Kulturë
SHBLSH, shitemi shtrenjtë…
E premte, 12.10.2007, 10:57 PM
Artistët e vërtetë duhen paguar
Nga Leontina Nika
Si nis një ditë e zakonshme dhe e pazakonshme e juaja?
Genti: Dita e zakonshme starton… kështu zgjohem herët në mëngjes, fillimisht laj sytë, përpiqem që të vij në punë, në “Portokalli”. Një ditë e jashtëzakonshme kur Ermali ka ardhur në orar (qesh).
Ermali: Do çohem patjetër në orën 9:30, sepse më duhet të iki në orën 10:00 në punë. Pastaj pjesën e dytë të ditës e kam për punët e mia private.
Juli: Zgjohem në mëngjes, laj dhëmbët, dal për në punë dhe përcjell vajzën në çerdhe.
Pas disa muajsh pushim si do të nisë sezoni i ri për grupin SHBLSH? Keni menduar të startoni me ndonjë surprizë?
Genti: Publiku mund të presë shumë surpriza. Ne do të mundohemi që të ndjekim shijet e tij, do të përpiqemi që të japim maksimumin. Çdo sezon i ri është si të fillosh nga e para, pasi edhe audienca lëviz.
Ermali: Nëse unë ta them, surpriza nuk mbetet më surprizë. Një gjë që unë do ta them patjetër: se te grupi SHBLSH do jemi ne të tre.
Juli: Sigurisht që do vijmë me elemente të reja dhe energji po të reja. “Portokallia” është shndërruar në një spektakël shumë të dashur. Ky show u ka treguar njerëzve se është jo thjesht një variete. Aty vlon energjia, audienca është shumë e lartë dhe personazhet që ne kemi zgjedhur edhe për këtë sezon, besoj se do godasin edhe tek teleshikuesit.
Ku inspiroheni për mishërimin e personazheve?
Genti: SHBLSH-at do të sjellin edhe karaktere të reja krahas personazheve që janë shndërruar në ikona. Konkretisht nuk mund të futem në detaje, sepse ende jemi në vijëzime të përgjithshme. Pastaj varet se çfarë do të sjellin situatat dhe ngjarjet sociale të momentit ku edhe inspirohemi.
Ermali: Nga anekdotat ose nga historitë e përditshme që më ndodhin mua (qesh). Shumë nga personazhet që luajmë ne të tre janë nga miqtë tanë më të mirë.
Juli: Zakonisht bazohemi te njerëz realë dhe histori konkrete; sigurisht që i pasurojmë edhe me detaje dhe elemente të fantazisë artistike, me pak fjalë ne jemi gjatë gjithë kohës në meditim dhe vëzhgim për të sjellur personazhe sa më afër telespektatorit, sa më këndshëm dhe të realizuara profesionalisht. Personazhet shumë të njohura të jetës publike nuk hezitojnë që të vijnë në “Portokalli” dhe të jenë pjesë e spektaklit, pasi suksesi i këtij show është i prekshëm dhe i lexueshëm nga të gjithë.
Është e vërtetë që keni pasur lëkundje në pjesëmarrjen tuaj në sezonin e ri të “Portokallisë”, sepse kanë dalë zëra të tillë kohët e fundit?
Genti: Këto janë zëra që shoqërojnë çdo artist, do të jetë, nuk do të jetë, do të ikë, nuk do të ikë. Mendoj se këtë e bëjnë disa gazeta që po përpiqen të bëjnë një jetë Gosip, duke i trajtuar thashethemet në nivelin e lajmit. Këto janë thjesht thashetheme të rëndomta, sikurse ndodh për çdo artist shqiptar. Si për shembull, këngëtarët burra i bëjnë gra dhe gratë i bëjnë burra.
Ju, si tre muskultjerët, gjithandej shikoheni bashkë. Është e vërtetë se jetoni edhe në të njëjtin pallat dhe Julin e keni në mes?
Juli: Po, jemi miq të pandarë. E kemi kaluar fazën e miqve në skenë. Tashmë kemi dhe miqësi familjare dhe jemi të pranishëm në gëzimet dhe problemet e njëri-tjetrit. Kjo ka bërë që grupi “SHBLSH” të jetë më i fortë dhe i bashkuar. Bashkimi bën fuqinë.
Sa e vështirë është për ju si grup që të sillni çdo javë nga një karakter të ri dhe të ruani veten nga mos konsumimi?
Genti: E vështirë është, por jo e parealizueshme. Kjo ndodh sepse jemi tre njerëz që kemi shije artistike, pretendime të kundërta po artistike. Gjithashtu, jemi të aftë në bashkimin e më të mirave tona, për t’i mëshiruar në personazhe për shikuesit. Mendoj se televizioni çdo njeri e konsumon. Çështja është të arrish të ruhesh, sepse konsumimi vjen atëherë kur publiku nuk të do më.
Ermali: Është shumë e vështirë, sepse kudo që ti shkon duhet të mendosh për këtë (edhe për atë punën e konsumimit sikurse tha Genti).
Juli: Vetë ritmi i “Portokallisë” është shumë i shpejtë, me 300 në orë. Personazhet i realizojmë nga vëzhgimet tona. Nga ky ritëm i shpejtë mund të ndodhë të dalë edhe ndonjë rol i papjekur mirë, por gjithmonë brenda kuadrit skenik. Ndërsa pjesa e konsumimit mendoj se është shumë e vjetër, sa vetë aktori. Konsumimi nuk është një element standard, mund të konsumohesh në forma të ndryshme, si për shembull duke dalë rrallë në skenë. Unë mendoj se ky fenomen nuk mund të ndodhë me ne si grup, sepse tregu është shumë i varfër në fytyra. Por konsumim nervash dhe lodhje sigurisht që ka, nga fakti se duhet të jesh ndryshe në rol çdo javë.
Në rast lodhjesh dhe nervash keni thënë “nuk e vazhdoj më këtë punë!”
Juli: Jo, asnjëherë nuk ka për të ndodhur, pasi çdo pjesë shikohesh nga 5 milionë shikues dhe mendoj se ia vlen që të punosh dhe të japësh maksimumin për publikun që të do dhe të ndjek e aq më tepër kur bën një punë që e do.
Cili nga ju të tre nuk e ka pasur fatin që të jetë femër vetëm për një herë, në rol kuptohet, dhe si jeni ndier?
Genti: E kemi pasur të tre këtë fat. Mendoj se nuk ka asnjë problem, sepse asnjëri nga ne nuk është tipi i mashkullit me një maskilizëm të theksuar. Ashtu si e ka kërkuar roli e kemi bërë.
Ermali: Sezoni i kaluar i “Portokallisë” ishte një luftë e përjavshme mes ne të treve: se kush do merrte rolin e femrës. Jam më i diskriminuari nga të tre, sepse kam bërë më shumë femra nga gjithë “Portokallia”, madje edhe më shumë se Xhevria. Nuk është se ndihem shumë mirë kur luaj femrën.
Juli: Të gjithë e kemi pasur këtë shans, por të them të drejtën këtu krijohet një konflikt, pasi unë dua t’ia lë Ermalit rolin e femrës, ndërsa ai mua. Thjesht nuk më pëlqen të luaj femrën se nuk ndihem rehat. Në skenë dua të jem sa më i lirshëm, grimi më bezdis realisht edhe pse është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për një aktor. Ej, është dashnorja ime e vetme grimi! (Qesh).
Nga personazhet reale të jetës publike që ju keni sjellë në skenë, cili ka reaguar jo këndshëm dhe si i jeni përgjigjur?
Genti: Ky njeri fort i nderuar është shkëlqesia e tij Arjan Çani. Për mendimin tim është një njeri mediokër, për faktin se i është përgjigjur humorit në një formë aspak të këndshme. Me fyerje, me sharje, me artikuj në gazetë. Ka arritur deri në atë pikë sa ka prekur edhe familjet tona. Mendoj se është një njeri që nuk ka kulturë qytetare, pasi humorin tonë e kanë pranuar shumë figura dhe personalitete publike shqiptare, si: Fatos Nano, Erjon Braçe, Monika Kryemadhi, Kastriot Çaushi etj. Vetë prania e tyre në show e dëshmon më së miri këtë fakt. Është pastaj një gazetaruc që quhet Arjan Çani, i cili mendon se është i paprekshëm, është zoti, dy vende bosh dhe pastaj vjen ky zotëria, Çani. Kjo është shumë e shëmtuar, por kjo nuk do të më pengojë aspak në skenë, përkundrazi ma ka shtuar dëshirën.
Ju ka ndodhur që të paragjykoheni nga sjellja e figurave historike në skenë?
Juli: Po në të vërtetë janë bërë kritika nëpërmjet shkrimeve në gazetë, por besoj se nuk e kanë kuptuar mesazhin që ne kemi dashur të përcjellim. Personazhet historike i shikoj si dy anë të ndryshme të medaljes, kështu i kemi trajtuar edhe në role. Sjellja e figurave fashiste në një anë, si dhe sjellja e figurave historike shqiptare nga ana tjetër, ku tek këta të fundit, specifika e trajtimit është më e veçantë dhe më afër jetës reale. Për shembull tek figura e vëllezërve Frashëri, shqetësimi që kemi dashur të nxjerrim në pah është ky: njerëzit të ulur pranë busteve të këtyre figurave të njohura, hanin bukë dhe shalqi dhe lëvozhgën e ambalazhet i linin aty. Madje kanë kryer veprime të turpshme pranë këtyre personaliteteve të nderuara.. Pra me pak fjalë filozofia jonë ka qenë që të nxjerrim në pah nxitjen e ndërgjegjes tek njerëzit, që këto fenomene të mos ndodhin dhe kurrsesi nuk kemi pasur qëllim që të tallemi me figurat historike.
Çfarë keni ju diçka ndryshe nga tre personazhet e tjera?
Genti: Grupi SHBLSH është komponent në një gjendje. Kjo bën që grupi nuk ka vend pa njërin apo tjetrin. Vërtet ka njerëz të cilët fillojnë të formojnë formula të reja, të tipit si do të ishin SHBLSH-at sikur në vend të tyre të ishin X apo Y . Unë jam i sigurt se SHBLSH-at nuk do funksiononin nëse njëri nga ne do të zëvendësohet. Mendoj se ka qenë fat ky bashkim. SHBLSH-at kanë ecur në disa etapa, ka qenë Genti Bejko, u largua Bejko, pastaj erdhi Juli. Dhe vetëm fati ka qenë bashkimi i grupit si komponent artistik sot. Ermali me batutën e tij, Juli me energjinë e tij. Gjithsecili jep maksimumin në këtë grup. Dhe pa diskutim që mund ta them me mburrje se është grupi i vetëm që nuk ka lider dhe as komandant.
Ermali: Unë po të them diçka që nuk e kam, që e kanë këta… nuk kam shkollën e aktrimit (i bie të them atë që tha Genti, se gjithsecili ka diçka që nuk e ka tjetri).
Juli: Genti mendoj se ka përgjegjësinë dhe profesionalizmin, Ermali spontanitetin, talent i paprekur, kurse për mua thonë se kam energji pozitive.
Kë mund të cilësoni si çelës të suksesit tuaj?
Genti: Sinqeriteti, mosabuzimi me famën, pra gjithmonë i kemi shtrirë këmbët sa kemi jorganin, si dhe testimi i përhershëm se ku të do publiku. Jemi munduar që të jemi sa më afër publikut në shqetësime, gëzime etj.
Ermali: Mendoj se spontaniteti. Shpërthimi i SHBLSH-ve nuk erdhi menjëherë, erdhi pas dy vjetësh. Besoj se një ndër faktorët që ka ndikuar është edhe eksperienca e të treve së bashku, se çfarë ka njëri, çfarë ka tjetri, pra plotësimi i njëri-tjetrit.
Juli: Energjia pozitive që përçon në komunikim me spektatorin ose e bën mirë dhe hyn në zemër ose anasjelltas. Që t’i pëlqesh dikujt është shumë e vështirë, ndërsa unë mendoj se çiltërsia dhe spontaniteti me të cilën u paraqitesh atyre është çelësi i suksesit.
Përgjithësisht kur punët janë në grup, edhe në këngë edhe në fusha të tjera, është shumë e vështirë që të qëndrojnë gjatë bashkë. Si ia arrini ju, pasi ka nga ata të cilët punën në grup e cilësojnë edhe hall?
Genti: Realisht unë, nuk e imagjinoj vetën vetëm artistikisht. Për mua është fat që bashkëpunoj me këta dy partnerë të mrekullueshëm. Sa do të doja që shumë partnerë të tjerë të mi të ishin si këta të dy. Ermali: Ka pasur probleme… dhe mendoj se ndodhin kur tava është bosh, sepse kur është plot janë të gjithë të kënaqur. Tava jonë është materiali dhe në momentin kur mungon, kur shqetësohemi aq shumë sa bëhemi shumë kërkues te njëri-tjetri, si për shembull për orarin, mospërqendrimin në punë etj. Çështja është se këto nuk kanë ndikuar aspak as tek ne dhe as në shfaqjen e çdo të diele.
Juli: Puna në grup është e keqe, sepse secili kërkon të fshihet tek të tjerët. Me ne nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe as ka për të ndodhur kurrë. Pasi kur del në skenë të gjithë kanë përgjegjësi: “Të gjithë për vete dhe grupi për të gjithë!”. Them se kemi gjetur gjuhën e komunikimit dhe bashkëpunimit, i cili rezulton shumë i frytshëm. Kur një rol nuk është në parametrat e duhur, kur e ndieni dhe ju, ka ndodhur që t’ju lind ideja për ta rivënë përsëri me plotësim detajesh?
Genti: Gjithmonë artisti pasi bën një personazh ka dyshime dhe dëshiron ta rikthejë dhe ta rifreskojë. Puna është se duhet të ecësh përpara, ndoshta nuk duhet t’i bësh gjyqe vetvetes.
Ermali: Mendoj se ndihet që në fillim dhe punojmë shumë që ta pasurojmë me detaje dhe të dalë sa më mirë.
Juli: Sigurisht, ndihet gjatë provave dhe të parët që përballemi me këtë jemi ne të tre. Kur nuk është në nivelin e pranueshëm ne bëjmë të pamunduren që roli të vijë deri në paramtetrat e pranimit skenik, duke e plotësuar me detajet që i mungojnë. Një person tjetër që e ndjen të njëjtën gjë, është pa dyshim regjisori ynë, i cili na jep këshilla se ku ka vend për përmirësim që të dalim sa më mirë të jetë e mundur.
Ju ka ndodhur që të mos shfaqeni në skenë kur roli nuk ka qenë në parametrat e duhur?
Juli: Po, na ka ndodhur dy vjet më parë, që një javë nuk dolëm në puntatën e “Portokallisë”, por ne e ricilkluam rolin në të dielën pasuese, sepse çdo gjë në këtë show është krijim dhe nuk e lëmë të na humbasë.
Keni ndonjë ofertë për daljen jashtë kuadrit të skenës, për interpretim e kam fjalën apo për bashkëpunim me ndonjë regjisor në ndonjë rol në film?
Genti: Sapo mbarova xhirimet në Maqedoni të filmit “Koha e kometës”, ku kisha rol si protagonist. Padiskutim është produksioni më madhështor që ka pasur Shqipëria ndonjëherë në kinematografi. Plus që ne si grup jemi në pritje të një filmi me regji të Artan Minarollit. Priten që xhirimet të fillojnë në pranverë dhe jam shumë i gëzuar për këtë. Në këtë film ne vijmë si tre vëllezër, nuk mund të zbuloj më shumë, sepse kjo i përket produksionit të filmit. Juli: Kemi dy projekte të shpejta, një për një film ku do të startojnë xhirimet në pranverë si dhe një për teatër. Sigurisht që fitimet nuk janë të mëdha në teatër, por ku padiskutim korr fitim profesional dhe emocional në të njëjtën kohë. Sinkronizimi në tre është i vështirë. Këtu kam parasysh proverbin “Ku janë dy, i treti është i tepërt”? Genti: Kjo është e vetmja shprehje që te ne nuk funksionon. Ermali: Ne kemi më të vështirë sinkronizimin në dy. Na ka ndodhur disa herë që dikush nga ne të tre ka munguar në emisionin e “Rikoshet” dhe ne e kemi shumë të vështirë mosfunksionimin në tre dimensione. Juli: Ku janë dy tek ne i treti është i domosdoshëm, sepse ne luajmë me skemën 2+1. Cilin nga rolet keni më përzemër dhe që ju ka ngjitur që në fillim? Genti: Zenuni është një ndër personazhet që e kam më përzemër, sepse jam lodhur dhe jam marrë vetë, qoftë me kostumografinë dhe detajet. Kjo pasi më pëlqen shumë që të luaj me këto të fundit. Ermali: Më pëlqen më shumë roli i pijanecit. Disa nga shokët e mi më kanë thënë: “kishe pi patjetër atë natë”.Juli: Të gjitha rolet kanë dalë nga unë dhe i dua fort, por do të veçoja rolin e Refikut, Ganiut, Big Mamës, sepse këto role edhe në dy të natës i luaj ashtu sikurse edhe në skenë. Ka xhelozi dhe paragjykime në mesin e aktorëve të “Portokallisë”, si i keni marrëdhëniet me të tjerët? Genti: Marrëdhëniet i ka treguar bashkëpunimi që ne kemi pasur me aktorët e tjerë, ku mund të cilësoj Elvis Pupën, Florian Binajn e shumë të tjerë. Unë bashkëpunoj me njerëz të cilët kanë talent dhe duan të ecin përpara. Nuk bashkëpunoj me njerëz të cilët mendojnë se suksesi mbetet këtu dhe nuk duhet çuar më tutje. Pa diskutim çdokush që ka ardhur i ftuar tek SHBLSH-at ose e kundërta, numrat kanë qenë të jashtëzakonshëm. Mund të përmend ardhjen e vëllezërve të Gjinit, Policin etj. Ermali: Nuk e di, më duket absurde të them se nuk ka xhelozi. Jemi munduar t’i minimizojmë deri në 80 për qind. Juli: Xhelozi me tonelatë, megjithatë po tregohem çun i mirë, them se ka ego profesionale. Nuk më ka ndodhur të përballem me ndonjë xhelozi konkrete, ose të paktën mua nuk ma kanë shfaqur në sy. Unë jam i mendimit se famën duhet të dish ta administrosh, ndryshe je i vdekur. Një rol është i realizuar mirë kur…? Genti: Duhet kuptuar një gjë: Portokallia është një zgarë, e cila prodhon javë për javë. “Portokallia” nuk të jep shansin të hysh në analiza të detajuara, ky rol ishte i realizuar apo jo. Këtë mund ta bëj një aktor i teatrit, i cili punon tre muaj për një rol, por jo një aktor i “Portokallisë”. Sepse publiku javën që vjen pret diçka të re dhe normalisht që nuk ke kohë të bësh analizë. Ermali: Kur kemi mësuar tekstin përmendësh dhe kur realizimi i rolit është shumë i mirë.Juli: Kur është në sintoni nga ana psikofizike. Mendoj se kjo bën që një rol të jetë pa diskutim i realizuar. Plastika e fytyrës si dhe formimin e gjithanshëm artistik krijojnë një harmoni të plotë.Emisioni radiofonik “Rikoshet” ku jeni përsëri të tre bashkë, si po ju ecën dhe keni menduar për ndonjë risi? Genti: Risi që ne kemi menduar është dalja me figurë, sepse aty ka etyde të jashtëzakonshme; nuk di sa mund të realizohet kjo gjë. “Rikoshet” është rikoshetë, është një plumb që shtihet dhe nuk përfundon gjëkundi. Një ndër risitë më të mira është dhe prezenca e Florit së shpejti, djalit që luan policin, i cili është i jashtëzakonshëm. Ai imiton të gjithë personazhet që marrin në telefon dhe mendoj se me Florin nuk mund të ketë asnjëherë rutinë. Ermali: “Rikoshet” është një ndër ata emisionet që e kam pasur ëndërr gjithmonë që ta bëj. Nuk është hera e parë që jam pjesë e një emisioni radiofonik, kam punuar edhe në disa radio shumë modeste me pak audiencë. Ndërsa tani mendoj se deri diku ia kemi arritur. Megjithatë ka gjëra të cilat mund të bëhen më mirë. Juli: Radio është magji më vete…më parë edhe nuk mund ta besoja. Ka një vit e gjysmë që po punoj dhe ndihem shumë mirë. Megjithatë në radio nuk je shumë i informuar se kush të ndjek. I vetmi tregues janë sms që merr, ku zakonisht na vijnë 450 sms në një emision. Gjithsesi jam i bindur që audienca është dhe më e madhe. Angazhimi profesional ju bënë që të anashkaloni deri diku familjen, ose më saktë si e gërshetoni kohën për të kënaqur të dyja palët? Genti: I hedh poshtë të gjitha angazhimet profesionale për familjen. Familja është në plan të parë. Nuk ka vend asnjë lloj angazhimi përpara saj. Ermali: Flas për jetën private familjare, sepse ka dy lloj familjesh. Familja e parë që janë mami babi dhe të afërmit, kemi vite që jemi shkëputur pak, por nuk ka ditë që të mos flasim në telefon. Kurse me familjen dy jemi 24 orë bashkë. Juli: Çdo moment që jam i lirë e kaloj pranë familjes time. “Përpara profesionit nuk vë asgjë”, -thosha, derisa erdhi në jetë ime bijë. Janë të dyja në vend të parë dhe dy dashuri të ndryshme.Keni menduar që ta thelloni më tej lidhjen, ndonjë martesë? Ermali: Jo edhe tre katër vjet, sepse kemi menduar që ta shijojmë fejesën, që të kemi çfarë t’u tregojmë fëmijëve.Kur dëgjoni batuta të thëna nga ju në gojën e personave të ndryshëm në rrugë, si ndiheni dhe cilën prej batutave dëgjoni më shpesh? Genti: Është kënaqësia më e madhe kur batuta jote nga “Portokallia” i kalon përmasat e spektaklit dhe fillon e përdoret masivisht në rrugë. Batuta që dëgjoj më shpesh është “Ça ke ba mirë, ça ke ba!”. Juli: Ndihem mirë dhe faktikisht përdoren shumë. Madje edhe në lajme kam parë që politikanët i citojnë batutat e mia, por jo vetëm aty edhe në parlament. Ndër batutat që unë dëgjoj më shpesh në ambjente të ndryshme jane: “u bot ju” dhe “kam punë mor dak!” Ju ka dalë nami se paguheni shtrenjtë dhe kërkoni shumë para ndaj dhe regjisorët e filmave nuk ju ftojnë, është e vërtetë…? Genti: Ata regjisorë të cilët janë të zgjuar dhe e kanë kuptuar kapacitetin e aktorëve të “Portokallisë”, kanë filluar t’i marrin aktorët e këtij show shtrenjtë. Nuk po them vetëm për SHBLSH-at, pa diskutim aktorët e “Portokallisë” janë më të mirët në tregun shqiptar. Janë aktorët më të lakueshëm, më të aftë për të krijuar; e kanë kuptuar dhe i kanë marrë. Jemi artistë dhe nuk mund të paguhemi si një i sapodalë në karrierë, ose si një truprojë diskoje. Artistët paguhen dhe vlerësohen kudo. Juli: E lëmë namin kështu siç është, por cilësia duhet paguar. Ai që na do në skenë dhe film duhet të na paguajë shtrenjtë. |