E shtune, 25.05.2024, 03:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Instituti Amerikan i Filmit po përzgjedh frazat magjike që kanë shkruar historinë e Hollivudit

E hene, 01.10.2007, 12:16 AM


Shprehitë që udhëheqin ideale

Shumë shpesh personazhet e filmave thonë atë që ne do donim të thoshim

Në vitin 1998, Instituti i Filmit Amerikan hodhi idenë që të bëhej një përzgjedhje për të vlerësuar filmin më të mirë amerikan të të gjitha kohërave, duke formuar një juri të përzgjedhur nga ajka e kinematografisë amerikane. Mendimet dhe rezultatet e jurisë do të mundësoheshin edhe për publikun me anë të disa emisioneve televizive speciale. Vendin e parë e mori filmi "Pushteti i katërt" dhe emisioni që transmetoi mbrëmjen finale pati një sukses aq të madh mediatik saqë "Afi" shpalli më vonë edhe 100 komeditë më të mira (fituan: "Dikujt i pëlqen e nxehtë"), thrilleri ("Psiko"), historitë e dashurisë ("Kazablanka"), këngët e marra nga filmi ("Përtej ylberit"), heronjtë pozitivë (Atikus Fink), negativë (Hanibal Lekter) dhe legjendat e ekranit (Humphrey Bogart dhe Katerin Hepburn). Qershorin e ardhshëm u vlerësuan 100 batutat më të veçanta përmes votave të 1500 personaliteteve të artit. E nisën që nga fillimi i kinematografisë ("Prisni pak: akoma nuk keni dëgjuar asgjë", e thënë nga Al Jolson në filmin "Këngëtar xhazi") dhe deri në filmat e fundit ("Shpirti im" tepër e thënë nga Golum në filmin "Zoti i unazave"), përgjatë një liste që nuk përjashtonte asnjë kategori filmi. Batutat kanë efekt dhe përgatiten shpesh nga individë anonimë, që paguhen enkas për atë punë. Që nga fillimet e saj, kinematografia amerikane, në të shumtën e rasteve e përmbledh kuptimin e filmit duke e pasuruar atë me një spesor epik, i cili e kapërcen historinë e treguar dhe atribuon elementet me të cilat formohen ëndrrat. Në fakt, pjesa më e madhe e batutave rezultojnë jo shumë të përdorura, ndoshta dhe qesharake në jetën e përditshme, por janë të përsosura në surealizmin e tyre. Nëse Vivien Leig e mbyll fundin e filmit "Tutje me erën" duke thënë "nesër është një ditë e re", Ingrid Bergman, në filmin "Kazablanka" bën pyetjen se, zhurma që po dëgjon "janë rrahjet e zemrës apo zhurma e topave të largët" dhe suksesi i batutës vjen vetëm falë suksesit dhe hijeshisë së filmit. Diva e harruar në filmin "Bulevardi i perëndimit", shprehet e zemëruar: "Unë jam e madhe, është kinemaja ajo që është zvogëluar" dhe pasi vret zhigolonë që po mundohej ta braktiste, i mirëpret operatorët e kinoditarit sikur të ishin të një filmi në të cilin askush nuk e kishte angazhuar, duke i thënë: "Jam gati për planin e parë, z. De Mill". Nga më të mëdhenjtë e kinemasë, Billi Uailder ka pasur numrin më të madh të citimeve (13), ndërsa ndër autorët bashkëkohorë dialogët e Kuentin Tarantinos janë në mënyrë të padiskutueshme të përsosur. Por është Kopola, kineasti i cili ka batutat më të paharruara: në filmin "Kumbari", Mikael Korleone thotë: "Një ofezë inteligjencës sime" dhe është gjithmonë ai që ka mësuar prej të atit të "bëjë një ofertë që nuk mund të refuzohet". Në filmin "Apokalipsi" (me skenografi të Xhon Milius) koloneli Kilgor thotë pas një bombardimi: "E dashuroj erën e napalmit në mëngjes. Të kujton fitoren", ndërsa "Patton", për të cilin Kopola ka shkruar tekstin, fillon me gjeneralin e fortë që po u shpjegon ushtarëve të tij: "Asnjë bastard nuk e ka fituar kurrë një luftë duke vdekur për atdheun e tij. E ka fituar duke vrarë bastardin budalla të ushtrisë tjetër, i cili vdiq për atdheun e tij". Orson Uellesit i jepet batuta e skenografisë së Graham Grin për filmin "Njeriu i tretë" (Për tridhjetë vjet në Itali, në kohën e Borxhias, ka pasur luftëra, dhunë dhe derdhje gjaku, por gjithashtu ka pasur dhe Mikelanxhelo, Leonardo dhe Rilindje. Në Zvicër ka pasur dashuri vëllazërore, paqe dhe demokraci për pesëqind vjet dhe çfarë kanë arritur? Orët me "kuku") dhe sigurisht është i tiji dialogu me Marlen Dietriç në finalen e filmit "Kuinlani djallëzor": "Ma lexo të ardhmen... Nuk ke se çfarë të thuash më, i ke konsumuar të gjitha". Janë të shumta batutat dialoguese, të cilat marrin një efikasitet të jashtëzakonshëm në kontekstin ku përdoren: "Juston, kemi një problem"; "Telefoni. Shtëpia"; "E mira qoftë me ty", "Është shtypi, bukuroshe!", "Më trego paratë!" Por, gjithsesi, batuta më programatike e pjesës më të madhe të kinemasë amerikane është ajo e Xhon Ford, më epiku nga regjisorët amerikanë: "Kur legjendat bëhen fakte, shkruaje legjendën".

Personazhet e filmave thonë atë që ne do të donim të thoshim

Frazat magjike që kanë hyrë në jetët tona

Kinemaja është një rrjet i madh që koleksionon jetën, ashtu siç bëhet dhe me fluturat. Kinemaja tregon fluturime dhe i burgos krahët me gjilpëra. Krahët dhe gjilpërat shpeshherë bëhen shënimet e një blloku që më vonë do të fshihen. Jemi si vetmia te filmi "Taxi", si shkëlqimi te "Vula e shtatë": "Do ta mbaj mend këtë moment: qetësia e perëndimit, aroma e luleshtrydheve, filxhani i qumështit, pamjet tuaja me të cilat mbaron dhe dita". Në skenën e 65 të filmit të Uim Uenders, "Me kalimin e kohës", Bruno, brenda një kinemaje që po shembej, duke tymosur në hije, i thotë Obertit: "Jam i lumtur që shkuam në Reno. Për herë të parë ndihem si një njeri që ka nga pas një të kaluar dhe kjo e kaluar është historia ime". Emocione ndihen edhe në filmin "Porti i reve" i Marsel Karne, me skenografi të Xhakues Prevert, kur Xhin Gabin i thotë bukuroshes Mishel Morgan: "Ku po shkon?" Dhe ajo: "Nuk e di". Ai: "Atëherë le të shkojmë në të njëjtin drejtim".

Një çiltërsi e paharruar lulëzoi nga fytyra romantike e Xhuliet Binoke, kur po fliste në telefon me Oliverin në "Filmi blu" i Kieslouskit: "Jam Xhuli. Doja t‘ju pyesja... A më dashuroni ju?" "Po". "Prej shumë kohësh?". "Që kur fillova të punoja me Patrikun". "Ju mendoni se unë jam e shkëlqyer?" "Po". "Tërheqëse?" "Po". "A mendon për mua? A ndieni nostalgji për mua?" "Po...". "Hajdeni këtu ju lutem". "Tani?" "Po, tani". "Je e sigurt?" "Ju lutem, ejani".

Gjithçka kaq tërheqëse - dashuri, urgjencë, vuajtje për një çast pritjeje - saqë na detyron ta kapërcejmë melankolinë brenda sallonit në "Sfidë djallëzore", kur Henri Fonda mbështetet në ballkon dhe thotë: "Mak, a ke qenë ndonjëherë i dashuruar?" "Jo. Kam qenë banakier gjithë jetën". Fragmentet e vogla të pasqyrës së madhe janë një pjesë e jona. Kinemaja e madhe është një pjesë e jona. Fragmentet e vogla nga kinemaja e madhe mbushin jetët tona. Jetojnë paralel me ngjarjet tona. Na habisin deri si në filmin "Trëndafili i Kajros", kur Mia Farrou puthet nga Xhef Daniels dhe thotë: "Është ndërthurja?" "Çfarë?" "Gjithmonë kur puthja bëhet e nxehtë menjëherë përpara intimitetit vjen ndërthurja e pamjeve".

Trufaut thotë: "Kinemaja është një tren nate". Dino Rizi: "Kinemaja është një grua nude me pistoletë". Kinemaja është mister, emocion, aventurë, imagjinatë. Por, gjithashtu, është edhe (veçanërisht) rreziku i së vërtetës, me një kolonë zanore të përshtatshme, përsosmëria e mashtrimit, nostalgjia e kujtimeve. Kaq shumë i bukur dhe real është një film saqë e bën Natali Baje të recitojë në "Efekti i natës" imazhin më të bukur: "Unë për një film do ta lija një burrë, por për një burrë nuk do ta lija kurrë një film". Filmi na befason (ndonjëherë) me një situatë të çastit. Flet me zërin tonë. Thotë atë që ne do të kishim dashur ta thoshim. Të jesh të paktën një herë Alberto Sordi në filmin "Një jetë e vështirë", kur bërtet: "Jeni turistë? Çfarë doni këtu? Nuk ka asgjë për të parë... Gjithçka ta shpif... Mos e vizitoni Italinë, rrini në shtëpitë tuaja se është më mirë!" Të jesh të paktën një herë Marçelo Mastrojani në filmin "Jeta e ëmbël": "Ndërsa mua Roma më pëlqen shumë: një lloj xhungle e moderuar, e qetë, ku mund të fshihesh mirë". Të jesh të paktën një herë Toto: "Nëse në Milano kur ka mjegull nuk mund të shohësh, si ia bëjnë milanezët të shohin se ka mjegull?" Të jesh Çiçio Ingrasia në "Hotel i Amarkord" kur bërtet: "Dua një gruaaaa! Ose të jesh një herë të vetme Robert De Niro në "Na ishte një herë Amerika", i shëndoshë, tepër i qetë, duke bërë pyetjen: "Nidëlls, çfarë ke bërë në gjithë këto vite?" - dhe ai që heq kapelen, merr frymë, pret pak dhe thotë: "Kam shkuar në shtrat herët". Ose vetëm e vetëm të jesh një herë pranë asaj situate ku në filmin "Kazino", Xho Peshi i drejtohet një klienti, i cili kishte ofenduar shokun e tij De Niro: skena, De Niro: "Më falni zotëri, i juaji është ky stilolaps? Tjetri e sheh me mospërfillje. "Sepse nëse nuk është i juaji, mund ta marr për vete se qenka shumë i bukur". Klienti: "Merre dhe fute në b..." Xho që ishte aty pranë e dëgjon dhe me qetësinë false të një paranojaku i thotë: "Çfarë? Çfarë dreqin i the shokut tim? Klienti: "Që stilolapsi nuk është i imi". Xho: "Jo jo, çfarë dreqin i the pas kësaj? E? Çfarë dreqin i the?" Klienti: "Që ta marri dhe ta fusë në b...". Xho: "Çfarë dreqin, ashtu?" Një metër e gjysmë mbi tokë, e kap nga kravata dhe e godet mbi gjashtë herë me stilolaps në fyt. Pasi e rrëzon në tokë, vazhdon ta godasë me shkelma nga fytyra duke i thënë: "Thuje prap, hë thuje prap. Qaj tani, qaj si k...". Pra, në vetvete, filmi paraqet realitetin, qoftë ky i hidhur (si në filmin e lartpërmendur) apo i bukur, por shpeshherë imagjinon dhe ndërton skena të cilat ndoshta mbeten thjesht në ëndrrat tona.

Çezare Zavatini i rekomandonte regjisorët që të hipnin nëpër trame për të mbajtur shënime. Komedia italiane ka lindur atje. Sot ka kaluar brenda taksive dhe tarracave. Gjeneratat e tashme gjithsesi vazhdojnë t‘i përdorin tramet dhe metrotë. E paraqet Nani Moreti dhe arkivi i tij i vogël. Bëj gjëra, shikoj njerëz. Gjithçka gjendet te ne, fëmijëria, imagjinata gjimnaziste, ndjenjat e dashurisë etj. Furio Skarpeli thotë: "Letrat e duhanit blihen te duhanshitësi, por personazhet jo". E saktë. Personazhet jemi gjithmonë ne, ne duke kalëruar kalin e jetës. Epik ose të harruar. Me një mal me gjëra për të thënë, ose e kundërta. Sepse pasqyra bëhet më e madhe sidomos gjatë pritjes. Dhe në fund, batuta më e mirë e (gati) gjithë kinematografisë mbetet cigarja e ndezur e Hamprei Bogart.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora