E diele, 28.04.2024, 12:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndriçim Kulla: Valentini për Fishtën dhe problemi real i rivlerësimit të tij

E diele, 31.05.2009, 12:26 PM


Valentini për Fishtën dhe problemi real i rivlerësimit të tij

Nga Ndriçim Kulla

Përtej fushës së albanologjisë, së historisë së Shqipërisë dhe dokumentimit kapilar të saj, padyshim vlera më e çmuar që At Zef Valentini i ka lënë kulturës sonë, janë kritikat e një niveli elitar që ai ka dhuruar për figurat më të mëdha letrare të Shqipërisë së asaj kohe. Kështu, në këtë panoramë recensionesh e artikujsh për De Radën dhe Zef Sqiroin, për Koliqin apo Mjedën, paraqiten madhështore sprovat e tij mbi Fishtën, me anë të të cilave autori mëton të gjejë çelësat për të hapur thesarin e poezisë fishtjane, e të kryeveprës së tij “Lahuta e Malcis”.  Madje admirimi i tij për këtë vepër, e nxiti Valentinin të luftonte shpesh edhe për rehabilitimin e figurës së poetit. Në një shkrim të rëndësishëm te “Shejzat” e vitit 1962, Valentini shkruan: “S’ka grimë dyshimi që qëllimi i poemës ishte ekzaltimi shpirtëror dhe patriotik i shqiptarëve, e nga ana tjetër, s’ka pikë dyshimi se ajo, duke u botuar përpara viteve të kryengritjes kombëtare, arriti të kontribuojë fuqishëm në shpërhapjen dhe lartimin, të paktën në Shqipërinë e Veriut, të heroizmit të shqiptarëve. Dy këngët e para të poemës të botuara si pjesë më vete, qenë një ngjarje e madhe dhe e vërtetë kombëtare. Rapsodët e fiseve krenare të malësorëve, gjithmonë në luftë me sundimin turk, i mësuan ato përmendësh prej famullitarëve të tyre françeskanë, duke i bërë kështu pjesë të repertorit të vet. Ja, pse Fishta u shndërrua në Tirteun e fushatave më të fundit për pavarësinë kombëtare. Kështu që nuk mund të kemi grimë dyshimi në sentimente patriotike të poetit, edhe pse sot në Shqipëri ende është e “ndaluar” të flitet ashtu siç duhej të flitej për ta rehabilituar plotësisht atë. Dhe që prej vendosjes së regjimit komunist e deri tani, ai ende është njëri prej autorëve të dënuar me ostracizmin e heshtjes. Dhe i vetmi fakt për këtë gjë jepet pranimi nga ana e tij e emërimit si Akademik i Italisë apo mos vallë pse direktiva e tij politike e yshte të parapëlqente për Shqipërinë, të shtrënguar asokohe për të gjetur mbrojtje, një mbrojtje perëndimore më shumë se sa një mbrojtje shumë më të rrezikshme sllave. Në një kohë që edhe jo pak të tjerë mundën të përshtaten si ai, por nuk u mohuan a mënjanuan; dhe e kundërta, shumë të tjerë të mohuar nga ky regjim, qenë në realitet kundërshtarë të paepur të bashkimit me Italinë. E kush vallë mund ta shpjegojë këtë mister motivesh të errëta e kontradiktore mbi këtë personalitet të shquar të kombit tonë. Në një shkrim të vitit 1965 me titull “Aventura e shpirtit në historinë politike të Shqipërisë”, Valentini u përpoq ta kujtonte dhe interpretonte situatën dhe zhvillimet e një periudhe të tillë. “Në regjimin e atëhershëm të Shqipërisë, shpjegon ai, mund të thuhet se nga pikëpamja politike, ekzistonin tre lloj kategori njerëzish: praktikuesit trashamanë të një politike të pushtimeve imperiale; italianët e sinqertë e miq të Shqipërisë që bashkëndanin idetë me patriotët shqiptarë, miq të Italisë, duke bashkëpunuar për lartësimin e të gjitha vlerave shpirtërore të kombit, e duke shpëtuar – për aq sa ishte e mundur – edhe dinjitetin kombëtar (numri i tyre në vetvete qe i paktë, mirëpo rëndësia, në krahasim me njerëzit e kategorisë së parë, qe shumë më e spikatur, për shkak të posteve të larta që zinin dhe autoritetin që zotëronin); dhe grupi i tretë, ku përfshiheshin krerët më të lartë të politikës italiane (veçanërisht Musolini dhe konti Çiano), të cilët nuk kishin një pozicion të përcaktuar qartë, por hera-herës ndikoheshin ose nga pasioni apo ambicia personale, ose nga një interesim miop për këtë çështje, ose jo shumë rrallë, edhe nga idetë e tyre të madhështisë, që mundet të përdoreshin shumë më mirë në sensin e ekzaltimit të madhështisë së të tjerëve se sa të shtypjes a nënçmimit të tyre.
Praktikisht ndodhte që njerëzit e kategorisë së dytë, shqiptarë dhe italianë, të vepronin sa të palodhur aq edhe aftësisht në shpërhapjen e një koncepti të tillë, natyralisht në mes të një fryme moskuptimi të ngritur në çdo anë. Po tekefundit, ky është fati i shpeshtë i personave mirëkuptues: të gjejnë sa më pak mirëkuptim te të tjerët. Megjithatë, mund të shtohet se ata arritën të fitonin shumë më tepër se sa mund të shpresohej në një situatë të tillë e në një kohë kaq të vështirë si ajo e luftës. E duke u rikthyer te koha dhe vepra e tyre, mua më vjen ndërmend kujtimi magjepsës dhe dramatik i një personazhi të epokës së fundit të historisë antike: Cassiodoros, romanit që duke punuar si sekretar i mbretit barbar Teodoriko, e duke shkruar në emër të tij tekstet e letrave dhe të ligjeve, u jepte atyre një shpirt roman e i bënte të vepronin si një roman. Po njëlloj, edhe në epokën e këtyre njerëzve për të cilët folëm, arrihej me një lehtësi tash të pabesueshme, të bëje dhe gjërat më të pamenduara me hierarkët e asaj kohe, duke u thënë atyre thjesht se kjo do të qe një ide a një iniciativë “vërtet fashiste”, përballë së cilës ata gjendeshin të çarmatosur e lehtësisht entuziastë. Nuk e di – mes atyre që s’kanë arritur ta provojnë - se sa bindëse është një histori e tillë; megjithatë mbetet i vërtetë fakti se në këto vite sentimenti nacional shqiptar dhe vetë kultura shqiptare dolën të fuqizuara; për këtë do të mjaftonte të listohej bibliografia kulturale e asaj periudhe goxha të shkurtër, e cila barazohej ose dhe e tejkalonte në masë e në cilësi bibliografinë e një periudhe të mëparshme shumë më të gjatë. Gjithsesi, duhet të themi se është një ligj i pandryshueshëm në vlerësimin historik të meritave të veprës së çdo njeriu të një kulture militante, mbajtja parasysh e situatës në të cilën ai u gjend e mundi të zhvillojë veprën e vet. Ngandonjëherë mund të bëhet fjalë për situatën e jashtme, ashtu siç e konsideruam deri këtu; herë të tjera problemi mund të trajtohet nga një situatë e mbrujtur më nga afër prej vetë jetës së kulturës, e aftë kësisoj të kushtëzojë veprën e njeriut të kulturës me akoma dhe më shumë forcë-ngulitje.
Është e vërtetë që një mendimtar autentik duhet të jetë superior mbi rastësitë e rrjedhimisht edhe mbi mentalitetin e kohës, derisa të shndërrohet në një martir të idesë. Por lipset gjithashtu të pohohet edhe fakti se në disa raste pranimi i heshtur i ideve të kohës nuk mund t’i atribuohet gjithmonë dobësisë së mendimit dhe karakterit; ndodh jo rrallë që për dashuri të vetë së vërtetës dhe drejtësisë, e vërteta dhe drejtësia të paraqiten me argumente që i përkasin mentalitetit të kohës dhe ambientit, të mbartur me qëllimin e mirë për ta pranuar këtë të vërtetë dhe të drejtë nisur nga premisat e pohuara nga të gjithë ose të paktën të pohuara në heshtje si argumente ad hominem. Kështu, mund të ndodhë që argumente të tillë t’u zhvillohen të gjithëve si të gabuar e të pavlerë; ose, duke u shpënë shpesh nga të tjerët në rrjedhime ekstreme, të njihen përgjithësisht si të rrezikshëm e të gjykohen lehtësisht fals në çfarëdolloj hipoteze. Mirëpo drejtësia dhe logjika e shëndoshë të ndalojnë të dënosh vetëm për këtë shkak edhe idetë që u mbështetën mbi argumentime të tilla, edhe pse ato mund të mbështeteshin ndryshe; Aq më shumë nevojitet t’i rihet larg dënimit të atyre që i përdorën, si njerëz me qëllime të këqija ose ligdashës, kur rrjedha konstante e jetës flet përkundrazi në favor të tyre. Disa vite më pas, më 1972, në revistën “Popuj dhe misione”, Valentini do të ndjehej përsëri keq në orvatjen e tij të pashpresë kur shkruante: “E vërteta është se dëshmia e parë e fushatës antifishtjane qe ndikimi i fortë serb në vitet e para të regjimit komunist; E kjo kuptohej qartë, poeti i madh kish luftuar gjithnjë tmerrësisht synimet ekspansioniste sllave. Mirëpo më pas, gjersa u dënua me vdekje triumviri Koçi Xoxe si serbofil, përse vallë nuk mund të rehabilitohet Fishta si serbofon? I dukej e pabesueshme “shqiptarit” të madh se si mund të harrohej kaq shpejt e kaq prerë një trandje e molisje kaq e fortë popullore siç qe ajo e vdekjes së tij, që nëse do të citonim Shantonë në “Kujtimet françeskane” mund të thoshim se “Vdekja e At Fishtës nuk qe vdekja e një kishtari, e nji patrioti apo  një poeti cilitdo, nuk qe vdekja e një njeriu zakonisht të famshëm e zakonisht të dashtun që mund të përkujtohet me fjalë të mirë-reshtuara brenda një ligjërate të bukur. Vdekja e At Fishtës qe një tronditje, një tërmet, një revolucjon. Një tronditje që pat shkundur deri dhe skutat më të thella të zemrave tona; një tërmet që pat qitur për fushë fijet ma t’imta e ma të bukura të ndjenjave tona kombtare; një revolucjon që n’atë çast hutimi e dhimbje pat pështjelluar e turbulluar mbarë ndërtesën e shpirtit tonë”. I dukej absurde studiuesit të rreptë, se si një regjim që deklarohej nacionalist të vazhdonte me po të njëjtën rrugë të mohimit, për një vepër që konsiderohej si “ma i famshmi ditiramb politik i letërsisë shqipe” dhe për një poet që shkoi në varr duke mbajtur të pashlyer betimin e tërë jetës së vet se “nuk ka dashuri të vërtetë të atdheut aty ku nuk njihet a ku përjashtohet a luftohet emri i Zotit; se patriotizmi nuk është as vetëm një instinkt, as vetëm një modë apo zanat; po përkundrazi, se patriotizmi është njohja e atdheut, dashuria e mbi të gjitha shërbimi i atdheut.         
E kjo qe vërtet palca e personalitetit të tij, sinteza e gjithë veprimtarisë së këtij njeriu të madh, i cili ende sot vuan ostracizmin tonë. Fishta i hedhur në Drin për shkak të idesë së madhe të tij, i sharë, i dënuar, i censuruar është pranuar, por nuk është rehabilituar. Dimensioni i madh i veprës së tij duhet të shkojë përtej një respekti festiv që shprehet për të me emrin e ndonjë çmimi letrar, ndonjë dite përkujtimore apo ndonjë pjese të thatë letrare që përfshihet tek ndonjë ore mësimi.
Rivlerësimi i plotë i veprës së Fishtës sot duhet të kërkojë, të gjejë dhe të zgjojë atë përmasë shpirtërore dhe mendore që kishte pikërisht dhe vepra e tij jashtëzakonisht e madhe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora