E hene, 14.10.2024, 04:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Altin Goci, klipet shqiptare mund të krahasohen me pornografinë…

E premte, 12.10.2007, 10:40 PM


Së shpejti me një klip të ri, ku do ketë një sinkronizim mes këngës dhe xhirimeve

Nga Leontina Nika

Muzika për kantautorin Altin Goci nuk është një fragment i shkëputur kuturu, por ajri që ka ushqyer me profesionalizëm vitet e karrierës së tij artistike. Megjithëse tregun muzikor e cilëson “zeher” dhe të çorientuar pa limit, përsëri ai ka ndërtuar ca parime me veten, karshi të dashurës muzikë. Ruajtja nga mospërfshirja në komercializmin e shëmtuar të turmës. Secili prej nesh është i ndërgjegjshëm, pasi dëgjon me kënaqësi këngët e tij, të cilat vlerësohen për profesionalizëm. Në këtë intervistë Goci shpalos pjesëmarrjen në MIA 2007, si dhe nostalgjitë dhe projektet e tij me të fundit në lidhje me muzikën…

Ju jeni pjesë e Mikrofonit të Artë, çfarë mund të na thoni diçka konkretisht për këtë eveniment muzikor?

Është edicioni i tretë që marr pjesë. Për herë të parë kam marrë pjesë në themelimin e këtij evenimenti. Të dytin në vitin 2004, ku mori çmim miku im Redi për tekstin më të mirë. Shpresoj se kemi bërë diçka të bukur dhe njerëzit ta pëlqejnë. Nuk më pëlqen që të flas vetëm për veten time, sepse u bë një kohë e gjatë që jam në skenë. Jam partizan i të rinjve, është një lançim shumë i mirë për brezin e ri. Përmes këtij evenimenti muzikor ata kanë mundësi të evidentohen, por kuptohet që koha i selekton më të mirët dhe them se është matësi më i mire për çdo artist.

Me çfarë do përfaqësoheni konkretisht në MIA?

Është një këngë nga albumi im, tip balade. Konkretisht fabula është për një djalë dhe një vajzë. Djali ka takuar diku një vajzë që i ka mbetur në mendje dhe aludon me vetvete në mënyrë imagjinare. Këngën e kam krijuar vetë në të gjithë komponentët, përveç tekstit që e ka shkruar Redi Xhuzi.

Tekstet dhe këngët tuaja janë të fokusuara tek dashuria apo…

Jo vetëm aty, unë jam i fokusuar në linjën e dashurisë. Kuptohet që dashuria është ndjenja që i ngacmon të gjithë. Por këngët e mia janë të fokusuara edhe në fragmente të jetës sociale që ne jetojmë, si p.sh kënga”Albanian life” që është një ndër këngët e mia të preferuara, e cila flet për jetën e shqiptarëve në përgjithësi. “Katastrofa” ka si subjekt jetën e natës.

Projektet tuaja më të afërta në fushën e muzikës?

Për momentin jam duke punuar me materiale të cilat i kam drejt fundit dhe së shpejti do të nxjerr dhe një klip ( nuk ma zë shumë goja), sepse ka filluar kjo videoklipo-mania. Në momentin që shqiptohet fjala videoklip, të bënë të përfytyrosh ca femra të bukura dhe për fat të keq të zhveshura… Pra, pa një fabul të mirëfilltë, kjo më tmerron. Një pjesë të madhe të kripit, është e sigurt që ia kam besuar ideve të mia.

Pse jeni kaq skeptik në lidhje me videoklipet?

Po jam vërtet në një lloj forme skeptik, sepse ka dal komercialiteti për fushë edhe në botë ndodh një gjë e tillë, por ka një limit. Ndërsa te ne funksionon ndryshe, mjafton të nxjerrësh tre femra të zhveshura dhe klipi u bë. Mua më lë përshtypjen e një pornografie ky fenomen. Edhe jashtë ka klipe të tilla, por kanë një orar të caktuar pas orës 23 00. Dhe le të ketë një shënim ndalohet për filan moshë, siç ndodh në gjithë botën.

Klipi juaj e kuptuam do të jetë ndryshe?

Pa diskutim më pëlqen të shpalos idenë, përmes profesionalizmit dhe etikës.

Çfarë është muzika për ju?

Unë do ta vendos muzikën në këtë trajtë… është diskutim shumë i madh. Por për mua është ajri që thith.

Realiteti shqiptar i muzikës është i hidhur dhe për më tepër tregu muzikor është tërësisht i çoroditur. Ju çmendim keni për këtë situatë kaotike?

Jo i hidhur, por zeher. Është fakt se muzikën këtu e dikton tregu, shtëpia diskografike… dhe kjo e fundit merr atë që tregu do, guston e tregut. Tregu muzikor…këtu përsëri dua t’i referohem shtëpive diskografike jashtë… jo në Bullgari, se janë edhe më keq se ne, sepse të gjithë kampin e lindjes po i merr në qafë turbo-folku. Ndërsa në vendet e perëndimit ekzistojnë shtëpi diskografike të cilat janë “kupol”, që drejtojnë muzikën, janë kompetentët profesional, dhe ashtu siç edhe moda, kinemaja që diktojnë shijet. P.sh metali ishte në vitet 80-të në kulmin e vetë dhe njerëzit thoshin: “U lodhëm me flokët e gjatë, eja të ndryshojmë stilin.” Njerëzit marrin atë që ofrojnë shtëpitë diskografike, kompetentët. Populli nuk është e vërtet se pëlqen muzikën e rëndomtë, por duke pompuar këtë lloj muzike edhe populli detyrimisht kultivohet me këtë lloj muzike dhe në këtë sens ecin gjërat jo në linjën e duhur. Mungon vullneti dhe dëshira e mirë për të bërë diçka të bukur… ecin me atë parimin të fitoj sa të fitohet, por fitohet edhe ndryshe. Megjithatë meqenëse edhe gjërat e tjera nuk është se janë në linjën e duhur në Shqipëri, atëherë edhe muzika do të ishte një budallallëk nëse do të ecte në kah pozitiv.

Mendoni se ka muzikant që edhe pse ekziston kjo çoroditje nuk ka rënë preh e komercializmit?

Janë shumë pak, sa i merr rrjedha e keqe e tyre. Është një përqindje që nuk ngre peshë përballë atij mali të madh pseudokëngëtarësh.

Ka raste që edhe kompozitor shumë të njohur krijojnë këngë për këto këngëtarë. Ju si mendoni?

Në këto kohë që jetojmë paraja i ka zhveshur të gjithë. Unë kam disa parime të cilat nuk i kam shkelur dhe nuk i shkel sa të jem gjallë. Muzika është një diçka që e bën për qejfin tënd, vërtet le të marrësh edhe një fitim prej saj, por jo deri në këtë degjenerim.

Ju si keni arritur t’i gërshetoni komercializmin dhe profesionalizmin?
 
Kjo varet edhe nga materiali që t’i krijon…sa i ngjitshëm është për njerëzit. Flas për daljen time solo pas grupit. Kënga “Me ty kaq pranë” tip alternative, megjithë klipin arriti të kishte efekt tek njerëzit. Këtë e kam vënë re edhe në vendit që këndoj live, ku në momentin sa nisin akordet njerëzit e kuptojnë dhe fillojnë ta këndojnë dhe kërcejnë. Dhe ja që paska edhe një fije shprese për pakicën. Ka plot që krijojnë dhe janë strukur si puna ime, sepse kanë dalë këto pseudokëngëtarët.

Ju keni bërë turne në vende të ndryshme. Ka ndonjë vend që veçoni?

Turnet e mirëfillta i kam bërë me grupin, ka qenë dhe kohë tjetër. Dhe çdo lloj koncerti që kemi bërë me grupin sinqerisht ka qenë i mahnitshëm. Dhe grupi ishte në kulmin e tij në atë periudhë.

Keni nostalgji për grupin?

Nostalgji pa diskutim që po. Do isha shumë i keq të thosha që jo.

Keni menduar të keni ndonjë bashkëpunim, qoftë edhe vetëm për një këngë të vetme?

Për momentin jo, sepse ndihem mirë kështu siç jam… nuk dua ti hyj halleve…(qesh). Sepse grupi ka të mirat dhe të këqijat e veta. Nuk i dihet më vonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora