E marte, 08.10.2024, 06:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Vasillaq Vangjeli, Humoristi "i brumëzuar" nga drama

E diele, 23.09.2007, 07:37 PM


Vasillaq Vangjeli dhe Koco Devole
Nuk është më ai djali çapkën që prishte orën e mësimit. Por ka sërish po atë gjallëri dhe të njëjtin humor që e bën të jetë thjesht ai, të jetë Vasoja që shokët e duan pranë një gote rakie dhe këngës. Koçi te "Zonja nga qyteti", baletmaestri te "Mirela", por edhe shoferi, plaku apo "pijaneci", Vasillaq Vangjeli padyshim është një nga emrat më të veçantë të humorit shqiptar.

Aktor i dhjetëra roleve në skenë e ekran, megjithatë e ndien se ka akoma për të dhënë. Kështu, ka filluar të angazhohet në një shfaqje të re në të cilën mban peshën kryesore, por për të cilën mendon se është herët të flasë. Por nuk ngurron të flasë për jetën e vet, për dashurinë e vet me dramën, studimet dhe rininë, miqtë që i sheh gati përditë në lokalin e tij ku shkruhet: “Nuk lejohet të hyjë ai që nuk di të këndojë!” Ndërsa i bie fizarmonikës dhe shijon një gotë birrë duke qeshur…

Kaq vite i lidhur me humorin. Mund të kujtoni rolin tuaj të parë dhe si ndodhi që ju të "lidheshit" me aktrimin?

Kam qenë djalë çapkën dhe karagjoz i lindur, siç më thoshin. Imitoja pleq, kalamaj. Shkoja që i vogël pothuajse çdo natë në estradë dhe imitoja Artistin e Popullit Skënder Sallaku. Apo më pëlqente të flisja në dialekte të ndryshme. Dhe në këtë këndvështrim isha kripa e gjithë lagjes, kripa e gjithë shkollës. Më nxirrnin nga shkolla tri herë në ditë për karagjozllëqet që bëja. Pedagogët, mësuesit më deshën shumë, por kur bëja karagjozllëqe më nxirrnin jashtë se qeshte e gjithë klasa. Madje mbaj mend kur isha në shkollë te "Skënderbeu", ku kam bërë të mesmen, që kur vinte ndonjë festë, komandanti i shkollës i thoshte komandantit tim: Ma hiq nja dy-tri ditë Vason nga shkolla se mos qeshi gjithë shkollën "Skënderbej". Dhe mua dy-tri ditë derisa mbaronte festa më hiqnin nga shkolla e pastaj më sillnin prapë. Në këto kushte im atë nuk donte që të bëhesha aktor. Më futi në Politeknikumin Mjekësor ku mbarova ndihmësmjek. Që aty më futi në Fakultetin e Mjekësisë ku bëra dy vjet. Unë prapë vazhdoja "karagjozllëqet" dhe në vit të tretë e lashë shkollën e Mjekësisë dhe hyra në Institutin e Lartë të Arteve.

Mbarova dhe ushtrinë në 1971 dhe hyra në Institutin e Arteve (vitet '73-'75). Pas përfundimit të tij më çuan për të bërë stazhin në teatër. Nga Teatri Popullor më kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti '76 deri më 1 prill 2005 kam qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohesha që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti '67-'68 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu.

Bëtë "një udhëtim" në vite, por mund të na tregoni për interpretimin tuaj të parë në skenën teatrore?

Roli im i parë në Teatrin Popullor ka qenë roli i një shoferi te drama "Lezia", një dramë e Kiço Blushit me regji të Piro Manit. Në dramë flitej për ato kohë kur nuk shihej pozitivisht një femër shofere. Pra, që një femër nuk duhej të bëhej shofere se ishte turp dhe nuk ishte në traditën e shqiptarëve që femra të bëhej shofere. Ndërkohë që bota ka nxjerrë shofere, traktoriste e tankiste sa të duash. Kjo ishte në qendër të dramës dhe ky ishte konflikti mes vëllait dhe motrës. Pastaj erdhën role të tjerë: roli i Koçit te "Zonja nga qyteti" dhe disa role në teatër. Që atje, mbarova vitin e stazhit në teatër dhe kalova regjisor në Estradën e Shtetit ku punova deri në 2005.

Përmendët disa role. Nga moria e gjithë atyre figurave që keni sjellë, keni ndonjë rol që e keni më për zemër?

Kam plot. Të gjithë rolet janë të dashura, por ka dashuri e dashuri. Për shembull, roli im i parë më ka pëlqyer shumë. Isha një hokatar gjatë gjithë kohës. Kam role shumë të dashura: rolin e Hilës, Koçit, atë të një koreografi tek komedia "Mirela", disa role në televizion, në Estradë, etj.

Por dua të theksoj se gjithmonë më ka tërhequr teatri, drama. Është e çuditshme se jam aktor i humorit, por temën e diplomës e kam mbrojtur me dramë dhe kam marrë 10 me rolin e xha Jonuzit tek "Familja e peshkatarit".

Thatë që doni shumë teatrin, dramën. Atëherë si ndodhi që u bëtë një aktor i humorit dhe jo i dramës?

Më ka ngelur peng gjithë jetën. Unë isha më shumë aktor i dramës, sesa i komedisë. Aksidentalisht kalova në komedi. Më ka pëlqyer tërë jetën drama dhe tërë jetën e kam parë veten mes teatrit dhe komedisë. Më kujtohet se si në vitin '76, pasi kisha mbaruar një vit stazh në teatër dhe kisha punuar me rolin e Koçit dhe në dramën "Lezia", brenda një viti artistët shpreheshin: "Ky djalë i duhet teatrit". Më kujtohet një mbledhje e posaçme që është bërë në Teatrin Popullor, ku është ngritur gjithë kolektivi i teatrit dhe ka thënë këtë gjë. Madje, Gjon Karma ndjesë pastë, ka thënë: “Unë si aktor i humorit po iki, po dal në pension. Merreni këtë djalë t'i rrijë teatrit pranë!” Megjithatë, Partia më çoi atje ku "kishte nevojë atdheu", pa dëshirën time. Dhe kam punuar pa qejf gjatë gjithë kohës. Iknin vitet, unë kisha ndër mend të kthehesha në teatër. Më iku rinia me urdhër të Partisë së Punës. Atëherë më thanë: “Kalo regjisor në Estradën e Shtetit, nëse nuk do të shijosh bukuritë e Lurës në Peshkopi.” I thashë babait e më tha: “Bir më mirë në Tiranë.” Kështu qëndrova në Estradë.

Duke e ndier veten aktor të komedisë dhe teatrit, sipas jush është më i vështirë realizimi i një roli në komedi apo në teatër?

Humori është dhunti e njerëzve të zgjuar. Jo gjithkush mund të bëjë humor. Aktori i humorit bën edhe dramën, edhe komedinë. Aktori i dramës nuk e bën dot edhe komedinë. Dhe po t’u kërkosh aktorëve të dramës në teatër të luajnë komedi, edhe me komedi të bëjnë për të qarë. Aktori i komedisë është më i zhdërvjellët, është më afër. Ndërsa aktori i humorit, edhe pse nuk mund ta luajë dramën siç e luan një aktor i dramës, e luan.

Le të kthehemi mbrapa në vite. Cilët kanë qenë ata njerëz që iu kanë qëndruar afër dhe ju kanë ndihmuar në punën tuaj si aktor?

Kam ndenjur shumë me profesor Kadri Roshin, për rreth 20 vjet. Ka qenë pedagogu im më i mirë. Kam qëndruar me Piro Manin, regjisor i shkëlqyer, por edhe me të tjerë, si Agim Qirjaqi, Esat Oktrova, etj.

Çfarë mendoni për humorin që "i serviret" sot publikut?

Humori sot është shumë banal. S'mund të ketë humor, kur ai është banalitet i gjallë. Humori lind nga situatat, nga ngjarjet, nga faktet, lind nga personazhet.

Ju jeni bërë ndonjëherë pa dashur pjesë e këtij banaliteti?

Asnjëherë. Nuk mundem ta bëj. Unë luaj personazhin, hallin e personazhit. Po luajte hallin e personazhit del vetë humori. Nuk ke nevojë të shtrembërohesh dhe të thuash banalitete. “Aty ku fillon banaliteti, - thotë Stanislavski, - ka mbaruar humori.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora