Kulturë
Evans Rama, tani e dua gruan dyfish
E premte, 12.10.2007, 10:32 PM
Lindja e tim biri më ka ndryshuar…
Nga Leontina Nika
Kantautori Evans Rama rrëfen për revistën “Spektër” emocionet më të veçanta që ka përjetuar deri më sot, në momentin që është bërë baba. Ardhjen në jetë të fëmijës së tij ai e ka pagëzuar me nisjen e një fryme të re ndaj të birit, që e ka quajtur Erenis.
Rama thekson faktin se dashuria për gruan ka pësuar amplitud rritje dyfish më shumë dhe se hapi i arritjes në shtëpi i është përshpejtuar. Dhe krahas jetës personale ai na tregon edhe surprizat e jetës profesionale, si pjesëmarrjen në “Mikrofonin e Artë”, dhe përgatitjen për albumin e ri. Siç shihet jeta profesionale dhe jeta personale janë harmonizuar mjaft mirë, si dy drejtëza paralele për këngëtarin Rama dhe jo vetëm kaq, por ai pohon faktin e metamorfozës…
Mund të na rrëfeni emocionet e para që përjetuat në momentin e ardhjes në jetë të fëmijës tuaj?
Sinqerisht nuk e kisha menduar ndonjëherë se do gjendesha përballë emocioneve kaq drithëruese, si atë ditë kur erdhi në jetë im bir. Sado që mundohem t’i përshkruaj me fjalë, gjë që kam e pamundur, pasi në të vërtetë emocionet e mëdha të lënë pa fjalë.
Keni asistuar në lindje?
Jo për patriarkalizëm, por thjesht e kisha të vështirë dhe nuk dëshiroja ta shikoja gruan time që rënkonte nga dhimbjet e lindjes.
Atëherë kur vajtët në maternitet, çfarë i dhuruat gruas tuaj?
Një buqetë me lule dhe një të puthur.
Kush ia ka vendosur emrin?
Unë e kam quajtur Erenis. Ky është një togfjalësh, i cili ka një kontekst shumë domethënës, pasi diçka e re ka nisur në jetën tonë si çift.
E keni mbajtur vogëlushin tuaj në dorë?
Po, padiskutim që po! Fillimisht nuk kam ditur dhe kisha frikë, e mbaja me shumë kujdes. Ndërsa tani kam mësuar dhe më pëlqen ta mbaj shpesh në krah.
Mendoni se lindja e një fëmije e forcon më shumë një lidhje bashkëshortore?
Absolutisht po, dhe këtë po përjetoj edhe vetë, pasi e dua dyfish gruan dhe për më tepër nuk rri dot pa tim bir dhe gruan time. Kur kthehem nga puna nxitoj të shkoj sa më parë, sepse më mungojnë që të dy.
Ia keni ndërruar deri tani panolinin bebit?
Ende jo, por do e bëj me shumë kënaqësi.
Sa baba i ashpër do jetë Evansi?
Nuk jam i ashpër, ndaj se besoj se do bëhem i tillë as në të ardhmen.
Do luani rolin e babait autoritar apo modern?
Modern padiskutim. Pastaj meqë është djalë, edhe pse mund të vijë vonë, nuk ka ndonjë problem.
Meqenëse ju jeni artist, keni menduar t’i kushtoni ndonjë këngë djalit tuaj?
Po, është një ndër projektet e mia, dhe mendoj se do jetë diçka shumë e veçantë, ka kohë që e kam menduar dhe së shpejti do e realizoj. Do jetë një surprizë e këndshme për të kur të rritet dhe të bëhet për t’i kuptuar gjërat.
Meqenëse e prekëm pak muzikën, do na thoni diçka konkrete për projektet tuaja muzikore?
Së pari do të theksoja faktin që edhe sivjet jam pjesë e “Mikrofonit të artë”, ku do përfaqësohem me një këngë të re, sigurisht të muzikës rrok, por që do vij shumë ndryshe. Shpresoj që të përfaqësohem sa më mirë.
Ç’mendim keni për këtë eveniment muzikor?
Unë personalisht e cilësoj fat marrjen pjesë në këtë eveniment të muzikës moderne shqiptare, pasi ka profesionalizëm dhe transparencë. Por jo vetëm kaq… fjalën fat nuk e thashë pa lidhje, por me shumë domethënie. Vjet, pasi këndova këngën në finalen e këtij festivali…në skenë renda me vrap që të vishja kostumin e dhëndrit, ishte dita e dasmës time. Dhe sivjet si për konçidencë, në ditën që më konfirmohet pranimi, kam pasur gëzimin më të madh në jetë, lindjen e fëmijës tim. Besoj se kam të drejtë që e cilësoj fat.
Pak më lart më thatë se do vini shumë ndryshe, në ç’kuptim?
Do vij ndryshe me këngën time, si dhe me look-un në skenë.
Më konkretisht?
Më pëlqejnë surprizat, ndaj mos këmbëngul se nuk ta them (qesh), besoj se do jem shumë ndryshe në këngë dhe në performancë në skenë, sepse edhe vetë kam ndryshuar. Diçka konkrete them se të qenurit baba ka edhe përgjegjësi që tani po i shoh. Por që më rrjedhin natyrshëm, si vajtja herët në shtëpi, rrallimi i daljeve, apo ta gdhish në pube mes shoqërisë (qesh).
Jo se nuk dal, por sinqerisht edhe kur dal nga puna nxitoj që të iki sa më shpejtë në shtëpi, që të rri sa më shumë me tim bir. Dhe të gjitha këto ndryshime kanë ardhur në mënyrë spontane, pa sforco, kjo është e bukura.
Keni premtuar se në verë do dilni me një album të ri, kur do ta kenë konkretisht në dorë fansat tuaj?
Po është e vërtetë, por kam qenë shumë i zënë me punë si dhe lindja e fëmijës më ka bërë që ta shtyj pak në kohë nxjerrjen e albumit tim të ri. Kështu që përpara Vitit të Ri është e sigurt. Në këtë album do përfaqësohem përsëri me rrymën tim të ngjizur mirë tashmë, rrok, por që do ketë edhe shumë elemente të reja. Do përfaqësohem Evansi ndryshe, nëpërmjet 10 kompozimeve të reja dhe bashkëpunimeve të frytshme me miq të zgjedhur dhe të talentuar në fushën e muzikës.
Çfarë mendimi keni për muzikën që lëvrohet në Shqipëri?
Mund të them se ka vlera pak dhe shumë antivlera. Për fat të mirë rryma ku unë përfshihem, nuk është prekur shumë nga virusi antivlerë, pasi nuk është masive si regatoni, turbo-folk etj.Po për tregun muzikor? Eh, thuajse ka një çoroditje totale, por shpresojmë që gjërat të lëvizin pozitivisht dhe të ketë përmirësim edhe në këtë aspekt, që është shqetësues për të gjithë artistët dhe producentët.
Sa kujdeset Evansi për look-un?
Them, aq sa duhet. Nuk jam neglizhent. Në skenë më pëlqen që të jem gjithmonë ndryshe dhe jo monoton. Mundohem ta bëj, sesa e arrij këtë se them dot unë, por spektatori, i cili për çdo gjë është matësi më i saktë dhe i mirë.
Do të doni të thoni diçka që keni dëshirë dhe që më ka shpëtuar mua gjatë intervistës?
Ku ju shpëton gjë ju gazetarëve! Eh, të jeni real në ato që shkruani.