Mendime
Leka Dosti: Kristo Frashëri mbron krimin dhe padrejtësinë
E hene, 10.08.2009, 06:28 PM
![]() |
Kristo Frashëri |
Nga Leka Dosti
Në polemikën me Ledi Shamkun, Kristo Frashëri përmend si kolaboracionist me pushtuesin italian edhe Hasan Dostin. Si i moshuar këshilloni kujdes e prudencë, kur shkruhet, por përshtypja ime është se ju vetë nuk i përmbaheni sa duhet kësaj këshille. Kam po kështu përshtypjen se në këtë polemikë të transformuar keq, më tepër se zbatimi rigoroz i kritereve shkencore të historisë e gjykimit të rreptë të saj, bie në sy natyra hidhnake e juaja, sado që mundoheni të paraqiteni indulgjent.
Po hyj në thelb të çështjes duke filluar “me parimin e njohur e të pranuar universalisht se aktorët dhe faktorët politikë duhen gjykuar sipas situatës ku ato kanë ndodhur dhe jo sipas ligjeve apo koncepteve të mëvonshme”. Jam dakord me këtë dhe po shtoj se duhet njohur mirë edhe natyra e aktorëve, kështu që mund të shpjegohet realisht e më saktë veprimtaria e tyre brenda faktorëve politikë e situatave ku ato kanë ndodhur. Në Shqipëri, në një situatë të caktuar historike, ndodhi që personazhe të njohur kanë vepruar në dobi e në të mirë të saj, edhe pse shërbyen, në kohën e sundimit osman, në administratën e lartë të saj. Fatalisht, brenda një kohe të shkurtër, në një komb me shtet të sapoformuar si ky i yni, megjithëse në një etapë të re të zhvillimeve të ngjarjeve mendoj se u përsërit e njëjta situatë.
Në këtë këndvështrim, aspak për alibi, po vij konkretisht tek im atë. Hasan Dosti, me sugjerimin e miqve, pranoi për një kohë fare të shkurtër të bëhej ministër i Drejtësisë, kur Shqipëria ishte nën okupacionin italian. Ai e pranoi këtë post, pa u nënshtruar për ta lehtësuar sadopak okupacionin e për t’i shërbyer sa të ishte e mundur vendit. Ky veprim u shfrytëzua djallëzisht nga kundërshtarët komunistë shqiptarë, ndërsa vetë ata iu nënshtruan totalisht emisarëve serbë e duke iu shërbyer atyre me një servilizëm të pashoq, u bënë thika pas shpine e Shqipërisë. E ju, në mënyrë të papërshtatshme për nivelin që keni, vijoni ta shikoni atë me syze të kuqe.
Po pranoj për një çast duke toleruar se mund të gjykoni në politikë si puritan, pavarësisht sa mund të jeni ju vërtet i tillë, atëherë a e keni parasysh Omer Nishanin, kryetarin e ardhshëm të shtetit, kur në Prill të vitit 1940, në gazetën “Tomori” pohon se, Shqipëria e mjeruar nën thundrën e Ahmet Zogut shpëton e lulëzon në suazën e perandorisë romake themeluar nga Duçja”?! Po bashkëpunimin e “Heroit të Popullit” të Myslym Pezës me kryeministrin kuisling, Ibrahim Biçaku, për ndihma në armë e të tjera (dëshmi në mbrojtje të këtij 1945, Kahreman Ylli, sekretar politik i qarkorit komunist të Beratit, pas kish qenë anëtar i direktoratit fashist të Kukësit (Kongresi i dytë i PPSH 1952)? Mund të përmend shembuj të tjerë, të njohur e të panjohur për publikun, por nuk dua të zgjatem.
Me këtë rast, sinqerisht i kërkoj ndjesë ndonjë të afërmi të këtyre personave se nuk ka aspak keqdashësi nga ana ime, po jam i detyruar në këtë ballafaqim me zotin Frashëri.
Po kthehem tek im atë. Ky “kolaboracionist”, kështu i cilësuar qëllimisht, dha dorëheqjen e kundërshtoi zbatimin e ligjit e të vendimit të Gjykatës Ushtarake italiane. Ai mundi të shpëtojë nga vdekja komunistët Hasan Reçi e Sinan Gjoni, të cilët, për ironi tragjike, nga vetë komunistët në Shqipërinë e çliruar, dënohen me vdekje të akuzuar si agjentë anglo-amerikanë. A e besoni këtë, profesor, sidomos për shokun tuaj të çmuar, Hasan Reçin? Kjo akuzë në mënyrë absurde e komiko-tragjike u përgjithësua më vonë nga Enver Hoxha si tradhtarë e si spiunë të imperializmit e revizionizmit edhe për bashkëpunëtorët më të afërm të tij.
Po ju kujtoj, z. Frashëri, se H .Dosti si i dorëhequr, nuk ka qenë ministër, kur janë vrarë Jordan Misja e Perlat Rexhepi (Qershor 1942), as kur është vrarë Qemal Stafa (5 Maj 1942). Duke toleruar për një çast dufin dhe mllefin tuaj po ia lë pleqërisë këtë ngatërresë datash.
Unë i çmoj këta dëshmorë për aktin e tyre, por kam parasysh se e dhanë jetën, jo vetëm për ideal kombëtar, por bashkuar ky me idealin e komunizmit. Qemal Stafa ka qenë një nga themeluesit e PKSH dhe anëtar qendror.
Ky, e si ky, luftëtarë e dëshmorë të tjerë shpresën e sytë i kishin nga Moska.
Sejfulla Malëshova, teoricieni i komunistëve shqiptarë, në një nga poezitë e tij “Bombë e flamur” i ekzaltuar i drejtohet Kremlinit: “Si yll i karvanit rri Kremlini/ Dhe drita që lëshon po vjen gjer te Shkumbini”. Buçisnin këngët “Eja, eja Timoshenko…..”, “Bijtë e Stalinit jemi ne që derdhim gjakun në çdo anë; himni “Internacionalja”, e deri te kënga tërheqëse “Lili Marlen” e ushtarit gjerman të Luftës së Parë Botërore, “in voga” në Luftën e Dytë, përshtatur me fjalët që donte momenti: “Ylli i kuq si zjarri errësirën çan e botës proletare dritën shpërndan.”
Prandaj, duke ditur e kuptuar mirë joshjen e besimin naiv ndaj ideologjisë komuniste, infiltruar e përzier me patriotizmin, im atë bashkë me miqtë dhe bashkëpunëtorët e vet ishin kundër ndëshkimit se i konsideronin fëmijë e vëllezër të çoroditur, edhe kur terrori komunist në Shqipëri u shfaq e mori proporcione tragjike. E shkuan kot përpjekjet për t’u derdhur sa më pak gjak shqiptar, pse ky rrodhi lumë e mizorisht kur në Shqipëri u vendos dhe sundoi diktatura.
Me ç’konstatoj, jo aq si historian, por prej natyre i ngushtë, i prirur për të menduar keq për tjetrin, e të shfrytëzoj rastin për ta denigruar atë e në inatin e vrerosur ndaj Mërgim Korçës, zoti Kristo, në mënyrë krejt absurde e me logjikë çapraze, tenton t’i mbushë mendjen lexuesit, kur shprehet se bashkëpunimi i kolaboracionistëve “nuk ka krahasim me bashkëpunimin e Ahmet Zogut me Italinë fashiste, as me bashkëpunimin e Enver Hoxhës me Jugosllavinë titiste, mbasi as Italia, as Jugosllavia nuk e kishin pushtuar Shqipërinë, as në kohën e Zogut, as në kohën e Enver Hoxhës”. Vërtet habitem me këtë absurditet qesharak të profesorit.
Tito s’kishte nevojë të pushtonte Shqipërinë si Musolini. Ai me marifet, me anën e të dërguarve Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, që gjatë luftës e përgatiti terrenin dhe ç’kishte lënë mangët gjatë luftës e plotësoi pas saj: nënshtrim total deri aty sa u bënë orvatje konkrete që në suazën e Federatës Jugosllave që Shqipëria zyrtarisht të ishte Republikë e shtatë e saj, me Sekretar të Përgjithshëm të partisë Titon.
Çfarë nuk ka të përbashkët këtu me dorëzimin e kurorës së Skënderbeut dinastisë së Savojës? Meqenëse erdhi radha te Skënderbeu, m’u kujtua se si sllavizmi Tito-Rankoviç për të ulur vlerat tona kombëtare fliste tinëzisht nën zë përmes marionetave të regjimit se “fundi i fundit, udhëheqës feudalësh është Skënderbeu”, paçka se ruhej vlerësim deri në mit e shenjtërim i personazheve të historisë serbe të së njëjtës periudhë të feudalizmit.
Çudi e madhe se si ky profesor i historisë, gjurmues dhe interpretues faktesh e ngjarjesh, nuk ka parasysh apo bën sikur nuk sheh, se në Shqipërinë e papushtuar nga Tito terrori shtetëror është ushtruar më egërsisht se në gjithë periudhën komuniste, burgosje, vdekje nga torturat çnjerëzore, varje, internime në masë në kampet e tmerrshme të punës në këneta e kanale, ku të burgosurit e mjerë trajtoheshin më keq se skllevërit e faraonëve, krimet e operacioneve pastruese dhe ndëshkuese në veri të Shqipërisë nga njësitë e divizionit të mbrojtjes së popullit, masakra e kosovarëve në Tivar. Të gjitha këto në numër dhe në masë janë shumë më tepër krahasuar me pushtimet italo-gjermane.
Rezulton kështu se një regjim që shtyp popullin e vet, e sundon me terror dhe duke pasur mbi krye armikun shekullor, i cili nuk ka nevojë për tanke që ta pushtojë, është më i keq se okupacioni. Shqipëria është një shembull klasik. Zoti Frashëri, mos bëni të paditurin!
Për periudhën e Titos, të cilën e kam përjetuar në adoleshencën time, fola në përgjithësi e përmbledhtas. Asgjë në krahasim me ç’tregohet në librat me materiale të Drejtorisë së Përgjithshme të Arshivave, me titull: “Politika Antikombëtare e Enver Hoxhës”- Plenumi i dytë i KQ të PPSH, Berat 23-27 nëntor 1944 - dhe “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948” - Dokumente.
Plot monstruozitete dhe palaçollëqe!
Me siguri i keni lexuar. Ndoshta jo deri në fund, se mund të të jenë vrarë sytë nga ndriçimi i fakteve, ndonëse i keni ditur, mbasi i keni pasur të hapura dyert e arshivave deri ato të betontat e tuneleve.
Ndërsa zoti Kristo nuk kursen fjalët kundër “kolaboracionistëve shqiptarë të rreshtuar në bllokun gjermano-italian” që përfaqësonte agresionin e robërinë, kundër kampit antifashist që përfaqësonte çlirimin dhe demokracinë, fut në këtë kamp edhe Bashkimin Sovjetik. Eviton dhe hesht për traktatin djallëzor “Molotov-Ribentrop” të mos-sulmimit në vigjilje të luftës - gusht 1939. Kur kjo shpërthen dhe gjermania sulmon Francën - qershor 1940, Stalini urdhëron Moris Torezin, shefin e komunistëve francezë, nga Moska t’u bëjë thirrje francezëve që të mos luftojnë kundër gjermanëve, pasi kjo është luftë midis shteteve kapitaliste. Sa pa u sulmuar Bashkimi Sovjetik nga Gjermania, kjo nuk ishte agresore, por mike, dhe si e tillë Bashkimi Sovjetik furnizonte me lëndë strategjike Vermahtin e Hitlerit, të cilin në gostinë e firmosjes së traktatit, Stalini në dollinë përshëndetëse thotë: “Unë e di sa shumë e do populli gjerman Fyhrerin” dhe Ribentropi po këtu në përshëndetje: “Ndjehem se jam mes shokësh të vjetër partie dhe jam rehat në Kremlin si mes shokësh të vjetër nazistë” (Nga libri “Modern Times” 1983 me autor Paul Johnson.
Por profesorit nuk i vjen mbarë t’i përmendë këto, kur fut Bashkimin Sovjetik në kampin që lufton për çlirimin e popujve. Si mund të quhet çlirimtar Bashkimi Sovjetik, kur me pretekstin e luftës kundër Gjermanisë naziste, me armatat e tij zëvendësoi pushtimin gjerman të Evropës Lindore, duke mbuluar pushtimin e ri me qeveritarë vasalë të Moskës? Në Poloni fare hapur: Mareshalli Rokosovskij kryeministër. Pas luftës, kur Shqipëria ndrydhet prapa perdes së hekurt, më thoni profesor në ç’kamp rreshtohet Shqipëria?
Po e konsideroj lapsus të pleqërisë së profesorit, në gabimin me datën 1945 të grevës së urisë të Xhevat Korçës (data e saktë është 1959), por nuk i lejohet gabimi trashanik, kur thotë se në këtë kohë Enver Hoxha nuk është bërë ende diktator, se u paska dashur gjyqi i deputetëve 1947 për t’iu mbushur mendja profesorit që ai na qenka bërë diktator. E keni pohuar vetë në një shkrim këtë datë.
Meqenëse ky paragraf fillon me të ndjerin Xhevat Korça, më vjen rasti të them se këtë e kam njohur personalisht në burgun e Burrelit. Ruaj për këtë kujtim të mirë dhe respekt të merituar. Xhevat Korça, jo vetëm tek unë, si mjaft i ri, kur e njoha, por edhe në burra të moshuar seriozë dhe të ndershëm, gëzonte respekt si atdhetar, i ndershëm, korrekt dhe me karakter të vendosur, provuar burrërisht me grevën e urisë. Ja arsyeja pse Mërgim Korça nuk ka pse të turpërohet.
Jam mjaft i moshuar. Një pjesë të madhe të jetës, i detyruar, kam jetuar me shumë njerëz të natyrave nga më të ndryshmet dhe në kushte të tilla, ku njeriu është vërtet në eksperiment. Eksperienca më ka përforcuar idenë, parashtruar në fillim të këtij shkrimi, se për të vlerësuar individin, ky duhet njohur mirë, në tërësinë e personalitetit e të rrethanave për të kuptuar e shpjeguar objektivisht, pa tendenciozitet, sjelljet dhe veprimet e tij. Kështu që, kur pohoni se për vlerësime s’ka receta të prera, pasi të kujtoni aforizmin “Doktor, kuro veten”, jepeni recetën të saktë.
Përsëri me tim atë. Hasan Dosti, si individ dhe person politik, “i njohur në opinionin publik si jurist patriot, me pikëpamje demokratike, madje edhe si antifashist” - me këtë shkëputje nga një shkrim i juaj, nuk abuzoj se këto veti i ka pasur dhe ruajtur tërë jetën e nuk i humbi pse u bë ministër. I çmuar gjithmonë për këto vlera të pahumbura e si person me prestigj politik në opinionin e shëndoshë publik shqiptar, me aprovimin e vetë përfaqësuesve të lartë të PPSH dhe të Frontit Nacionalçlirimtar, Hasan Dosti u zgjodh unanimisht kryetar i “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë” në mbledhjen e Mukjes -Gusht 1943, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi. Pikërisht për këto vlera, jashtë atdheut, pas vdekjes së patriotit të shquar Mid’hat Frashëri, zgjidhet Kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Ky komitet përfaqësonte bashkimin e rrymave politike shqiptare nacionaliste dhe antikomuniste që punonin për çështjen shqiptare në botën e lirë demokratike. Në këtë detyrë ky ka qenë i njohur e vlerësuar në qarqet politike të kësaj bote - Komiteti Evropa e Lirë - si dhe në personalitetet e emigracionit antikomunist të Evropës Lindore, në kuadrin e “Komitetit të Kombeve Evropiane të Robëruara”, ku përfaqësonte kombin e vetë të robëruar. Ky komitet, si mbrojtës i të drejtave të këtyre, me njohje dhe reputacion ndërkombëtar, veçanërisht në SHBA, u përkujtua nga presidenti Obama, me rastin e 55 vjetorit të themelimit - shtator 1954.
Hasan Dosti ka qenë një nga themeluesit dhe drejtuesit e organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar, formacion politik ky me frymëzim patriotik dhe me iniciativë krejtësisht kombëtare, trashëgimtar i vlerave kombëtare, mishëruar me parimet universale të lirisë, demokracisë dhe të së drejtës.
Pavarësisht zhvillimeve të komplikuara dhe dramatike të luftës, në thelb kauza e drejtë e Ballit Kombëtar u rezistoi këtyre dhe realisht koha i dha të drejtë, jo vetëm për programin politiko-shoqëror, me orientim nga qytetërimi evropian, ku synohet sot, por edhe në çështjen më kritike: U vërtetua ashtu se kjo organizatë u mundua t’ua bënte të njohur të gjithëve që Partia Komuniste Shqiptare është krijuar dhe drejtuar nga të huajt, vegël e bindur e sllavo komunistëve, me program antikombëtar dhe kriminal. U vërtetua gjithashtu se komunizmi është e keqja dhe rreziku më i madh që i kërcënohej Shqipërisë.
Balli Kombëtar u përpoq t’ua bënte të qartë kujtdo, sidomos të rinjve, se komunizmi si doktrinë dhe ideologji, është krejtësisht i gabuar dhe kundër zhvillimit natyral të shoqërisë njerëzore. Koha prapë vërtetoi se kjo ideologji dështoi me shtetin e shoqërinë ndërtuar mbi këtë ideologji: sistemi socialist u shemb vetë si një godinë pa themel. Ç’ka fola në përgjithësi për individin dhe aktivitetin e Hasan Dostit, nuk është retorikë apologjike.
Në përfundim, megjithëse nuk më përmendni personalisht, zoti Kristo, prapë kam arsye t’ju them se si djalë i një prindi të etiketuar padrejtësisht dhe qëllimisht si kolaboracionist, nuk kam pse të turpërohem, si ju akoma me një mentalitet komunist të luftës së klasave pretendoni që të jemi. Përkundrazi, ndjehem i qetë, bile i kënaqur se jam djali i tij. Im atë më la fëmijë, sa pata mbaruar shkollën fillore, e megjithëse ende në moshë të njomë, pikasa te ai disa cilësi të vyera, me të cilat si rrënjë, duke u rritur, formova dhe forcova vetëdijen për të çmuar të drejtën dhe të ndershmen dhe si çdo individ i zakonshëm, pa ndonjë meritë të veçantë, e jetova jetën ashtu si më erdhi: me mundime e privacione, imponuar dhunshëm dhe egërsisht nga ai regjim, më detyroni t’ju a them, juve si historian duke i bërë garniturën i mbuluat krimin dhe padrejtësinë. Do të ndjeja një peng po të isha djali i një historiani si ju, i cili, pasi pagoi 250 lekë për të blerë tutiusin, kyçi gojën, i tulatur, pa respektuar kriteret shkencore, pa respektuar as veten e shkroi historinë ashtu si desh Enveri. Moralisht pagove çmim shumë më të lartë se 250 lekë.
“Mea culpa”, profesor!
Komentoni
Artikuj te tjere
Martin Leka: Çmimi i lartë ndaj krimit
Agustin Gjinaj: Zoti Nishani, qëlloni në shenjë
Alfred Papuçiu: Mesazh human i Presidentit të nderuar të SHBA, Barak Obama
Arif Molliqi: Qytetarët e botës ose kosmopolitët
Selim Hasanaj: Nga viti në vit në Dardani keq e ma keq
Adnan Abrashi: Kryesorja është se ja nisi...?!
Mërgimi, feja, lufta dhe dashuria (Korrespondencë private me vlera kombëtare)
Milazim Kadriu: Komunikatë e Ballit Kombëtar të Kosovës
Agim Vuniqi: Premtime të sigurta "dushk për gogla"
Lavdrim Lita: Luftë kundër krimit dhe kriminelëve
Isa Mulaj: Gruaja e kujt është Jeta Xharra dhe sa gra i ka?
Selim Hasanaj: Llava e ujqve në Kershin e Golakut dhe altoparlantet e minareve
Agim Vuniqi: Heroi i Republikës së Kosovës është George W. Bush
Ago Nezha: HomoDemokracia
Albert Zholi: Pasion për Shqipërinë dhe për shqiptarët
Flet Sonilda Hoti, nxënësja nga Mamurasi që tashmë është emigrante në Itali
Agim Vuniqi: Shteti i asfaltuar
Xhevat Rexhaj: Realitet i dhimbshëm
Alfred Papuçiu: Letër dërguar Presidentit amerikan, Barak Obama
Agim Vuniqi: Rrnoftë Enveri, rrnoftë Zymeri