E hene, 29.04.2024, 08:47 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Kryesorja është se ja nisi...?!

E diele, 09.08.2009, 05:14 PM


KRYESORJA ËSHTË SE JA NISI...?!

Nga Adnan Abrashi

Në lidhje me propozimin aktual të anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Dana Rohrabaker, se e zgjidhja e vetme funksionale për stabilizimin e këtij rajoni ende të trazuar ballkanik do të ishte një shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, edhe përpos reagimeve të ashpra kundërthënëse të shfaqura këto ditë në opinion, këtë ide si opsion të mundshëm për zgjidhjen definitive dhe të qëndrueshme të çështjeve të hapura dhe të ndjeshme territoriale Kosovë-Serbi, nuk duhet marrë me nguti dhe me disponimin e dominuar nga politika ditore në ne dhe bindjet tona. Përkundrazi, posaçërisht ne shqiptarët si palë në këtë kontest, assesi nuk duhet të jemi të ashpër në kundërshtimin me çdo kusht të saj.

Kur them kështu, aspak nuk dua të ndikohem nga arsyeshmërija apo mosarsyeshmërija e qëndimeve logjike dhe aq të ngutshme dhe të zhurmshme, të shfaqura këto ditë në opinion rreth këtij opsioni si “pro et cotra”. Përkundrazi, me këtë rast, unë këtë ide të z. Rohrabaker, desha ta vështroj nga një kënd krejtësisht tjetër dhe mundësisht me një qasje më origjinale.

Në rend të parë, edhe pse jo e prezantuar në opinion si qëndrim zyrtar i SHBA-ve, vetë ideja si ide mbi shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në fakt si propozim, na vjen nga një politikan i lartë dhe tejet reputativ amerikan. Pa marrë parasysh se shumica do ta cilësojmë atë si një mendim dhe opinion personal dhe privat të tij, edhe pse në shikim të parë mund të na reflektohet ashtu, këtë argument si arsyetim, nuk duhet kuptuar bukvalisht. Sepse, dihet mirë se në prapakulisat e “kuzhinave të gatimit” të strategjive të politikave globale amerikane, gjithnjë ndodhin shumë veprime afatgjata parapërgatitore, të cilat, shpesh të shikuara nga distanca kohore, dhe të dominuar në bindje nga aktualiteti i politikave ditor, në fillim mund të na duken edhe si absurde dhe anakronike.

Se SHBA-të kanë interesa të veta strategjike dhe politike në Kosovë dhe përgjithësisht në këtë rajon, kjo më nuk ka aspak dyshim, por ky shtet këto interesa nuk i realizohen në terren ashtu, sikurse ne zakonisht mendojmë dhe sikurse ky konformizëm na është imponuar në praktikë. Amerikanët, çdo politikë dhe interes të tyre strategjik kudo në botë, parimisht e realizojnë duke i orientuar veprimet e veta operacionale në dy drejtime; e para: zakonisht publikisht reagojnë sipas situatës momentale që “at hock” e kërkon realiteti dominues i politikës aktuale ditore; dhe e dyta: si rrjedhojë kronologjike shumë më e ngadalshme se e para, duke u bazuar në një strategji analitike afatgjate globale më parë të përcaktuar si synim, amerikanët i koordinojnë veprimet e tyre “step bay step” (hap pas hapi).

Bazuar në qëndrimet zyrtare të gjertanishme rreth çështjes së Kosovë, politika amerikane dihet se çfarë drejtimi ka por, mënyrë e dytë si strategjia afatgjata analitike e veprimit, jo aq dihet, ose mund të thuhet se nuk dihet fare. Pra, është konspirative?!

Tanimë, edhe ne si kolektivitet, publikisht e pranojmë se Kosova, thuaja si shtet i pavarur dhe sovran sot, me të gjitha ato mangësi funksionale që i ka si krijesë “sui generis”, është produkt i investimit të madh kapital politik amerikan. Thënë shkurt e trup, falë miqësisë tonë të pashoq me këtë shtet të fuqishëm dhe me ndikim të madh në botë, sikurse është SHBA-ja, ne si popull dhe shtet, sot e kemi atë që e kemi dhe jemi aty ku jemi.

Pa dashur që më gjatë ta elaboroj këtë konstatim, desha që të jem më konkret duke prezantuar një shembull nga praktika e jonë: ta zëmë, në vitet e para të rezistencës tonë gjithpopullore kundra pushtimit të Serbisë, zakonisht të gjitha protestat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, gjithmonë, ato janë gjykuar zyrtarisht nga po kjo politikë ditore amerikane, por, nga ana tjetër, në favor të sensibilizimit të kërkesave tona të drejta popullore, mu kjo politikë, i kishte aktivizuar mediet më të fuqishme botërore, duke parapërgatitur sikur opinionin e vet, nga njëra anë, ashtu edhe atë botëror, nga ana tjetër, për veprimet e ardhshme strategjike që do t’i ndërmarri më vonë.

Vallë, a mos po ndodh ngjashëm edhe sot me këtë propozim të z. Dana Rohrabakerit, i cili, pa dyshim se jo rastësisht e hodhi në opinion një ide për të cilën gati të gjithë e kemi pasur në kokë si njërën prej opsioneve të mundshme që mund të priten të aplikohen nga diplomacia ndërkombëtare për zgjidhjen definitive të çështjes së Kosovës në raport me Serbinë, por, nuk kishim guxim, vullnet dhe dije që atë ta shpalosim haptas dhe me një bujë të madhe mediale sikur ndodhi ditëve të fundit me këtë ide. Kuptohet, kur konstatoj kështu si më lart, duhet them lavdi përjashtimeve! Sepse, që kur e ka themeluar Lëvizjen për Bashkim (LB), kryetari i saj, z. Avni Klinaku, kaherë ka deklaruar publikisht pikërisht mu atë që e ka thënë sot kongresisti amerikan Dana Rohrabaker.

Si ithtari i flaktë dhe optimist i papërmirësueshëm se në të largëtën shumë të afërt, populli shqiptar patjetër në mënyrë paqësore dhe pa luftë, do ta realizoj synimin e vetë historik që në këto hapësira të jetoj i bashkuar si një komb në një shtet unik, unë personalisht këtë ide të hedhur nga z. Dana Rohrabaker, e shoh si një shkëndi e parë, apo, më mirë me thanë, si një nisëm strategjik në drejtim të zbatimit gradual në praktik të një politike konspirative afatgjata analitike amerikane për Ballkanin, e cila, mbase është planifikuar që patjetër duhet të kaloj nëpër disa faza: e para, hedhja në opinion e idesë si ide e cila patjetër në fillim do të shkaktoj reagime të ashpra kundërthënëse nga të dy palët, por nga ana tjetër, në prapavijë, ajo do të kryej efektin e paraparë të krijimit të klimës detabuizuese në opinion, të dominuar si deri më tani përmes parimit global ndërkombëtar mbi pandryshueshmërinë e kufijve ekzistues në mes shteteve. Pas një fërkimi të ashpër të ideve kundërthënëse që do të lindin rreth kësaj çështjeje, patjetër do të lirohet nxehtësia (emocionet e caktuara), më tej, si fazë tjetër, do të pasoj një HESHTJE si harresë e cila do të zgjas një kohë.

Më vonë, ndoshta tani nga dikush tjetër po ashtu person autoritar ndërkombëtar, kjo ide sërish do të parashtrohet para opinionit. Por, në dallim nga hera e parë, këtë ide në këtë fazë nga opinioni, askush më nuk do ta trajtoj si absurde, anakronike, befasuese... por si një opsion dhe mundësi tanimë e njohur, të cilës duhet t’i qasemi me një urtësi dhe seriozitet me të shprehur politik. Më pas, para kushtëzimeve politike që detyrimisht do të pasojnë gjatë kontakteve ndërshtetërore ... ka mundësi ta hetojmë fillimin e ndonjë “diplomaci fluturuese” të cilës, pa dyshim, të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike më reputative botërore, do t’i japin një rëndësi të veçantë.

Ndoshta... nëse paralelisht do ta kërkoj nevoja praktike në terren, nga të dy anët e kufirit kontestues mund të ketë edhe ndonjë moment destablizues militar apo paramilitar të kurdisur...?!!

Andaj, si përmbydhje para mbarimit, kam një sugjerim për të gjithë: Në të ardhmen, edhe kur në lidhje me këtë propozim lexojmë në gazeta dhe dëgjojmë në lajme ditore, se: Sejdiu, Thaçi dhe Kuqi..., reagojnë si reaguan – duhet ta dimë se ata patjetër duhet të reagojnë ashtu; Edhe kur Tadiqi dhe Serbia zyrtare dhe jozyrtare reagon si reagon - edhe ata patjetër duhet të reagojnë ashtu...

E pra, të gjithë e dijmë dhe e pranojmë se, kështu si është nuk është kurrqysh, andaj, më kryesorja le të jetë që së paku ja nisi të eci diçka në këtë drejtim.

Unë personalisht, këtë lëvizje e shoh me optimizëm të madh ...?!


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora