E enjte, 28.03.2024, 08:23 AM (GMT)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: "Rranë këmbanat në Nju Jork!"

E premte, 13.03.2009, 09:14 PM


Eli Rizo-Gjezo
Eli Rizo-Gjezo
"Rranë këmbanat në Nju Jork!"
  
(Duke dëgjuar albumin e ri muzikor të kantautores Eli Rizo Gjezo)

Nga Pierre-Pandeli Simsia
 
Kantautorja nga qyteti Sarandë me banim në New York, Eli Rizo-Gjezo, pas albumit të saj muzikor  "Je ëndra ime kudo që shkoj", kohët e fundit doli me albumin e ri të titulluar "Rranë këmbanat në Nju Jork"
Duke lexuar titullin, lexuesi, sigurisht,  mendon për rrënien e këmbanave të një kishe...
Ato vërtetë  rranë në një kishë në Nju Jork vite të shkuara për fatkeqësinë që i ra familjes së saj... , por jeta e dhimbëshme e vetë Elit pa fëmijëri, me rini të vrarë e të mohuar, janë një dhimbje e pashërueshme, një plagë, një fatkeqësi dhe "këmbanat" e Elit bien për të gjithë ata jetë të vuajtur në burgime dhe internime.
Edhe pse vetë Eli dhe Familja e saj u godit rrëndë nga sistemi i djeshëm edhe pse Elit iu vra fëmijëria dhe rinia nga çmenduria komuniste shqiptare, ajo dhimbjen e atyre viteve na e sjell me vargjet e saja, me muzikën e saj, me zërin e saj që i këndon dhimbshëm fatit të saj.
Në pamje të jashtëme, të gjithë ata që e njohin nga afër sot Elin, të duket, sikur hesht dhe, në fakt ajo hesht. Nuk e ngre zërin me forcën e shpirtit dhe të dhimbjes të dëgjohet në kupë të qiellit për vuajtjet e jetës së saj. Dora e saj rri ulur për të shkruar tekste këngësh dhe vijën e tyre muzikore; nuk e ngre lart për të mbajtur dhe për të  tundur flamurin e të persekutuarit politik, siç po shohim shpesh sot nga njerëz të ndryshëm, mes tyre artista dhe krijuesa në turravrapin e tyre, pse sistemi i djeshëm komunist për meritat e tyre i morri edhe nga fshatrat, vendlindjet e tyre për ti çuar në Tiranë dhe më vonë i transferoi në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke ushtruar edhe profesionin e tyre krijues arti...
Eli ka heshtur, sepse, flet vetë fakti kur familja e saj u dëbua nga perla Sarandë, për t'u degdisur në fshatrat, atje, ku "ha" pula gurë.
Eli hesht, se flasin bashkqytetarët e saj që e kanë njohur atë dhe familjen e saj.
Eli ka heshtur...
Por edhe pse Eli mundohet të heshti..., ajo nuk mund të heshti për vargjet që i burojnë nga shpirti i saj, për tingullin, muzikën, pjesë e së cilës është edhe ajo vetë, e lidhur shpirtërisht, pa të cilën, nuk mundet dot të jetojë.
Kantautorja shpërrthen në vargun e saj. "Ti je unë e unë jam ti/ të kam nënë më ke fëmijë.../ rrugëve të botës kur kaloj/ jam Saranda, vetë këndoj.../ shkruan ajo midis të tjerash në këngën që ia kushton qytetit ku u lid dhe u rrit.
Edhe pse këtë këngë ia kushton Sarandës, vargu i mëposhtëm të duket sikur Eli i drejtohet vetes së saj: /...kanarinë e rrallë, e bukur e gjallë, kanarinë e pagojë.../
Kanarinën, në vitet e shpërrthimit të saj rinor në këngë e mbyllën në kafaz, ia mbyllën gojën për të kënduar, ia ndrydhën dorën për të shkruar.
"Kanarina" e Sarandës, siç do ta quante kompozitori i mirënjohur Kujtim Laro në vitin 1974, atëhere, kur do t'i besonte edhe këngën e tij "Derdhëm gjak e hodhëm rrënjë" në Fest. e 13-të të Këngës në RTVSH, këngë, e cila fitoi çmimin e dytë.
Kanarina e Sarandës, siç do ta quante edhe kompozitori Thoma Gjoni, i mirënjohur me këngën "Hidhe hapin vogëlush".
Duhet të kalonin vite të tëra plot vuajtje dhe dhimbje, që kantautorja të realizonte ëndrën e saj të herëshme; të dilte në skenë e të këndonte, të nxirrte albumet e saj muzikorë.
Të nënta këngët e albumit muzikor "Rranë këmbanat në Nju Jork" kur i dëgjon, të ngjajnë me një det valë qetë, të kristaltë, sikur noton nëpër të, sepse kështu edhe ia ka përshtatur introduksionin dhe orkestracionin mjeshtri i muzikës Edmond Xhani, me të cilin Eli ka bashkëpunuar me atë album.
Por, atij detit të qetë muzikor, Eli mjeshtërisht dhe me dhimbje ka ditur t'i sjellë edhe disa dallgë, që  në dëgjim të parë të duken dhimbëse, therrëse për të gjithë ata vuajtës dhe të munduar.
Po përmend dy këngët: "Kënga e skifterit" dhe "Balada e dhimbjes"
"Kur në qeli, heshtje e vetmi, gërvisha muret, me thonjë ta shkrova emrin aty.... të lash rini, pa dashuri plakur aty...sa mijëra netë, yjet mbi det i numeroja, ty te kerkoja, kaloi nje jete, mbyllur aty flisja me ty dhe enderoja te isha zog ne liri.  Sa herë zogu fluturonte, dhimbjen në shpirt mua më zgjonte, sa herë zogu fluturonte, ne nje cop qiell, ne rete e lotit me shoqeronte..."
E kush më bukur se vetë kantautorja do t'i shkruante këto vargje!
Sa jetë rinore të bukura dhe të pafajshme preu shpata komuniste për t'i mbyllur në qeli!
Si një bashkëvuajtëse e goditur nga regjimi i djeshëm, të duket së këtë këngë Eli ia kushton këngëtarëve rinivrarë, rinihumbnur, shpresëshuar Sherif Merdani, Nevruz Yzeiri, Alida Hisku, Justina Aliaj, Dorjan Nini, Sokol Leka, Françesk Radi...
Është fakt i njohur sot, që Shqipëria ka patur dhjetëra e qindra Sherif Merdan-ra me shokë, ata zogj të mbyllur,  që gërvishën murret e qelive të errëta e të ftohta... të mbyllur në moshën më të bukur të jetës, në ëndërrimet e tyre për të dashur-it, -at, e tyre, brenda qelive thoshin, të dua, me do...
Dhe për ata zogj krahëthyer e gojëkyçur, Eli ka zgjedhur skifterin, për ta çuar edhe njëherë atë dashuri të fluturojë e lirë, në mbretërinë qiellore të paskaj. Ta shohin të lirë edhe njëherë si atëherë, kur ëndëronin për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
"Balada e dhimbjes" Është kjo këngë baladë, që jo vetëm vargu i saj, por me një përshtatje të shkëlqyer në muzikë, çdo dëgjues ndjen dhimbjen therrëse të nënave tona të mira, të pafjshme kur e dëgjon atë këngë. Bashkë me vargun dhe melodinë e dhimbshme, ajo rënkon në këngë; rrënkon dhimbjen e thellë për nënat tona që s'u qeshi buza asnjëherë, ku vetë jeta e tyre qe dimër ngaherë. Ishin nënat tona të mira, të urta që duruan dhimbjen e madhe. "plasi "guri nga rrënkimet e tyre.
Nuk ishte vetëm nëna e pafajshme e Elit që e dëbuan forcërisht familjarisht nga qyteti i bukur, për ta degdisur në fshatrat e thella, të hapte kanalet mes kallamishteve me shushunja e gjarpërinj e futur deri në gjunj!
Sa nëna të tjera të pafajshme e patën atë fat skëterrë të mallkuar?!
Ato u plakën para kohe nga hallet dhe mundimet, nga dhimbja për bashkëshortët, bijtë e tyre; ato mbetën përsëri nënat tona më të mira.
Muzika dhe vargu i kësaj kënge, të rrënqeth trupin kur e dëgjon; duken sikur dhimbja dhe forca dalin nga thellësia e një gryke shpelle, ashtu siç ishin në shpellë vitet e vuajtjeve të tyre, për të dalë pastaj, vonshëm, në hapësirën e pafund të lirisë.
Rranë këmbanat në Nju Jork.  Për kë bini, u thyen flatrat krejt papritur në një zog, që e dinin sa filloi fluturimin nëpër botë.  Zoti jonë o zoti im, ta dha zogu dashurinë, mu bë plaga më e lehtë... Të lutem, engjëllit tim, që e ke në duart e tua, jepi ç'i mungoi nga unë.
Dhimbjen prej nëne, për humbjen e vajzës së saj aksidentalisht në moshën më të bukur të jetës, Eli i kushton këngën e saj "Rranë këmbanat në Nju Jork" titullin e së cilës e mban edhe albumi muzikor.
Eli beson në Zot. Është ai besim që e ngushëllon shpirtin e saj për engjëllin që ndodhet në krahët e Zotit. Kur pa Zoti buzëqeshjen edhe dhimbjen bashkë, hapi krahët që ta marrë me vete lart...
Edhe me këtë album të ri muzikor, Eli Rizo Gjezo e prezanton veten e saj një artiste e lindur për të bërë art, një këngëtare profesioniste...
 
Kanë thënë për Eli Rizo-Gjezon:

Poeti Niko Kacalidha: "...Dikur, në moshën rinore, dëgjonim me ëndje Eli Rizon në skenat e Sarandës.
Më vonë, zëri i Eli Rizos nuk u dëgjua më, se pati fatin e shumë artistëve të tjerë... Pas kaq vitesh e dëgjoj përsëri zërin e saj të pastër e melodioz... natyrisht, shpërrthimet artistike lindin ose nga dhimbjet e mëdha, ose nga dashuritë e mëdha. Dhe të dyja këto, Eli i ka patur si bashkudhëtare të saj.... Në zërin e saj ajo ka gërshetimin e natyrshëm të melankolisë me durimin. Në melodinë e Eli Rizos është kredoja dhe kumbimi i shpirtit që vuan dhe nuk dorëzohet, por këndon për të shpëtuar veten dhe të tjerët..."
 
Arqile Mërtiri: "Elio Rizon e goditën padrejtësisht atëhere kur nuk duhej goditur. Edhe pse në ato vite në moshë të re, Eli Rizo shpërthente në skenën e Sarandës me zërin e saj të fuqishëm. Edhe sot më kujtohen ato duartrokitjet e spektatorëve, ndërsa dëgjonim prezantuesit të thonin: "Këndon Eli Rizo"
Goditja e madhe që iu dha Elit për të mos kënduar, nuk ishte vetëm goditje për të, ishte goditje për gjithë Sarandën dhe qytetarët e saj, ishte vazhdimësia e goditjeve të atij sistemi për Artin Shqiptar..."
 
Fatbardha Haxhija: "E kam parë dhe dëgjuar Eli Rizon që në fëmijërinë e saj të këndonte me fëmijët e Sarandës. Pastaj Eli vazhdoi të ngjitej po në atë skenë edhe në fillimin e moshës së saj të rinisë të këndonte këngë me tonalitet të lartë muzikor... Jemi të gjithë dëshmitarë të atyre viteve, që nuk kishte këngëtare tjetër në Sarandë t'i kapte ato këngë të vështira, që vetëm ajo diti t'i interpretojë kaq bukur. Dhimbjen për goditjen e Elit, e ndjemë të gjithë. Më vjen mirë që kjo këngëtare e lindur për këngë dhe e dashuruar aq shumë me të, i është rikthyer përsëri muzikës pas kaq vitesh të largëta, duke realizuar edhe ëndrën e saj..."
E kam dëgjuar albumin e fundit muzikor të saj. Kam ndjerë emocione të papërshkrueshme; dhimbje dhe mall..
 
Edmond Xhani  Kitarist-Muzikant: "Eli Rizo Gjezo shpërthen si një shkëndijë e zjarrtë dhe shumë premtuese në fillim të viteve 70-të. Vokali i pastër, i ëmbël e i fuqishëm, diapazoni i gjërë, intonacioni dhe diksioni perfekt si dhe temperamenti i saj, përbënin thelbin e një talenti të ri e të sigurtë që premtonin shumë për të ardhmen. Edhe pse e detyruar në rrethana krejtësisht të veçanta e të pamerituara për të mos kënduar dhe për të mos shprehur vlerat e saja, pasioni për artin, i strukur diku thellë shpirtit të saj të trazuar, por thellësisht artistik, do t'i jepte krahë kësaj artisteje, duke e bërë model të pasionit për artin e vërtetë..."
 
Po vetë Eli, si shprehet? "Miq e dashamirës kudo që jeni! Jeta nuk e solli t'ju përshëndesja dhe t'ju nderoja ashtu siç ëndëroja... E gjitha ishte një ëndërr, që filloi në Sarandën time, qytetin më të bukur në botë, që më bëri të ëndëroj... Ëndra dhe shpresa që i morra në shoqërinë time, s'i lëshova. Të mos më lëshojnë, të më sjellin deri këtu. Ta ndaj këngën time dhe vajin me të gjithë ju. Magjia e tyre më dha forcë. Jetoj dhe kuptoj ata që i lëndoi dhimbja ime... Më shoqëroni ju lutem në këtë përpjekje, t'ju lë në dorë copët e ëndrës sime...
Në çastet kur me familjen time i dhamë lamtumirën e fundit engjëllit tonë, Ririkës, që u aksidentua në një nga asfaltet e Nju Jorkut, iku, për të mos u kthye më... zgjodha të besoj, se Zoti dhe engjëjt rreth tij e donin ta kishin të tyren... Më vonë, rastësisht lexova se Verdi i madh, në moshën e tij 26 vjeçare e përfundoi operën "Oberto" më 1839. Një vit më vonë, për dy muaj humbi bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, i cili në atë kohë shkruan: "Isha i bindur se nuk do të më punonte më truri për art". Deri në vitin 1843 nuk iu kthye operës. Jetoi 88 vjetë.
Që nga ai lexim edhe unë vetë e kuptova pse kënga dhe vaji s'i ndahen njeriut që i jetojnë deri në shpirt..."



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora