E premte, 04.10.2024, 08:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Xani: Fletë të shkëputura ditari?

E enjte, 12.03.2009, 08:56 PM


E enjte, 5 mars 2009

Mëngjesi, por edhe dita e sotme ishte me riga shiu. Është njëmbëdhjetëvjetori i luftës së komandantit legjendar Adem Jashari. Në kuadër të javës “ Jetojmë me lavdinë tuaj” kanë filluar shumë aktivitete kulturore e sportive. Sot në Kompleksin Adem Jashari në Prekaz pati shumë njerëz nga viset e ndryshme të shqiptarisë. Ishin edhe personalitete të larta të jetës politike të Kosovës.

Kah mesdita fola në telefon me z. Jashar Lushtaku, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit,  i cili më tha se më pret në orën 11 e 30 minuta. Disa minuta para kohës së caktuar, unë isha te dera e zyrës së tij.

Një shok më tha se Jashari posa doli  nga objekti. E prita në zyrën e Feriz Zeqirit, ku ishin edhe Muhamet Bajraktari, Bahri Sejdiu, Faruk Hoti. Ferizi më tregoi se i biri i tij shpesh  lexon vjersha nga libri im “Unë e babi mjeshtër”. Bile një ditë kishin pasur hall me kroin në shtëpi. Nuk kishin ditur ta ndreqin as babai as i biri. Djali i kishte thënë: A e sheh babi sa keq kur  asnjëri nuk jemi mjeshtër si axhi Halil me babain e vet. Jashari m`i mori 50 ekzemplarë të librit të fundit, të cilat Drejtoria do t`ua ndajë dhurata nxënësve më të dalluar të shkollave. Në mbrëmje, Kadri Mani më tha se definitivisht ka vendosur të vije në orën letrare që mbahet nesër në Skenderaj, në kuadër të javës “Jetojmë me lavdinë tuaj”.

Kujtim: 5 marsi i vitit 1998 agoi me diell, por pak i freskët. Që në orët e mëngjesit nisën të dëgjohen vargojt e tanksave dhe gjëmimi i automjeteve të tjera të ushtrisë e policisë serbe  nëpër rrugët që shpijnë kah Skenderaj-Prekazi.

Pas pozicionimit të tyre, nisën rafalët, flakët, gjëmimet e armëve të ndryshme. Popullata nga Prekazi erdhën kush në Polac, e kush edhe në fshatrat tjera. Edhe shumë familje të Polacit ua msynë fshatrave të anës së Qyqavicës. Në lagjen tonë ngelëm 5-6 burra. U vendosëm në shtëpinë e Milazimit, prej nga shiheshin luftimet. Derisa qëndronim pas odës, plumbat fishkëllenin mbi kokat tona. Disa përplaseshin në drunjët e afërt, disa në muret e objekteve e disa vazhdonin tutje deri në shtëpit e fejzullahve. Rrymë, kishim. Përcillnim lajmet e CNN-nit në  TV.  Dada Halë, ndjesë paste, na ofroi qumësht të vluar, e më vonë edhe bukë. Krismat nuk kishin të ndalur. Luftonte Adem Jashari me familje kundër një ushtrie të tërbuar e të etur për gjak shqiptari. Ne ende nuk dinim se cilat ishin pasojat.

E premte, 6 mars 2009

Edhe sot u zgjuam më herët se zakonisht, pasi që kishim kontrollë në Smrekonicë. Është kjo hera e nëntëmbëdhjetë që marrim këtë rrugë për termine, vizita e kontrolla nw spitalin e KFOR-it francez. Nga Polaci  në Skenderaj ka 6 km, nga Skenderaj e në Mitrovicë te Ura e Gjakut, 20 km e prej aty e në Smrekonicë edhe 7.2 km, gjithsej 33.2 km një drejtim. D.m.th. kemi kaluar 630.8 kilometra gjithsej në relacionin Polac-Smrekonicë dhe anasjelltazi. Pas vizitës-kontrollës, mjekët i kishin thënë se kjo është hera e fundit, më nuk ka nevojë të shkojmë, kurse e kishin porositur që për nja tre muaj të ruhet, mos të ngrit pesha të rënda. Duke u kthyer, në Shipol takuam mikun Brahimin me të shoqen dhe me djalin. I morëm me kamionet. Brahimi ndejti në rimorkio, ngase brenda nuk na zinte. Ata shkonin në kryeshëndoshë për gjyshin e dajve të S.

Pas kaftjellit u ktheva në Skenderaj për të marrë pjesë në orën letrare e cila mbahet në kuadër të aktiviteteve të javës “Jetojmë me lavdinë tuaj”. Qyteti ishte stolisur me flamuj kombëtar e asi shtetror, blu-verdh. Erdhi edhe baca Kadri Mani nga Prishtina.

Ai kur e thotë po-në, as topi nu ia luan. Në orën letrare pati recitime edhe nga nxënës të disa shkollave fillore të komunës sonë si dhe të gjimnazit. Një grup recitatorësh recitoi vjershën time “Shumë degë në një trung”, por askush nuk e përmendi emrin e autorit. Unë e recitova vjershën “Më thanë…” nga libri im i dytë. Baca Kadri, në emër të Bibliotekës Komunale të Skenderajt, një çuni ia dorëzoi dhuratën. Mua më erdhi mirë që mikut tim iu bë një nder me këtë rast. Në orë letrare mori pjesë edhe dr. Ismet Hebibi nga Juniku. Në ambientet e Shtëpisë së Kulturës ishte hapur edhe një ekspozitë me punimet e nxënësve të shkollës së artit në Pejë. Mua që ma merr mendja se kam veshë për muzikë dhe sy për artin pamor, shumë vizatime të ekspozuara aty, më pëlqyen. Pas një kokteli, në korridorin e Shtëpisë së Kulturës, me bacën Kadri pimë edhe nga një kafe në Bulevard dhe ai pastaj vazhdoi për në Prishtinë. Me këtë rast ua dhashë nga një libër z. Jetish Behrami, z. Xhevat Imeri, z. Ismet Hebibi, z. Feriz Zeqiri.

Vazhduam ndejen pastaj me Ukshin Xanin e me Jetish Behramin, deri pas orës 16,00, kur ia lëshoi një shi bukur i rrebtë. Ukën e mora me kamionetin tim deri në shtëpi të tij. Kur u ktheva në shtëpi e pashë se vajza ime Qefserja kishte dhembje të mëdha të dhëmbit.  U bë gati shpejt e shpejt dhe e dërgova te stomatologu. Ai i propozoi që të mos e nxjerrë, por t`ia vejë një blombë. Ne e dëgjuam doktorin, i cili i tha se pas këtij intervenimi, nuk do të ketë dhembje, kurse blombën e vërtetë do t`ia vendos pas dy-tri javësh. Ia paguam 5 euro dhe u kthyem në shtëpi. Në darkë, duke u kthyer me autobus nga Prishtina, më thirri Fisniku. Më tha të dal me kamionet ta marr Te Lisat. Dola shpejt e shpejt, se vërtet, këmbë është vështirë të kalohet kjo rrugë që është shndërruar në pusa, si liqej të vegjël.Tash tri vite punohet në rrugën Polac-Vushtrri dhe nuk u arrit të përfundohet ende. Mbase kësaj vere do të kryhet.

Gjatë ditës së sotme kam kaluar nja 100 kilometra rrugë.

Bekim Jashari, në akademinë që u mbajt në mbrëmje në sallën e kuqe ka shprehur mllefin, pse sivjet pjesëtarët e FSK-së nuk e nderuan komandantin me parakalim, as nuk ishin  për homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz. Pra nuk qenka kryer Bac, tha B. Jashari, i cili veç sa nuk ia krisi vajit.

Deri në orët e pasditës, moti ishte i mirë. Me diell. Duke i shkruar këta rreshta, Radio Kosova, në lajmet e orës 23.00 thotë se rruga në kufi me Malin e Zi qenka mbyllur nga bora që ka rënë sot.

E shtunë, 7 mars 2009

Jam zgjuar si zakonisht. Kam hapur dyqanin. Kam kryer disa punë nëpër oborr. Pas kaftjellit, Fisniku vazhdoi punën në dyqan e unë shkova në Skenderaj. Vizitova në dyqanin e tij  z. Driton Murtezi, të cilit para disa ditësh i vdiq djali 11 vjeç.

Sheshi Adem Jashari ishte mbushur me farashitës dhe me shitës të gjërave  të tjera të imëta. Kishte një gjallëri më të madhe se ditëve të tjera. Vëreheshin fytyra, që nuk i shohim përditë. Përplot njerëz që vijnë në Prekaz, kthehen edhe te sheshi për ta bërë ndonjë fotografi para shtatores së komandanitit legjendar Adem Jashari.

Kah ora 13.00, me kamionetin tim kam shkuar në Prekaz. Është e çuditshme se si Prekazi ka një fuqi magnetike që të tërheq. Sado që njeriu shkon shpesh, prapëseprapë të shkohet, sepse po nuk e vizitove këtë vend bile-bile në përvjetor të tillë, e ndjen një zbrazëtirë në vete. Fontanat hedhnin ujët  në një lartësi  ndoshta më shumë se 10 metra, kurse stërkalat e ujit i merrte era dhe e shpërlante betonin përreth, edhe ashtu të pastër. Në zyrën e  Kompleksit përplot njerëz, blenin literaturë  të ndryshme e fotografi të komandantit. Edhe kështu ndihmohet ndërtimi i këtij Kompleksi që ende është në ndërtim e sipër. Para zyrës, pritnin në radhë njerëzit që donin të linin përshtypjet e veta. Këtu fotografoheshin, kush te kullat, kush te varrezat e kush te fontana. Kishte si gjithherë  nga të gjitha moshat, gjysh, baba, nip, stërnip. I madh e i vogël. Edhe aq heret, ishin shumë. Sa mirë që nderohen heronjtë. Tregtarët, edhe ata  qysh herët kishin zënë vendet në të dy anët e rrugës që nga shtëpitë e para të jasharajve te fabrika e municionit e deri te Kompleksi. Kishte lloj-lloj artikujsh ushqimor, etj. Njëri hante fara nga një tepsi që e kishte para vetes, kurse një kalimtar i vjetër e pyet  si me shaka: i ke sjellur t`i shitësh, apo t`i hashë vetë. Kolona e njerëzve shkonte rrugicës së shtruar me beton deri te bunkeri i komandantit në malin përballë jasharajve. Pak më tutje, përtej varrezave ishte përgatitur një turrë e madhe drush për natën e zjarreve. Disa punonin në përfundimin e skenës ku do të shfaqet sonte programi artistik. Përballë skenës tashmë ishin vendosur shumë karrige për familjarët e dëshmorëve dhe për mysafirët.

Unë u ktheva pasdite në shtëpi, për t`i lënë radhën sugarit që të kënaqet me shokët e shoqet në natën e zjarreve. Nga fshatrat e anës së Qyqavicës pa ndërprerë  vinin automjete, të cilat cak e kishin Prekazin. Në lajmet e mbrëmjes në RTK, Murat Jashari shprehu falënderimin për ardhjen  dhjetra mijëra  shqiptarëve  nga viset e ndryshme shqiptare. Në mbrëmje, ndritej qielli nga fishekzjarret, kurse zjarret shiheshin edhe në majen e Kosmaçit, edhe në majen e Abrisë, edhe në majen e Deshefcit, por edhe në vendet tjera të Drenicës, po sigurisht edhe të Kosovës.

Sot ishte edhe dita e mësuesit. Eh, sa mësuesit nuk arritën ta presin lirinë. As Halit Geci, as Hazir Hoti, as Qazim Jashari, as, as, as…

Sot  në Kosovë u përuruan disa objekte të reja shkollore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora