E marte, 07.05.2024, 10:19 AM (GMT+1)

Mendime

Martin Leka: Çmimi i lartë ndaj krimit

E hene, 10.08.2009, 05:31 PM


Çmimi i lartë ndaj krimit

Nga Martin Leka

Ngjarja e bujshme e aksionit të policisë për kapjen dhe arrestimin e një super të kërkuari, ka ngjallur mjaft komente, opinione, dyshime, të cilat sigurisht nuk duhen anashkaluar, pavarësisht objektivitetit të tyre. Ndoshta për vetë natyrën e mprehtë, specifike, sekrete e profesionale, opinione lidhur me ngjarjen gjithnjë kanë në vetvete subjektivitetin gjer në dyshim. Në këtë suazë, askush nuk mund të absolutizojë të drejtën e tij në ato çka shpreh e aq më pak të abuzojë me këtë Kjo jo vetëm për arsyet që shprehëm më lart, por edhe për një arsye tjetër po kaq specifike: në këtë aksion të policisë, kanë dhënë jetën në krye të detyrës katër Dëshmorë të Atdheut dhe kjo duhet të bëjë këdo të jetë sa më i përgjegjshëm dhe sa më i drejtë, si obligim patriotik e njerëzor për ata që derdhën gjakun në emër të sigurisë së qytetarëve të vendit.  
Janë pikërisht këta, katër të rënët në krye të detyrës, të cilët i dhanë ngjarjes dhe aksionit të policisë përmasat e një ngjarje nga lokale në kombëtare. Këta katër qytetarë të ndershëm, katër oficerë profesionistë, katër trima, nuk patën kohë të tregonin për moralin, nuk patën kohë të tregonin për rrezikun e punës së tyre, nuk patën kohë as të ankoheshin, duke dhënë shembullin e fundit, më sublimin e jetës njerëzore duke dhënë jetën. Ata mund ta linin të ikte “prenë” siç ka ikur dhe shumë herë të tjera nga duart e kolegëve të tyre. Ata mund të refuzonin përballjen edhe pa e ditur ne, madje dhe eprorët ndoshta. Ata mund të dilnin në lirim dhe të mos rrezikonin. Por ata nuk bënë asnjërën nga këto. Ata ishin të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për rrezikun dhe sakrificën në emër të detyrës dhe në shërbim të qytetarëve. Për këto arsye ata meritojnë nderimin tonë të pafund!
Ajo që gëlon sot në opinionin mediatik sidomos e që domosdo përcillet edhe në opinione qytetare, janë disa nga pyetjet dhe hipotezat rreth ngjarjes, kur ende nuk është zbardhur skema e plotë e ngjarjes nga hetimi i specializuar. Ndër to janë disa si:
-A është dekonspiruar operacioni?
-Pse agjentët nuk kishin antiplumb?
-Pse nuk ishin forcat e ndërhyrjes së shpejtë?
-Kush urdhëroi operacionin? (Nuk e di dhe ende nuk e kuptoj se çdo të thotë kjo pyetje dhe kë duhet të sugjestionojë një pyetje e tillë, që ka të bëjë me urdhrin për një ndër më të kërkuarit për kapje e arrest në vend dhe nga Interpoli?!)
-Pse operacioni u zhvillua në zonë të banuar?
-Pse nuk pritën që krimineli të dilte nga makina, etj., etj.
Pas gjithë këtyre pyetjeve dhe në varësi të tyre, shprehen sigurisht edhe deduksione gjer në paragjykime gjer në orvatje për ta politizuar këtë ngjarje të dhimbshme. Pyetjeve të mësipërme askush nga ne nuk u jep dot përgjigje. Për faktin e thjeshtë se jemi të gjithë “injorantë” në këtë fushë specifike (Nuk e kam për gjë të them se unë jam i tillë në këtë fushë).
Por ajo që dua të prek me shqetësim është një lloj tendence gjer në abuzim, për ta konsideruar aksionin e policisë një dështim. Po a ishte i tillë? Për të qenë i sinqertë me veten, personalisht duhet bërë dallimi mes dështimit e “çmimit”. Aksioni nuk dështoi. Policia e arriti objektivin e kapjes dhe arrestimit të më të kërkuarit në vend. Por, çmimi ishte jashtëzakonisht i lartë. Dhe pikërisht ky çmim duhet të jetë pjesë e analizave nga strukturat e policisë, por edhe ato të politikës. Të politikës e politikanëve, të cilët më mirë se sa lotët në ceremoni të tilla të dhimbshme si ajo e varrimit të katër Dëshmorëve të Atdheut, duhet të “menaxhojnë” fjalorin e tyre në foltore publike, duke dhënë shfaqje të padenja e duke inkarajuar gjuhën e ashpër.
Krimi është kudo, jo vetëm tek ne, i sofistikuar dhe shpesh një hap para strukturave që e luftojnë atë, në disa aspekte. Pikërisht ky “avantazh” bën që edhe policia dhe strukturat e luftës kundër tij të paguajnë shpesh një çmim mjaft të lartë, si ky që paguan ata dhe të gjithë ne me vdekjen e katër prej tyre në aksionin e kapjes së një krimineli të rrezikshëm.
Ngjarje të tilla duhet të shërbejnë si shembull për të vendosur një pakt, një rregull, një konsesus të madh, nga politika, nga media, nga grupe të tjera interesi publik, në mënyrë që jeta e qytetarëve të bëhet më e sigurtë dhe të mos paguajmë luftën kundër krimit me kosto kaq të lartë.  


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora