Kulturë
Këze (Kozeta) Zylo: Në kujtim të 7 Marsit? (Cikël poetik)
E shtune, 07.03.2009, 05:21 PM
Nje kujtim me klasen kujdestare, nga gjimnazi i Cajupit, ne diten e 7 Marsit ne malin e Dajtit, 1996
Këze (Kozeta) Zylo
PRANVERË PA MIMOZA
Më rrëmbeu pranvera në krahët e saj,
Dhe me petale dashurie më mbuloi,
Unë ëndrrën time atje e shpupurrisa,
Me pjalmin e saj që më mëkoi.
Në vesitjen e mëngjesit u lagën ëndrrat,
Pikuar nga gjethet e sapodala,
Nga sythet e fildishta u rrokullis loti,
Mbi portën e shpirtit plot andrralla.
Me gllënjke e piva lotin e pranverës,
Në trishtimin tim pa çelje mimozash,
Kërkova me sy nëpër degë mornicash,
M’u kthyen gjethet në lëndinë lotësh.
Me ngjyrat e saj m’u lyen buzeqëshjet,
Si pakuptim në rrobë pranvere,
Në këtë stinë veç mimoza merrja,
Fëmijëzuar midis polesh, brenda meje.
Si qerpikë të gjatë, sot më bënin hije,
Halat e pishave në syrin e zbrazët,
Sa pa kuptim këtu, Pranverat pa mimoza,
Ndoshta nga nostalgjia e Marseve të Tiranës...
Manhattan, 7 Mars, 2006
Marr nga libri “Pranvere pa Mimoza”
Një Mësuesi…!
Në nderim të mësuesve,
që diktatura ju preu ëndrrën në mes!
Gëzuar festën, miku im mësues,
Gëzuar!
Paçka se ëndërrimin ta varën në litar,
Dhe ti si Promethe i lidhur,
Nuk trëmbeshe,
Veçse, zjarrin digjeshe t’ju jepje,
Për t’ju ngrohur shpirtrat,
Që si eshkë ju ishin tharë…!
Merre këtë urim të sinqertë nga unë,
Që zgjohet dhe rizgjohet,
Në regëtimën e stinës,
Stinë që kundërmonte,
Erë mimozash,
Kur nxënësit dikur,
M’i mbushnin krahët,
Me degët e tyre të njoma,
Dhe ashtu qëndronin të buta,
Si për të pritur Hënën e blunjtë,
Që rrëshqiste si në mëndafsh,
Brenda gonxheve shpërthyese!
Dhe pushi i tyre,
Përhapej butë-butë, si polenë,
Në Ditën e Shenjtë Të Mësuesit!
Mbi Tiranën time…!
***
Gëzuar, miku im mësues,
Gëzuar!
7 Mars, 2009
Requiem per profesorin tim te nderuar,
Bedri Deden
Seç m’u zgjuan kujtimet sot,
Në këtë stinë të ylbertë, pranvere,
Ndoshta nga një lot pëllumbi,
Pikuar në parvazin e dritares sime,
Që, çuditërisht, humbi,
Në çurgën e lotëve të mia,
Duke lagur si vesë mëngjesi,
Faqet e librave të tij, hapur sot,
Si panair me shumë botime ndër vite!
I marr dhe i shfletoj me radhë,
E në çdo faqe lexoj, Bedri Dede,
E pastaj përzier me krenari dhe dhimbje,
Shkruaj sot në përvjetorin e ikjes së beftë,
Të tij,
Requiem për profesorin tim të shtrenjtë!
E kështu trëmb dremitjen e atyre viteve,
Te moshës se artë, në Elbasanin e lashtë,
Që tashmë më freskojnë si fllad,
Orët e veçanta të Psikologjisë,
Dhënë mjeshtërisht nga ai!
Cdo faqe libri, skanon trurin e cdo njerit,
Si rrathët e Dantes, në Komedinë Hyjnore!
E ndjej se mund të ketë gërvishtje në këto skanime,
Por sidoqoftë unë i shoh si ëngjëj të bardhë,
Që më prekin membranën e kujtesës,
Si ish studentja e tij, vite më parë!
Kujtimi im është një memorie e kohës,
Që kapërcen pragjet natyrisht,
Dhe portat e qelqta, për të larë sytë,
Me ujë bjeshke, pa ujë të turbulluar!
Pastaj bulëzat e ujit nëpër qerpikë sysh,
Do të ndricohen, nga yjet,
Se planeti ynë, ka shumë nevojë për ta...!
O Zot sa më dhimbsen Yjet!
Vecanërisht, ata,
Që i fsheh muzgu i qiellit shqiptar!
New York, 12 prill, 2008
Ne kujtim te profesorit tim te nderuar Profesor Bedri Dedes.
Mjeshteria e dhenies se mesimit nga ana e tij ne lendet e psikologjise dhe te pedagogjise, ne Universitetin “Aleksander Xhuvani”, do te ngelen te pashlyeshme ne kujtesen e qindra studenteve!