E shtune, 27.04.2024, 07:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Sako, një "dhuratë" në 70-vjetor

E premte, 05.10.2007, 09:41 PM


DOLOREZA DYLI

Një jetë e mbushur me krijimtari dhe e lidhur ngushtë me filmin. Përgjatë 40 vjetëve, çdo ditë ia kushtonte punës në Kinostudio, ndërsa tani e kujton atë periudhë me nostalgji. Shyqyri Sako, skenografi i shumë filmave shqiptarë, feston këtë tetor 70-vjetorin e tij të lindjes. Dhe një gjysmë shekulli krijimtari, një ekspozitë me punët e tij më të njohura do të ishte kënaqësia më e madhe për një artist.

Ekspozita “Retrospektivë” vjen në këtë përvjetor të lindjes së tij me emocionet e një pune të gjatë, një jete të identifikuar me artin.

Kur xhirohej në Kinostudio

Të gjithëve iu kujtohet filmi “Tomka dhe shokët e tij”, por ndoshta pak e kujtojnë piktorin Sako si skenograf të tij. Së bashku me shumë prodhime të tjera kinematografike si "Toka jonë", "Dimri i fundit", etj., ai rreshton sot edhe disa nga pikturat e tij më të arrira.

Ndërsa koha e studimeve i duket aq e largët tani që ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij. Kanë kaluar shumë vite nga ditët e bukura të Liceut Artistik, ku mjeshtri i skenës vuri themelet e punës së tij shumëvjeçare. Gjurmë të pashlyeshme kanë lënë tek ai edhe studimet në Fakultetin e Moskës, që ndonëse i ndërpreu për t’i vazhduar në Tiranë, duket se i kanë dhënë profesionalizmin për të cilin ka nevojë aq shumë njeriu i artit.

“Kinostudioja më mori 40 vite të jetës sime, por nuk kam si ta mohoj, më dha gjithçka me të cilën unë krenohem sot”, - rrëfen Sako. Në secilin prej 40 filmave ku ai ka dhënë kontributin e tij, numërohen më se pesë dekore për çdo prodhim. Nuk mund të harrojë xhirimet e të famshmit “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, një film që megjithëse u realizua në brigjet e Kalabrisë e jo në Gjirokastër, ashtu siç u parashikua, Sako e ndihmoi me skicat e tij. Këto të fundit kanë patur mundësinë të stampoheshin edhe nëpër faqet e revistave të ndryshme.

“Retrospektivë” nëpërmjet ngjyrave

Shyqyri Sako ka lënë gjurmë edhe përtej filmit. Krijimtaria e tij nuk kufizohet vetëm me dekoret dhe kostumografinë, janë edhe pikturat ato që plotësojnë vitet e jetës artistike. Dhe nuk kishte si ta festonte më mirë këtë 70-vjetor Piktori i Merituar.

“Retrospektivë” është quajtur ekspozita që paraqet një pjesë të mirë të veprave të tij. “Është një retrospektivë e jetës sime artistike, - shprehet Sako. - Është një ekspozitë që mbart edhe nostalgjinë e shumë viteve”,- shton ai.

I duhet të veçojë katër momentet e jetës së tij: Liceun, Fakultetin, Kinostudion dhe krijimtarinë e tij individuale. Katër momente të rëndësishme që në këtë përurim janë të bashkuara në një të vetëm. E quan veten me fat që ka mundur të jetë pjesë e historisë së kinematografisë sonë. Piktura e ndihmonte me filmat, dhe këta të fundit i jepnin mundësinë të mrekullohej me pamjet nëpër skajet e Shqipërisë.

Ekspozita paraqet gjithsej 88 punime, piktura që kanë jo vetëm vulën shqiptare, por edhe pak natyrë nga Greqia, Italia, Zvicra, Rusia e Belgjika. Sepse pikturat e Shyqyri Sakos janë kryesisht peizazhe, ku ndërthuren teknikat e ndryshme, që nga vaji, akriliku e deri te grafika. Por ajo që bie në sy mbi të gjitha është realizmi në këto piktura. “Pikturat e mia, - sqaron ai, - janë realiste, me pak impresionizëm. Sigurisht, pikturën moderne unë e pëlqej, por nuk e bëj, sepse do të më duhej të dilja nga vetja dhe unë nuk dua të quhem një imitues.” Për piktorin dhe skenografin, studimet, natyra e shkollës që ka ndjekur, kanë bërë që punimet e tij të pasqyrojnë realitetin, një realitet që atë e tërheq.

Thotë se e ka tërhequr gjithmonë peizazhi shqiptar, e sidomos lashtësia. Prandaj në shumë prej pikturave të tij ravijëzohen pamje të kalave, skulpturave e arkitekturës shqiptare.

Bashkë me ditëlindjen, ai feston edhe një gjysmë shekulli karrierë artistike, dhe për një artist nuk duket se ka gjë më të mirë se kjo ekspozitë në kujtim të një krijimtarie të suksesshme. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora