E shtune, 20.04.2024, 07:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Robert Martiko: Propozoj prerje kokash për vëllezërit e mij

E premte, 13.03.2009, 08:00 PM


Robert Martiko
Robert Martiko
Nëqoftëse ka diçka që përherë më ka ngjallur neveri te njeriu, është të dalloj se si egërsia, poshtërsia dhe mëndjengushtësia arrijnë të veshin maskën e lirizmit.
                                                                                                                  Milan Kundera

Robert MARTIKO

PROPOZOJ  PRERJE  KOKASH  PER  VELLEZERIT E MIJ

“Çudi!” - pëshpërita me zë të ulët. Për të tretën herë. - Ndoshta në Kremlin përgatisin ndonjë kasaphanë të madhe. I lënë artistët në fillim të lirë. Qëllimisht. Në vijim të rendin me një frymë t’u presin kokën. Mendova këtë dhe përsëri u rrëqetha deri në palcë.

Nëna ime në Afrikë, edhe pse kurrë nuk ka shkelur në shkollë, e njeh mjaft mirë natyrën e këtyre gjërave... Atë ditë, kur edhe ajo u shtrëngua të derdhë lotë para policëve të rreptë të Gbong Gongut, për të më dërguar me çdo kusht në Moskë si student, si njohëse e thellë e elegjisë popullore, duhet të ketë qarë patjetër, me ligje e rregulla të posaçme, që vetëm ajo i njeh. Ndjeva një frikë mjaft të thellë në zemër, nga ideja e papritur e kasaphanës… Po të isha poet i dëgjuar rus, fjala vjen si Majakovski a Jeftushenkua, pa hezituar aspak, do t’i drejtohesha Shelepinit me poezi, të ngrinte përbri Kremlinit një gijotinë të përngjashme me atë të Robespierit të famshëm, në kohën e Revolucionit Francez. Ku, po të qe nevoja, për të shpëtuar qafën time pak të gjatë, do të kërkoja të priteshin kokat e të paktën gjysmës së banorëve të Bashkimit Sovjetik...

Një ditë, kur u ktheva në vendin tim, pikërisht këtë i propozova Gbong Gongut. Nuk e di ç’më hipi papritur në kokë një natë me hënë. M’u bë sikur dëgjoja të më jargavitej në lëngjet e trurit një koktej i fortë ulërimash rrëqethëse leopardësh, ujqish,  hienash e dhelprash të savanës... Pata përshtypjen sikur mund të tejkaloja në derdhje gjaku vetë babanë e krimit në tribu: timonierin tonë të dashur. E dija që nuk i bënte radhë njeriu tjetër në këtë pikë. Mendova me dinakëri se, duke qënë kryetar i një vendi në zhvillim e sipër, për më tepër afrikan, që do të thotë se askush nuk e kishte në llogari, madje as vetë Traktati i Varshavës nuk do të nguronte aspak për të vrarë në radhë të parë gjithë kalemxhinjtë dinakë, të cilët kurrë nuk e fillonin lapsin nga e kuqja, por veç nga bluja e gjakut mbretëror të Madagaskarit…

Nga koha e Leninit të Madh, dihej që burokratët ia kishin përherë me dinakëri revolucionit. Gjakderdhja, në  të tilla raste, nuk mund të shqyrtohej veç si një veprim thellësisht madhështor, pozitiv deri në palcë, një purgativ i mrekullueshëm! Natyrisht, jo në kuptimin tjetër: mjekësor... Meqënëse ra fjala, për ne shkrimtarët zemëdelikatë është diçka që mund të asimilohet mjaft lehtë nga organizmi. Jo pak herë, nga frika që ndienim në zemër, barku na hiqte pa shkak. Mbushnim brekët njësoj si Dionisi, perëndia e pijanecëve dhe sensualëve, i tmerruar në Hadi, para hijes së Empuzës apo Eakut: stërgjyshit të Akilit, apo ndyshe, armikut numër një të Agamemnonit... 

E megjithatë, sa bukur dinim të dredhonim mes  situatash të ndërlikuara!... Frika i përngjan bojës së trubullt të oktapodit. Eshtë çudibërëse për kafshën - molusk cefalopod. (Kokekëmbëbashkë, pa shtyllë kurrizore). Të shpëton jetën.

Rroftë Arti Lirik!... Zbukuron e qetëson gjithshka... Qe një konstipant i mrekullueshëm në Lindje.

Mund të fryhesh e të mbarsesh lehtë në poezi: si pallua shumëngjyrësh e i pispillosur kongolez, prej mijëra metaforash të goditura, fjala vjen, si ajo e lapsit të mësipërm, të kuq. Edhe kur e përdor me mjeshtëri, edhe kur e përdor keq, në të dy rastet, ky arrin të të bëjë gjëmën. Përse të mos e shfrytëzoja këtë thelb kriminel të tij?... Fjala vjen, kur shejtani Gbong Gong flinte, ç’më kushtonte të shkoja e ta zgjoja nga gjumi! Në atë rast, duke u përpjekur me mijëra pupla freskuese, t’i deklamoja Parajsën... Njëkohësisht, për t’i lehtësuar Ferrin, që natë e ditë nuk i ndahej nga trutë e tija të sëmura. Ti krijoja në shpirt një gjëndje të veçantë, ekstaze... Ta shndrroja në një Neron të vërtetë, afrikan, të denjë për të djegur, shkatërruar, vrarë e pirë gjak, pa kurrfarë skrupujsh në ndërgjegje, madje nën tingujt e daulleve, xhembejve apo hymneve më të larta të tribusë!...

Rroftë gjaku i freskët i bashkatdhetarëve tanë!

Siç shkruaj më lart, një ditë, kur u bëra i dëgjuar, gijotinë i kërkova edhe unë timonierit tim, për të prerë kokat e dyshimta të burokratëve. Sikur të qenë koka pulash Misiri, të therura në një ziafet ciganësh apo orgji të shfrenuar xhanxhavitësh, bojash, sahanlëpirësish e gjithfarë qafir - malçikësh gbonggongianë...

Fragment nga novela “NJE ÇMIM PER SHKRIMTARIN E VDEKJES ”
(Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora