E shtune, 27.04.2024, 09:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Probabilitet

E diele, 31.05.2009, 04:29 PM


Suzana Kuqi

Probabilitet

Lori ndjeu zilen e zgjimit e fill pas saj Erin që u çua. Boshllëku i tij në shtrat i shkaktoi ndjesinë e të ftohtit. E priste kapica e punëve para dasmës... Do të rrinte dhe ca, mbrëmjen e shkuar ishin kthyer vonë nga kazinoja... C'trill i kish kapur ashtu? Zaret që hidheshin... ftesat e dasmës të panisura... e bardha apo e zeza... andrenalina që rritej... e qeshura e Erit... filli i padukshëm por i pranishëm i probabilitetit... A nuk thonë se edhe martesa është një llotari..? Qepallat ju rënduan.

- o -

Udhëtonte me makinë. Nxitonte, as vetë nuk e dinte përse, në nxitim e sipër kish harruar arësyen që e bënte të nxitonte. Vetëm pasi e kaloi, u kujtua se duhej të ishte kthyer në kthesën që sapo kish lënë majtas. Po tani? Rruga me dy korsi, me vijën e bardhë në mes të pandërprerë... Sa keq, duhej ti binte rrotull disa kilometra për t'u kthyer sërish aty. Ndezi sinjalin dhe parkoi në anë të rrugës. E pse jo? E kish bërë edhe herë të tjera, mjaft të ishte e kujdesëshme e të priste momentin e duhur. Kontrolloi rrugën nga të dyja krahët. Trafiku ishte i dendur. Priti me këmbëngulje derisa trafiku u rrallua, makinat që vinin nga të dy anët e rrugës ishin larg, kish kohë të bënte manovrën. Ndezi sinjalin dhe u nis. E tmerruar u ndërgjegjësua se diçka po afrohej kobshëm në të majtë të saj. Një çift të rinjsh mbi një motorr. Kaçurrela vajze që dilnin nga kaska e vallëzonin me erën. Koha u step një çast, flokët lozanjarë ngrinë në ajër... Castin tjetër motorri u përplas pas derës së makinës, e cila mori formën e një panxhe të përbindëshme që e e goditi dhe kthetrat e saj i hynë thellë në shpatull e i depërtuan në krahëror... Ndjeu zhurmën e shurdhër të indeve tek çaheshin dhunshëm e krisjen e kockave që thërmoheshin e... dhimbjen që e la pa frymë. Ndërsa... si në një skenë që nuk i përkiste më kësaj bote, syu i kapi dy trupa të rinjsh që u ngritën ngadalë në ajër e... pas pak sekondash me një shpejtësi marramendëse u përplasën mbi asfaltin gri të anës tjetër të rrugës...

U çua ndenjur mbi shtrat. Nga dhoma tjetër vinte tingulli i ziles së telefonit. Kush ka nevojë merr sërish... Mbi ballë ndjeu buzët e Erit. Do të niseshin për pushime pas dasmës... Përse më shikon kështu Eri... ej Eri, kthehu, më jep dhe një të puthur...

- o -

Përsëri në makinë. Përsëri ajo kthesë që harroi ta merrte. Ndezi sinjalin dhe ndaloi. E njëjta skenë, i njëjti trafik, e njëjta pritje kokëfortë. Ja dhe dy makinat që duken nga larg. Ndezi sinjalin, u nis. Motorri, si predhë, vinte nga e majta e saj. Kaçurrela që lodronin e mbetën të ngrirë në ajër. Djaloshi u mundua të frenonte e ktheu timonin majtas. Por... përplasja ishte e pashmangëshme. Për një fije shmangu derën por nga përplasja u ça serbatori i motorrit dhe benzina u derdh jashtë me ngulçe në të gjitha drejtimet. U kujtua se kish lënë xhamin hapur kur ndjeu lëngun ti rrëshkiste flokëve, fytyrës, ti rridhte në qafë e në trup. Përpara se timoni i motorrit të takonte tokën, syri i kapi dy shkëndija që u shkëputën prej tij... Nuk pati kohe as të mendonte kur flakët e përpinë e përmes flakëve pa të flakëronin edhe dy trupat e të rinjve...

Përsëri zilja e telefonit. U ngrit ndenjur duke gulçuar. Edhe atë zile kish mangut. Falenderoi Zotin që ishte në ëndërr. Zilja le të binte, nuk ishte e zonja të ngrihej, trupi i dridhej i gjithi. Buzët e Erit mbi ballin e saj... Ej, Eri...

- o -

Radion që këndonte të njëjtën këngë. Përsëritej e përsëritej, ishte po e njëjta. Ja dhe kthesa që harroi ta merrte. Parkimi në të njëjtin vend. Pritja duruese dhe e padurueshme. Më në fund ju krijua mundësia, dy makinat që gjendeshin ende larg e ajo shumë mirë mund të bënte manovrën e kthimit. Ndezi sinjalin. U nis dhe ju duk sikur hodhi një palë zare. Si shigjetë kërcënuese gjigante një motorr nga e majta. Kaçurrela që ngrinë në ajër. Djaloshi që u mundua ti shmangej, motorri që anohej e rrotat e tij që rrëshqisnin mbi asfalt me një ngadalësi e shpejtësi të kobshme. Rruleta që nisi të rrotullohej... Serbatori që çahej e gulshet e benzinës mbi djaloshin dhe gjysmën e pasme të makinës së saj. Timoni nuk kish prekur ende asfaltin, kur u shkëputën dy shkëndija... Rruleta vazhdonte të rrotullohej... e bardha apo e ... zeza... Djali, një flakandan lëvizës u çua e filloi të vraponte duke ulëritur... Vajza rendi pas tij duke klithur e kërkuar ndihmë. Ruleta po ndalonte tek e... zeza... Lori hoqi rripin, hapi derën e makines e u lëshua vrap drejt tyre pa jua vënë veshin njerëzve të hutuar që dilnin nga makinat e bërtisnin. Kur i arriti, djali ishte rrëzuar përtokë. Hoqi fustanin pa çarë kokën se ndënë të kish vetëm veshjet intime, mbuloi djalin me të duke u munduar ti merrte frymën zjarrit. Diku flaket jepeshin e shuheshin e po aq shpejt ndizeshin diku tjetër. Ndjeu përcëllima në trup, në fytyrë, në duar. Flakët nuk u dukën më, por ajo vazhdoi të shtypte fustanin mbi trupin e djaloshit. Ndaloi vetëm kur e dëgjoi që i briti “Mjaft”. Vetëm atëhere vuri re se ishte fustani i bardhë i nusërisë...

Zilja e telefonit nuk pushonte. U çua. Tek kaloi para raftit, kanatet e të cilit nuk ishin mbyllur mirë, zbardhëlloi një cep fustani. Mornica. Ngurroi një hop para telefonit, thellë në nënvetëdijen e saj... e dinte. Megjithatë e dëgjoi Erin deri në fund pa e ndërprerë. Në mëndjen e saj ai fill i padukshëm por i pranishëm probabiliteti... ruleta që rrotullohej... Rruga si ruletë... Nuk luhet kumar me rregullat e rrugës, do të thotë të hedhësh zaret e një loje të kobshme... destini është gati të luajë... e jeta mbetet një probabilitet...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora