E merkure, 30.04.2025, 11:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Petraq Risto: Hiç si Hiç-kok po pa kokën

E shtune, 30.05.2009, 01:32 PM


Petraq Risto

 

Hiç si Hiç-kok po pa kokën

 

Poezi

 

(Shkëputur nga  libri në proces « Apo-ka-lypsi »)

 

Hiç si Hiç-kok

 

                        Hiç si Hiç-kok

                        po pa kokën...

Hiç-i m’u shtri përpara si shkretërira në hartën memece

M’u lut t’i jepja dimensione të zakonshme:

Merre rrezen bëje fill korenti, dy gjethe ktheji në kufje

të shijojmë si vjen mëngjesi kur treten shikimet e bufëve..

Thashë  njëherë ta ribëja trupin tënd me ADN-në e vjedhur

Mirëpo kur mendova se nuk mund t’i bëja sandalet e kuqe

Dhe bluzën e kuqe... të lashë pa klonuar...

Thashë njëherë ta ribëja atë trup të bukur

po kur kuptova se s’mund të klonoja hapat e mi pas hireve të tua

kur kuptova se ti do ishe vetëm një hiç i braktisur: të lashë aty ku je

në botën e nëndheshme ku kodet e të vdekurve s’e njohin kujtesën.

Ta ribëja trupin: pluhur marihuane

                        mbi një lugëz - petaltrëndafili

                        ngrohur në flakëzën e shpirtit.

                        Hiç si Hiç-kok

                        po pa kokën...

 

Nëse trupi yt është ajër përse kollitem kur të mendoj...

I lirë si puthja në ajër kur huton zogjtë. Hiç si Hiç-kok...

 

 

Hapat

 

Mëngjesi vjen i ndrojtur dhe pse hapat e njerëzve janë agresivë.

Kështu janë njerëzit në mëngjes: vendime që s’mendojnë se vesa avullohet.

I ndrojtur mëngjesi si dora e zgjatur e një adoleshenti. Vesa është femër.

Hapat vijnë, hapat ikin me trajektore të çuditshme

Hapat shkojnë, hapat kthehen: me ritmin e hapave lind muzika e zhgënjmeve.

Diku mungojnë hapat: tronditet mëngjesi - lulja me vesë

                                                                   pa në sy breshërin.

Kur gozhdët ngulen në tabut ritmin e hapave të fundit kujtojnë njerëzit.

 

                                                                                          8 prill 2009

 

 

Vrasësi i vallëzueses

 

Pabesisht me një urrejtje të verbër: hyre në sallonin e madh me kolona dinjiteti

Çfarë bën, të thashë, çfarë bënë je tepër herët :

                                                        balloja nis menjëherë pas tërmetit...

Pas tërmetit... kolonat mund të bien, pasqyrat mund të thyhen

Dhe vallëzuesit mund të përplasen duke kërcyer

...vallëzuesit mund të përplasen duke kërcyer.

Lampadarët: parangallë gjigandë dritash përpiqen të kapin hije peshkaqenësh

përpiqen të të kapin ty me urrejtjen skërmitëse: fitil të sapondezur.

Çfarë bën, të thashë, vret ai që vdekjen e quan stoli...

Vallëzuesit mund të përgjaken duke kërcyer

dhe pllangat e gjakut të marrin formën e violinave

... pllangat e gjakut - formën e violinave.

Hape kapakun e pianos: nuk është tabut,

tastierat nuk janë dhëmbë në skërmitje

po shpirti yt në cilën muzikë është futur

kur ka për çelës soli një pistoletë të urryer..

...çelës soli: një pistoletë të urryer.

Nisi balloja, pa maska

e salla dukej shkretërirë me kaktuse

E rrathët  e vallëzuesve krijonin rebuse

E ajo e ajo e ajo: e thjeshtë e kaq robëruese.

...e thjeshtë e kaq robëruese.

Një hap dhe arma krisi: si ora e mesnatës Hirushes

Dhe salla e ndezur klithi si qyqja mbi kokën e nuses

...e thjeshtë e kaq robëruese.

Violinat: pllanga gjaku,

Kitarrat: vajtojca

Klarineta e oboe me hije funerali me të zeza veshin zambakun

Një prift kontrabas tund temjanica kambanash

Vallëzuesja mbuluar me katafalkun e pianos

...e thjeshtë e kaq robëruese.

                                                                           3 prill 2009

 

 

Lumit Ska-ma-nder

 

S’ka s’ka s’ka

Dymbëdhjetë trojanë bërë theror pranë trupit të Patroklit

Dhe ti Akil që ndjen dhembje gjer në thembër. Trim je.

Floriri i lavdisë rëndon në kujtesën e brezave

Aq sa vdekjen ta bëri të vockël për t’u mbajtur mend:

Ndaj kur të lava harrova të të prekë thembrën.

Jam lumi Skamander rrjedh i lodhur nga pesha e kufomave

E ska ska ska forcë të derdhem në det.

 

Akili: Skamander mos më mburr trimërinë e më tremb vdekjen

Më vranë Patroklin: ia hoqën rrobet dhe turpin e kthyen në lavdi

                                Lavdinë e tyre do ta kthejë në hi.

 

Lumi Skamander: I lodhur jam nga pesha e kufomave

Gurgullimat i kam me tingëllima shpatash e me hingëllima.

Ndjej vetëm klithma nuk ndjej gurgullima.

Nuk kam hije shelgjesh mbi vete, qielli s’më jep dritë

Zotat më fshihen si të gjitha komplotet kur nuk robërojnë historinë.

 

Akili: Nuk flas se shkulme gjaku më nxjerr shpirti

          M’i vini fjalëve frerë kuajsh, për Patroklin të nis vajtimin.

 

Hektori: E di do më vrasësh veç kufomën mos ma shëmto.

 

Akili: Pas koçisë së kuajve do të lidh e zvarrë do të tërheqë

Gjer sa rrobet e turpit t’i zhveshë toka e të nxjerr lakuriq si Patroklin.

 

Hektori: Troja ime – emblemë më e madhe se Akili

që qesharaken vdekje mban në thembrën - emblemë.

 

Troja ime: e para që humbjen e ktheve në lavdi.

dhe Humbja dhe Fitoja barazohen në Histori.

 

 

Toka - filozof me zhele

 

Toka rrotullohet më me shumë pluhur kozmik, pluhur bisedash

Pluhur klithmash, pluhur psallmesh, pluhur orgazmash, pluhur shikimesh

Toka rrotullohet djathtas: në Ferr zbret majtas.

Rrotullohet Toka: rraketake në duar fëmije.

Toka rrotullohet dhe ne kafshojmë gjuhën,

në gjakun e gjuhës nuk gjen asnjë fjalë.

Toka rrotullohet me logjikë filozofi, dikur të veshur me rrobe të bukura

Toka-filozof veshur me zhelet e ngrohjes globale

nëpër meridianet dhe paralelet e globit kanë ngecur fluturat

merimanga gjigande në formë vrimash të zeza fërkojnë duart

Toka rrotullohet dhe ne kafshojme gjuhën,

në gjakun e gjuhës nuk gjen asnjë fjalë.

Miq të dyshimit eja mblidhemi të krijojme një lente konkave

T’i lutemi Diellit që me rrezet e tij të djeg të vërtetën globale.

Kafshojmë gjuhën

e kur gjaku i gjuhës pikon në Tokë

TOKA gjen protestën.

 

                               Biblioteka Kombëtare,  30 janar 2009

 

 

* * *

Një lugëz argjendi në llumin e kafesë s’e mendoi që ishte proverbi ndriçues i natës

…një lugëz argjendi në llumin e kafesë.

Foshnja që flinte në bar vetëm dhjetë metra larg ujkut s’e mendoi vdekjen

tështiu, prindërit kthyen kokat dhe ujku iku.

             Dhe ujku iku…

Shmangia

 

Përpiqeni të më shmangni: avionë prej letre

                                           veç në krahë i ndjeni gërvishtjet...

- Grua, a mundet një fshikje e thjeshtë të kthehet në vetëtimëpërpëlitjeje?...

Përpiqeni të më shmangni: anije prej letre në një det hipokrizie

- E dashur, a mundet serfistët të bëjnë serf në dallgët e shpirtrave?

Përpiqeni të më shmangni, të më çvendosni gravitetin, të më fyeni

Nobel,

më jep pak dinamit

nga emri yt

të hedh në erë

gjithë bythëlëpirësit!

 

Doni të më shmangni si të gjithë liderët kur duan të rizgjidhen

E kot miq, unë jam punësuar

                  në Qendrën e Qendrës së Satelitëve

                  në Qendrën e Qendrës së Shpirtrave.

...Thonë Qendra mund të jetë një luleshtrydhe...

                                                                              Tiranë, 7 maj, 2009

 

 

Njeriu i vetmuar

 

Shpesh njeriu i vetmuar krijon njerëz virtualë, një tryezë virtuale: konkrete

                                                                                                     vetëm

                                                                                                     gota

                                                                                                     e rakisë.

Pi me ta, flet, i mburr, u rreh krahët,  i vret me një pistoletë me silenciator

ngrihet, u mjekon plagët, i torturon, i merr peng,

shkon në shtrat me gratë e tyre, bëhet mazohist,

telefonon të vdekurit, merret me kopshtet e plagosur në tëmthat e shegëve.

I vetmuar një ditë u mora me ty, me enjtjen tënde në syrin  majtë

Dhe me gurin para hotel “Tiranës” që të paska nxirë,

pikërisht ky gur, i treti nga e djathta...

gati sa s’qaje për të më thënë se guri qe yt shoq.

U mora me të nxirën tënde, me syrin tënd me të gjelbërt symaceje

u mora me heshtjen tënde: heshtja e ushtarit në çastin e dorëzimit.

Ti qaje veças, unë veças qaja...

Betejës i kish mbetur veç tymi...

 

Shumë koka të prera në udhën e salmonëve

 

Kam lidhur një kod me të vdekurit e  mi - me hijen e tyre të bëjë brumë.

Në dhomën time dhjetra hije të vdekurish: Qiell me dhjetra re.

Me atë brumë hijesh do gatuaj bukën e të gjallëve,

do ushqej ëndrrat e të rinjve.

                                          Me brumin e hijeve.

Kam lidhur një kod me të vdekurit e mi – me hijen e tyre të bëjë brumë.

Ngaqë hijet s’duan të rrinë shtrirë kërkojnë t’u jap dimensione të reja

T’u japë kohë dhe hapësirë dhe pse brumi i hijeve s’ka eshtra.

                                               ... dhe pse brumi i hijeve s’ka eshtra.

 

Shumë koka të prera në udhën e salmonëve, shumë koka të prera.

Dhe kokat kanë hijet e tyre, them unë, dhe kokat kanë shkëndijat e gjenive.

Me brumin hijor të kokave bëjë një kokë tjetër të madhe sa një Hënë verore

Dhe marrë uratën e salmonëve.

Me brumin hijor të trupave bëjë një trup Akili

                                                            pa pikën e shigjetës në thembër

Akili. Akili. Thonë: si të gjithë akejt qenë pellazg

 Një trup i tillë, lider pa vdekje na duhesh për nesër.

Shumë koka të prera në udhën e salmonëve, shumë koka të prera.

 

Kam lidhur një kod me të vdekurit e  mi - me hijen e tyre të bëjë brumë.

Pasi të gatuaj heshtjen me gabimin, vlerën me fitoren sublime

të vetvrarin me krimin, të shurdhëtin me të verbërin,

të ndershmin me trimin, vjedhësin me të vjedhurin

                                                 ... dhe pse brumi i hijeve s’ka eshtra.

Zbresin nga një lumë (jo prej hijesh) në një det real në ndjekje të salmonëve

Kokat e prera të të parëve tanë: tani hije për brumë.

Shumë koka të prera në udhën e salmonëve, shumë koka të prera.

                                                                                            Janar, 2009

 

Vrapon një dre

 

Vrapon një dre

s’do të jetë prè:

                  e ndjekin pas zagarët

nën këmbë - frikë

në brirë  - një re:

                  jo, s’është flamur i bardhë

               ...jo, s’është flamur i bardhë.

Vrapon një dre – projektrrufeje, e ndjekin pas zagarët

Flamuri i bardhë i një reje mes brirëve vdes i çarë.

               ...e ndjekin pas zagarët.

Vrapon një dre, griset një re, toka dëbon farën

Vrapon një dre, s’do të jetë prè: gabon, sfidon gjahtarët.

                                        ...gabon, sfidon gjahtarët.

Dy sytë e çiftes nxjerrin tym, skuq një re në ballë

Dihat një dre dhe nëpër brirë jargë lëshojnë zagarët...

                                       ...jargë lëshojnë zagarët.

 

Ruleta ruse

 

Ruleta ruse përdoret në të gjitha vendet dhe luhet vetëm me një plumb:

                                                                              në gojë ose në tëmth

gëzhojën e plumbit përzier me gjak dikush i përdor për vëth.

Mos qaj, mos ki frikë, mos u dridh: vetë globi është një ruletë

ne njerëzit vetë jemi plumba dhe për t’u vrarë jemi të gjithë.

 

Ruleta ruse vërtitet si çikrik mbi një grykë pusi nga vjen vdekja

Pusi ku pimë ujë të gjithë...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx