E shtune, 27.04.2024, 06:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Tregime dhe skica nga Kostaq Duka?

E diele, 31.05.2009, 12:56 PM


Kostaq Duka

Thërrime jete mbetur në xhepat e kujtesës.
 
.....Një banane.

Kisha vetëm pak muaj që kisha mbritur këtu në rrethinat e Chicagos.Ende i paambjentuar mirë, pa makinë, mbasditeve e kisha bërë të zakonshme shëtitjen në anë të një parku, ku për habinë time vareshin degët e manave të kuqe.Kokrat e tyre janë më të vogla se të manave të Drenovës e Boboshticës së Korçës nga të cilat nxirret ajo raki e famëshme , e blertë dhe e sertë.Edhe trungjet e pemëve nuk e kanë atë pamjen e frikëshme, me trajta te përçudnuara të manave të vjetra të Drenovës.Janë me trajta të rregullta, te qeta si të pemëve të zakonëshme dekorative nëpër parqe.
 
Për kënaqësinë që më jepnin këto shëtitje nën degët e manave e ftova dhe një mikun tim biznesmen nga Shqipëria që porsa kishte ardhur,  të dilnim andej një mbasdite.Edhe ai u habit kur i tregova manat.Mori një kokër dhe e provoi.Qënkan njëlloj të shijshme, tha .Po a i mbledhin për raki? Qesha, veç në u kujtoftë ndonjë shqiptar.I shpjegova se askush s’prek gjethet e jo me kokrat.Drurët dekorativë janë po, aq të vlefshëm sa monumentet....
 
Kur në anën tjetër, shohim një burrë të moshuar në drejtim të kundët të lëvizjes sonë.Shikonte  nëpër pemë,mbushte dorën me mana dhe i rrufiste në gojë. Ç’të ishte.Me siguri thashë me vete ndonjë shqiptar....Dhe vërtet, kur po afrohej miku im i thirri me emër e me shaka shtoi :Mos të duket vetja se je ne Drenovë? Tjetri sikur u zu ngushtë.Po më ndiqnit? Ç’të bëj, s’rrihet në shtëpi,dal nganjëherë këtej,  çoku lag gojën me këto manat. Miku im që e njihte nga afër, donte ta ngacmonte nga pak.Do më thuash të drejtën: Çfarë të mirë shikon ti në Amerikë? Tjetri  s’e priste këtë pyetje dhe u mblodh si një nxënës që s’di të hapë librat.Por pastaj gati me gjithë mushkëritë, me zë të plotë u përgjigj: Çfarë të mire? Po ja, hamë më mirë.Miku im s'u përmbajt. Shpërtheu një te qeshur që shkundi tërë trupin e tij të shëndoshë.Pse për një të ngrënë,kapërceve tërë atë oqean ti?! - tha.Kësaj here tjetri u nxi sikur të kishte thënë budallallëkun më të madh të botës, pa nga unë si për të kërkuar mbështetje....Por miku im i hodhi duart supeve e ndroi temë, duke kujtuar Korçën...

Ata flisnin dhe unë vetëtimthi e çova mendjen tek dy, tre  vjet perpara, tek pazari i zhurmshëm,  ekzotik i Korçës.Gati çdo ditë më shumë për "argëtim", kalim kohe se sa blerje  shkonim me gruan tek pazari, ku tezgaxhinjtë luajnë tërë gjallëri, të shkathët e plot gjestikulacione artin e shitjes me pakicë. Pasi kishim bërë një shikim në të tëra qoshet, në  të dalë u ndalëm tek tezga e bananeve.Tezgazhiu me të na parë e ngriti zërin: Banane të shijshme, me peshë dhe copë! Pyetem për cmimin.Për xhepin tonë ishte i kripur.Ikim i thashë gruas.Ajo nguroi, po të paktën të marrim vetëm një banane për djalin.Tezgaxhiu e dëgjoi dhe nderi drejt nesh një banane, me një shikim ku lexohej mendimi"Po këta edhe s’kanë lek dhe u afrohen bananeve...." E morrëm një banane që në trastë ngjante si të ishte nje peshk i vogël....Ej me tha miku ku e ke mendjen? Çfarë t’i thosha? Te bananja, tek manat e Drenoves, qe vleresohen "pasuri" e patundeshme e jo drurë dekorativë, tek pazari ku perditë peshohet në kandar vlera e mbiekzistencës së jetës së zakonshme të përditëshme?!....


Trembësi i ariut
(skicë)

        
Ishte i ashtuquajturi viti i stazhit, pas përfundimit të studimeve të rregullta universitare.Unë ëndrramadhi, që edhe pse për filozofi më shumë rrija me studentët e  gazetarisë,letërsisë dhe artit dramatik,pas zhgënjimit të parë për mos emërim në televizion ku thuhej se më kishin shkuar dokumentat, u shokova kur në një dhomë të ngushtë, diku në zyrat e arësimit përgjegjësi i kuadrit mes një gumbulli të ngjeshur më njoftoi emërimin: mësues historie dhe gjeografie në shkollën tetëvjeçare të Velçanit të Gorës.Ato kohe Gorën, Oparin e zona të tjera të thella malore i kisha dëgjuar vetëm për emër.Ç'të thosha? Ishim të rinj dhe e panjohura na tërhiqte.Ja kështu  një herë në javë me disa mësues të tjerë me banim në Korçë u hipnim prapa makinave që shkonin për t’u ngarkuar me dru thellë në Bofje të Gores.Ndalonim në Lozhan dhe pastaj fillonim të përpjetën në nje shteg të ngushtë mes lajthive.Atë udhetim, s'e fsheh e kujtoj me nostalgji kur këtu në Chicago nuk shikoj një kodër e jo më një mal....
              Më caktuan mësues kujdestar në një klasë të gjashtë.Nxënësit veç Velçanit vinin edhe nga Selca dhe Mesmali i larget.Që nga sheshi i shkollës shikonim tufëzën laramane të fëmijve të zbriste   mes deborës nga një lartësi që humbiste tej.E mes këtyre fëmijëve të vegjël të binte në sy një djalë, që të habiste për përmasat e trupit:shpatulla të gjëra,trupngjeshur e muskuloz, me dy sy të mëdhenj që i rrotullonte sa andej, këtej,me këpuce të mëdha e pantallona të lidhura për fundi me spango, që të mos fusnin dëborë, me një xhaketë të vjetër por të trashë që i rrinte e ngushte e për të mos futur erë e kapte në dy anët me tela.Ishte i qeshur dhe i zhurmshëm por edhe ngacmues si ndaj djemve edhe vajzave. Me të parët e ndizte sherrin në çast dhe s’pertonte të vinte në përdorim grushtet.U përpoqa ta mbaja pranë. E caktova përgjegjës per rregullin e disiplinën. Por e teproi, në zbatim të " detyrës" u shndërrua në diktator. Rrahu disa. E hoqa nga kjo detyrë dhe m’u merzit...E keqja më e madhe ishte se edhe librat rrallë i hapte.Sidoqoftë në përgjithësi nuk mungonte. Por  aty nga mbarimi i vitit shkollor vura re se çdo mëngjes ndihej jo më i gjallë por tejet i lodhur, me sy të skuqur dhe krejt i papërqëndruar.S’dija si ta shpjegoja.Dhe po bëhesha gati të dialogoja me të...Kur gjatë shpjegimit vura re se koka e tij e madhe me flokë të dendur, kafe e të  shpupurisura u var mbi bangë.Ne çast ra në gjumë me nje gërhitje që shkaktoi të qeshura tek nxënësit.U bëra shënjë të heshtnin. Dhe ata heshtën.Ai s’u përmend .Si është puna me Pertefin, thashë. Të gjithë e dinin që kisha dobësi për të, ndaj u shprehën me kujdes. Mësues, Pertefi tërë natën tremb ariun në arën e tij me misër, prandaj e zuri gjumi.Çfarë? Mbeta i pataksur.Që në Gore kishte arinj e ujq kjo s’vihej në dyshim por që të ishin kaq sheshit kjo më habiti.Po thanë ata,duke u çuditur me pataksjen time sikur kishin folur per Alaskën.Ariu e  ka bërë udhë një e dy e në arën e Pertefit.Babai e urdhëroi pas kësaj atë të vejë çdo natë në arë e të përplasë  kapakë tenxheresh të mëdha që të trembë ariun. Dhe ariu trembet?-thashë.Po....largohet ngadalë nga ara e tij. Pertefi u zgjua kur ra zilja.Historine e trembjes së ariut s’ja përmenda atij që vetë ishte një arush i vogël. 
Vitin tjetër unë u largova nga Velçani e fillova punë si gazetar.Trembja e ariut nga një fëmijë trembëdhjetë vjeçar me kapakë tenxheresh, i vetëm, natën, në një arë me misër ka mbetur si një  thërrime jete në xhepat e kujtesës.
 

Guri i diellit

Aty nga fillimi i viteve 60-të, në Korçë, në një territor, tokë djerrë, në kufi  me të ashtuquajturën”Bashtë e Ushtërisë”, pemishte me mollë dhënë  nga shteti në përdorim ushtërisë , filluan të ndërtohen një bllok shtëpish dykatëshe , tip elbasançe, me ballkon dhe oborr përpara. Ishte një përpjekje nga ana e shtetit për të zbutur nevojat për strehim duke stimuluar ndërtimin e shtëpive, pronë personale, me nje sasi kredish.Një syresh guxuan edhe pse të trembur për shlyerjen e kredisë.Për supet e nje familjeje punëtori si e imja, (babai  rrobtohej në furrat  e gëlqeres kurse nëna ditë e natë linte sytë duke qepur, sa në shtet, sa në shtëpi), kjo ishte barrë e madhe. Por u guxua falë dhe nxitjes nga ana e gjyshit, babait të nënës, punëtor e trim i madh.
Shtëpia arriti u ngrit. Gëzim i madh. Aty në dhomën e ndjenjes të suvatuar thjesht me argjilë e që binte erë pishë nga drrasat e njoma të dyshemesë u shtrua darka me qingjin e pjekur sipas zakonit.Por….shtëpia donte të tjera shpenzime,për futjen e ujit brenda e jo vetëm në oborr, për suvatime etj, etj.Kredia ishte konsumuar krejt…Isha i vogël kur dëgjoja dialogun e dhimbshëm mes prindërve për pamundësinë e gjetjes së të hollave për ndërtimet e brëndëshme të shtëpisë….
Por ja , një ditë fati u qeshi. Dhe kur s’mund të pritej.Nga ana e shtetit po mblidheshin obligacionet (letra me vlerë) duke shpallur dhe një llotari. Shansi per një shumë jo të vogël për  atë kohë u takoj dhe prindërve të mij.Gjithë banorët e rrugicës sonë, përgjithësisht njerëz të thjeshtë,  me rroga të ulta na uruan duke na thënë “Lum ju për këtë fat” Gjyshja ime më kujtohet bëri kryqin dhe u fal….
Me paratë e llotarisë u shtruan tërë dyshemetë, u ndërtuan shkallët e brendëshme prej druri, ku u vendosën  udhë leshi si dhe shkallët e jashtëme  me gurë masivë të skalitur. Ja atëhere kur ndërtoheshin shkallët prej guri, gjyshit i shkoi mendja të bëhej me këtë material guri dhe sofati aty në anë të portës. Shtëpia pa sofat, nuk ka sy, tha, aq më tepër një shtëpi që shikon nga jugu, me diellin mysafir që në të gdhirë.
Sofati bëri vënd.Ditë pas dite e vit pas viti të dukej, se ai gur i bardhë , masiv dhe i  rëndë, nën të cilin kishtë gjithnjë lagështi kishte qënë aty përjetësisht, madje para godinës së shtëpisë.Vlera i rritej akoma më shumë edhe nga fakti, se para shtëpive të tjera nuk kishte sofate.Një tjetër, ndodhej diku nga fundi i rrugicës në shtëpia e qoshes, jo shumë i preferuar për ndenje për shkak të zhurmave të makinave që lëviznin në asfalti pranë….
Tani pas gati gjysmë shekulli sofati ka memorjet e veta të pashlyeshme. Ja, babai në pranverë,verë e vjeshtë, kur kthehej i lodhur nga puna para se të hapte derën e madhe të jashtme prej druri ulej së paku dhjetë minuta, duke ja vënë synë diellit në perëndim.A thua mbi rrezet delikate të diellit të pasdites përpiqej të shkarkonte lodhjen e madhe të ditës? A thua kënaqej që ky sofat dhe kjo shtëpi i përkiste atij e ai duhej patjetër si pronar t’i shijonte këto çaste, te funddiellit ?!
Qëndronte i përhumbur, në një gjëndje statike. Sytë e gjelbërt, në të kaltër mbeteshin ashtu të hapur si të ishin pjesë e qiellit dhe diellit. Pikëla djerse i mbulonin fytyrën e kuqëremtë.  Mbi ballë i varej një degëz floku kafe në të verdhë…
Kalimtarët e rastit kthenin kokën e shihnin e ndonjë syresh largohej i trembur kur asnjë shenjë reaguese nuk u vinte nga silueta e burrit, gati e ngrirë në sofat….Por në  heshtje ai ishte në shoqërim të plakës fqinjë mbi 90-të vjeç, në shtëpia përballë , që duke qënë e paralizuar, me botën  komunikonte tej xhamit te dritares. E dinte orarin kur babai kthehej nga puna dhe do ulej patjeter në sofati i gurtë.
-U kthye Theodhori nga puna, aty është si gjithnjë,- u thosh pjestarëve të tjerë të familjes. Ata zgjatnin kokën në një rit të  zakonshëm të bindur se do shihnin të njëjtën gjë, komshiun e tyre të anës së diellit me pantallona e xhaketë doku në ngjyrë blu dhe një torbë po të doktë, kafe me ngjyra të zbardhura nga  tejpërdorimi. Një psherëtimë keqardhjeje do shoqëronte këtë shikim spontan. Fqinjët ishin të dy burrë e grua intelektualë, me zëmër të butë e shumë të respektuar.
Dhe kështu sofati e pati të zotin e shtëpisë për shumë vite mysafirin e parë që e mbante me shumë kënaqësi mbi shpinë. Por  dy vjet pas vdekjes së plakës përkarshi, bashkëshoqërueses së pafjalë në këtë dialog me diellin, i zoti i shtëpisë braktisi  uljet e zakonshme pas pune duke shijuar rrezet e ngrohta të pasdites. 
Për disa ditë  u ul sa paradite, sa pas dite, në seanca të shkurtëra veshur me tuta o thjesht me pizhame. Çuditërisht, fytyra dikur e kuqëremtë, sa të dukej se gjaku do pëlciste nga çasti në çast, në këto seanca të shkurtëra nën rrezet e diellit dukej si e dylltë prej çeres së vrarë, të verdhë. Sytë e blertë në të kaltër kishin marrë një hije të plumbtë, sa të dukeshin pa ngjyrë.Mollzat  kishin kërcyer dhe trupi të dukej se humbiste mes rrobave.
Pastaj, pastaj s’u pa më. Sofati i priste në vetmi rrezet e nxehta të diellit te mesditës dhe rrezet e ngrohta të diellit në perëndim…Fqinjët nuk zgjatnin me kokën  për të parë nëse ai ishte ulur ose jo ne sofat por diskutonin mes tyre me dhimbje për fatkeqësinë e tij.
Dhe një ditë, dera e drunjtë u hap krejt dhe sofati ndjeu ferkimet e pantallonave të kaq e kaq burrave që bartën mbi supe të zotin e shtëpisë. Iku papritur, brenda tre muajve nga sëmundja e kancerit, pa mundur të shijojë një ditë të plotë uljeje, si pensionist, mbi sofatin e gurtë.
Sofati vazhdon të jetë aty, i përhershëm dhe pse pak i hirnosur nga vitet. Mbi të janë ulur plot njerëz në vite. Ca kohë mblidheshin rreth tij çunakët e rrugës, që hargaliseshin me tregime aventureske dhe histori dashurie, në stinët e verës, është ulur dhe ndonjë kalimtar i rastit. E megjithatë po të kishte gojë ai do të thosh se edhe pse prej guri ka një plagë gjaku për atë burrin me torbën e hirtë që i shërbeu kaq vite për t’i hequr lodhjen pas pune duke pasur për ndihmës diellin.

Tregim

Nga ditari i shtëpisë së pleqve

Kafja e mëngjesit

E kishin bërë si “rregull” duke shkelur rregullin të pinin kafen para kohe..Restoranti për mëngjes hapej në ora tetë. Ata të dy zbrisnin, njëri nga kati i shtatë dhe tjetri nga kati i katërt, në ora 7.00. Të dy, njëri i shkurtër,trashaluq , me këmbë pakës të deformuara, dhe me vështirësi në ecje, tjetri i gjatë, me një zë të trashë, sy të zinj,  të mëdhenj,  shprehës, të lëngëzuar si prej të riu.I shkurti i kish kaluar 85 vjet, ndërsa i gjati ishte aty tek 77-ta.  I shkurti sillte me vete gazeta dhe bëhej burim informacioni për tjetrin. Bisedonin me gjallëri sa tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve. Kafja u vinte e freskët nga vetë kuzhinieri….Por një ditë pas lutjes së tyre në këtë lojë të kafes hyra unë… Pa dëmtuar punën u ktheva  në një kamarier ekspres për ta…Ndonjëherë ulesha dhe pranë tyre. Veç ti shikoje dy miqtë e mij si gjallëroheshin kur vinin kamarieret e restorantit apo punonjëset e pastrimit! Si djem çapkënë  u hidhnin romuze herë në anglisht, herë në spanjisht apo në shqip…Qeshnin të dy me një kënaqësi që u ndritëte fytyrën…
Po, ata ishin vetëm dy….Por….Një ditë  trashaluqi zbriti vetëm.Ishte pa humor . Ku është tjetri? - e pyeta.
-Në spital. Ka problem me veshkat.
Pas dy javësh përsëri u bënë dy.Por…fytyra e të gjatit ishte e zbehtë. Solla vetëm një kafe për të shkurtin, të gjatit nga mjeku i spitalit i ishte ndaluar kafja. S’e ngritën kokën fare kur kaluan me zëra gazmore kamarieret.
Disa mëngjese rradhë nuk u dukën që të dy në orën 7-të…..Shpjegimin e gjeta në këndin e lajmërimit për shërbime funerale. Nga fotografia më “buzëqeshte” i gjati.
Mëngjesin e parë që u rishfaq i vetëm për kafe , tek u ul tek kolltuku i përhershëm, burri i shkurtër tek fliste me mua, duke rrufisur kafen e zezë amerikane, shqeto pa sheqer, bënte ç’bënte e kokën me pak qime thinjoshe e kthente në kolltuku pranë ku ulej 77 vjeçari.Kujtimi e malli e trazonte por…ngulmonte të heshtëte....Dhe  duke zbatuar rregullin absolut ndonse të pashkruar në këtë shtëpi pleqsh, për ta parë vdekjen si diçka të zakonshme që vjen , merr dikë e ikën pa zhurmë,  ai s’do të fliste sikur të mos e pyesja unë gati papritur: A nuk iku shpejt?! Vetëm 77 vjeç…
-Të dy veshkat nuk i punonin më....kishte vite që vuante.
-La njerëz të afërm?
-Jo .Ishte krejt i vetmuar.Disa të afërm , kushërinj të dytë i ka në Gjermani. Këtu pas lufte me shkatërrimin e Gjermanisë erdhi djalë fare i ri. I’u fut punës me inat e ngriti një biznes për montimin e ngrohësave dhe kondicionerëve. U martua tre herë…S’i ecte me gratë. Me më të fundit u nda para se te mbushte 70 vjeç. Me asnjë nuk pati fëmijë. Ishte aq i dashur dhe aq njeri i mirë….
Kaq tha për mikun e vet e më  s’e hapi bisedën për të gjatë mëngjeseve për kafe. Brenda mundësive nisa ta shoqëroja  gjatë pirjes së kafes.  Dhe fjalë pas fjalë mësova diçka për të. Ishte as pesë vjeç kur erdhi 80 vjet më parë tok me prindërit nga Italia. Babai i shkathët e punëtor bëri si bëri dhe e çeli një berberanë të stilit Italian diku në periferi  të Chicagos. Nuk fitoi keq. E rriti biznesin. Nga periferia “sulmoi” qëndrën duke hapur një berberanë  moderne, me më shumë hapësirë e dritë dhe paisje të kohës.Mori  emër.
-Unë - e pëlqëja zanatin e babait.-më tha- i shkoja gjithnjë pas, jo vetëm kur isha fëmijë por edhe gjatë viteve  të shkollës së mesme. Por babai synonte lart për mua. Donte të më bënte avokat ose doktor. Unë ç’është e drejta shkollën e shihja shkarazi, jo dhe aq për të studiuar se sa vend ku mund të takohesha me miqtë e sidomos vajzat. Kam qënë pak qefli si gjithë italianët. Kolegjin s’e mbarova. Ama zanatin e berberit e shndërrova në art. E kupton këtë? Babai ishte mjeshtër. Unë isha ..s’e them për mburrje isha, isha artist…..Në sallonin tim kanë ardhur jo vetëm zonja e zotërinj të klasit por edhe artiste e artistë filmi, modeliste e personalitete politike e qeveritare…
Në fillim kjo më habiti. Vërtet ky plak i shkurtër, trashaluq, më dy këmbë të harkuara,me siguri diabetik (pluhurin e kanellës që thuhet se ul sheqerin në gjak e mbante gjithnjë me vete për ta hedhur në kafe) ishte i famshëm në Chicago ku  farfurijnë sallone bukurie me famë botërore…? Oh pamja e tij ishte larg të qënit artist….Por kur fliste se ç’kishte një timbër të  veçantë në zë dhe sytë i merrnin ca ngjyrime shprehëse që s’mund ti gjesh kërkund veç në artistët…
Hollësira te tjera nga jeta e tij mësova duke e shoqëruar për kafe . Ja,  rregullisht ai shkonte në kishën katolike çdo të djelë. Të shtunave, vinte një miku i vet e së toku darkoseshin në  restorante të shtrënjta, lluksoze ose shkonin ne kazino, ku më shumë humbisnin se fitonin të holla.
Nisi të më mundonte kërshëria për të mësuar rreth familjes së vet, gruas,fëmijve, nipërve , mbesave. Kush vallë trashëgoi sallonin e tij të famshëm ?! Pse ai nuk shkon më në sallon , të shohë ç’bëhet e të rindezë kujtimet nga e kaluara?! Por ai sikur ta kishte fjalën të racionuar, sa për një kafe,  thosh diçka e pastaj binte në një heshtjë gati  medituese duke e lënë shikimin pezull. Ky ishte sinjali që më thosh mua çohu, mjaft për sot.
Enigma familjare e tij, u duk se u zgjidh në mëngjesin e një të hëne. Kishte veshur një këmishë të kaltër,  që e tregonte më të ri. Pantallonat e reja i zbukuronte  një rip i ri lëkure me një  kokëz dekorartive , punim argjëndor. Sa i vura përpara kafen  filloi të tregojë. “ Dje mbrëma isha në dasmën e një prej mbesave….Oh, kam bërë qef, jam kënaqur shumë. Verë, këngë e vallzime pa masë…Ke parë ndonjë dasmë italiane ?…S’janë dasma , janë opereta…Mbeska s’mi hiqte sytë. E shihja e  sy besoja syve…U rrit edhe kjo, u bë për dasmë ?! Pa kur më vunë në valle….Ikni u thashë, me këto këmbë kërcu s’kërcej dot. Po nipërit gati më ngrinin në ajër pa mundur të prekja pistën e vallzimit prej mermeri. E beson unë jam 180 paund, por nipërit janë kollosë, shumë të fuqishëm….
E ndjeva se ky ishte çasti kur unë mund të mësoja më plotësisht për familjen e tij. Ndërhyra mes dallgëzimit të euforisë .
-Të vajzës apo të djalit janë nipërit dhe mbesa që u  martua?!
-O zot !? Kaq idioteske dhe vrastare ishte kjo pyetje sa të zhdukte krejt prej gjithë qënies së  tij gëzimin përtëritës, aq të çlirët si prej fëmije?! Ngriu dhe fytyra aq shprehëse dhe gazmore pak më parë  u errëtua, si pas një lajmi tronditës, fatal…Më pa me ca sy ku përzihej tronditja  dhe dyshimi. Në fillim nuk u përgjigj. Pastaj tha : Jo mbesa  është vajza e motrës dhe dy nipërit janë djemtë e vëllait.
Gotën plastike bosh të kafes e mblodhi shuk me nervozizëm, veprim që s’e kish kryer kurrë më parë.
-Të lutem hidhe pak në koshi i plehrave tha me një zë ku më shumë se urrejtje, për pyetjen time pa takt shprehej keqardhje.
U largova.Ndihesha pak i fyer nga sjellja e tij e çuditshme. Jo, më nuk do tentoja të  zhbiroja në jetën e tij, veç në tregoftë ai….
Ditën tjetër nuk erdhi vetëm. Shoqërohej nga një burrë i shëndoshë dhe i gjatë, me flokë gjysëm  bjondë dhe me sy të kaltër. Nuk e njihja. Ai kishte vetëm një javë që kishte hyrë në shtëpinë e pleqve. Për këtë shoqëri të re, miku im i vjetër  ndihej i kënaqur. Mësova se ishte me origjinë polake. Fëmijë i vogël me prindërit kishte shkelur Amerikën 80 vjet më parë. Dyzimi bëri që të rralloja bisedat me të. Dëshira për të zhbiruar deri në fund  të gjëndjes së tij familjare u fashit. Miku i ri u ul në po atë kolltuk ku ulej dikur shoku që ishte ndarë nga jeta.
Me këtë bujtës të ri, thashë me vete, edhe pse e ka sa vetja mbi 85 vjet, ai do tja kalojë mirë. Duket i muhabetit, ka humor dhe është i fortë nga shëndeti. Parashikimi im u vërtetua. Pas një muaji këmba e djathtë e sëmurë e mikut tim u rëndua dhe ai u detyrua të shkonte në spital për operim. Kur doli ishte i detyruar të përdorte karrocën. Miku i vet i ri, çdo mëngjes e ndihmonte në shtyrjen e karrocës dhe zbritjen poshtë  në sallon për kafe. Prania e karrocës, nuk prishi humorin e të dyve. Edhe unë kur u çoja kafen bëja sikur se vija re një gjë të tillë. Me përjashtim të përshëndetjeve të ndërsjellta  nuk shkëmbeja gjë tjetër…Gjithcka u kthye në plogeshtinë qetësiplotë të rutinës së përditëshme. Por të papriturat shëndetësore  në këtë shtëpi , janë po kaq rutinore sa pirja në të njëjtin orar e kafes. Ai zbriti vetë, duke shtyrë me sforcim rrotat e karrocës. Çerevrarë në fytyrë më tha se shoku i vet kish pësuar një goditje në tru, ishtë rrëzuar përtokë dhe tani ishte në gjendje kome në spital.
Përsëri i vetmuar, pa shokë dhe për më tepër me këmbë të paurdhëruara. I dhashë kafen. Më tha vetëm faleminderit, me dëshirën e dukëshme për ta rrufitur në heshtje. Të nesërmen,aty nga ora 6-të e mëngjesit me telefonoi në sportelin, në hyrje të godinës.Mu lut në ora 7.00 të ngjitesha në apartamentin e tij e ta ndihmoja në shtyrjen e karrocës për të zbritur në holl për kafe. I premtova duke e ditur se kjo do të ishte ndihma e parë dhe e fundit, përsa kohë një veprim i tillë nuk ishte i lejuar. Sigurisht dhe ai e dinte këtë. Madje po këtë ditë ishte në pritje të personit që do të vinte e banonte 24 orë në apartamentin e tij për tu kujdesur posaçërisht.
Trokita dy herë me kokëzën ngjyrë floriri të derës, aty tek syri magjik . Dëgjova zërin e tij të ngjirur :hyrë!
Ishte hera e parë që hapa derën e apartamentit të tij. Për kushtet shëndetësore të tij prisja të gjeja rrëmujë…Por jo. U befasova, gjithçka ishte perfekt…Dhe më shumë…Muret e dhomës së ndënjes ku ai po më priste i veshur,ulur në kolltuk ishin plot fotografi e piktura, të vendosura në të njëjtin model kornize gdhendur në dru are. Fotografitë më shpjegoi janë  nga salloni i bukurisë, për të cilin të kam folur, janë kryesisht top modele dhe artiste filmi, pikturat janë pejsazhe dhe kompozime në vaj me pamje kryesisht nga Italia. Edhe pse me një shikim të nxituar, koha s’më premtonte, ato më tërhoqën shumë e më bënë të kuptoj se ai burri, trashaluq, me këmbë kërcu, i paaftë të ecë, dikur, dikur ishte një artist, gjithë gjallëri e aq ekspresiv.
Bukur, shume bukur- thashë me admirim- ndërsa u nisa drejt tij. Por disa fotografi ekspozuar mbi një tavolinë të madhe mesi me një rimeso të shndritëshme më ndalën këmbët.Portreti i një gruaje, shtathollë, me flokë të zeza dhe me syze dielli më buzëqeshte me ëmbëlsi. Një vajzë e një djalë përqafuar dhe pastaj katër vetë , djali, vajza, gruaja dhe ….po edhe pse trasformuar krejt, dallova mikun tim. U drodha në gjithë qënien time. Më në fund po zbuloja familjen e tij që ai, kaq herë është munduar ta shmangë nga bisedat . Përse ,përse vallë nuk do të tregojë për këtë vajzë, këtë djalë dhe këtë grua fytyrë ëmbël?! Nga fotografitë ktheva kokën nga ai që po më ndiqte me shumë vëmëndje. Jo nuk pashë asnjë shënjë mërzie apo egërsie që preka pjesën më të ndjeshmë të sekreteve të tija…Përkundrazi, e gjithë qënia e tij dëshmonte për trishtim e dëshirë për tu mbështëtur diku, për të treguar e treguar gjithçka….
Pa e pyetur më tha.Familja ime, djali,vajza, gruaja.Kemi dalë një ditë para se t’i humbisja. Sikur ta dinim që do ndaheshim përgjithnjë. Të tre  tridhjetvjet më parë humbën jetën në aksident automobilistik.Të tre. Më lanë vetëm. Vetëm me kujtimet. S’u martova. Dhe pas kësaj edhe sallonin e bukurisë e shita. S’më hynte asgjë në sy. Ja kështu….Tani më ndihmo të ulem në karrocë e të pimë kafen…
                                                            xxx
Që kur mësova këtë të vërtetë të jetës së tij kanë kaluar disa muaj. Ai operoi përsëri këmbën dhe vazhdon të qëndrojë në spital. Kafen po e pi vetë, jo më me sheqer e qumësht si dikur por të zezë, si e pinte ai…..

Chicago, prill 2009.

Thërrime jete mbetur në xhepat e kujtesës 

Unaza prej floriri
(Skicë)

I kishte humbur krejt fytyra mes degëve ngarkuar me pjeshkë. E nxehta përvëluese impononte heshtjen. Zërat e qeshura të mëngjesit, kur u fillua vjelja me një shpejtësi turravrapëse, ishin shuar krejt…Aty këtu dëgjohej ndonjë dialog i mbytur dhe  i  padëshifruar.. Herë , herë ndihej e ecura nervoze e shpejtuar e pronarit  dhe thirrja ngulmuese: Grigora, grigora …!”* Fundi i rreshtit, me rrënjët e mbetura për t’u vjelë dukej sikur lëvizte pafundësisht, për të mos u kapur kurrë.Kova plastike ku vendoste pjeshkët me  kujdes për të mos i vrarë, po i rëndonte aq shumë sikur në të të ishin vënë gurë. I përvëlonte fytyra ku djersa ishte trashur nga pushi i pjeshkëve si të ishte mastiç për të ngjitur këpucë.Jo kurrë s’e kishte menduar kaq të vështirë vjeljen e pjeshkëve…..
Por..ndoshta ishte dita e parë. Më vonë do të mësohej. Gjatë vjeljes, ku s’i shkonte mendja….Ja disa herë rrezet e diellit binin mbi rrethin e florinjtë të unazës ,  teksa dora gjatë vjeljes lëviste papushim mes degëve, gati shkure të pemëve. Ato përthyheshin e sikur ktheheshin përsëri tek disku farfuritës. I pëlqente kjo lojë e rrezeve me unazën….Tek ndiqte këtë lojë jo njëherë i vinte pranë fytyra e trishtuar e gruas me të cilën s’kish as dy muaj martuar…Mos ik, mos ik!- i ishte lutur ajo…E kam të vështirë te jem pa ty…
-Ta provoj, në fillim në pjeshkët pastaj do shkoj në qytet të ze një punë të mirë dhe të të marr dhe ty- i premtoi ai….
Tani, tani mezi priste të mbaronte punën. Lodhja e kishte vënë poshtë. Sytë i ishin përskuqur si nga ethe të mëdha….Dhe ja u prek fundi i rreshtit. Vendosi shkallën nga ana e vet. O burra, i tha shoku nga krahu tjetër, ta zhveshim edhe këtë pjeshkë e të vemë të shlodhemi. Në mbrëmje do shkojmë në buzuqe.Ke për të ngrënë suflaqe dhe do shikosh botë! Se mos harrosh që je i martuar!....
Nuk u përgjigj. Në fytyrën e përskuqur si të dalë prej furre zjarri u ngërdhesh një buzëqeshje…E ndjeu gjaku t’i lëvrinte me shpejtësi. I’u ngjit shkallës me vrull inatçor. Nisi të  mbledhë të fundit pjeshkë në këtë ditë të parë si emigrant. As vetë s’po e kuptonte nga i erdhi papritur kjo energji.Duart i futëte me forcë mes degëve dhe gishtrinjtë si prej automati kapnin pjeshkët e verdha në të kuqe që shpejt përfundonin  në kovën plastike. Shoku i vet që kishte vite si emigrant dhe si vjelës pjeshkësh ndali një çast punën dhe po e vërente  me habi…
Ej-iu drejtua-më ngadalë nuk mbyllet dita me tërsëllëmë. Do lodhesh. Thashë të shpejtojmë po jo të vrapojmë.
Por ai s’e uli ritmin, u ngjit edhe më thuajse në majë të shkallës e po vilte të fundit degë, të ekspozuar në dritë e ajër, që thuajse ishte përtej kurorës së
pemës, në lirinë e vet…Mbetën vetëm tre kokra në majë të degës, në pjesën më hollake e delikate të saj…Tre kokra që verdhonin mes  masivit të gjetheve të blerta të pjeshkës. Për  një çast ndjeu keqardhje. A nuk është dhe pjeshka , frymore, qënie e gjallë? Zgjati duart  për ti këputur tre kokrat. Dhe donte të përsëriste atë lojën e përthyerjes së rezeve të diellit që farfurinte lart në rrethin e florinjtë, përthyerje që do ta  përziente me verdhëllimën e pjeshkëve….Por..O zot!... U drodh i tëri. Në gisht mungonte unaza e florinjtë. Në vënd të saj një vijëzë gjaku si e prerë më thikë.I hodhi me ankth pjeshkët në kovë dhe i thirri shokut nga ana tjetër e pemës: “Më ka humbur unaza prej floriri, unaza e martesës”
Të dy nisën të kërkonin, poshtë kurorës së pemës. Ishte një bar i sertë, i lartë dhe i bërë zhufkë sa mezi hapej. Erdhën dhe të tjerë. Për gati një orë u kërkua unaza. Por ajo s’u gjet.
Refuzoi ftesën e shokëve për të shkuar në buzuqe. Tërë kohën qëndroi jashtë duke  ndjekur perëndimin e diellit.

Grigora: gr.- shpejt.

Chicago, prill 2009



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora