E shtune, 20.04.2024, 10:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Mazllum Saneja: Mesazhi humanist i poetit

E hene, 16.03.2009, 08:40 PM


MESAZHI  HUMANIST I POETIT

Xhemil Bytyçi: „Dëgjoj shushurimën”, SHB „Piramida”, Prishtinë, 2007

„Do të doja në jetë
të ketë një të vërtetë
Vëllazëri mes popujve”

Nga Mazllum SANEJA

E nis këtë shkrim me poezinë „Do të doja „që është si një mesazh humanist i poetit,  që në botë të mbretërojë dashuria dhe harmonia mes popujve, aq më teper kur ky mesazh na vjen nga një poet që është edhe mjek i njohur ne fushën e urologjisë dhe të kirurgjisë, që në jetën e përditshme ushtron detyrën e pedagogut të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, me gradën më të lartë shkencore të profesorit ordinar.
Aventurën e  tij poetike poeti Xhemil Bytyçi do ta filloi qysh si gjimnazist më 1958, në qytetin e lindjes të Prizrenit, për ta vazhduar më vonë si student i mjekësisë në Beograd, ku ishte dhe anëtar i Shoqatës  letrare „Përpjekja”. Qe nga ato vite studenteske gjithnjë do të shkruajë poezi dhe tregime, ndonëse nuk i boton asokohe shkrimet e veta letrare. Të gjitha keto shkrime letrare ai do t’i lerë në sitar, për t’i botuar më vonë. Dhe, në të vërtetë kjo tani u dëshmua, kur kemi të bëjmë me një poet, që e ka mbajtur në fshehtësi  talentin e vet prej krijuesi.
Vëllimi poetik „Dëgjoj shushurimën” na vjen si një libër i arrirë dhe i pjekur artistikisht i bërë nën përkujdesjen e Ali Podrimjes. I ndarë në katër cikle poetike, libri hapet me poezinë  „Hije mali i fsheh” dhe mbyllet me poezine „Skelet resh isha”  qe dëshmon se poeti Xhemil Bytyci thelle e ka ndier dramën tragjike të popullti të vet, i pashkëputur me vuajtjet, dhembjet dhe sëkëllditë e përditshme të shoqërisë , në të cilën ka jetuar dhe vepruar poeti.

Xhemil Bytyçi
Xhemil Bytyçi
Si një dëshmitar i gjallë analitik, poeti nga cdo anë , ndonëse sheh tokën e djegur dhe rrugen e gjatë të tmerrit, në netët e gjata të Bartolomeut  mes thikash, ai asnjëherë nuk do të bjerë në rezignacion as dëshpërim, po, gjithnjë shpresëdhënës, duke thirrur që të zgjohemi, se jemi „shqiponja të lashta”, për të dëshmuar qytetërimin tonë të stërlashtë antik ilir, se para së gjithash duam lirinë dhe paqen. Ja, sa shpresëdhënës dhe optimist është poeti ynë , kur thotë se /„nuk bën të     vajtohet  e kaluara / aty është fshehur  e ardhmja”, se, diku në horizont do të duket Feniksi , ai zog i përtërirë nga hiri, që do ta mund gamën e së keqes. Duke lexuar me vëmendje poezinë e poetit Bytyçi sikur gjendemi në një gjendje katarze, që t’i shkruajmë gjithë ata emra të humbur, që as emër as mbiemër nuk donin të na linin, ata emra shkruar me gjak – në mur në gur, që t’i qes hapat që „kohën e humbur ta zë” sic shkruan me të drejtë poeti,  që emrin e vet, të popullit të vet – të mos e humbas kurrë, sikur degjoj diku thellë klithmën e poetit, që do të arrij të mbijetoj fal guximit, dinjitetit dhe heroizmit stoik.
Dhe si të mos pajtohem me poetin kur shkruan:
„Aty ku linda
Dhe eshtrat dua t’i lë
Në tokën e shenjtë…”

Sepse poeti bashkë me popullin e vet të pambrojtur do të ndiej thellë ulërimën e kopesë së çartur, qe kalorësit apokaliptik ngado mbollën vdekje të panumërta, frikë e trishtim, sepse eskadronet e masakrave kolektive që futen tmerr / „Një shekull gjakatar”Kaluroi vendin tim”/ për të dëshmuar per gjenocidin dhe tragjedinë e jetuar në këto hapësira. 
Xhemil Bytyçi, si një mjek në jetën e përditshme, që shpëton jetrat e të sëmurëve, ai përmes mirëkuptimit,  dhe ndjeshmërisë së vet të madhe njerëzore, qe  depërton në psikikën e njeriut, ai në botën e vet të ndjeshme poetike është poet i dhembshurisë dhe mëshirës njerëzore, edhe atëbotë kur shkruan për Atdheun, Popullin, Nënën, duke na mbajtur të gjallë shpirtërisht që të jemi të durueshëm, stoik, të matur, kurdoherë dhe në cdo situatë  të bëhemi besnik të vetvetes, qe të ia arrijmë cakut, lirisë , që më në fund e fituam me gjak. Apo sikundër do të thotë bardi ynë Ali Podrimja „Kënga e lirisë vazhdon të shkruhet dhe kurrë nuk pranë …”                     
Duke e lexuar me kënaqësi edhe mëtej poezinë e poetit Xhemil Bytyçi vështrojmë sheshit se si i flet njeriut me fjalë të thjeshta domethënëse, qe poeti është i ndjeshëm në dhembjet ekzistenciale. Thjeshtësia e poetit tonë është një thjeshtësi kreative, një apel si mesazh për botën e sotme marramendëse që të bëhemi më të mirë dhe me të ndjeshëm, me të bukur dhe më madhështor. Se humanizmi i poezisë së poetit na duket se sot është një vlerë, që më shumti i duhet botës së sotme të tjetërsuar e të privuar nga vlerat më humane e njerëzore.
Këtë interpretim  per poetin Xhemil Bytyçi do ta përfundoja me një poezi  që gjithnjë e lexoj në vetminë time larg Atdheut:
Doja të huazoja një flakë prej dielli
Të e ushqeja zjarrin e mbetur
Pranë Tokës së shuar…

Dhe kjo e vërtetë dëshmon se krijuesit nuk bën t’i mbyllin sytë  karshi realitetit qe i rrethon. Po kështu nuk bën të argëtohesh me historinë në lojë symbyllazi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora