E hene, 09.12.2024, 12:53 PM (GMT)

Kulturë

Një rulo me prostituta - Durim me kredi - Vononi dorëzimin e armëve!

E diele, 16.09.2007, 08:33 PM


Nga Luan Laze

Kur ju thonë një gjysëm gënjeshtre, nuk do të thotë se gjysma tjetër duhet të jetë e vërtetë dhe, kur ju thonë një gjysëm të vërtete, nuk do të thotë se gjysma tjetër nuk është gënjeshtër.

Një rulo me prostituta

Televizioni gjerman RTL transmetoi një risi nga fusha e bordellizimit. Rulo prostitutash. Buzë autostradave dhe fshatrave gjermanë, janë vendosur rulo të bukura, prostitutash të shëmtuara. Deri tani ato janë përdorur për pushime familjare, piknikë, e aktivitete sportive. Sot e tutje do zgjidhin një nevojë tjetër. Udhëton me orë të tëra dhe kërkon të hash diçka, e gjen. Kërkon të urinosh, e gjen. Tani, kërkon të bësh seks, do ta gjesh. Me të pyetur gjen Stambollin dhe jo më seksin. Këtë mund ta gjesh me sy ose me erë. Ato quhen rrugët e rulove. Prostitutat i ngasin vetë bordellot ambulante. Nga do që vete, bordellon merr me vete. Ato kanë patentë si prosti, dhe si shofere. Vijnë në rrugë turn i parë, i dytë apo i tretë. Punojnë aq sa ka punë, dhe ikin ashtu kokëulur. Të thjeshta dhe të ndershme siç vijnë. Nuk shkon më klienti tek seksi, por shkon seksi tek klienti. Shoferët që kalojnë andej shohin rulotë që tunden. Aty punohet dhe fitohet. Edhe polici në shërbim e kryen detyrën më mirë. Qëndra e merr në radio dhe e pyet se ku ndodhet.
-Kam ndaluar një kundravajtës me shpejtësi.
Vazhdon sherbimin dhe qejfin. Në rulo ka dush dhe gjithë mjet e tjera të punës. Mjaft të jeni vetë, me gjithë organin tuaj. Bjeri derës dhe aty të pret prostituta. Me buzëqeshje. Nuk ka pronar tjetër. Ajo është vetë e pronare dhe vetë e punësuar. Nuk kanë tutor që t’i vështrojë nga larg, t’i marrë paratë, apo t’i rrahin. Jo. Pronar i tyre është shteti gjerman. Ai i ruan, i krijon kushte, i shton, dhe i pajis me liçencë. Futesh, mbaron punë dhe nisesh për rrugë. Nuk të kërkon firmë, asnjë faturë dhe asnjë analizë. Nëse po shkoni tek gruaja juaj, është e këshillueshme të ndaloni në rulonë e prostitutës. Bëra gomë në rrugë, do t’i thoni bashkëshortes. Kalojnë dhe ndalojnë aty deputetë e kryetarë komunash apo landesh. Emigrantë të ligjshëm dhe të paligjshëm. Më vizë tre mujore apo shengen. Fëmijë shkollash do të bëjnë vizita në rulotë e prostitutave. Është eksperiencë që do t’u duhet. Shtëpitë publike kanë qenë dhe janë aty ku u ngritën në fillim. Tani janë me rrota e shërbejnë në rrugë, lagje, poshtë shtëpisë. Kemi Fast-Food, kemi dhe Fast-Sex. Zbret burri nga shtëpia dhe i thotë gruas: Po shkoj deri tek ruloja se do pyes prostitutën për diçka. Sa e lehtë dhe e kollajshme është bërë sot jeta. Teknologjia po bën çudira. T’a sjell seksin tek dera e shtëpisë. Ty të duhet vetëm t’i hapësh të dyja.

Durim me kredi

Kam kërkuar kredi në shumën 500 mijë lekë dhe po e vonojnë. Pres përgjigje nga një bankë e huaj private që të caktoj edhe ditën e dasmës, më shkruante në e-mailin tim një lexues.
Kur shikoni njerëz që flasin me vete në rrugë, duhet ta dini se janë klientë të bankave private që kërkojnë kredi. Të pagjumët e sotëm, thonë neurologët, janë pikërisht klientët e këtyre bankave. Sepse në to ka një thjeshtësi proçedurash sa të duket vetja si në ëndërr.
Të marrësh kredinë që ti ke kërkuar, 500 mijë lekë, kërkojnë të hipotekuara pronat, të ardhurat, shpenzimet familjare, liçencën e aktivitetit, qeranë e ndërtesës që ke marrë, emrat e klientëve dhe gjininë e tyre, targën e makinës, madhësinë e biçikletës, numrin e shtëpisë dhe të këmbës tënde e të vjehrrit, emrat e adresat e personave që ke patur dikur konflikt, analizat e gjakut dhe të urinës në një shishe qumështi, pastërtinë morale dhe politike, numrin e dhomës ku ke fjetur me të dashurën për herë të parë, targat e makinave të komshive, orarin e dritave në shtëpi, sa beqare ke në shkallë të pallatit, pse e kërkon kredinë, shumën që do të shlyesh çdo muaj, kohëzgjatjen e shlyerjes, xhiron ditore të dyqanit, shlyerjen vjetore të taksave, gjobat e likuiduara të inspektoriatit, numërin e rrobava të banjos të fejuarës, llojin e prezervativit që përdor, etj.
Pasi t’i kërkuan këto, janë edhe pak formalitete të tjera, dhe ti mbaron punë. Emrin e të fejuarës, gjatësinë e saj, vendin dhe ditën e njohjes, prindërit, llojin e mobiljeve që do të blesh, krahun nga do të flesh, orarin e gjumit, fustanin e nusërisë, kostumin e dhëndrrit, emrat e orkestrantëve, dhe këngëtarin e dasmës. Kaq.
Pasi i verifikon këto, banka mbledh pastaj bordin e saj (jo të avionit, sigurisht) dhe vendos. Shkresat, hipotekimi, zyra e noterizimit, karburanti i makinës, lënia e ditëve të punës, fotokopjimi, fotografimi, kushtojnë rreth 80 përqind të shumës që ti ke kërkuar.
Gjithsesi i dashur lexues, ne të urojmë të trashëgohesh, të martohesh pa kredi, dhe pas disa vjetësh, me gruan dhe fëmijët, kalo njëherë andej nga banka private se mos bordi i bankës, e ka miratuar shumën tënde prej 500 mijë lekësh.
Sepse reklamat për kredi janë vetëm kredi për reklamë. Asgjë tjetër.

Vononi dorëzimin e armëve!

Tryeza e rrumbullakët me qoshe katrore, që organizoi Qendra e Edukimit për Paqen dhe Çarmatimin, konkludoi se, në duart e trimave shqiptarë janë ende 200 mijë armë të tjera. Ndërsa janë mbledhur dhe shkatërruar 141 mijë armë dhe 22 mijë ton municione.
Para se të mblidheshin, ato armë kanë ngrënë mesatarisht gjysëm jete njeriu. Tani, derisa të mblidhen edhe të tjerat, do të ikin nga grykat e 200 mijë armëve të pambledhura, dhe qindra jetë të tjera.
Do t’i sugjeroja tryezës së rrumbullakët me qoshe katrore, t’u bëjë thirrje armëmbajtësve. Ju lutem, vrisni kë keni për të vrarë, dhe sa më shpejt ktheni armët që t’i asgjësojnë, sepse nuk ka kohë. Presim të futemi në Bashkimin Europian. Ata, armët nuk i kanë qejf, pakësimin e popullsisë, po. Ditën që u organizua kjo tryezë, në Shqipëri nga armët e zjarrit ikën tre jetë njerëzish. Çdo pjesmarrës shpenzoi 120 euro në ditë. Njëri prej tyre, miku im, më tha sinqerisht: Ishalla vonojnë dorëzimin e armëve, që të kemi mundësi të zhvasim ndonjë gjë! Një takim për çarmatimin, armatos ekonomikisht pjesmarrësit.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora