Kulturë
Intervistë me violinistin e talentuar korçar në Gjermani Markelian Koçibelli
E hene, 01.10.2007, 05:59 PM
"Zhani Ciko më hapi dritaren e muzikës, pas paraqitja sime në konkursin e parë"
Markelian Koçibelli, është një violinist i talentuar na Korça, i cili aktivitetin dhe suksesin e tij e ka në Gjermani. Në një intervistë ëpr gazetën "Metropol", Markeliani tregon për fillesat e rrugës së tij artistike, peripecitë dhe deri te ditët sotshme të suksesshme.
Markeliani, nuk rri pa folur as për familjen dhe bashkëshorten e tij gjermane, ndërsa nuk e fsheh mallin për qytetin e tij të lindjes Korçën...
Ju tani jeni një violinist i talentuar dhe i njohur, jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë. Fillimisht diçka për fëmijërinë tënde, adoleshencën dhe studimet?
Kam lindur dhe jam rritur në Korçë. Korça është qyteti im i vendlindjes të cilin e dua shumë dhe e sjell në kujtesë gjithmonë, kudo që jam. Në Korçë bëra shkollën fillore dhe dy vjet të shkollës 8-vjeçare në shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koço”. Kur mbarova klasën e pestë dhe u hodha në klasën e gjashtë në Tiranë u bë një konkurs me të gjithë shkollat e muzikës të Republikës. Shkolla e muzikës “Tefta Tashko Koço” më dërgoi mua si përfaqësues konkurrues. Konkursi ishte me një diapazon të gjerë, jo vetëm në fushën e muzikës, por dhe në inteligjencën mësimore dhe në fusha të tjera të dijes dhe kulturës, duke pasur parasysh moshën e konkurrentëve. Në komisionin e konkursit ishte mjeshtri i muzikës profesori Zhani Ciko (sot Drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit). Profesorit i bëri përshtypje loja ime në violinë. Unë ekzekutova, “Koncert i Akolanit” (kompozitor i shquar italian). Ky koncert që unë interpretova shoqërohej dhe në piano. Në fund të konkursit profesor Zhani m’u afrua me shumë dashamirësi, i entuziazmuar duke më thënë. "Je një filiz i ri i talentuar, që nuk duhet të shkosh kot... Duhet të studiosh në Liceun e Tiranës, për të mësuar e konkurruar midis më të mirëve, për tu bërë më i miri... (Profesor Zhani Ciko atëherë punonte pedagog në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë). Kështu për mua u çel një dritare e re dhe nuk thonë kot, se rastësia është mbret i domosdoshmërisë, i suksesit... Kështu për mua filloi një jetë e re, me një studim intensiv, me pedagogë të specializuar midis të cilëve Roland Xhoxhi, etj, ndërsa gjatë kohës më të gjatë për mësimin e violinës si pedagog kam pasur Zhani Ciko, i cili edhe kur hyra në Institutin e Lartë të Arteve ai më mbajti si studentin e tij në vitin e parë. Profesor Zhani për të cilin ruaj kujtimet dhe konsideratat më të larta është një pedagog me cilësi të veçanta në zbulimin e talenteve dhe edukimin e tyre për të ecur më përpara për tu vet zhvilluar, prandaj suksesin tim të deritanishëm sidomos në fillesat e mia, unë ia dedikoj dhe kësaj figure të shquar të muzikës shqiptare.
Si vijoi më pas karriera juaj muzikore?
Që në lice profesor Zhani ngriti një orkestër muzike dhome. E veçanta e kësaj orkestre ishte se ne luanim shumë violina unisone në pjesën e parë, e veçanta tjetër ishte se në pjesën e dytë, një pjesë e violinistëve unison luanin violë, unë luaja kontrabas.
-Në një koncert në Milano të Italisë ku ne interpretuam asistonte dhe Marccello Abbato, i cili ishte drejtori i shkollës së lartë muzikore të Milanos “Xhuzepe Verdi”. Mbasi mbaroj koncerti Marcello mu afrua, më përgëzoi për interpretimin dhe duke buzëqeshur me dashamirësi më ofroi një bursë për studime në shkollën muzikore të Milanos ku ai ishte drejtor. Dilema ime ishte se disa kohë më përpara më ishte ofruar për të studiuar në Gjermani dhe unë kisha pranuar ofertën prandaj nuk mund ta thyeja fjalën e dhënë... Kështu në vitin 1992 unë fillova studimet në shkollën e lartë të muzikës në Munih të Gjermanisë për katër vjet plus një vit Master. Shkolla gjermane e muzikës ku unë studiova kish një eksperiencë të madhe si në muzikën e dhomës dhe në opera. Pedagogët ishin nga më të mirët, jo vetëm në Gjermani, por dhe në Evropë. Disiplina artistike, literatura, virtuoziteti, harmonizimi i orkestrantëve dhe dalja në publik si trajnim paraprak për tu diplomuar ishte një metodë efikase për tu bërë një instrumentist cilësor në mënyrë që të pranohesh pjesëtar i orkestrave të mëdha dhe të interpretosh si pjesëtar i tyre. Para se të bëhesha Master, konkurrova për pjesëtar orkestre prestigjioze në Gjermani, siç ishte orkestra e operës të Munihut, ku mbasi fitova konkursin punova sy vjet paralel me studimet. Kjo orkestër drejtohej nga Zubin Mekta, një nga dirigjentët e mëdhenj të Gjermanisë dhe të botës. Për një student, aq më tepër për një i huaj siç isha unë, por dhe për vetë gjermanët ishte një shans i madh kualifikimi, ku mu dha mundësia të punoj me orkestra prestigjioze si teatri i muzikës Bavareze ku jepeshin 4-5 opera të ndryshme në javë. Gjatë kohës së studimeve kam punuar dhe në Ausburg, një nga qytetet më të vjetër të Gjermanisë dhe me tradita të mëdha muzikore, ku e ka origjinën Familja e Volfgan Amadeus Mozart. Në këtë qytet ka lindur dhe ka jetuar shpikësi i madh i makinave Rudolf Diesel. Ky qytet ka 270 mijë banorë. Në këtë qytet sipas historisë ka mbretëruar Mbreti Fuga prandaj shumë herë quhet dhe qyteti Fugas sepse ky mbret kish një kujdes të veçantë për të varfrit duke krijuar mensa ushqimore për ta, shtëpi strehimi e lehtësira të tjera për t’ua lehtësuar vuajtjet e tyre, prandaj reputacioni i tij në popull ishte i madh sa ka ardhur deri në ditët tona dhe tregohet si shembull në Gjermani. Orkestra filarmonike e Ausburgut ku unë interpretoja me violinë, spala si koncert maestër, ku jepeshin opera dhe programe simfonike dhe balet. Tani unë jam në vitin e fundit për dirigjent, duhet ta mbaroj së shpejti me sukses. Mbas kësaj fillon për mua një periudhë e re muzikore dhe cilësore, por dhe një perspektivë e re. Kjo është shkolla e dytë e lartë, sepse të parën u diplomova dhe mora Master në Munih për violinë.
Ju jini i martuar me një gjermane. Ç’mund të na thoni për dashurinë dhe jetën bashkëshortore?
Kam krijuar familje sepse koncepti im është që njeriu duhet të martohet me atë që do pavarësisht nga kombësia dhe raca dhe nga ç’vend është. Bashkëshortja ime quhet Michaela Khutz. Me të kemi qenë bashkë studentë. U dashuruam... Ajo luan në obojë dhe kemi dy fëmijë. Djalin Mirits që është 3 vjeç dhe vajza Johhana Koçibelli që është 6 muaj. Vjehrri im është profesor në shkollën e mesme të pikturës. Michaela, gruaja, punon në orkestrën simfonike të Berlinit si obojë e parë. Për mua vlerat e familjes janë të larta. Fëmijët janë pjesë e qenies tonë. Ne i duam shumë ata dhe bëjmë ç’është e mundur që ata të rriten të shëndetshëm. Michaela ka një dashuri të veçantë për fëmijët dhe kujdeset shumë për ata, por dhe unë mundohem për t’ia lehtësuar ngarkesën e punës së saj si nënë me dy fëmijë dhe me një aktivitet me intensitet të lartë.
A ju merr malli për vendlindjen, Korçën, Shqipërinë?
Malli për Korçën, për vendlindjen time ku unë u rrita në këto sokakë të gurtë më bën që të marr shpesh rrugën për në Korçë. Po kështu dhe Michaela vjen me shumë qejf në Korçë, i pëlqen ajo si një qytet i veçantë, karakteristik, me kulturë dhe familja ime e pret atë me një dashuri të veçantë duke e ndjerë ajo veten si pjesë e rrethit familjar tonë të gjerë. Babai, Behari, tani është moshuar, i lodhur nga punët e shumta, po edhe imë Krisanthi. Ata na duan të vijmë sa më shpejt se jam djali i vogël i tyre. I shikoj se ardhja tonë i ripërtërin ata, i gjallëron, iu mbush sytë me lot gëzimi, po kështu dhe vëllezërit e mi Reli e Renatoja dhe fëmijët e tyre. Megjithatë, kjo puna e mallit është si pirja e ujit në burim, megjithëse ngopesh së piri, mbas një farë kohe të lind përsëri etja të vesh përsëri buzët te burimi… Pra mall-mall dhe përsëri mall!... Eksperienca ime muzikore më krijon një përgjegjësi ndaj kombit tim, reputacionit të tij. Çdo shqiptar që është jashtë me punën e tij, me veprimet, sjelljet e tij mund të bëhet një ambasador shumë i suksesshëm miqësie midis popujve dhe t’ia rritë emrin Shqipërisë, aq më tepër që tani përgatitemi të hyjmë në BE. Unë me talentin tim, me punën time, me familjen punoj për të dhënë mesazhe miqësie në Gjermani për të rritur vlerat e kombit tim të cilit i përkas. Nesër unë do nisem për në Gjermani, por së shpejti ashtu siç bëjnë zogjtë shtegtarë unë do kthehem përsëri dhe këtë radhë jo dy, por katër bashkë me fëmijët.
Ju faleminderit!
Intervistoi: Vehbi Furxhi