E diele, 28.04.2024, 06:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Beftësia e poezisë Haiku

E diele, 31.05.2009, 11:54 AM


Ejup Ceraja   

BEFTËSIA E POEZISË HAIKU*

Në vend të hyrjes

 Pas leximit të librit  “Milianov Kallupi  dhe Haiku”  (dy herë) dhe, pas leximit edhe të librave: Pshertimë ere, Hajku (përzgjedhje poetike), Rrëkeza të hazdisura, dhe Nimfa – Hajku, m’u shtua interesimi për Haikun. Filluan të hyjnë brenda qenies sime shkëndijëzat e para për këtë lloj e formë të poezisë, që dita-ditës po më rrëmben e po më bën për vete. Fillova disi ta shijoj bukurinë njohëse dhe estetike që ofron kjo formë e poezisë...

Haiku – një historik i shkurtër

Në parathënien e përmbledhjes poetike të shkruar, përkatësisht të botuar, përpara plot 1084 vjetëve të poetit Ki Tsurajuke e të titulluar “Kokinshiu” (Dhjetë mijë fletët)  - thuhet: “Poezia ka lindur që kur Qielli u nda prej Tokiës” (Betim Muço), atëherë kjo mënyrë e vjershërimit është një ushqim shpirtëror, për të gjithë ata që poezinë e kanë në zemër, e lexojnë, e shijojnë, e kuptojnë, e ndiejnë, e përjetojnë dhe kënaqen me te (Lasgushi).

Pra, nëpërmes poezisë haiku përkufizohet një përbërje e shkurtër prej 5 – 7 – 5 rrokjesh pa tituj, që ka lulëzuar së paku që ma se 1000 vjet e këndej në poezinë japoneze. Në këtë formë poetike poetët japonez kanë pasqyruar përjetimet e tyre, duke u mbështetur kryekëput në bukuritë, që ua ofronte natyra ngado që hidhnin shikimin.   Për të treguar beftësinë dhe bukurinë e këtyre poezive të shkurtra (të vogla), Sei Shonagon shkruante: “Në të vërtetë, të gjitha gjërat e vogla janë të bukura”.

Për poezinë haiku si studiuesit, ashtu edhe vetë poetët janë të mendimit se objektet, që shpirtëzojnë përbërjen bëhen subjekte në trajtimin artistik të tyre... Siç e theksuam më lart origjina e haikut është në thellësitë e kohës të poezisë japoneze. Këndej natyrshëm shtrohet pyetja: a e kishte haiku që në zanafillë këtë nocion që e ka sot?... Përgjigja, sado e përgjithësuar, do të jetë: Jo. Pse?... Sepse në zanafillë haiku është quajtur waka, që e kishte kuptimin “poezi japoneze”, duke shprehur, ashtu, kuptimin e gjithë përbërësve poetikë të kohës... 

Haiku duhet të jetë i mbrujtur  me një figuracion të qartë e të kuptueshëm metaforik, përmes të cilit shprehet koloriti i të këtushmes dhe të tanishmes aty ku ai krijohet. Dhe, duke u mbështetur në përkufizimin e poetit japonez Matsuo Basha, haiku është një vjershë tri vargjesh, pothuaj gjithherë pa titull, që e jep misionin e të këtushmes e të tanishmes përmes një rrëfimi të beftë metaforik, e që në qendër të vëmendjes e ka natyrën me bukuritë dhe ligjet e saj. Pra: “Duke qenë poezi për natyrën, ato janë para së gjithash poezi për njeriun, për lirizmin e tragjizmin e tij, për dhimbjen, vitalitetin, dashurinë, për kuptimin e jetës dhe vlerën e saj. Dhe kjo pikërisht në saj të asaj lidhjeje të thellë të brendshme njeri-natyrë të këtij populli që ka nga festat më të shquara sakurën, apo lulëzimin e qershive dhe që respekton me rite të veçanta shumë dukuri natyre apo moti”. 1)

E këtushmja dhe e tanishmja e poezisë haiku e ruan freskinë e të “këtushmes dhe të tanishmes” në vazhdimësi të kohës nëpër dekada e shekuj. Ta ilustrojmë këtë thënie me një haiku të Matsuo Bashës, i cili, fjala vjen, për njërën nga pranverat e pjesës së dytë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, kur ai jetoi dhe krijoi shkruan:

            Pranvera:

Pranvera niset:                                   (yuku haru wa

Pikëllohen zogjtë e lot                       tori naki uo to

Në sy të peshqve                               me wa namida) 2)

Sikur të mos e kishim ditur autorin dhe kohën e shkrimit të këtij haiku, do të fitonim përshtypjen se ai është i ditëve tona... Se: “Sidoqoftë, fakti se kur lexon hajkut e krijuara në shekuj nuk përfton monotoni e mërzitje, por të zbulohen çdo herë pamje të reja, dëshmon për një botë të veçantë, të pasur shpirtërore të poetit japonez, i cili e grahu poezinë e tij në traga të tjera, shpeshherë larg atyre të botës bashkëkohore respektive...”3)

Pra, siç e theksuam më lart, forma e parë e poezisë japoneze të haikut quhej waka. Ajo ishte një vjershë me kushtëzim silabik, ku pesë vargje vendoseshin me nga 5 – 7 – 5 – 7 – 7 rrokje secila. Me kalimin e kohës popullariteti i wakës nisi të bjerë. Ishte, të themi kushtimisht, koha kur nëpër oborret aristokrate japoneze, mbizotëronte nocioni Haiku no renga ose shkurt renga.

Renga, në fillim, krijohej në formë dialogu poetik. Poeti i parë i deklamonte tri vargjet e para me nga 5 – 7 – 5 rrokje. Poeti i dytë vazhdonte me dy vargje 7 rrokeshe. Poeti i tretë vijonte prapë me tri vargje me 5 – 7 – 5 rrokje e kështu deri më 100 a më shumë vargje.

Poeti japonez më në zë i rengës ishte: Io Sogi (1421-1502). Po, meqë renga, si e tillë, mbante në brendinë e saj një lloj vulgarizimi, dolën poetët: Matsunaga Teitoku (1571-1653) dhe Matsuo Basho (1644-1694), të cilët krijuan shkollat e tyre të rengës, përkatësisht të hokkut (më  vonë haiku). Rrugës së Bashos vazhduan edhe Tanigushi Buson (1715-1783), Kobajashi Issa (1763-1827), Masoika Shiki (1867-1902) etj. Por, ishte poeti Ogiwara Seinsesui ai që i dha “liri” haikut pa e kufizuar atë më me rrokje. (Betim Muço)

Në fillim të shekullit të njëzet me krijimtarinë poetike të Ezra Paundit, haiku u shtri edhe drejt Evropës dhe më gjerë. Edhe te shqiptarët, përkatësisht në Shqipëri, gjatë pjesës së dytë të shekullit të njëzet haiku gjati një shtrat të përshtatshëm, kur në Elbasan, drejtuar nga korifeu i haikut shqiptar, poeti Milianov Kallupi, u formua Klub – Haiku Shqiptar...

Të përfundojmë

Në haiku nuk ka kohë as hapësirë që të flitet gjerësisht për diçka, por vetëm të iniciohet diçka. Madje edhe shprehja e drejtpërdrejtë e ndjenjave individuale nuk arrihet të thuhet dhe as nuk preferohet të thuhet në poezinë haiku. Nëpërmes poezisë haiku nuk ka mundësi të bëhen komente... Dhe, e shikuar nga ky rrafsh poezia e haikut ka lidhje me fije të pashkëputshme me elemente të natyrës përreth.  Për ta hetuar beftësinë e bukurisë së poezisë tri vargjesh pa tituj të quajtur Haiku, do ta sjellë këtu më poshtë një haiku:

*   *   *

“Turmë stërqokash

Te krahët e pemës së verdhë.

Fushë e trembur”.

“Milianov Kallupi dhe hajku”, fq. 93

Ta përmbyllim këtë trajtesë të shkurtër për poezinë haiku me një konstatim të Agim Llanajt (përkthyes, studiues dhe pedagog në Universitetin – “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, i cili shprehet:

“Të lexosh një hajk, është aq e lehtë si të ngresh nga bari i livadhit një pupël të rënë nga gusha e pëllumbit.

Ta kuptosh atë, është e vështirë, njëlloj siç thuhet në një këngë të trevave të Elbasanit: “Dimrin ta bajsh verë”!4) 

_____________

*) Për shkrimin e kësaj trajtese jam mbështetur kryesisht në punimet teorike për haikun japonez, por edhe..., të dhëna në fillim të librit: “MILIANOV KALLUPI dhe HAIKU”.

1) Pof. Dr. Betim Muço: HAIKU DHE UNIVERSI I TIJ POETIK, në  “MILIANOV KALLUPI dhe HAIKU”, faqe 11.

2) Përkthyer nga Elvana Zajmi në GJITHÇKA HAIKU, faqe 74.

3) Prof. Dr. Betim Muço: Po aty, faqe 8.

4) Agim Llanaj: KALEJDOSKOPI I DRITËHËNËS (Shënime rreth librit “Hënëhajku dhe Udhëhajku”), (botuar në gazetën “Drita”, 17 mars 2002), marrë nga “Milianov Kallupi dhe Hajku”, faqe 46.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora