E diele, 28.04.2024, 05:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Dështimi i një bisede letrare

E shtune, 30.05.2009, 07:14 PM


LETËRSI PËR FËMIJË

DËSHTIMI I NJË BISEDE LETRARE

Tregim gazmor

Nga Vangjush SARO

(Titulli rezervë i tregimit: Letër e gjyshit të Elvanës për zyshën e letërsisë.
Tema e tregimit: Mërzitja nga poezia e keqe.
Nëntitulli i tregimit: Shitja nën dorë e (gjoja)librave. 
Ideja e tregimit: Mos gënjeni veten dhe fëmijët!
Forma në të cilën është shkruar tregimi: Letër.)

E nderuar zyshë!
Këto ditët e fundit, mbesa ime, Elvana, ka nëpër duar një libërth me vjersha të autorit Xh. Xh. Ju ua kini shpërndarë të gjithë nxënësve tuaj nga një kopje dhe i kini porositur t’i lexojnë vjershat me shumë kujdes e të përgatiten për bisedë letrare. Duke qenë se kam punuar dikur edhe unë si mësues, po jua them me zemër të hapur: e kuptoj shumë mirë pozitën tuaj. Shpërndarja (patjetër edhe shitja) e këtij libërthi, mund të jetë një porosi e drejtorit. Ose e nëndrejtorit, apo e nëndrejtoreshës…Mund të jetë porosi e fqinjit, mbase edhe e ndonjë shokut a mikut tuaj, të burrit tuaj...Eh, e dimë të gjithë se si bëhen këto gjëra! Paudhësia është diçka që ne vetë e kemi shpikur.
Mirëpo, çdo gjë ka kufi, e dashur zyshë. Më ndje, mund të jem i gabuar. Por unë kam disa vërejtje miqësore për këtë lloj sjelljeje në përgjithësi dhe për libërthin në veçanti. Në një si punë parathënieje të tij, një si punë studiuesi, krejt i panjohur dhe, me siguri, shok i poetit në fjalë, shkruan pak a shumë kështu: “Xh. Xh. do të hyjë si një kometë rrëzëllyese në qiellin e poezisë”(!) Ashtu qoftë! Dhe nëse jam pak skeptik për këtë, më ndjeftë Zoti. Gjithsesi, unë mendoj se kjo bisedë letrare nuk ka për të dalë fort interesante. Dhe ja pse. Edhe unë u përpoqa t’i lexoja me durim dhe me kujdes vjershat. Tamam siç i kini porositur ju kalamajtë. Dhe unë, kolege e çmuar, nuk jam në klasën e shtatë. Kështu pra, si një ish-mësues letërsie, u përpoqa të kuptoja për çka bëhej fjalë, çka do të duhej të kuptonte mbesa ime, e kështu me radhë. Mirëpo nuk ia dola dot, e nderuar zyshë. Nuk di si të them, unë dështova. Dhe arsyet, mendoj, duhet t’i ndajmë së bashku, unë edhe ti. Më ndje, unë e dua shumë letërsinë, poezinë në mënyrë të veçantë. Por ja, këtë herë më ngeci sharra në gozhdë. Lexova vjershën e parë. Në vargjet e saj, thuhet: 

Qielli mallkim
Retë qajnë
Dashuria arratiset…

O Zot, çfarë kryevepre! Besoj, je e një mendjeje me mua se asnjëherë s’janë shkruar vargje të tilla. Megjithatë, pasi e lexova dhe e rilexova, unë fillova të vrisja mendjen: Ç’do të thotë poeti Xh. Xh. me këto vargje? Si t’ia përcjell krijimin mbesës sime? Fundja, cila është tema e vjershës? Po ideja? Ndjehesha shumë i paditur përpara mbesës, që pothuaj më ka idhull. Nejse. I kapërceva pa shumë mund gjëra të tilla “të vjetruara”, si tema e ideja dhe u turëm të dy me mbesën, Elvanën, të gjejmë disa nga figurat stilistike që janë përdorur në këtë vjershë. P.sh. Dashuria arratiset. Të themi se kjo është një metaforë. Mirëpo, me lejë zyshë, a jemi në shkollë, apo në ndonjë kurs të sjelljeve romantike?…
Dhe ja, vjersha tjetër ta merr mendjen fare:

E kuqja ndez
E zeza vret
E bardha qan
E verdha
Xhelozi…

Oh, është një vjershë shumë e bukur. Kulmi i argëtimit poetik. Mirëpo, të siguroj, këtu shpejt do të fillojë gallata. Njëri nga nxënësit, do të thotë: “Tema e kësaj vjershe është xhelozia”. Një tjetër, them se mendon dhe do të shprehet ndryshe: “Tema është, është…ngjyrat kryesore”. Kurse një i tretë ka plotësisht të drejtë të thotë: “Tema e kësaj vjershe, ka të bëjë me…mamin dhe me babin. Mami ime është xheloze. Ajo…një ditë ajo…” Eh, e dimë ne si shkojnë këto gjëra. Po ç’do të bëni ju, kolege e nderuar, kur të shkretët fëmijë të flasin kodra pas bregut?
Dhe tani, ashtu siç bëmë unë dhe Elvana, le të hidhemi tek vjersha tjetër:
 
Oh, gjëmimet e mëdha,
Shpirti qan dhe zemra shfryn,
Dashuria
Ndjenjat
Struken
Gjoksi yt si trëndafil…

Ky krijim mund të jetë me të vërtetë shumë tronditës. Domethënë kurrëfarë gjëje; e kuptojmë edhe unë, edhe ti. Mirëpo a e kuptojnë këtë “madhështi” kalamajtë e klasës së shtatë? Gjatë leximit të vjershës, mbesa ime hapte sytë dhe, herë pas here, më pyeste:
-Çfarë do të thotë kjo, gjysh?
-Po ja, shpirt i gjyshit. Kjo do të thotë…që...Por edhe autori...i cili...gjithmonë...Ani. Me këtë rast...
-Po kjo tjetra, gjysh?
S’po dilja dot nga përçartja.
-Atëherë. Po. E qartë. Ky varg...Autori Xh.Xh. na tregon...Dale pak, çfarë thotë...çfarë do të thotë...
Hiç asgjë s’do të thotë! Mirëpo si të përgjigjesha unë mbesës? Po ti si do të përgjigjesh? Të lutem, zyshë, mba mendjen! Ja edhe një xhevahir tjetër nga ky libërth:

Nëpër ankthe
Ankthet zbresin
Ngjiten ëndrrat
Jeta plaket
Druri digjet
Shpirti i saj po dënes…

Epo, nuk është kollaj të shkruash vargje të tilla. Lëre lëre, janë shumë të thellë. Mirë, po cila është brendia e tyre? Pastaj ç’mesazhe përcjellin? Ankthet. Ok! Po ç’janë ankthet? S’mund të jetë kaq e thjeshtë. Autori Xh.Xh. nuk do ta dëshironte një koment kaq të përciptë. E kapim nga një tjetër këndvështrim. Si mund ta formulojmë temën e kësaj vjershe? Po ja, tema është: jeta që plaket, domethënë jeta që shkon…Jo, zyshë, jo! Tema e kësaj vjershe është “Mërzitje nga dashuria”. Shiko, motër! Ky është një shqetësim shumë i madh. Vërtet ne kemi gjithë ato televizione që i nxjerrin ujin e zi dashurisë. Bile bile…more çfarë nuk shikojnë fëmijët ditën për diell!…Ama vargje të tilla, gjithsesi, na kanë munguar. Kjo është e një rëndësie të veçantë. Këta poetë si kometa, vërtet janë shtuar ca. Ama edhe poezia është si puna e bukës, si puna e ujit, si puna e ajrit. Bën dot pa këto? Jo! E kështu, s’bën dot edhe pa këto poezi dashurore e budallallore…
Druaj se e teprova. Por më beso, kolege e nderuar. Fëmijët janë shumë delikatë qw tw mund tw kuptojnw këto (gjoja)poezi. Dhe sidomos, dëshirën e kujtdo për të fituar lekë kësisoj. 
Duke përfunduar këtë letër, e dashur zyshë, të ofroj me shumë sinqeritet ndihmën time atë ditën e bisedës letrare…Kam frikë se e vetme nuk do të mundësh të analizosh gjithë ato tra-la-la e tri-li-li, e ku di unë çfarë tjetër. Më lajmëro në se mund të të gjendem në krah, apo në se duhet të marrim me vete edhe ndonjë specialist të fushës së ndjenjave…Shiko, motër, se e gjithë kjo, është tejet e rëndësishme. Në qoftë se nuk do të zhvillohet biseda letrare për dashuritë dhe vjershat e kësaj kometës, si i thonë, Xh.Xh., bota mbarë do të humbasë shumë. Shumë. Do të jetë një katastrofë. Nuk e di ç’do të jetë. Të mos arrish dot të analizosh atë deli libërth…Mos o Zot! Më shkojnë të ngjethura kur mendoj se klasat e shtata mund të mbeten pa këto, pa këto broçkulla…

Urimet më të mira, gjithsesi!

Me respekt
Gjyshi i Elvanës



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora