E hene, 14.10.2024, 04:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Shënim biografik për novelën '' Një çmim për shkrimtarin e vdekjes''

E diele, 22.03.2009, 10:02 AM


Robert Martiko
Robert Martiko
SHENIM BIOGRAFIK PER NOVELEN
“NJE ÇMIM PER SHKRIMTARIN E VDEKJES”
(Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur)
            

Gjithë idealizmi i rreshtave të mia buron prej faktit që pata në jetë një prind e mësues të jashtëzakonshëm si Dino Martikon. Në historinë botërore të njerëzimit rrallë mund të gjënden njerëz të tillë, që para detyrës imperative të të qënurit i ndershëm deri në ekstrem, qoftë edhe më të panjohurin apo më të fundin e lagjes, shkojnë të sakrifikojnë edhe vetë familjen.
Kjo pikërisht ndodhi me ne.
Përfytyroni pak vitin 1946... Me mbylljen e kufijve, Shqipëria e asaj kohe i përngjante një Ferri të vërtetë dantesk. Dy oficerë sigurimi, të deleguar nga Ministria e Punëve të Brendshme i propozojnë Dino Martikos për ta dërguar në Greqi si agjent të kuq. Mund të tërhiqte gjithë familjen në të ardhmen. Të gjendeshim të gjithë në Perëndim. Veç do t’ i duhej detyrimisht të spiunonte bashkatdhetarët e arratisur, të instaluar jashtë vendit. Qe koha kur njerëzit në Shqipëri vriteshin pa gjyq, rrugëve... Im atë i njihte për bukuri pasojat e refuzimit, pasi ishte sekretar i Kom. Ekz. në Sarandë dhe njëkohësisht anëtar partie. Iu përgjigj të dërguarve të ministrisë prerë, me këto dy fjali tepër të thjeshta: “Jam ekonomist. Nuk e njoh atë zanat”.
Burgosjet e para në Bregdetin e Sipërm të Sarandës ndodhën pikërisht kur atë e kishin përjashtuar nga partia. I gjendur në të njëjtën celulë me parinë e lartë të qytetit, zihej fyta-fyt, për të mos aprovuar arrestimet. I drejtohej shefit të sigurimit të asaj kohe me fjalët: “Mos harro që ke qënë dikur spiun i italianëve. Pikërisht ti meriton të futesh në burg dhe jo viktimat e pafajshme që shkon të shkaktosh në Bregdetin e Sipërm”... Natyrisht, nuk mund ta mbante gjatë në radhët e saj partia e krimit një person të tillë, i cili guxonte t’ i dilte kundër, madje, në problemet më kardinale të saj, siç qe Lufta Famëkeqe e Klasave.
Intrasigjenca e karakterit të tij të papërkulur e kurajoz u sprovua veçanërisht në burgimin e tij të parë, kur i u drejtohej hetuesve të sigurimit të Vlorës dhe gjeneralit Petrit Hakanit me frazat: “Mos u mundoni më kot me mua. Pse nuk shkoni më mirë në familjen time? Merrni djalin tim e më thoni se do të ta varim këtu, para syve të tu!... Nga unë nuk keni për të nxjerrë asgjë. Jam i pafajshëm!”. Gjithë këtë rezistencë Dino Martikua e bënte ngaqë nuk mund të dekonspironte apo tradhtonte, qoftë edhe një grimë bisede të kryer me miqtë e tij kundër regjimit komunist.
Atëhere qe dyzetedy vjeç. Hetuesia zgjati gjashtë muaj.
Në burgimin e dytë qe gjashtëdhjetepesë vjeç. Hetuesia zgjati nëntë muaj. I trajtuar me mënyra çnjerëzore, arriti të dalë në gjyq kockë e lëkurë. Veç i pajisur me karakter prej çeliku e shpirt fisnik, përsëri kishte arritur të ruante të paprekur, me fanatizëm, miqtë e tij apo ndryshe, shqiptarët... Matanë dyerve të mbyllura të sallës së gjyqit, në Vlorën e terrorizuar deri në palcë të vitit 1980, në mjaft raste toni i tij i prerë e nervoz u lartësua i fuqishëm, mbi zërat e prokurorit e gjykatësve famëkeqë të kohës...
Dino Martikua është personi i cili, me kapitullimin e Italisë fashiste, në shtator të vitit 1942, arriti të marrë në dorëzim qytetin e Sarandës pa gjakderdhje, ndryshe nga ç’ndodhi në Gjirokastër. Nga tri qeveri të ndyshme arriti të burgosej dy herë prej secilës, gjithësej gjashtë herë, pa u dorëzuar kurrë moralisht dhe duke e përbuzur vdekjen. Burgimi i fundit i mori jetën në burgun e Zejmenit, në vitin 1985, në moshën shtatëdhjetë vjeçare.

Sa për mua, i vetmi akt patriotik ndaj shqiptarëve, që më bën të ndjehem krenar dhe njëkohësisht ballëlart, është se nuk kam asnjë viktimë në ndërgjegje. Natyrisht, u mundova shumë për ta arritur një gjë të tillë: veçanërisht, dy vjet të tëra në një repart ushtarak të Tiranës, megjithë presionet dhe kërcënimet e shefit të sigurimit.
Me e rëndësishmja konsiston në faktin se është gjë e mrekullueshme kur arrin të kuptosh se nuk është aspak e lehtë të tradhtosh, jo vetëm shokun e mikun por edhe të panjohurin...
Do të dëshëroja që pikërisht flakën e kësaj edukate, ndershmërie e karakteri t’ i përçoja brezit të të rinjve në letërsinë kontemporane... Kjo është arësyeja që i jap një rëndësi të dorës së parë çështjes së modeleve shpirtërore të një shoqërie për së mbari, e denjë për të çarë të ardhmen me kokën lart dhe jo të zvarriset si një qënie e molepsur dhe e sëmurë në errësirat dhe humnerat e pafund të historisë...
Duke e konsideruar patriotizmin, si një akt respekti ndaj kultit të shenjtë të njeriut, sinqerisht më vjen për të qeshur me ca patriotë, që nuk arrijnë të kuptojnë se dashuria e tyre duhet në radhë të parë të drejtohet për shqiptarin dhe pastaj për malet, detet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, poplat apo gjërat e pashpirt të rrugës. Për fat të keq, numri i tyre është mjaft i madh dhe mund ta quaj një sëmundje të vërtetë për të ardhmen e vëndit.
Sipas meje, patriotizmi nuk duhet të përbëjë afsh e etje të pashuar për pushtet e pasurim me çdo kusht, por një zemër të hapur e të ndershme të mbajtur në dorë, të destinuar kryesisht për përparimin moral të NJERIUT...
Hapja e shpirtit drejt të bukurës së ndershmes, fisnikes, ideales, edukatës, heroizmit, të bukurës e të ndershmes,  garanton Rilindjen e vërtetë të një  Kombi!

Autori

(Robert Martiko)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora