E enjte, 01.05.2025, 08:51 PM (GMT+1)

Mendime

Agim Vuniqi: Shteti i asfaltuar

E shtune, 08.08.2009, 09:48 AM


Shteti i asfaltuar

Nga Agim Vuniqi

A ka diçka në veçanti që të lënë ndonjë mbresë gjate këtyre 6 muajve të qeverisjes Thaçi? Po! Festa e pavarësisë. Shumë fishekzjarrë, tubim njerëzish dhe fytyra të gëzuara, për atë festat janë të veçanta. Gëzimi zgjati aq, derisa nuk u ndal rryma. Prapë riciklim i orarit dhe plane, jo i të ardhmes, por i shkurtimeve, dhe prapë lexim shkronjash në abetare A, B, C...

Me aq u përmbush premtimi për rrugën drejt të ardhmes, sukseset filluan të numërohen si kolosale, asfalti i ri simbolizonte mirëqenien, qeveritarët vraponin pas prerjes së shiritave dhe kacive, shtrimi i dy tre kilometrave rrugë ishin momente që duhet të shënoheshin, edhe paparacët kishin punë, vrapim pas ngjarjeve ekstra të rëndësishme, turma njerëzish, shumë VIP persona dhe kacitë..., ato ishin simbol i punës qeveritare.

Nuk kishte gjë më të veçantë kur shiheshin qeveritarët sesa i merrnin këto punë po aq seriozisht sa edhe punëtorët e traseve të asfaltit, nuk di a kishin ndonjë interes të veçantë që rrugicat lokale të bëhen vendpunishte, vërtet ishin bë një qendër e rëndësishme e "punës shkencore dhe teknikës" prej së cilës do të ndryshojë Kosova. Se ç'do të ndodhë pas acarit dimëror dhe borës së lagshtë, mbetet të shihet, atëherë do t'ia mësojmë karakteristikat asfaltit, deri atëherë qytetarë do të presin me buzëqeshje të ngrirë, ndërsa investitorët-MTT dhe kryerësit e punëve me xhepa të fryrë.

Rasti i veçantë i ngazëllimit ishte edhe kur zemrat e ambasadorëve të Kosovës rrihnin pa masë, nuk kishte ndonjë ceremoni e rastit, ashtu siç bëjnë studentët kur i gjuajnë kapelat në ajër, në ceremoninë e diplomimit të studentëve. E ç'të duhet eksperienca e punës, diplomacia është zeje e komunikimit ndërshtetëror, diplomat çfarëdo qofshin ato janë të mjaftueshme, të gjithë ambasadorët janë duke kryer stazhin e praktikantit, me rëndësi është që po trajnohen, dhe përvetësimi i kësaj pune është kursi intensiv dy, tre javor.., si të mbahen lugët, pirunët.., gjatë të ushqyerit, shumë shpejt do të fisnikërohen sjelljet.

Puna ju qoftë e mbarë! Kujdes mos i përtypni kafshatat e mëdha se do t'ju fryhen faqet, ashtu si ato të mjeshtrit të kavallit, që gjatë ekzekutimit i rriten topthat në faqe të mbushura me ajër para zbrazjes dhe lirimit të zërit melodik.

Menduam se duhej bërë diçka simbolike për këta ambasadorë që po "diplomohen" shpejt. Besoj që për ta personalisht, dita kur do të veshin kostumin e ambasadorëve të parë të shtetit të Kosovës është dita me e bukur e jetës së tyre. Nuk e di si janë kah e provojnë atë ndjenjë? A është shënuar ai moment me intonimin e himnit kombëtar pa tekst, dhe ngritjen e flamurit me ngjyra të ndezura, a janë çu’ në këmbë në shenjë respekti? Me kohë veshi do të fitojë ndjenjën e muzikalitetit, ngase ende nuk po dallojmë himnin e ri nga himni zyrtar, apo ai i Kushtrimit.

Ai moment kur do të intonohet himni kombëtar-kosovar, jo të këndohet, kur për të gjithë ambasadorët e emëruar do të këmbehen kredencialet, kur të 10-ve, të gatshëm për t’u nderuar nuk do t'u lëvizë asnjë muskul në fytyrë, do të jetë ky padyshim moment solemn. Në mendje më shkon vetëm diçka: “Me këta ambasadorë, në dukje të pamotivuar, ne mund të bëjmë mrekullira”!

Ne jemi padyshim gjenerata më fatlume e Kosovës, jo më e mira. Edhe pse nuk kemi krijuar konturat e shtetit, jemi të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje me llupë të bashkësisë ndërkombëtare, me të drejtë. Shumica nuk e kanë idenë sa të gëzon ky fakt, por nxënësit në SHBA, viti i tretë i shkollave të mesme, do të mësojnë për shtetin e Kosovës dhe për luftën e UÇK-së, kjo është e mahnitëse, apo jo? Në programet më bashkëkohore dhe më të mira të historisë ka zënë vend Kosova sipas programit te shkollave të mesme në Michigan. Programi për historinë është diçka plotësisht e re, të mësohet për Kosovën, por edhe përmes fotografive nxënësit do të njoftohen me uniformën e UÇK-së, dhe po të njëjtit nxënës do të vijojnë universitetet më në zë të Amerikës. Gjithë pedagoget e shkollave të mesme të Michiganit do t'ua shpjegojnë më për së afërmi për atë që ngjau në Kosovë. Ky shënim historik i rëndësishëm për shqiptarët dhe UÇK-në, tash e tutje do të jetë pjesë e pandarë e literaturës amerikane-botërore.


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx