E merkure, 24.07.2024, 10:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Sokol Jakova: Eros, në poezinë popullore shqiptare

E diele, 15.03.2009, 10:41 AM


Foto: Marubi
Foto: Marubi
Eros, në poezinë popullore shqiptare

Nga Sokol JAKOVA

Krijimtaria e pasur e popullit tonë ka qenë dhe mbetet përherë majaja e çfarëdolloj krijimtarie artistike e, megjithatë, monumentet kulturore të saj jo rrallë rrinë e flenë nëpër arkiva bibliotekash ose nëpër magazina galerish të arteve. Bie fjala, përse nuk ribotohet përmbledhja e mrekullueshme folklorike “Visaret e Kombit”, e përgatitur nga mjeshtra të mbledhjes së folklorit, siç ishin priftërinjtë katolikë?!…Jemi një popull i vjetër në këto troje që folklorin e trashëguar, sipas shumë studiuesve shqiptarë e të huaj, e kemi nga më të pasurit e vendeve ballkanike, pse jo, edhe të Europës e më gjerë. Ia vlen të lëvdohemi për këtë fakt, sepse sot bota prej zhvillimeve të mbrapshta politike që po ndodhin në Shqipëri, prej varfërisë së saj etj., ka krijuar për vendin tonë dhe për shqiptarët që kanë emigruar anë e kënd rruzullit, dikur pak të njohur, një opinion ireal, denigrues e të pështirë. Prandaj, le t’i shërbejë edhe njohja nga të huajt e krijimtarisë së pasur e të çmuar popullore shqiptare ndreqjes së këtij opinioni në sy të botës së përparuar.
Mbledhja, hulumtimi dhe studimi i folklorit tonë është bërë nga personalitete atdhetare e të devotshme, të cilat me vite të tëra i janë kushtuar kësaj pune të lodhshme, por tërheqëse dhe tejet të vyer.. Megjithëkëtë, një prodhimtari folklorike e panjohur në të gjitha krahinat e Shqipërisë pret ende të mblidhet, të hulumtohet e të studiohet në të ardhmen, e, si të thuash, t’i nxirret nektari i saj poetik dhe t’u përcillet lexuesve shqiptarë e të huaj.
Nëse flasim për poezinë lirike të dashurisë, qofsha i gabuar, por mendoj se i vetmi syth që ka mbetur pa u mbledhur, hulumtuar dhe i pastudiuar mirë e në thellësi është poezia popullore erotike. Pa dashur të ndalem në arsyet e kësaj dukurie, dua të vë në dukje se baladat dhe këngët popullore erotike shqiptare janë ndër më të bukurat, ndër më të qëlluarat e ndër më tërheqëset që mund të ruajë folklori i vendeve ballkanike dhe europiane. Në këtë përfundim të guximshëm e të rëndësishëm kam arritur falë edhe mendimeve dhe përcaktimeve të shumë e shumë miqve të mi studiues, poetë e dashamirës të folklorit, të cilët me përkushtim të rrallë kanë bërë hulumtime në fushën e poezisë popullore erotike.
Cilat janë disa nga veçoritë kryesore të kësaj poezie?
Poezia popullore erotike gjëllin nga një material plot lëng jetësor, i cili nuk haset shpesh në poezinë e kultivuar. Poeti anonim, ndonëse pa shkollë dhe me një kulturë jo të ngritur, falë forcës së talentit të tij, përfytyrimit dhe imagjinatës krijuese, arrin të thurë vargje lapidarë, prej të cilave buron si nga një gurrë malore një ndjenjë e rrallë, e pastër, fisnike malli e dashurie:

Me njëzet e një të prillit,
fryu një erë e ra një vesë,
me një degëz trëndafili,
ngrita perd’n e penxheresë,
pashë miken që po flinte
mu në prehrin e nënesë,
jorganë shkarë menjëanë,
sisët i kullonin djersë.
Unë i gjori kur e pashë,
u bëra gati të vdes.

Një dhjetëvarg i mrekullueshëm, i përsosur! Çdokush do të më japë të drejtë kur them se imazhi poetik dhe konkretësia e tij, që krijohen në këto vargje, janë tejet të veçantë. Përfytyroni një djalosh të ri; unë do ta përcaktoja shtatëmbëdhjetë-tetëmbëdhjetë vjeçar, i djegur nga malli i dashurisë, që shkon te shtëpia e mikes për ta parë e që fshehurazi ngre perden e penxheresë me një degëz trëndafili, e theksoj, me një degëz trëndafili, e cila ka gjemba që ndonjëri prej tyre të kapet pas kësaj perdeje…Çfarë sheh?!…Të dashurën që po flinte, dhe kjo çupëz, kuptohet, është e parritur mirë, mu në prehrin e nënës. Në këtë çast sytë e djaloshit s’kanë si të mos ngulen në gjoksin e së dashurës që kullonte djersë.. Aq e fortë është ndjenja e dashurisë, e mallit, por dhe sensuale, sa i gjori djalosh “u bë gati të vdesë”’.
Figuracioni poetik i këtij krijimi popullor është i larmishëm dhe mbart në vetvete emocione të spikatura artistike. Njëzet e një prilli, era, vesa, degëza e trëndafilit shpalosin në mënyrë të koncentruar para lexuesve ardhjen e pranverës, të asaj stine kur ndërrohet gjaku, kur shfryhen hovet e ndjenjave. Pra, jo më kot, edhe dashuria e malli i djaloshit kanë arritur amplitudën më të lartë dhe duan të shfrejnë në një kënaqësi fizike.
Këtu është me vend të theksojmë se dashuria e shqiptarit, qoftë shpirtërore, ashtu dhe fizike, është sa e fortë, sa e pastër, aq dhe e besës, e qëndrueshme. Shqiptari dashuron me zemër, me thellësi e burrëri, siç është edhe karakteri i tij, prandaj për dashurinë, për “sisët e mikes që kullojnë djersë”, ai është gati edhe të vdesë.
Tani le të heqim një paralele, duke cituar një poezi erotike të Veriut për t’i rrëfyer lexuesit se pikërisht këto cilësi të shqiptarit janë të njëjta edhe në këtë trevë të Shqipërisë:

- Moj e mira n’hije t’blinit,
t’asht shky cica n’cep të gjinit,
t’paska dalë cica pahiri,
as ia fal këtij jetimi.
- Hik, kopil se je hutue,
hik, kopil se je habitë,
cica ime ty t’ka mbytë.
- Të lumtë goja çka po thue,
n’prehnin tand du me mbarue,
me duer t’vogla me m’rrotullue,
me gojë t’vogël me m’vajtue,
me sy të zez, o me m’lotue,
dekë me kanë s’e la pa u çue.

Një studiues, por dhe një lexues i vëmendshëm, nuk mund të mos verë re në këto vargje, veç pasurisë së figuracionit poetik, edhe asonancat që krijon poeti popullor për të dhënë këtë tablo sa konkrete, aq dhe shumëngjyrëshe. Nga ana tjetër mund të pikaset në çast ngjashmëria midis këtyre dy krijimeve popullore të Jugut dhe të Veriut, ku bie në sy jo vetëm figura e të dashurit, por në poezinë e dytë edhe e vajzës shqiptare, e cila e dëshiron fort dashurinë, por siç ia do puna, i bën naze e ojna jaranit të vet. Dhe poezia popullore erotike arrin t’i portretizojë me mjeshtri, me ngjyra të bukura e të ndezura protagonistët e dashurisë:

- Moj e mira, flok’t e gjata,
shkurtoi pak sa t’duket qafa.
Nuk muj djal’ për me i shkurtue,
dje m’ke puthë, sot m’ke kallxue,
s’paske kenë jaran për mue.
- Kam nisë, lule me t’lëvdue,
s’ma ka kush kët’ jaraneshë,
t’knaq ka folë, ma shum’ ka keshë,
goj’n e vogël, dhamb’t e shpeshë
faqet kuq, dy sytë e zez.

Mund të them me plot gojën se në portretizimin e së dashurës shqiptare poeti popullor i mëshon idesë se kjo vajzë, edhe pse ndoshta në kushte social-ekonomike të caktuara, kur fanatizmi dhe konservatorizmi i kohës të bënin gjëmën, për dashurinë sakrifikonte gjithçka. Ndjenja e lartë hyjnore e dashurisë, që na vjen nga thellësia e shekujve, kur është e pakufishme, e zjarrtë dhe e pathyeshme, shkërmoq edhe shkëmbinjtë:

- Moj e mira shkon me gja,
pse m’ke rrejt kërkend nuk la.
- Kesh e vog’l, nuk dijta gja,.
kesh’ e vogël, gja nuk dita,
m’u vu djali sa shkoi dita,
sa shkoi dita , mue m’u vu,
hoq kapuçin me u kryshru,* (me ba kryq)
mori hutën me m’gju,
me m’gju e me m’mbytë,
drodha vrap, iu hodha n’grykë.
 
A mund të haset shpesh kjo ndjenjë dashurie kaq e pastër, befasuese e njerëzore?…Vini re kthesën e menjëhershme të vajzës, e cilia i hidhet në grykë të dashurit; jo nga frika se ai po e vret, jo nga trysnia e tij për ta bërë për vete, por nga dashuria e flaktë që i zien asaj në zemër, e cila s’pyet për asnjë pengesë. Dhe poeti i mençur popullor, që t’i japë më tepër forcë artistike ku sundojnë ndjenjat, përcjell në të dhe një ndjenjë të hollë humori për ta bërë atë më të këndshme dhe më tërheqëse në sy të lexuesit. Nga pikëpamja e studimit tonë, këtu qëndron pikërisht një nga veçoritë thelbësore të poezisë popullore erotike në rrafshin arstistik; imazhi i saj është aq i gjallë, personazhet janë portretizuar me mjeshtri të rrallë, me cilësi e virtyte të larta, e nëpër këtë lloj poezie, krahas pastërtisë, fisnikërisë dhe botës së pasur shpirtërore të personazheve, zbulohen zgjuarsia, finokëria e humori i këndshëm popullor, që, në një farë mënyre, mund ta quajmë “kripa e gjellës”, i cili i jep asaj shijen e kërkuar dhe që në rrethana të caktuara shkakton gjendje të ngritura emocionale te njerëzit, gaz, gjallëri e kënaqësi të paparë.
Përfytyroni një mjedis të hershëm dasme në një krahinë të Jugut të Shqipërisë. Mënjanë gjendet nusja e sapoardhur dhe krushqit që e shoqërojnë dhe në anën tjetër dhëndri dhe njerëzit e tij. Befas, ngrihet në valle halla e dhëndrit e tek kërcen nis të këndojë duke e përmendur atë.
- Merre vallen shtruar, o,
topemadhi i hallës, o.

Atëherë në këtë mjedis aq të gjallë e të gëzueshëm, si për t’i bërë karshillëk, halla ose tezja e nuses merr vallen dhe nis të këndojë në emër të saj:

- Mos ia mburr, mos ia lëvdo,
sonte mbrëma do t’ia shoh,
a i ka okë apo qillo.

Nuk ma merr mendja se të tilla vargje kaq të gjalla e të thëna hapur, pra tejet të veçanta, që përmenda deri tani në këto rreshta, mund të hasen me lehtësi në folklorin e vendeve fqinjë apo dhe të viseve europiane. Prandaj, jo më kot miku im, Islam Spahiu, përkthyesi i talentuar e me një kulturë të gjerë i poetëve të mëdhenj botërorë, më tregonte se vlerat e larta të baladës erotike popullore, që do të analizojmë më poshtë, nuk i ka hasur në asnjë krijim të folklorit të vendeve të tjera, të cilin, puna e mundimshme dhe filigramore e përkthyesit të vërtetë e cilësor e ka shtyrë ta studiojë me thellësi e imtësi.
Balada erotike është mbledhur nga miku im në Shën Mëri të Kukësit. Dhe, sipas tij, nuk është e botuar.. Ajo ka një subjekt të thjeshtë, sugjestionues dhe të hapur, karakteristikë kjo e krijimeve popullore. Një çikë malësore merr bulierën dhe shkon në krua. Atje takon mikun e zemrës dhe rrinë tri orë bashkë duke bërë dashuri. Kur kthehet, e ëma e qorton dhe e pyet të bijën përse është vonuar. Vëreni hyrjen tejet koncize të baladës, thurur me vargje të thjeshta pa ndonjë ngarkesë të ngritur emocionale, që më pas do t’ia lënë vendin disa perlave poetike, të cilat mund t’i krijojë vetëm talenti i rrallë i një poeti:

Merr bulirën çika me shkue n’krue,
djali mbrapa iu ka vnue,* (iu ka vënë)
tre sahat na janë vonue,
nana çikën e ka qortue…

Është rasti që studiuesi i vëmendshëm të pikasë se poeti popullor e kalon me vargje të shpejta këtë pasazh hyrës, që, nga njëra anë të ndezë kureshtjen e lexuesit, dhe, nga ana tjetër, të mos e mbajë gjatë të ndezur këtë kureshtje.. Prandaj dhe baladat erotike, si të gjitha krijimet popullore, qoftë në poezi, qoftë dhe prozat popullore, nga pikëpamja kompozicionale shquhen për hyrje të shkurtra dhe të ngjeshura. Këto shërbejnë si trampolina të krijuesve popullorë për t’u hedhur e për t’u zhytur më pas në të fshehtat dhe visaret e rralla artistike. Le të ndjekim tani dialogun që shtillet midis vajzës dhe nënës pas kësaj ngjarjeje disi të pazakontë për të dalluar në tekst, veç poetikës së formës, figuracionit artistik, metaforave të qëlluara, edhe finesën e dinakërinë e vajzës në përgjigjet që i jep s’ëmës, së cilës e ka vështirë t’i thotë të vërtetën:

- Ku, bijëzeza, më je vonue?
- Kam gjetë kronin, nanë, turbullue,
n’skaj t’shamisë e kam kullue.
- Ça t’ka gjoksi, bijë, qi t’asht shkomsue? * (të është shkopsitur)
- Lava sytë, nanë, e kam harrue.
- Ça t’ka ftyra, bijë, qi t’asht damkue?
- Uji i ftohtë, nanë, m’ka vrugsue. * (më ka rënë vrugu)
- Ça t’ka shpina, bijë, qi t’asht pluhnue?
- M’rrqiti kamba, nanë e jam rrxue.

S’ mund të mos dallohet në thurjen e baladës ky shkallëzim i përsosur poetik në dialogun e zhvilluar, të cilin poeti popullor e ka krijuar me qëllim që t’ua shtojë forcën artistike e emocionale vargjeve të veta, e, tekefundit, t’ia nxjerrë dalëngadalë sheshit gënjeshtrën çikës në sy të nënës së saj të mençur, më me përvojë e më finoke se ajo.
- Mos kujto, bijë, qi po m’rren mue.
Atëherë, kur gjithçka zbulohet, vajza dorëzohet dhe tregon të vërtetën:

- M’bane, nanë, drejt me t’kallxue,
kam gjet’ djalin n’ drom tue m’rue,
tre sahat ka ndejt me mue,
n’tana an’t, nanë, m’ka zhgatrrue.

Është e tepërt t’i tregosh lexuesit, që i ka ndjekur këto vargje për pafajësinë dhe guximin e habitshëm të çikës malësore, e cila ruan thellë në zemër ndjenjën e pastër të dashurisë për “princin” e saj. Gjithçka shprehet qartë, hapur e pa turp. Kjo është karakteristikë e shumë femrave të baladave popullore erotike shqiptare, që dashurojnë me të gjithë fuqinë e shpirtit e që përpara ndjenjës së lartë hyjnore, e cila u vlon në zemër, s’pyesin për gjë, rrëfejnë të vërtetën pa vënë në kandar pasojat që mund të kenë më tej. Por poeti i talentuar dhe i mençur popullor për ta përvijuar edhe më thellë këtë dukuri, përmes finesës dhe humorit të hollë, krijon në mbyllje të baladës disa vargje kaq shprehëse, sa për nga mënyra e gjetjes artistike të befasojnë vërtet:
 
- Kuku, - briti e zeza plaka,
ç’bana, bijë qi t’hallakata.
- Shuej, moj nanë, t’mos vijë eseri, * (zor, turp)
se t’kam pa mramë me nji nieri,
se t’kam pa me nji nieri n’lamë,
tue dhanë fjalën n’natë pa hanë.

Syri i mprehtë i lexuesit i dallon menjëherë thumbat dhe humorin e hollë të poetit anonim në këto vargje. Në të vërtetë, nëna s’është plakë, mund të jetë rreth të dyzetave, tek kujton sesa të reja martoheshin çikat e malësisë. Edhe asaj, siç del, ia kande për dashuri dhe falë guximit dhe dëshirës së saj arrin ta realizojë atë. Në këtë kuptim, humori i poetit popullor është disi formal, por ai me kast e krijon këtë situatë për të balancuar deri diku “mëkatin” e vashës malësore e për të treguar se, gjithsesi, femra shqiptare e dëshiron dashurinë dhe me dëshirë e finokëri përpiqet sa mundet ta mbajë atë të gjallë e të fshehtë. E kur kjo zbulohet, jo vetëm nuk e ka për turp, për fyerje, por përkundrazi ndien krenari për dashurinë e saj. Pa dyshim që një dukuri e tillë është karakteristikë e një populli vital, me ripërtëritje të shpejtë, që, siç di të jetojë, të punojë, di edhe të dashurojë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora