E diele, 06.10.2024, 10:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Modugno, babai i “Volare” dhe kantautorëve italianë

E premte, 12.10.2007, 07:30 PM


Domenico Modugno ka lindur në Polignano në Mare, 9 janar 1928 dhe ka vdekur në Lampedusa, në 6 gusht 1994, ka qenë kantautor, kompozitor, kitarist dhe aktor italian. Është fituesi i dy çmimeve Grammy Awards. Është konsideruar babai i kantautorëve italian dhe si autor interpretues është një ndër më të mëdhenjtë në Evropë.

“Volare” dhe Modugno

Në vitin 1958 e gjithë bota përfshi këtu edhe Amerikën dhe Britaninë e Madhe për herë të parë kënduan me një zë të vetëm këngën e italianit, dhe bërtitën "Volare....oh oh...cantare...oh oh oh oh...", nuk kishte nevojë për asnjë përkthim.Çdokush njeh melodinë e saj dhe e këndon edhe pse teksti, në disa raste nuk njihet komplet. Është një këngë, që u bë himni i atyre viteve, dhe që ende në ditët e sotme shijohet me po atë kënaqësi. Dhe kështu një 30 vjeçar puliez, që deri në atë kohë kishte pasur një sukses modest në Itali si këngëtar dhe autor, Domenico Modugno, bëhet me fitoren e Festivalit të Sanremos, këngëtari më i njohur italian në mbarë botën dhe kënga e tij "Nel blu dipinto di blu" (ky është titulli origjinal edhe pse në Amerikë njihet me emrin "Volare") bëhet kënga italiane më e njohur pas "'O sole mio". Ka qenë pikërisht interpretimi i të paharrueshmit dhe të pazëvendësueshmit Modugno, fakti që e bëri këngën të pavdekshme, jehonë të çdo kohe.

Fëmijëria dhe rinia

Domenico Modugno i lindur në 9 janar të vitit 1928 në Polignano në Mare (ku në ditët e sotme për nder të famës që i dha Italisë në mbarë botën, emrin e tij e ka marrë një rrugë, në sheshin Minerva 5). I ati, Vito Cosimo Modugno ishte brigadier i karabinierëve në Pasqua Lorusso, Domenico kishte dy vëllezër Vito Antonio, që e thërrisnin shkurt Tonino dhe Giovanni që e thërrisnin Giannino, si dhe motrën Teresa, më të voglën e familjes, të cilën e thërrisnin Mimi. Në vitin 1935, i ati u transferua në San Pietro Vernotico, provincë e Brindisit, aty Domenico filloi shkollën, dalëngadalë mësoi dialektin e zonës ku jetonin, dialekt i cili ngjasonte me sicilianin, me të cilin shkroi dhe këngët e tij të para. Në moshën e adoleshencës mësoi të luante në kitarë dhe fizarmonikë dhe në vitin 1945 shkruan dy këngët e tij të para, që nuk i incizoi kurrë: "E la luna fra le nubi....." dhe "Il treno che fischia". Në këtë kohë ka shkruar edhe disa poezi, që u stampuan nga i ati tipograf i mikut të tij Guglielmo Centonze. Ndërkohë frekuentonte edhe Institutin e Ragioneria në Lecce. Në vitin 1947 transferohet në Torino për të kërkuar fatin, dhe në fillim punon si kamerier dhe më pas si gomist në një barakë të marrë me qira. Në vitin 1949, pas shërbimit ushtarak të kryer në Bolonjë, fillon të rris mustaqet. Në këtë periudhë fillon të luaj në fizarmonikë gjatë festave që zhvilloheshin në vend, duke improvizuar edhe këngë në gjuhën angleze.

Eksperiencat e para si aktor

Jeta në këtë vend ishte tepër e vështirë, dhe për këtë arsye vendosi të transferohet në Romë, ku në fillim gjen mbështetjen e priftërinjve dhe regjistrohet në Qendrën Eksperimentale të Kinematografisë, në shkollën për aktor, duke arritur të fitojë edhe një bursë studimi me vlerën e 50 mijë liretave në muaj. Gjatë kësaj kohe njihet me aktoren e re Franca Gandolfi, e cila më pas bëhet bashkëshortja e tij pikërisht në datën 26 qershor të vitit 1955. Gjatë mbrëmjeve fillon të interpretoj në Cirkun artistik në rrugën Margutta, me një repertor këngësh në dialektin e Brindisit, ku përshiheshin jo vetëm këngë të njohura, por edhe kompozime të vet atij si "Gatto nero" dhe "Asinello ubriaco". Shfaqja e tij e parë daton në vitin 1949 në filmin ‘I pompieri’ të Viggiu; në vitin 1951 shfaqet tek ‘Filumena Marturano’. Në vitin 1952 është ‘aktori i ri’ në teatër me rolin e borgjezit xhentëlmen të Molierit, si dhe më pas merr role në filmat ‘Anni facili’ të Zampa dhe në episodin e filmit ‘Questa è la vita’ me Turi Pandolfini dhe Franca Gandolfi. Kjo periudhë mund të cilësohej tepër me fat në karrierën artistike, sepse ëndrra e tij ishte interpretimi, edhe pse vazhdonte të shfaqej si muzikant. Në filmin "Carica eroica" të De Robertis, duhej të mësonte rolin e ushtarit sicilian, i cili duhej të vinte në gjumë një fëmijë, dhe këtu Modugno këndon një këngë tepër të famshme në atë kohë "Ninna nanna": dhe ishte pikërisht çelësi i hapjes së portës, së suksesit në radio. Më pas në emisionin "Trampolino" prezantoi këngën që u vlerësua edhe nga Frank Sinatra (i cili ishte ndodhej rastësisht në Romë). Ato ditë lind legjenda e Modugno sicilian. Shfaqja e fundit kinematografike para suksesit në botën muzikore, ishte në vitin 1955 në ‘Il Mantello Rosso’ të Giuseppe Maria Scotese.

Suksesi i tij si këngëtar
 
Deri në fund të vitit 1953, Modugno kishte firmosur një kontratë diskografike me ‘RCA Italiana’, me të cilën filloi të publikoj disqet e para në vitet me këngë të krijuara në dialektin puliez dhe sicilian, duke u bazuar në folklorin e këtyre dy zonave, dhe duke krijuar; minatorë, peshkatarë, histori dashurie, persona të besueshëm deri në fund të jetës, kuajt që bëhen të verbër..., këta ishin personazhet e këngëve të para të tij që krijuan dhe krijojnë ende edhe sot interesa të lidhura me kritikën. Disku i parë i publikuar në vitin 1954 është një EP (i formuar si një 45 xhiro, por që xhirohej në 33, me 4 këngë) që përmban një këngën ‘La cicoria’, është kënduar me Franca Gandolfi, dhe ka qenë e pranishme në programin e Walter Chiari "Controcorrente". Në po të njëjtin vit, prindërit e tij ndahen zyrtarisht edhe pse i ati prej kohësh kishte një tjetër lidhje dashurie: nëna braktis Puglian dhe transferohet në Romë me vëllain Vito Antonio, i cili filloi të kryente punën e menaxherit, ndërsa vëllai tjetër i këngëtarit Giannino qëndron në San Pietro Vernotico, ku bënte punën e karrocierit, ndërsa i ati u vetëvra, pasi mësoi se vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Në këtë periudhë Domenico publikon të tjerë disqe për RCA, me këngë që me kalimin e kohës do të vlerësoheshin, të tilla si ‘La donna riccia’, ‘La sveglietta’, ‘Lu pisce spada’ dhe ‘Vecchio frack’, kjo e fundit mund të quhet si një nga këngët më të arritura, që i krijoi edhe probleme me regjimin e asaj kohe. Ndërsa ‘Ad un attimo d'amore’, që nuk do të kthehet kurrë më pas, u ndryshua në ‘Ad un abito da sposa’, e para dhe e vetmja dashuri e tij. Në vitin 1956, me ndërrimin e shtëpisë diskografike dhe me kalimin në Fonit Cetra, arrin të marrë pjesë si autor në Festivalin e Sanremos, që u interpretua në fakt nga Gianni Marzocchi dhe u rendit në vendin e tetë. E të njëjtit vit është edhe ‘Io, mammeta e tu’, e cila ndihmon në përhapjen e emrit të kantautorit. Në vitin 1957 merr pjesë në Festivalin e Napolit në duet me Aurelio Fierro, me këngën Lazzarella, të shkruar në bashkëpunim me mikun Riccardo Pazzaglia, që arriti një sukses tepër të madh. Në fund të vitit, për Modugnon shfaqet një tjetër problem me regjimin e kohës, në fakt disa nga pjesët e teksti të ‘Resta cu me’, gjykohen në atë kohë skandaloze, dhe autori duhet të ndryshoj kështu disa prej rreshtave të këngës. Përveçse kësaj aventure jo të këndshme për karrierën dhe jetën e vet, ky vit ka qenë tepër pozitiv për këngëtarin, dhe i ka përgatitur terrenin për shpërthimin për vitin pasues 1958.

‘Nel blu dipinto di blu’

Domenico, bëhet me kalimin e kohës një ndër protagonistët e muzikës së lehtë italiane dhe të huaj, kur me këngën ‘Nel blu dipinto di blu’(e njohur më tepër me titullin Volare), triumfon në Festivalin e Sanremos së vitit 1958 së bashku me Johnny Dorellin. Kënga renditet në vendin e tretë në ‘Eurofestival’ dhe fiton në vitin 1958 dy çmime Grammy Award (për shumë vite më pas ishte i vetmi këngëtar që fitoi kaq shumë çmime për një këngë italiane), një çmim si disku i vitit dhe një tjetër si kënga e vitit 1958. Edhe ‘Cash Box Bilboard’ i konfirmon çmimin Oskar, duke u vlerësuar si kënga më e mirë e vitit dhe merr si dhuratë nga industritë muzikore tre disqe të arta, një për këngën më të mirë, një për këngëtarin më të mirë, dhe dhuratën tjetër për diskun me të shitur të vitit. Kjo këngë është shkruar nga vet këngëtari në bashkëpunim me Franco Migliacci, me të cilin do të vazhdojë të punoj deri në fund të karrierës së tij, duke arritur suksese të tjerë si ‘Addio... addio....’. Ndër të tjera Modugno ka marrë pjesë në festivalin e 11-të të Sanremos duke dal katër herë fitues (rekord që mban së bashku me Claudio Villa): në vitin 1958 me ‘Nel blu dipinto di blu’, dhe në vitin 1959 me ‘Piove sempre’ në duet me Johnny Dorelli, në vitin 1962 në duet me Claudio Villa interpeton këngën ‘Addio... addio’... dhe në vitin 1966 me ‘Dio, come ti amo’ së bashku me Gigliola Cinquetti. Në 1960 është klasifikuar në vend të dytë së bashku me Teddy Reno me këngën ‘Libero’. Ka marrë pjesë në tre edicione të Eurofestival (1958, 1959 e 1966) duke u klasifikuar me të njëjtat këngë që ishin fituese në Sanremo, në vendin e tretë, shtatë dhe 17. Në vitin 1964, fitoi Festivalin e Napolit me Ornella Vanoni, me këngën ‘Tu si' 'na cosa grande’.

Modugno, një yll i vërtetë muzikor

Në vitin 1961 pas një viti mospjesëmarrje në aktivitete, për shkak të një incidenti që pësoi duke interpretuar si protagonist në komedinë muzikore ‘Rinaldo’, u shfaq sërish në skenë. Aktori teatral dhe kinematografik, interpreton edhe Liolà, e bazuar tek vepra e famshme e Luigi Pirandello. Për kinema realizoi si autor- aktor filmin autobiografik ‘Tutto è musica’ (1963). Në vitin 1974 fiton çmimin ‘Tenco’, që është i pari vlerësim i këngës, ku ishte autor i Sanremos. Për televizionin interpreton në vitin 1965 në skenarin ‘Scaramouche’ të Daniele D'Anza: siglën e këtij telefilmi. ‘L'avventura’, bëhet një ndër këngët e tij më të njohura. Artisti gjenial dhe me prezencë të madhe skenike Modugno, ka qenë eksponenti i parë i këngës italiane si autor. I është dhënë titulli ‘Mister Volare’, duke iu referuar kështu këngës së tij me të njëjtin titull. Ndër krijimet muzikore kujtohen ‘Resta cu' mme’ (në dialektin napolitan), ‘Piove’, ‘Vecchio Frack’, ‘Meraviglioso’, ‘Dio, come ti amo’ dhe ‘Lu pisci spada’ (në dialektin sicilian).

Fundi i karrierës artistike
 
Domenico Modugno u godit nga një atak në vitin 1984 gjatë provave të një programi televiziv, që zhvillohej nga ‘Canale 5’. Pas kësaj goditje, ai ishte i detyruar të ndërpriste aktivitetin e tij artistik. Kohën ia dedikoi politikës dhe u zgjodh si përfaqësuesi parlamentar në Partinë Radikale që nga viti 1987 deri në 1992. Ishte tepër i angazhuar me luftërat civile, dhe ishte përkrahësi i atyre më të pafuqishmëve. Në vitin 1989 për pacientët e spitalit psikiatrik të Agrigento, zhvilloi një koncert enkas për ta, të titulluar “Koncert për të mos u harruar’, i cili ishte i pari koncert që realizonte pas sëmundjes. Edhe pse në vitin 1993, u godit sërish nga sëmundja nuk hoqi dorë nga realizimi i diskut "Delfini" së bashku me djalin, Massimo. Vdiq në shtëpinë e tij në Lampedusa në vitin 1994, i lodhur dhe i goditur papritur nga një tjetër atak fatal.

Pas vdekjes

Këngët e tij të njohura ndodhen në tregun muzikor, si në vendin e tij të lindjes, ashtu edhe në vendet e huaja. Në vitet 2000 artisti Modugno risillet në ditët e sotme me kujdesin dhe përkushtimin e veçantë të Minës dhe Radiodervish: Mina ka publikuar në vitin 2001 një album me titullin ‘Sconcerto’, ku përmblidheshin 11 këngë të suksesshme të Domenico Modugno. Ndërsa Radiodervish, realizojnë një spektakël të suksesshëm me aktorin Giuseppe Battiston, duke shfaqur tema si migracioni fizik dhe shpirtëror. Spektakli është zhvilluar në Amara Terra Mia dhe përmban dy versione klasike të Modugno, regjistrimin ‘live’ të spektaklit me Giuseppe Battiston dhe videon e "Amara Terra Mia" të Franco Battiato.

Të rejat e këtij viti

Në datën 3 shtator në orën 20 e 30 në Pontenure, provincë e Piacenza, zhvillohet një manifestim i madh me pjesëmarrjen e disa bandave muzikore për inaugurimin e Rrugës ‘Domenico Modugno’, dhe në orën 21 vazhdoi mbrëmja muzikore me Gianni Schicchi dhe Dario Gelera që kënduan këngë të Modugnos.

Korrik 2007
Në datën 5 korrik 2007 në orën 12.00 në një televizion italian transmetohet një intervistë e Gino Castaldo në lidhje me 50 vjetorin e shkrimit të këngës së Domenico Modugno, "Nel blu dipinto di blu". Në këtë emision morri pjesë edhe bashkëshortja Franca, e cila shfaqi në studio objekte dhe video që i përkisnin familjes Modugno.

Korrik 2007
Për nder të këngëtarit të njohur italian u zhvillua në teatrin ‘Romano’ koncerti ‘Un uomo in frack’. Si në një koncert të vërtetë, mbrëmja nuk ka pasur drejtues. E vetmja protagoniste ishte muzika e Modugno, e propozuar në versione të reja arenxhimi me një orkestër të përbërë nga 28 pjesëtar, nën drejtimin e kompozitorit dhe aranxhuesit Roberto Colombo. Në skenë ishin të ftuar nderi artistë që kishin bashkëpunuar me Modugnon, si Franco Migliacci (bashkëpunëtor i këngës ‘Nel blu dipinto di blu’), Johnny Dorelli, Gigliola Cinquetti, Enrica Bonaccorti. Këndimi i këngëve të tij, të lënë mbresat e një koncerti të madh popullor. Por, ky nuk ishte vetëm një koncert, por edhe një spektakël i madh viziv. Në një skenë të madhe përballë artistëve u shfaqën imazhe, foto dhe video. Janë mëse të nevojshme për të kompletuar aktivitetin e një artisti, që ka punuar si aktor me Eduardo De Filippo, ka xhiruar më tepër sesa 50 filma, ka interpretuar për regjisorë me emër si Pier Paolo Pasolini, dhe ka qenë i pazëvendësueshëm në interpretimin e komedive muzikore të Garinei dhe Giovannini.  Disa këngë të tij janë gjallë në koreografinë origjinale të koreografit Mvula Sungani.

Nipi i Modugnos rrëfehet
 
Në Polignano janë të shumta familjet me mbiemrin Modugno, dhe kjo gjë shpjegon më së miri faktin pse banorët janë kaq të interesuar për fëmijën e tyre më të famshëm Domenico Modugno. Një prej nipërve të tij rrëfehet në një të përditshme italiane kohë më parë. “Është një ndjenjë tepër e bukur, sidomos kur udhëton në perëndim dhe shpesh herë dëgjon nëpër radio, apo nëpër lokale, kitaristë të ndryshëm, që luajnë këngë të krijuara nga ai”. Në lidhje me mohimin e origjinës për disa kohë nga Domenico, nipi përgjigjet, se e vërteta nuk është se e ka mohuar, por kanë qenë të shumta problemet e lidhura me ‘miqtë’ e kohës së tij. Në jetën private çfarë personi ishte? "Një person i zoti, edhe pse ishte një njeri i suksesshëm, ishte dhe një person tepër i ndjeshëm, me pak fjalë tepër i mirë".

« ...unë kam nevojë për ty, siç ka barka nevojë për detin që të ec,
Siç ka pranvera nevojë për diellin që të çelin lulet, flutura për një lule
fëmija për një dorë që e shoqëron,
qeni për një pronar, flladi për erën, dhe unë për ty,
gjithnjë pranë meje në çdo moment të jetës... »
(Domenico Modugno, ‘Come hai fatto’)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora