Kulturë
Alfred Papuçiu: Marie-Luce Dayer në shqip dhe «Shqiponja mbretërore»
E premte, 13.03.2009, 08:44 PM
Marie-Luce Dayer në shqip dhe «Shqiponja mbretërore»
Nga Alfred Papuçiu
Në bibliotekën shumë të pasur të profesorit të dëgjuar zviceran, Jean-Philippe Assal, i etur pas profesionit të tij fisnik dhe human, por edhe pas artit dhe librave, gjeta një nga vëllimet e shkrimtares zvicerane Marie-Luce Dayer. Nuk e di, por ashtu krejt rastësisht u magjepsa me tregimin e parë që lexova. Pa e ndjerë, duke qëndruar vetëm në sallonin e shtëpisë së profesorit ku isha ftuar prej tij të kaloja disa ditë me familjen dhe duke dëgjuar një këngë të Julio Iglezias, kalova në tregimet e tjera. Thjesht, qartë, Marie-Luce përshkruante botën e brëndëshme të një personazhi, por në të njëjtën kohë paraqiste aq bukur edhe filozofinë e jetës, shqetësimet e njerëzve të thjeshtë, zemërgjerësinë, bukurinë, pasionin për një jetë më të mirë, dëshirën për të ndihmuar njerëzit e varfër, dhe mbi të gjitha për të ngjallur respektin për njerëzit e mirë, për Zotin, për gjithçka hyjnore dhe të pastër. Nuk e di në sa kohë e mbarova librin, por më kujtohet se ndjeva të njëjtën dëshirë si në vitet e para të 196…kur fillova të lexoj frëngjisht e nga kënaqësia atëhere qëndroja deri në orët e vona të natës kur e nxirrja kuptimin e tregimit apo skicës. Pata fat, që një i njohuri im, e kishte patur të jatin në Francë për një kohë dhe unë i lutesha të më jepte nga librat që ai i kishte në kartona akoma të pahapur. Kishte një bibliotekë të pasur dhe të rrallë. Atëhere nuk kishte rrugë tjetër për të lexuar diçka të mirë, tërheqëse, "të ndaluar", përveç autorëve të pranuar zyrtarisht dhe që në bibliotekë shpesh ishin libra "të rezervuara", pra jo për lexuesin e thjeshtë…
Ashtu, nisur nga dëshira e mirë për t'i servirur diçka të bukur lexuesit shqiptar botova në gazetën "Drita" tregimin e autores me titull "Shqiponja mbretërore". Më kishte pëlqyer ai tregim pikërisht për idenë e lirisë së shqiponjës. Gjithshtu, pak më vonë u botuan po në gazetën “ Drita ” dy tregime të saj, të përkthyera nga unë, bashkë me disa fjalë për shkrimtaren. Pa e zgjatur, një ditë u takova me tregimtaren e cila u gëzua kur mori vesh se një gazetë e shkrimtarëve shqiptarë kishte botuar një tregim të saj. Biseda kaloi lirshëm, ajo njihte diçka për Shqipërinë dhe shprehu dëshirën që të përktheja disa nga tregimet në gjuhën shqipe. Unë e pranova me kënaqësi këtë kërkesë, sidomos duke patur parasysh se ajo si tregimtare zvicerane do të pritej mirë nga lexuesi shqiptar. Nga vëllimet e saj zgjodhëm ndër të tjera tregime të mbledhura nga jeta e përditëshme e njerëzve të thjeshtë. Titulli i përmbledhjes "Karuzeli i ëndrrave" ishte dëshirë e vetë autores, për ta paraqitur para lexuesit shqiptar, të cilin ajo e njihte nëpërmjet leximeve të librave të Ismail Kadaresë, tregimeve të atyre që e kanë parë Shqipërinë dhe që janë vetë shqiptarë.
Pasi u botua vëllimi në shqip dhe u paraqit edhe në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Palexpo të Gjenevës, Marie-Luce Dayer më ftoi në një mbrëmje që do organizohej për botimet e saj. Kisha përshtypjen se auditori do të ishte tepër i ri, duke patur parasysh se tregimet e saj priren tek fëmijët. U çudita kur në atë mjedis jashtë Gjenevës ishin mbledhur rreth 150 veta, të moshave të ndryshme për të dëgjuar tregimtaren. Aty ishte paraqitur edhe një ekspozitë me piktura që pasqyronin tregimet e Dayerit. Mësova se tregimtarja e cila qysh në moshë të re e ka pasur pasion teatrin, poezine, tregimet dhe legjendat bëri për vete dhe auditorin e moshuar. Me atë pasionin e saj si tregimtare, me instrumentin e saj (piano e veçantë) ajo nisi të tregojë e të tregojë…Në atë çast m'u kujtua se gjithçka ajo e kishte krijuar me një punë të vazhdueshme: si aktore në "French Theatre in America" (Teatri francez në Amerikë) ku ajo ndoqi një shkollë të tregimtarëve dhe pati fatin të ketë midis profesorëve, tregimtarin e shquar zezak "Brother Blue" të Bostonit. Gjithashtu me rolin e saj si tregimtare në radio, televizion, në koncerte të ndryshme, krahas punës së saj si mësuese e gjuhës dhe letërsisë angleze…
Atë natë, qëndruam vonë midis miqsh, aty diku në rrethinat e Gjenevës dhe ajo më dha një kënaqësi të veçantë. Krahas botimeve të saj në gjuhën frënge paraqiti edhe "Karuzelin e ëndrrave" në shqip, si një dhuratë të bukur, si një mesazh miqësie. Tregimet e saj përshkruhen nga humanizmi i thellë, flasin për jetën e njeriut drejt të mirës, së bukurës, thjeshtësisë, dashurisë për njeri tjetrin. Unë ruaj si një dhuratë të çmuar përmbledhjen e Marie-Luce Dayer ku ajo më shkroi fjalët që më kujtohen gjithmonë : “ Kur thonë “ na ishte njëherë ” nis një udhëtim të gjatë që të shpie në vende të thella të mëdha…dhe që nuk gjenden në asnjë hartë gjeografie ”. Pikërisht për këto fjalë me një domethënie të madhe unë i kam dhënë fjalën shkrimtares së shquar se do të vazhdoj të përkthej me kënaqësi në gjuhën time amtare librat e saj që sjellin një botë të afërt me ne, njerëzore, me mesazhe për të ardhmen.
Marrë nga libri dy gjuhësh shqip frëngjisht « Nxënësja e etur e gjuhës romanshë » (Toena)
***
Më poshtë po japim tregimin e Marie-Luce Dayer me titull : « Shqiponja mbretërore » që përfshihet në librin dy gjuhësh shqip frëngjisht « Në krahët e shqiponjës » që do të botohet së shpejti
Shqiponja mbretërore
Në një vend malor dhe fushor, një njeri kishte marrë një shqiponjë qysh në moshë të re.
Shqiponja jetonte midis shpendëve të tjerë të oborrit dhe asgjë nuk e dallonte nga to përveç shtatit të vet. Sytë e saj, të krijuar për të vëzhguar qiellin nuk ngriheshin kurrë dhe ajo e kalonte jetën duke çukitur farërat e fermerit. Naanjëherë ndodhte që ajo hapte krahët me një vrull të papritur, sikur menjëherë asaj i kujtohej se nga vinte, por shumë shpejt ajo i mbyllte ato dhe bëhej përsëri si një qënie midis të tjerave.
Një ditë, një udhëtar që kaloi aty pranë e pa shpendin. Ai e vëzhgoi atë gjatë dhe e pyeti të zotin.
« Si është e mundur që një shpend kaq fisnik, aq mrebtëror të mundë të jetojë në një oborr dhe të bindet ndaj gjithë këtij mediokriteti, servilizmi ? »
Fermeri spjegoi se kështu kishte ndodhur, shqiponja megjithëse ishte mbretërore qysh në lindje, kishte humbur instiktet e veta dhe jetonte shumë mirë midis shpendëve të tjerë.
Udhëtari nuk mund të pranonte një rënie të tillë dhe kërkoi leje që ta bënte të fluturonte shqiponjën. Kjo leje ju dha, pasi fermeri ishte i sigurt për shqiponjën e vet.
Në të vërtetë, udhëtari e hodhi shqiponjën në ajër. Ajo fluturoi dobët dhe u kthye ëmbëlsisht të çukiste farën. I huaji rifilloi edhe njëherë, e ngriti shqiponjën mbi murin e kopshtit dhe e lëshoi.
I njëjti rezultat…
Atëhere njeriu u ngjit tek kambana e kishës, duke menduar se për shkak të lartësisë, shqiponja do të gjente instiktin e vet.
Fatkeqësisht, asgjë nuk ndodhi.
Ai u ngjit më lart deri në majën e malit dhe pasi gjeti një majë shumë të lartë e hodhi edhe njëherë zogun në zbrazdësirë. Ky mori vrull, fluturoi fisnikërisht por u kthye urtësisht në oborr.
I huaji nuk u mërzit, megjithë talljet e fermerit dhe të njerëzve të fshatit që ndiqnin eskperimentet e tij me qesëndi.
Për të ishte e padurueshme që një shqiponjë e krijuar për të qënë e lirë dhe për lartësi, t’i nënshtrohej një mediokriteti të tillë.
Ai mendoi gjatë dhe i lindi një mendim.
U kthye tek fermeri dhe e mori përsëri shqiponjën. U ngjit përsëri në mal dhe gjeti majën më të lartë. Por këtë herë ai e mori kokën e shqiponjës midis duarve dhe e detyroi të shohë diellin.
Zogu u përpëlit disa çaste, lëvizi sytë dhe pastaj papritmas diçka ndodhi.
Ndodhi diçka sikur të gjithë instiktet e tij u ringjallën.
Sikur paprimtas e kishte kuptuar se ishte krijuar për diellind he lirinë.
Shqiponja lëshoi një thirrje dhe filloi të dridhej.
Atëhere njeriu e lëshoi dhe zogu mbretëror mori vrull. Me përplasjen e krahëve fuqishëm, u ngjit në qiell, më lart, gjithmonë më lart.
Nuk erdhi më kurrë të çukiste farërat e fermerit…
Përkthyer nga Alfred Papuçiu