E premte, 26.04.2024, 10:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Pasthënie e autorit për novelën ''Një çmim për shkrimtarin e vdekjes''

E hene, 16.03.2009, 08:38 PM


Robert Martiko
Robert Martiko
PASTHENIE E AUTORIT PER NOVELEN
“NJE ÇMIM PER SHKRIMTARIN E VDEKJES”
(Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur)

                                         
Eshtë një libër - thirrje, në mënyrë që institucionet kudo në botë të bëjnë përpjekje të vijueshme për të konservuar denjësisht vlerat humane... Monumentet e konsakruara për depozitimin e kujtesës së iluministëve të një kombi, mishërojnë aspiratat dhe gjakun e derdhur në emër të idealeve më të larta njerëzore për ndriçimin dhe ndërtimin e një bote më të bukur... Jo përplasjen e njeriut me planetin e tij, siç ndodh për fat të keq, në ditët e sotme.
Duke iu kthyer rëndësisë së vlerave klasike të urtësisë dhe ndershmërisë në formimin e individit, dua të theksoj se Panteoni i një vendi nuk është një mejhane sarahoshësh. Ky libër përbën njëkohësisht thirrje për kujtesë dhe respekt të thellë ndaj viktimave të pafajshme të komunizmit. Nuk mund të harrohet kurrsesi Lufta e Klasave me gjashtëdhjetë miliona të vdekur në gjithë botën si dhe çiraku i saj, tepër aktiv, i ashtuquajturi famëkeq, Art i Realizmit Socialist, që shoqëroi hetatombat e panumurta të jetëve njerëzore me devotshmërinë e një hiene, mercenari dhe njëkohësisht të një sahanlëpirësi ekzemplar.
Eshtë për t’ u habitur që deri më sot, një vend i vuajtur e i stërmunduar si Shqipëria, nuk kujdeset për të vendosur në piedestalin më të lartë të saj, heronjtë e saj të jashtëzakonshëm, të cilët nuk u dorëzuan kurrë para hetuesive të sigurimit, por merret me ca tipa me karakter të vajtueshëm, të cilët vetëm dëm mund t’ i sjellin brezit të ri si modele njerëzore. Në vend ta edukojnë se si t’ i verë gjoksin ndershmërisht jetës, krejt ndryshe, e mësojnë atë të fshihet e dredhojë në emër të kërmës dhe interesave personale. Jo më kot një proverbë italiane mëson se, kujt i pëlqen të çalojë, mëson të bëhet çalaman.
Eh! Kjo është gjithë ambicja ime letrare, të paktën deri në këto çaste... Të përpiqem të iluminoj djemtë e Arbërit, në Shqipëri apo të shtrënguar në emigrim, ku vuajnë e zvarriten pa e kuptuar se nga ju vjen dhe nga u ka ardhur historikisht e keqja... Dhe pikërisht nga brashnjarët e ndërgjegjes njerëzore, që e konsiderojnë të afërmin e tyre si mjet për ta vrarë, zhdukur, shfrytëzuar, vjedhur e poshtëruar.
Pavarësisht nga gjynahet e Botës së Sotme të Civilizuar, arritjet e këtyre vendeve nuk zbritën nga asgjëja... Gjithnjë brenda kombeve të tilla, të ndritura, është ruajtur dimemsioni hyjnor i modeleve të tij. Jam nga ata shkrimtarë që kryesisht i jap një rëndësi të dorës së parë edukatës së fëmijëve tanë. U del detyrë institucioneve të një kombi hapja e shpirtit të ndershëm e fisnik dhe jo mbyllja e tij. Shpirtërisht, nuk do të aprovoja kurrësesi të vendoseshin përbri Skënderbeut, Çerçiz Topullit, Mujo Ulqinakut, Pjetër Meshkallës, Dom Ded Malajt, Zef Jubanit, Azem Hajdarit, Nënë Terezës apo Lasgush Pogradecit hienat e mbijetuara dhe furbot e mirënjohur të  historisë.
Udhëheqësit e lartë të Shqipërisë duhet t’ i konsiderojnë postet që u kanë besuar votat demokratike, si një detyrë imediate shpërblimi dhe lehtësimi të vuajtjeve shekullore të popullit dhe jo ndihmë e rryshfete të pamerituara për njerëz që dikur u drejtoheshin diktatorëve të ngrenin gijotina kokëprerëse në mes të Tiranës. Dhe për çfarë, të nderuar zotërinj?!... Për të vrarë e masakruar shqiptari shqiptarin, vëllai vëllanë... Më falni, por këta prototipa jo vetëm që nuk vlejnë për t’ u vendosur në Panteonin e Shenjtë të Kombit, por duhen karantinuar e mbajtur me yje drite  larg tij.
Kam shkruar këtë libër, në mënyrë që të mos harrohen kurrë ato faqe turpi, errësire, zije, vdekjeje, kolere e depresioni historik, madje, prej intelektualëve më të zgjedhur të vendit. Nuk janë të denjë të qëndrojnë përbri dritës e reflekseve të gjakut të heronjve e martirëve të demokracisë...
Çfarë rilindje shpirtërore pritet të ndodhë në Shqipëri? Si mund të ndërtohen pallatet e të nesërmes, me materialet prej kall?mi dhe balte, të së kaluarës? Zotërinj të nderuar, nuk bëhet fjalë për mbeturina ushqimi pas një dreke të shtrenjtë, por për gjënë më të çmuar,  NJERIUN!
Mund t’ju siguroj se në Shqipëri ka mjaft talente të reja, për të arritur çmimet maksimale në botë... Të jeni më se të bindur. Personalisht njoh mjaft prej tyre. Vetëm duhen ndihmuar të përkthehen e lançohen për t’ u bërë të njohur në botë, siç bëri dikur diktatori famëkeq Enver Hoxha, për motive  personale.
Sa për mua, njësoj siç veprova  dikur, kur isha në moshë të re, kur për herë të parë muza e letërsisë më trokiti në shpirt në një kohë kur krimet dhe burgjet e Shqipërisë gjëmonin dhe zgjodha heshtjen, moralisht të njëjtën gjë kryej edhe sot: përpiqem ta drejtoj Artin drejt gjërave të ndershme të jetës... Mos të gënjejë mendja ndokënd se do të nisesha për të realizuar këto radhë, prej ambicjesh dritëshkurtra. Nuk më hyjnë në punë kurorat  apo dafinat e pëgëra, të lyera me gjak...
Mbetem besnik i parimit klasik se Nderi duhet të ushqejë Artet...
I gjithë qëllimi im, i këtyre rreshtave të thjeshta, është që fëmijët tanë të rriten në një botë të bukur, të kthjellët dhe  pa re. Pikërisht këtyre u takon e drejta të jenë engjëjt e denjë e të bukur të së ardhmes...
Ndërkohë, ju kërkoj falje për tonin tim. E megjithatë,  kur bëhet fjalë për modelet e shenjta dhe për perkursionet e tyre iluministe për të ardhmen e humanizmit, nuk do të rezervohesha aspak për ta përsëritur...

ROBERT MARTIKO



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora