; Lec Shkreli; Buron Kaceli; Llazar Myzeqari; Sadri Ahmeti; Nelo Llukaçi; Llambi Blido; Remzi Kuçi; Skënder Kokobobo; Shpresa Beqiri; Fatos Kola; Shaqir Veseli; Fatmir Boshnjaku; Rivelina Temo; Fatmir Carkanji; Dritan Dedej.
Kjo ekspozitë përkujtimore ishte një homazh i merituar i familjarëve dhe miqve të artistit, një përshpirtje për shpirtin e artistit të mrekullueshëm, që vazhdon të endet në kohë dhe hapësirë, duke risjellë mbresat e pashlyera për bashkëshortin, prindin dhe mikun e shtrenjtë, në përkujtim të të cilit të gjithë ngarendën për t’u tubuar sëbashku dhe për t’i risjellë Durrësit artistin nëpërmjet veprave të tij të frymëzuara edhe nga qyteti të cilin ai e deshi aq shumë.
Dhe kësisoj për nder të artistit që gjithë jetën e jetoi mes familjarësh, miqsh dhe veprash të artit, të krijuara prej tij apo prej miqve të tij që ai si rrallëkush i ekspozoi në sallonin e tij, u tubuan ata që e rrethuan kujtimin e njeriut të shtrenjtë me njerëzit që ai i donte aq shumë, dhe me veprat e artit të cilit ai u përkushtua deri në fund të jetës.
Dhe “profesor Vili” u rikthye atë mbrëmje për pak çaste, nëpërmjet veprave të organizuara dhe ekspozuara në mënyrë mjeshtërore. U rikthye nëpërmjet bisedave të ngrohta dhe urimeve të artdashësve të shumtë.
U rikthye ai të cilin miqtë e tij dhe kolegët jo durrsakë e simbolizonin me Durrësin…, dhe anasjelltas. Ai që me praninë e tij bashkëshoqëronte idetë dhe mendimet për artin pamor durrsak, qytetin dhe qytetërimin të cilët ai i nderoi me jetën dhe veprën e tij plot përkushtim dhe përjetime të zjarrta prej artisti.
Ndaj atë pasdite u mblodhën aq shumë njerëz për të përuruar, rikujtuar dhe shijuar punimet e mrekullueshme të Vilit dhe kolegëve, si dhe vetë artistin fisnik, që ndodhej sërish pranë tyre me veprën dhe kujtimet e pashlyeshme.
Ekspozitën e vizituan edhe Prefekti i Qarkut të Durrësit z.Klodian Pajuni, Kryetari i Bashkisë së qytetit të Durrësit z.Vangjush Dako, anëtarë të Këshillit bashkiak të qytetit, personalitete të artit e kulturës, intelektualë, krijues, përfaqësues dhe gazetarë të mediave lokale, të rinj e të reja.
Të gjithë shprehën fjalët më të ngrohta në kujtim të artistit që nuk jeton më. Derdhën urimet për ekspozitën e mrekullueshme, të cilën miqtë dhe kolegët e profesor Vilit e nderuan me punët më të mira dhe të një cilësie tejet të lartë, të kuruara me kujdes dhe me shije të hollë nga familjarët artiste, që vijuan traditën e mrekullueshme të kësaj familjeje artistësh, ku profesor Vili, krahas dashurisë së pamatë për familjen, kultivoi edhe dashurinë për artin.
Ndaj edhe sot e kësaj dite në të gjithë qytetin e Durrësit është bërë i famshëm salloni i parë i artit pamor, hapur në fillimvitet ’90-të, i ngritur me dashuri dhe mjeshtëri nga profesor Vili. Sallon ky ku ekspozohen veprat e mrekullueshme të Gavril Priftulit dhe miqve të tij, e që është vizituar ndër vite nga mijëra turistë të huaj, bashkatdhetarë nga të gjitha viset shqiptare dhe diaspora, të cilëve u ka rënë rasti të shkojnë për pushime apo për punë në Durrës, krahas edhe artdashësve durrsakë apo atyre nga qytete të tjera.
Salloni “Priftuli” është bërë i famshëm ngaqë mjaft çifte të reja, apo artdashës e koleksionistë që duan të zbukurojnë shtëpitë e reja, apo të shtojnë veprat e artit, rendin drejt këtij institucioni arti, ku mund të sigurojnë krijime nga më të arrirat në të gjitha zhanret që kultivoi profesor Vili apo miqtë e tij.
Në këtë kuptim ky sallon arti është shndërruar në kryeqendrën kulturore të qytetit. Ai gumëzhin orë e çast nga vizitorët artdashës, blerësit dhe kureshtarët e shumtë, dhe gjithëherët sjell në kujtesë krijuesin e tij, artistin plot pasione, të cilat i derdhi mjeshtërisht në veprat unikale për nga frymëzimi, stili dhe teknikat tejet origjinale.
Ndaj atë pasdite, miqtë nuk mundën të mos e mbanin fjalën e rastit për nder të mikut të shtrenjtë dhe kujtimit të tij të paharruar, për nder të familjarëve dhe të të pranishmëve. Ndaj ata përzgjodhën njërin nga miqtë më të vyer të profesor Vilit, piktorin Lec Shkreli, që t’i përfaqësonte dhe të mbante fjalën prekëse që i emocionoi të gjithë.
Më pas të pranishmit shijuan koktejlin e përgatitur enkas dhe punët e shumta të ekspozuara, që zbukuruan atmosferën e ngrohtë dhe kulmuan interesimin për krijimet dhe bashkëbisedimet midis kolegësh, miqsh e artdashësish.
Në fund, që të gjithë të pranishmit shijuan kënaqësinë e polifotove me familjarët dhe miqtë, dhe pasi u përshëndoshën me njëi-tjetrin u ndanë tejet të kënaqur, pas disa orësh.
Kjo ekspozitë e mrekullueshme do të mbetet e hapur deri në fund të këtij muaji, çka do t’u krijojë mundësinë artdashësve dhe kureshtarëve të shijojnë vlera dhe emocione të papërsëritshme, e që burojnë nga magjia e artit të profesor Vilit dhe e punëve tejet cilësore të miqve të tij, që janë gjithashtu ndër krijuesit më të mirë të vendit.
Gjithsesi, përveç vlerave të larta estetike e profesionale, kjo ekspozitë ishte dhe mbeti si gjetja me inteligjente për të përkujtuar njeriun dhe artistin e mrekullueshëm durrsak Gavril Priftuli, i cili me jetën dhe veprën e tij do të mbetet i paharruar për të gjithë ata që shijuan artin e tij, që e njohën atë dhe që gjithëherët zbuluan fisnikërinë dhe dashurinë e pashuar të njeriut me shpirt bujar dhe ndjenja prej artisti të njimendtë.

Fjala e rastit, mbajtur prej piktorit Lec Shkreli

Të nderuar zonja e zotërinj, miq dhe familjarë të Gavrilit!
Të nderuar zotërinj drejtues të pushtetit lokal!

Ju falenderojmë thellësisht nga zemra për organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë ekspozitë përkujtimore, në nderim dhe kujtim të Vilit tonë të dashur e të paharruar. Unë jam i bindur se të gjithë ne po përjetojmë në këto çaste emocionet më të thella, ngaqë na duket sikur e kemi sërish në gjirin tonë Vilin, njeriun për të cilin malli dhe kujtimet e bukura do të mbeten të pashuara.
Rrugëtimi i tij në udhën e artit e të jetës, kanë qenë dhe do të mbeten të pashlyera në kujtesën tonë, sepse na dhuruan momente të papërsëritshme.
Sa herë që takonim Vilin, ne miqtë e tij shijonim aromën e detit, të Durrësit të lashtë dhe atij bashkëkohor, shijonim fjalët e tij të ngrohta dhe emocionet që na dhuronte puna e tij, talenti i tij.
Si artist, Vili ishte dhe do të mbetet padyshim njëri nga përfaqësuesit më të spikatur të qytetit dhe qytetërimit të sotëm durrsak dhe atij shqiptar. Por ai ishte i mbrujtur edhe nga vlerat e mëdha qytetare dhe virtytet atdhetare, dhe bash për këtë arsye edhe i dha kulturës e artit shqiptar kontribute artistike e profesionale nga më të arrirat.
Vlerat e mëdha morale, qytetare, atdhetare e profesionale të këtij artisti të shquar, janë pasaporta e tij e denjë. Ai meriton nderimin e thellë dhe vlerësimin për kontributin e spikatur, për humanizmin e thellë dhe qytetarinë.
Unë jam i bindur, dhe këtu mendoj se përfaqësoj edhe mendimin e kolegëve, se profesor Vili do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si mjeshtri, mësonjësi dhe kultivuesi i dijeve dhe artit, me të cilat u mbrujtën dhe u edukuan breza të tërë krijuesish dhe artistësh durrsakë e më gjerë.
Ne jemi krenarë që kemi qenë miq dhe bashkëkrijues të këtij mjeshtri të madh, i cili shkëlqeu gjithëherët, deri në çastin e fundit të jetës, me ato çka i dha shoqërisë, artit dhe atdheut.
Ne jemi krenarë për mikun dhe kolegun tonë, që si askush ushqeu, trashëgoi dhe rrezatoi vlerat dhe virtytet e qytetërimit të lashtë e bashkëkohor durrsak, si ithtar dhe bashkëqytetar i denjë i artistëve të mëdhenj e me famë botërore si Jan Kukuzeli, Aleksandër Moisiu, etj..
Me nderimin dhe përkujtimin e merituar të Vilit tonë të dashur e të paharruar, ne do të përpiqemi vazhdimisht të përmbushim detyrimin që buron nga kontributet dhe trashëgimia e vyer që na la pas misionari i njimendtë i artit, edukatori me dije dhe zemër të madhe, shembulli më i përkryer ndër ne i qytetarisë, humanizmit, atdhedashurisë dhe përkushtimit ndaj shoqërisë e brezave të artistëve.
I paharruar qoftë kujtimi i këtij misionari të artit dhe qytetërimit tonë, bashkëshortit, prindit, mikut dhe edukatorit të shtrenjtë, Gavril Priftuli.
Nga pedagogët, skulptorët dhe piktorët, miq të Gavrilit: Ramadan Sokoli; Naxhi Bakalli; Bujar Zajmi; Skënder Kamberi; Agim Faja; Lec Shkreli; Buron Kaceli; Llazar Myzeqari; Sadri Ahmeti; Nelo Llukaçi; Llambi Blido; Remzi Kuçi; Skënder Kokobobo; Shpresa Beqiri; Fatos Kola; Shaqir Veseli; Fatmir Boshnjaku; Rivelina Temo; Fatmir Carkanji; Dritan Dedej.

Jetëshkrimi i Gavril Priftulit

Gavril Priftuli lindi më 1937 në Korçë, në fshatin Hoçisht.
Liceun artistik e kreu në vitin 1957, ndërsa Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës e kreu në vitin 1965.
Fillimisht punoi si restaurator në Muzeun Arkeologjik të qytetit të Durrësit, pastaj si profesor i vizatimit dhe i pikturës në Liceun Artistik të qytetit të Durrësit. Ndërsa gjatë viteve të fundit ka punuar si profesionist i lirë dhe drejtor i Sallonit të Artit “Priftuli”, në Durrës.
Ka kontribuar me veprën e tij në të gjitha zhanret e artit pamor, si: pikturë, skulpturë, mozaik, akuarel, tempera, pastele, vitrazh, etj..
Veprat kryesore të tij janë: Mozaiku në Muzeun e Dëshmorëve Durrës; Mozaiku në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë; vitrazhe; vepra në “Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë. Këto janë veprat qytetare të cilat iu besuan atij si krijues i cilësisë së lartë.
Ishte pjesëmarrës në shumë konkurse kombëtare dhe është vlerësuar me çmime. Gjithashtu ka marrë pjesë në disa aktivitete ndërkombëtare, ku ka përfaqësuar artin shqiptar, si në Itali, Jugosllavi, Greqi, Francë etj..Ka organizuar 8 ekspozita personale, brenda dhe jashtë vendit, siç janë: Durrës – 1990; Tiranë – 1991; Trieste (Itali) – 1995; Leçe (Itali) – 1997; Leçe (Itali) – 2001; Tiranë - 2002 (Galeria Kombëtare); Prishtinë – 2002; Korçë – 2003; Shkodër – 2005.
Eshtë ekspozuar gjithashtu edhe në Francë, Vendet e Ulta (Hollandë, Belgjikë, Danimarkë), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqi.
Veprat e tij me theks të spikatur kombëtar, ishin homazhi më i mirë që Gavrili i bëri atdheut, kombit dhe shoqërisë shqiptare.
Gavril Priftuli me artin e tij, për të cilin u përkushtua në heshtje, pa zhurmë e bujë, kontribuoi si ndër të paktët artistë të mëdhenj shqiptarë, për atdheun dhe kombin e vet.

Pedagogët, skulptorët dhe piktorët: Ramadan Sokoli; Naxhi Bakalli; Bujar Zajmi; Skënder Kamberi; Agim Faja; Lec Shkreli; Buron Kaceli; Llazar Myzeqari; Sadri Ahmeti; Nelo Llukaçi; Llambi Blido; Remzi Kuçi; Skënder Kokobobo; Shpresa Beqiri; Fatos Kola; Shaqir Veseli; Fatmir Boshnjaku; Rivelina Temo; Fatmir Carkanji; Dritan Dedej.

Pikturë krejtësisht e re dhe plot dritë

Nga Marianna Accerboni - Gazetare, Kritike Arti

Arti në ngjyrë i Gavril Priftulit është një pikturë krejtësisht e re dhe aktuale, e ndjeshme ndaj evolucionit që arti kontemporan ka pësuar gjatë këtij shekulli, nga simbolizimi dhe liria e artit piktorik. Shumë punime karakterizohen nga një burim melankolik, të cilin piktori nuk heziton t’ia atribuojë... kushteve të rënda të jetës që populli i tij pësoi... Por Priftuli me ato ngjyrat e tij të bukura, të gjalla e plot dritë, që i kundërvihen melankolisë... hodhi në telajo me mjeshtëri, shtjellime kromatike apo sinteza të lumtura përshtypjesh dhe gjendjesh shpirtërore të lidhura me fantazinë e një realiteti të ashpër…

Paqëtuesi Gavril Priftuli
 
Nga Fatos Kola, Skulptor

Nga thellësia e një qyteti të lashtë, me artistë të famshëm ilirë, romanë dhe bizantinë, ku Jan Kukuzeli i frymonte me tingujt e tij magjikë, gjejmë oshëtimën, humbjen liriko-dramatike që përshkon gjithë veprën e Gavril Priftulit, të lëvruar në të gjitha teknikat e pikturimit dhe të gdhendjes.
Oshëtimën e këtij artisti transhedental, të cilit i lexohet shpirti që ka jetuar pasione të forta, por të ndrydhura. Një shpirt i brishtë plot drithërima, ku kundërshtia ndaj steriles së realitetit është e pranishme si qetësi.
Tablo-sy, që drejtojnë shikime të ndrojtura. Tablo që kanë ngujuar idhtësinë e të ftohtit, por që janë gati të çojnë në vlim një zemër të ngrirë. Tablo me ngjarje vizuale kaotike, që pështillen me një tis plot nur, lajtmotiv ky i veprës së tij.
Temperamenti i tij romantik e idealist, sa intim edhe i mistershëm, i bën homazh jetërimeve rinore të mbledhura në një gjendje ëndrre, dëshire e pasioni, të cilat përmbyten, ndonëse ngrenë kokë brenda veprës dhe marrin një trajtë unike.
Gavril Priftuli pambarimisht pin ujë në pusin ujëkthjellët idealist.
Si natyrë e hapur për të gjitha eksperiencat estetike, ai sjell në kujtesë vepra me origjinë nga vetëdija dhe vepra me origjinë nga subkoshienca.
Shtëpia e tij shpirtërore është piktura. Ajo shtëpi brenda saj pohon dhe respekton të gjitha ngjyrat natyrale të materies, të cilat i prek duke i shndërruar në ngjyra-formë tejmateriale.
Ai u zë pritë gurëve të lumenjve, të cilët i merr prej shtrateve shumëshekullorë, duke i rrokullisur fatlumet në shtratin e ngjyrave dhe formave të lumit të estetikës së tij.
I gjithë informacioni që Gavrili merr nga gjuha e gurëve apo e drurëve të shkëputur nga historia e tyre lëndore, të bën të kuptosh se energjia krijuese e këtij artisti ka fuqinë e këmbës së pëllumbit që shkel në dëborë, dhe krijon më pas ortekun emocional, ku shndërrimet e materies fshihen dhe pas mbetet sugjestioni i bukurisë.
Paqëtimi i gjendjeve artistike është tipari shques në krijimtarinë e tij, ku shndërrimi i bukurisë natyrore në bukuri shpirtërore, e transformon veprën, nga bukuri në kohë, në bukuri pa kohë.
Tek ai lexojmë qartë religjionin e krijuesit, që është hijeshia femërore.
Fuqia e saj shfaqet në delikatesën e paprekshme dhe mërmëritëse.
Gavril Priftuli është një shpirt që endet në kohë, që mbart ngjarje të jetës, të kohës së tij dhe të asaj kohe përtej jetës.
Ritmi shpirtëror i figurave të tij të bën të dihasësh me zemrën e mendjes nën ritme tejkohore, që mbartin në vetvete ritmin e ngecur dhe atë pambarimor.
Butësia si Kryezonjë në Universin e Gavril Priftulit, gdhend dhe modelon në ndaljefrymë portretin e vetvetes.
Krijuesi artist i rrahur dhe i gdhendur prej kohës, dhuron me një sublimitet të vetvetishëm veprat ku është shënuar fati i tij si në një kalendar shpirtëror, që prek dimensionin kohor të përhershmërisë dhe të një moderniteti pa kohë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora