E enjte, 28.03.2024, 10:39 PM (GMT)

Kulturë

Klajd Kapinova: Nxënësi i fundit i Kolegjës Saveriane

E hene, 16.03.2009, 08:48 PM


Klajd Kapinova
Klajd Kapinova
Nxënësi i fundit i Kolegjës Saveriane

Tomë Mrijaj, “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një Jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe”, Jetëshkrim, New York, 2009, f. 396

Nga Klajd Kapinova,  New York

“… Presim si zogla verës ndoi shkrim T’uejin…”

Janë këto fjalë nderimi dhe respekti, me të cilat i mbyllte shpesh letërkëmbimet e veta, shkrimtari modern në gjininë e prozës, Ministri i Arsimit Profesor Ernest Koliqi (1903 - 1975) me klerikun erudit mirditor Monsinjor Dr. Zef Oroshin (1912 - 1989). 
Të gjithë miqtë e ngushtë të Mons. Oroshit e dinë faktin, se kleriku ynë e kishte mik të ngushtë Profesor Koliqin dhe bashkëpunonte me ide e punime shkrimore me revistën autoritative kulturore – shkencore “Shejzat”, që asokohe dilte në Itali.
Me kalimin në amshim të personalitetit të madh shkodran Prof. Koliqit, atdhetari e meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari, studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë Mons. Oroshi, në faqet e revistës prestigjioze “Shejzat”, në numërin special  të vitit 1975, përkushtuar tërësisht Prof. Ernest Koliqit, shkruan 12 faqe me fakte dhe pathos të veçantë punimin: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit në shumë rrafshe.
Ky studim esencial shkruar afërsisht 35 vjet më parë, zgjoi interesim në shtypin e kohës në diasporë. Ky është ribotuar në shumë gazeta dhe revista mbas vitit 1991 në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Zvicër, Suedi, Paris, Romë, Amerikë etj.,
Duke u kthyer pak mbrapa në kohë, duhet thënë, se në Shqipëri brezi i intelektualëve të shquar largpamës, ajka e zgjedhur e profesorëve dhe enciklopedistëve, që ishin dhe mbetën fryma dhe shpresa e vetme e lirisë dhe demokracisë së mirëfilltë Perëndimore në Atdheut tonë, si klerikë katolikë dhe laikë, nga propaganda dritëshkurtër ateisto - komuniste bërbaltej e anatemohej pamëshirë…
Për të kuptuar më mirë rrethin e ngushtë të miqve dhe shokëve me të cilët kleriku shpirtbujar Mons. Dr. Oroshi, jetoi dhe punoi deri sa kaloi në lumnin e pasosun, mjafton të lexohet më kujdes libri i ri jetëshkrimor, që për 20 – vjetorin e amshimit na dhuroi një ndër miqtë e tij të ngushtë studiuesi i palodhur Tomë Mrijaj.  
Jetëshkrimi i Monsinjorit, i pasur me burime origjinale historike. Ai është i shkrirë në mënyrë organike dhe në harmoni të plotë me bashkëpunëtorët e tij (një pjesë e mirë të së cilës ende jetojnë dhe dëshmojnë sot), dhe që me kujdesin e një hulumtuesi të vëmendshëm dhe pasionant Mrijaj, na e ka dhënë të gjallë klerikun dhe bashkëatdhetarin tonë.
Në faqet e monografisë, shohim se personazhi kryesor Oroshi, është ulur këmbkryq në logun e burrave dhe bashkëbisedon ngrohtësisht me të gjithë, në mënyrë të thjeshtë. Këtu fare mirë kupton atdhedashurinë e zjarrtë të meshtarit dhe bashkëatdhetarëve të tij në Amerikë; mesazhin e mallit të zhuritur të bashkëkombasve tanë për mëmëdheun, ku kanë lindur dhe mësuar gjuhën e bukur amtare, traditat dhe zakonet e lashta, që nuk i harruan kurrë…, integrimin në jetën amerikane si domosdoshmëri e kohës…, shqetësimet dhe hallet e komunitetit të vogël shqiptar dhe në veçanti atij katolik në shtetin e New Yorkut, ku Shtetet e Bekuara të Amerikës u bënë Atdheu i tyre i Dytë…
Edhe sot, ky mirditor i pamposhtur deri në vdekje është këtu, sepse bashkëatdhetari skrupoloz Mrijaj, na e ka sjellë atë të freskët, përmes fakteve dhe dokumenteve historike, kujtimeve dhe dorëshkrimeve të tij origjinale.
Dom Zefi, sikurse e thërrisnin të gjithë në Atdhe dhe diasporë, është sot sërisht në këtë auditor miqësh klerikë të nderuar katolikë e dashamirë të tij dje dhe sot, besimtarë dhe bashkëatdhetarë, duke buzëqeshur me gjithë zemër mes nesh, me çibukun e burrit të urtë e të matur, sikurse malet e burrave të përmendur ndër shekuj të Mirditës, fjalë pak e punëshumë, fisnik në shpirt e i dhembshur me të gjithë, bari i palodhur i grigjës dhe një pjese të popullit të vet, të endur udhëve të botës për liri dhe jetë më të mirë.
Oroshi deri sa kaloi në amshimin e jetës së pasosun, ishte krenar se çoi amanet vazhdimin e traditës së mësuesve të tij të mëdhënj, që i mësuan shkrim - këndim, si: Mjedja, Fishta, Harapi, Shllaku, Zadeja, Kurti, Sirdani, Palaj, Prennushi, etj.
Meshtari i ri, u arratis nga vendlindja me dhimbje në shpirt, i marrë nëpër gojë për të keq dekada e dekada me radhë nga fletushkat e makinës propagandistike të diktaturës, duke u përbaltur pa të drejtë, me arsyen absurde: pse kishte pikpamje të ndryshme politike, ekonomike, atdhetare, kulturore, për fjalën e lirë të demokracisë, që po gjakosej në Shqipëri; i mohuar nga të gjithë në Atdhe (përveç familjes së tij, që përshkoi kalvaret e internimeve dhe shfarosjeve të ngadalshme, si në Gradisht të Lushnjës, Tepelenë etj.); i djegur ose shkrirë nga malli për t’u rikthyer fizikisht pranë grigjës së tij në Orosh të Mirditës…
Marrëdhënie shumë të mira, sikurse shkruan studiuesi Mrijaj, Mons. Oroshi, ka pasur me intelektual të tillë, si: veteranin e arsimit shqiptar dhe studiuesin e shquar albanolog, Profesorin e Universitetit të Palermos të Gjuhës Shqipe dhe një shtyllë e fortë mbështëse e Qendrës Ndërkombëtare për Studimet Shqiptare Prof. Karl Gurakuqin (1895 – 1971); poliedrikun dhe burrin e madh të shtetit Imzot Fan Stilian Nolin, me të cilin dialogoi gjatë si një ekumenik i papërsëritshëm (në prani të Kardinalit të Bostonit Caushing), për ëndrrën e moçme të bashkimit të kishave shqiptare ortodokse me ato katolike; Eminencën e Tij Kardinalin e New York – ut Terrence J. Cooke D.D. (Terrence Cardinal Cook (1921 – 1983) Archibishop of New York); kardinalët italinë: Antoniutti dhe Giovanni Villot; poetin e romancierin e shquar modern, profesorin e Universitetit të Mynihut Martin Camaj (1925 - 1994); Prof. Arshi Pipa, intelektual i shquar; përkthyesin në gjuhën angleze të poemës “Lahuta e Malcis” të poetit kombëtar Atë Gjergj Fishta, gazetarin e famshëm të Radios BBC në Londër (Seksionin e Gjuhës Shqipe), studiuesin dhe autorin e librit shkencor: “Historia e Shqipnis” Tajar Zavalanin (1903 – 1966 alias Tomas – Henry Zavalani); bashkëpunëtorin qysh nga numëri i parë në revistën: “Jeta Katholike Shqiptare” (1966) në New York, Prof. Dr. Rexhep Krasniqin (1906 – 2000); Lec Shllakun (1915) bashkëpunëtor i revistës: “Jeta Katolike” dhe editor i revistave së diasporës, si: “Koha e Jonë” (Paris), “Kombi Shqiptar”, “Shkumbini”, “Shejzat” e Koliqit, “Diellin” e Bostonit dhe “Progresso” revistë italo – amerikane në NY; gazetaren e famshme të “The New York Timës”, Radios “Voice of Amerika” dhe në Zyrën e Shërbimeve Strategjike të ShBA – së, intervistuesen e shumë personaliteteve dhe presidentëve të Lindjes së Mesme, Nexhmije Zaimi (1937 - 2003); enciklopedistin nga Malësia e Madhe Prof. Mhill Marku (1919 – 1966); intelektualin e shquar Pader Paulin Margjokaj O.F.M., që shërbente në Graz të Austrisë; Prof. Zef Vorf Nekaj (1919 – 2003), poliglot, instruktor dhe hartues i teksteve të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve të Huaja në Ministrinë e Mbrojtjes Amerikane në Montery, California; Prof. Gjon Sinishta (1930 - 1996), botuesi për 15 vjet (1980 – 1994) i revistës “Buletini Katolik Shqiptar” (Albanin Catholic Bulletin); poetin dhe editorin e “Diellit” (1909) Xhevat Kallajxhiun, i cili botoi shumë artikuj për komunitetin dhe Kishën Katolik Shqiptare në Amerikë; albanologun e shquar italian Atë Prof. Giuseppe (Zef) Valentini (1900 - 1979); Atë Danjel Gjeçaj O.F.M. (1913 – 2002), i arratisur nga ferri komunist, më vonë i emëruar si kapelan i katolikëve shqiptarë në mërgim, bashkëpunëtor i Radio Vatikanit (Seksioni i Gjuhës Shqipe) për një kohë të gjatë, studiuez skrupuloz dhe njohës shumë i mirë i bashkëkohësve të vet, por më sëshumti i profesorit të tij të dashur Atë Gjergj Fishtës, veprat e të cilit u përkujdes t’i botonte në mërgim; Dom Nikoll Kimza (1878 – 1960), me të cilin udhëtoi nga ish – Jugosllavia në Italy, bashkëpunëtor i ngushtë me revistat: “Hylli i Dritës” (1913), “L.E.K.A.” (1929), “Kumbona e së Diellës” (1938), “Lajmëtari i Zemrës T’Jezu Krishtit” (1914), etj.; General Abaz Kupi (1892 – 1976), prijës i denjë i lirisë shqiptare një bir dhe hero i vërtetë i Krujës së Gjergj Kastriotit, të cilit i kreu amanetin, duke i thënë meshë për shpirtin e tij për një vit me radhë; bisnesmenin e suksshëm në Boston veprimtarin, filantropolistin, patriotin dhe bujarin fisnik Anthony Athanas (1911 – 2005); Dr. Hamdi H. Uruçin M.D.; klerikët e nderuar: Shkëlqësinë e Tij Imzot Rrok Mirdita (sot Arqipeshkëv Metropolitan në Arqipeshkëvinë Metropolitane Tiranë – Durrës); famullitarin e sotshëm të Kishës “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj; misionarin e Krishtit, që shërbeu 10 vjet në Brazil dhe New York, Dom Lazër Sheldijën (1928 - 1988); kryetarin e Këshillit të Kishës, aktivistin e palodhur Tonin Mirakaj, Ismet Ukë Sadiku Berisha; Kapidanin e Mirditës Ndue Gjonmarku, jurist i lauruar në Itali dhe Kryetar i Bllokut Indipendent; mikun e tij të ngushtë Reverend Baba Rexhepin (1901 – 1995) Kryegjysh Botëror i Teqes Bektashiane në Detroit, duke ruajtur traditën e tolerancës shumëshekullore dhe respektin për njeri – tjetrin, këmbenin vizita dhe telefonata reciproke për Krishtlindje, Pashkë, Bajram, Ramazan dhe festën bektashiane të Ashurës; Dr. Çesk Ashta e Kolë Çuni, që ishin edhe redaktorët e parë kur mori jetë e bekim revista: “Jeta Katholike Shqiptare” (Catholic Albanian Life), duke u bërë shpejt vatër e ngrohtë e atdhedashurisë, fesë dhe përparimit të komunitetit të vogël shqiptar në Amerikë; teologu, filozofi dhe profesori i shquar në universitetet amerikane: “Siena College” Albany (N.Y.), në “St. Joseph’s College” në North Ëindhom të shtetit Main, françeskani Prof. Dr. Andrea Nargaj (1919 - 1999);  pinjollin e familjes së famshme nacionaliste, elbasanlliun Prof. Luan Ahmet Gashin (1923 – 2005); Dr. Agim Leka; famullitari i Kishës së “Zojës Pajtore” në Detroit Dom Prek Ndrevashaj, Dr. Lec Zojzi M.D. etj. etj.


Esenca dhe mesazhet e jetëshkrimit


Tek shfleton me kujdes librin e studiuesit shqiptaro – amerikan Tomë Mrijaj: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një Jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe” (New York, 2009), të bie në sy struktura e ndërtimit të veprës. Në hyrje autori, ka nënshkruar, se: “Monografia i kushtohet themeluesit dhe udhëheqësit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atdhetarit dhe klerikut Mons. Dr. Zef Oroshit (1912 – 1989) në 20 – vjetorin e kalimit në amshim”.
Vepra e re hapet me një parathënie sinjifikative, hartuar me kulturë nga studiuesi i mjedjalogjisë shkodrani erudit Dr. Mentor Quku. Nuk është rastësi, që autori Mrijaj, ka si lexues dhe kritik të parë të monografisë pikërisht studiuesin e apasionuar pas figurës poliedrike të klerikut katolik, rilindasit produktiv, shkrimtarit, atdhetarit të flaktë shumë të mirënjohurin Dom Ndre Mjedja (1866 - 1937).
Studiuesit bashkëkohorë: Quku dhe Mrijaj, kanë të përbashktën, se plotësojnë dhe begatojnë shumë mirë figurat Mjedja – Oroshi, që njëherit ishin bashkëkohës. I pari ishte profesor i letërsisë në Kolegjën Saveriane (1859, Kolegji Papnor Shqiptar) në Shkodër, duke i dhënë mësim nxënësit shembullor të zgjuar Zef Oroshi (që më vonë do të bëhet Monsinjor); ndërsa i dyti Oroshi, ishte një nxënës shumë i dashur i dishepullit të tij – Profesor Dom Ndre Mjedjes.
Për më tepër, në faqet jetëshkrimore mësojmë, se Rilindasi mendjendritur Mjedja, ka mbajtur afër, zbuluar e stimuluar talentin e mirditorit të mprehtë dhe të vendosur Zef Oroshi, për t’i shërbyer udhëve të dedikimit: Zotit, Atdheut dhe Përparimit.
Mons. Oroshi, do të shkruaj me mirënjohje e falënderim për mësuesin e tij: “Mjedja vdiq, por shkolla e ti mbeti e pavdekshme.”
Studiuesi Dr. Mentor Quku (1939), autor i kolanës së 11 librave monografik, përkushtuar Mjedjes, vlerëson: “Meshtari Emzot Zef Oroshi, në kushte të vështira, vuri gurthemelet e fesë katolike shqiptare në Amerikë. Në vitin 1985 del në pension. Ashtu si mësuesi dhe dishepulli i tij (është fjala për Dom Ndre Mjedjen, shënimi im K.K.), Emzot Zef Oroshi, ishte shembull i përpjekjeve për ekumenizëm, për dialog mes besimtarëve të besimeve të ndryshme. Autoriteti i Mjedjës, në këtë drejtim ishte absolut…” (Dr. Quku, f. 13).
Jetëshkrimi në fjalë ka gjithësej 395 faqe, të mbështetura tërësisht në dokumente arkivore, jetësore dhe foto, shumica e të cilave ekspozohen për herë të parë. Midis shumë të tjerave, dëshmi historike origjinale është fotoja ku një grup studentësh të rinj të klerit katolikë shqiptarë, që gjendeshin në Kolegjin “De Propaganda Fide” (Romë), në vitin 1940 takohen me “Poetin Kombëtar” At Gjergj Fishta.
Në rreshtin e dytë, majtas i pari në këmbë është edhe studenti seminarist Zef Oroshi. Me andje lexuesi i kujdesshëm, mund të kundrojë episode, histori e ngjarje të përjetuara të protogonistit kryesor Mons. Dr. Oroshit, të shkrirë brenda vetë jetës së komunitetit shqiptarë në Amerikë.
Kështu hulumtuesi shqiptaro - amerikan, na ka dhënë Dom Zefin një njeri me shpirt e zemër të madhe atdhetari, përmes historive të vendlindjes së tij në Orosh të Mirditës, më vonë në Kosovë, Itali dhe deri sa ai mbërrin në Tokën e Bekuar të Amerikës, që bëhet Atdheu i Tij i Dytë.
Hienat e pangopshme komuniste, përmes urdhërit me shkrim të lëshuar nga Enver Hoxha dhe marrë përsipër për zbatim direkt nga kryexhelati sadist Mehmet Shehu, kërkojnë me çdo kusht arrestimin e priftit të katundit. Këto detaje dhe shuma e ofruar për kapjen gjallë të klerikut Dom Oroshit, janë zbardhur me një gjuhë të thjeshtë dhe ashtu sikurse kanë ndodhur. Për të realizuar këtë skenar, ishte leshuar si qen i tërbuar togeri kriminel Hodo Hatibi nga Kurveleshi, i vetëquajtur me nofkën kobndjellëse toger Baba. Ulkonja parti lëshoi këlyshin e vet, të cilin e hangri me një kafshatë të gjallë më vonë tek e vari në litar, për të mbuluar mizoritë që ai dhe Mehmet Shehu bënë në Shkodër dhe Mirditën e pamposhtur…
Mirdita origjinale e kohërave të hershme të historisë dhe gjatë shekujve ka nëshkruar lavdinë e saj. Me një shpejtësi të madhe zhvillohen ngjarjet në Shqipëri, mbas vendosjes së diktaturës komuniste në vend. Fjala diktaturë, nuk është gjetje retorike ose shpikje përçudnuese ndaj këtij sistemi, por vetë komunistët thonë, se në Shqipëri u vendos diktatura e proletariatit, e njëjtë kjo me ish vendet e Bllokut Komunist në Europën Lindore, ku si padrone ishte Rusia (ish - Bashkimit Sovjetik) me kriminelët kundër njerëzimit Lenini dhe Stalini.
Mediat e huaja, megjithse nuk lejoheshin të atashoheshin në Atdhe, përmes të porsa të arratisurve politikë nga Shqipëria, vazhdimisht shkruanin për persekutimin, që kishte filluar me hapa të përshpejtuar në Shqipëri, ku epiqendra e termetit komunist u bë Shkodra kundërkomuniste, që kërkonte të ruante vlerat e perlave të djepit të kulturës. Brenda burgut të madh të Shqipërisë, në Shkodër deri në vitin 1947 u hapën 12 burgje. Tre vjet më vonë (1950), panairit të krimeve ndaj banorë të saj do t’i shtohen edhe 14 burgje të tjera, për të mbajtur në qeli të ftohta bijtë më të mirë të Shkodërlocës, duke iu nënshtruar hetuesisë, torturave çnjerëzore, pushkatimit me rradhë e pa rradhë dhe me vdekje misterioze të organizuar në fshehtësi nga Sigurimi i Shtetit, që po linde me gjak e po mbahej me gjak mbi kufomat e pafajshme. Shkurt: ishte vënë përballë togës së pushkatimit truri ose ajka e kulturës më të ndritur shqiptare ndër shekuj…
Duhet thënë se asokohe krimi dhe terrori sistematik ishte rritur shumë ndaj dy motrave kundërkomuniste: Shkodrës dhe Mirditës, në Shqipërinë e Veriut, të cilat e pësuan më rëndë nga diktatura se shumë qytete të Shqipërisë së Jugut të marrë sëbashku. Këtë gjë e mësojmë edhe përmes korrespondencës së pasur, që ndodhet në librin që kemi sot në dorë.
Autori Mrijaj, përmes një analize të detajuar për ndodhi të veçanta historike ecë në një linjë sinkronike argumentuese edhe me shumë autorë të tjerë nga Shqipëria.
Kështu studiuesit Dr. Pjetër Pepa, ish Ambasador i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, në librat e tij: “Dosja e Diktaturës” (1995), “Tragjedia dhe Lavdia e Klerit Katolik në Shqipëri” (2007) dhe  Uran Butka, në librin e tij: “Lufta Civile në Shqipëri 1943 – 1945” (Tiranë, 2006), përmes dokumenteve historike të dlira në Qendrën e Arkivave të Shtetit në Tiranë, shkruajnë për rezistencën e vendosur kundërkomuniste në Mirditë. Jo të pakët janë dëshmitë historike nga të arratisurit nga Shqipëria dhe burgjet e saj. Të tilla janë kujtimet e Kapidanit të Mirditës Ndue Gjomarkaj, Kolec Pikolini, Ndue Melyshit, Tonin Mirakaj, etj., një pjesë e së cilës janë të botuar edhe në shtypin e kohës, libra me kujtime dhe dëshmuar disa herë gojarisht dje dhe sot…
Përputhshmëria e ngjarjeve të përshkruar nga studiuesi Mrijaj, me shumë dokumente arkivore në Tiranë,  dhe ato të ofruar për Mirditën dhe klerin katolik nga hulumtuesit nga Shqipëria Dr. Pepa dhe z. Butka, tregon seriozitetin dhe përgjegjshmërinë me të cilin jetëshkruesi ka punuar gjatë shumë vitëve, për të nxjerrë në dritë monografinë, duke e pasuruar përmes ngjarjeve rrëfyer ndër vite nga kleriku dhe atdhetari i shquar Dr.  Oroshi.
Gjatë kohës që meshtari ishte si azilant politik në Mitrovicë (Kosovë) më 3.2.1953, i dërgon një letër prej katër faqesh Kapidanit të Mirditës Ndue Gjomarkut, që ishte në Romë. Ndër të tjera, ai e informon imtësisht për gjendjen e rëndë, në të cilën gjendej Mirdita dhe Shqipëria, një vit para arratisjes në ish – Jugosllavi, duke i bërë një analizë konkrete tragjedisë brenda burgut të madh plot skllevër, ku ishte plandosur fatkeqsisht populli i mjerë shqiptar, nën kthetrat e manjakut kundërshqiptar e kundërkatolikut të tërbuar ardhacakut të huaj Enver Hoxha.
Ja një pasazh nga letërkëmbimi Oroshi - Gjomarku, që hulumtuesi Mrijaj, ka ofruar për lexusin për herë të parë:
“Për sa m’pytni përmbi vendin tonë, Mirditë, po Ju përgjegjem, për ç’ka t’më bjeri ndërmend shkurtimisht.
Sigurisht qi vuejtjet materjale e fizike, i ka përjetue gjatë në Shqipnia këto vjetët e fundit janë qenë ma të randa, se t’atyne qi gjinden qe me kohë në mërgim; megjithatë, unë për vedi tesh nuk i baj të paqenme për sa më ban jeta dhe jo për ndonji kryenaltsi të pavend, vetëm sepse kam pas rastin me pa s’afërmi zhvillimin e tregtis së tmerrshme në vllaznit tanë; me derdh lot e djersë gjakut me ta; me njoftë karakteret e ndryshme, të mirin e të keqin; idealistin e vërtetë dhe oportunistin e degjenerum; me njoftë visaret e çmueshme të karaktereve të çelikta të malcorit tonë dhe të katundarit, të cillit tallazet e vuejtjeve, në thjeshtësin e tij të pa shum teori, i kanë formue ma së mirit ndërgjegjen e drejtë kombtare e ka sakrifikue gjithçka për të mirën e Atdheut; gjithashtu megalomanin, qi i zhytun deri në fyt në nji opurtunizëm servil e të poshtëm, ka trathtue gjakun e vllazënvet të vet; me fjalë të shkurta, mikun e vërtetë e mikun e kujtum.
…Me keqardhje, na duhet të thomi, qi kurrdonji herë nuk i asht shti popullit shqiptar sistematikisht nji përçamje aq e madhe, me parimin “devide et impera” (përça e sundo, shënimi im K.K.) sa ndër kohnat e sodit nga klika sunduese e Shqipnis; përçamje në familje, përçamje në fshatarsi, përçamje ndër qytetarë, shkaktue nga agjentat e “Sigurimit”, tue privilegjue të kqijt ose agjentat e tue shtypë popullin me anën e tyne.
Vetë klika e Tiranës asht mundue edhe deri diku ia kanë dalë me shti përçamje të përjetshme në mes të Toskëve e Gegëve. Toskët, pothuejse tesh 8 vjet e kndej, kanë fatin e popullit shqiptar dhe Shqipnis në dorë.
Sot Mehmet Shehu, ka zgjedhë e futë në Sigurim nierzit e anës së Jugut, të kompromentuem derinë fyt me gjakun e popullit shqiptarë, nierz të lindun dhe të formuem në farkën e kanibalve të regjun me gjak e qi Mehmeti i njeh mirë, se edhe në ndrrimin e nji situate, ata nuk presin shpëtim. Prandaj janë oficera të naltë Sigurimi, nierzit ma kriminela e gjaksor të regjun, injoranta, të cillët, jo vetëm nuk dijnë ç’don të thotë ndërgjegje kombtare, por nuk kanë në vedi as ma të voglen nienjë humanitare.
Ksish me pozita ma me randsi, janë: mallakastralijt, skraparas, lab, korçar e vlonjat, e jo me pakicë, por deri në 5 ose 6 oficera nji shpijet; të gjith barij, hamaj, teneqexhi, nallban etj…” (Mrijaj, f. 59)

 

Mirënjohja - gjest fisnikërie i klerikëve


Mrijaj, në veprën e re, na jep dimensionin e madh të mirënjohjes që Dom Zef Oroshi, ka pasur ndaj mjeshtërit të madh të gjuhës sonë fjalëmjaltin Dom Ndre Mjedja, duke ofruar kujtime origjinale të nxënësit për mësuesin e ABC - së.
Kështu në shtjellimin e temës: “Mirënjohja ndaj mësuesve të parë” (f. 67 – 74), ndër të tjera jetëshkruesi Mrijaj, na njeh shumë mirë me nxënësin e zellshëm të vatrës së ngrohtë atdhedashëse e përparimtare adolishentin Oroshi të Kolegjës Saveriane, që i ndrojtur por krenar futet në klasat dritëdhënëse, ku jepnin mësim krenaria e kulturës që me shembuj ndër shekuj, kanë treguar qenësinë e vijimësisë autoktone iliro - shqiptare.
Në Amerikë (NY) ai e përkujton shpesh me biseda, artikuj dhe me një Simpozium kushtuar posaçërisht jetës dhe veprës, në 40 – vjetorin e kalimit në amshim. Dom Oroshi, shkruan 5 faqe, kumtesë me titull sinjifikativ: “Dom Ndre Mjedja”, të cilën e boton në faqet e revistës “Jeta Katholike Shqiptare” (Vjeti XII, #4 (nr. 48), Tetor – Dhetuer, 1977, f. 15 – 21). Midis shumë dijetarëve të shquar shqiptarë, në tubimin e rëndësishëm kulturor, sikurse shkruan studiuesi Mrijaj, u dallua me ligjeratën e tij të spikatur eruditi kundërkomunist konseguent “Profesor Emeritus” shkodrani Prof. Arshi Pipa.
Përveç se shqipërues, shkrimtar, studiues, teolog e filozof, ai ishte edhe një publicist i kujdeshëm e i mprehtë për kohën. Me daljen e revistës në fjalë të komunitetit katolik në New York, Oroshi i kushtohet tërësisht buletinit që ai vetë themeloi dhe drejtoi. Shkrimet e tij mbajnë nënshkrimin Dom Zef Oroshi dhe pseudonimet: “Theologu”, “Zodiaku”, Redaksia, Drejtoria, D. Z., etj.
Dëshmohet me prova, se rreth 70 % të shtypit në fjalë e përgatiste dhe redaktonte vetë, sikurse rikujton sot bashkëpunëtori i tij i ngushtë dhe njëherit edhe Kryetar i Këshillit të Kishës, aktivisti e publicisti veteran z. Tonin Mirakaj, “Monsinjori e merrte me vete makinën e shtypit, korrigjonte dhe redaktonte me shumë kujdes shkrimet e tij dhe bashkëpunëtorëve të revistës”.
Kjo vinte nga fakti, se Oroshi librat i kishte pasion dhe ushqim shpirtëror, sepse Urdhërat Katolike dhe posaçërisht Etërit Françeskan dhe Jezuit, në qytetin e lashtë të Shkodrës e kishin për traditë shtypin e lirë, demokratik dhe luajal, si një tryezë e hapur bashkëbisedimi të lirë mediatik, kulturorë dhe shkencorë asokohe, për të gjithë mendimtarët progresistë shqiptarë dhe të huaj të kohës ndër shekuj.
Noli dhe Oroshi, janë dy figura të spikatura të komunitetit shqiptaro – amerikanë, të cilët nga studiuesit e sotshëm nuk janë lëvruar. Janë shkruar deri më sot gjashtë vepra (ku janë shfrytëzuar edhe Arkivat e Federatës Panshqiptare “Vatra” në Boston dhe New York, shënimi im K.K.), kushtuar Peshkopit të Kishës së Shën Gjergjit në Boston Imzot Fan Stilian Nolit, por në asnjë nga ato nuk gjen letërkëmbimin apo edhe takimet e shpeshta të tyre. Duhet thënë se dialogu i shpesh mes tyre dhe Kadinalit Caushing në Boston, kishin një qëllim të përbashkët: bashkimin brenda Shtëpisë së Zotit, të kishave shqiptare të ritit katolik perëndimorë me ato lindore ortodokse në një të vetme, mbasi grigjia ishte e një etnie, gjuhe tradite dhe kombi.
Bashkëkohësi ynë, na përshkruan Oroshin dhe në këtë rast portretizon shumë bukur edhe mikun e tij të dashur Imzot Fan Stilian Nolin dhe komunitetin ortodoks në Boston. Pikërisht përjetimet e veta mbresëlënëse për Nolin dhe frymën dashamirëse ekumenike të tij, kleriku katolik mirditor, i përshkruan në punimin që ia dedikon tërësisht atij në shenjë nderimi dhe respekti, që ai ka bërë jo vetëm si Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një atdhetar i madh, intelektual erudit etj.
Kështu në librin: “Flamurtar i Kombit” (1882 - 1982), një botim special i Federatës Panshqiptare Vatra në Boston, Mass., (editor Eduard Liço), ndër të tjera, lexuesi mund të njoh Nolin edhe përmes kujtimeve mbresëlënëse të Dr. Oroshit, me titull: “Si e njoha Fan Nolin”.
Tema shumë interesante dhe me një informacion të larmishëm Mrijaj, ka ofruar përmes një cikël shkrimesh tërheqëse narrative, që në sinfoni plotësojnë natyrshëm njeri – tjetrin, duke na dhënë të kristalizuar profilin e plotë të Dom Zefit, qysh nga koha kur ai vjen për herë të parë në New York në vitet ’60.
Më 10 tetor 1975 Oroshi, bëri një udhëtim në kështjellën e vjetër  të Mesjetës në Toledo të Spanjës, me ftesë të familjes mbretërore të Leka Zogu II, i bri i Ahmet Zogut. Në këtë ambient festiv dhe aristokrat, ku shquhej flamuri shqiptar kleriku katolik Mons. Oroshi vuri kurorën e shenjtë të martesës, një ngjarje kjo që në libër është përshkruar me shumë kujdes nga autori.
Brenda veprës voluminoze dhe narrative: “Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, mëson më shumë për ekumenikun e papërsëritshëm asokohe; vizionarin largpamës dhe me kurajo të fortë civile dhe fetare; burrin e matur dhe të përvujtur, bariun e përshpirtshëm dhe atdhetarin e flaktë për lirinë e popullit të vet në vendlindje nga tirania ateisto – komuniste; intelektualin e palodhur si shqipërues të librit: “Katër Unjgjijt dhe Punët e Apostujve” (Shkrimi i Shenjtë, i cili u vlerësua me një në audiencë private nga vetë Papa Pali VI (1963 – 1978)).
Në këtë rast, ne zbulojmë Monsinjorin e thjeshtë, por të përkushtuar vreshtës së Zotit deri në përvujtëri; mikun dhe dashamirin e të Lumes Nënë Tereza (1910 – 2007), të cilën ua tregoi nga afër shqiptaro – amerikanëve, në një kohë që qeveria komuniste nuk e lejonte atë të bënte një vizitë tek varri i nënës së vet.
Dom Zefi tha një meshë në oborrin e Kishës katolike Bronx New York më 25 Korrik të vitit 1976. Për herë të parë, autori paraqet disa foto historike, ku E Lumja Nanë Tereze, është e fiksuar në celuloid e gëzuar mes bashkëatdhetarëve të vet, që kishin ardhur për t’a takuar nga disa shtete të Amerikës...
Udhëtimet e veta të njëpasnjëshme Tomë Mrijaj si vatran i parë dardan dhe njëherazi kryetari i “Vatrës” për degën e Queens NY, i përshkruan me një gjuhë dhe stil të thjeshtë. Ato janë gjithashtu edhe takime të ngrohta miqësore të Mons. Zefit me aktivistët veteranë vatranë në Boston.
Mikpritja dhe bujaria e filantropistit të përhershëm të organizatës më të vjetër shqiptaro – amerikane “Vatra” (1912) dhe gazetës “Dielli” (1909) Anthony Athanas, i ka mbetur në kujtesë studiuesit Mrijaj, nga rrëfimet e klerikut katolik, sikurse edhe bisedat e shpeshta të zhvilluara atje në prani edhe të Peshkopit Metropolit Emzot Nolit.
Me endje mund të kundrohen ngjarjet njëpashme të titulluara: “Lotët e dhimbjes”, “Zoti e kërkonte në amshim”, “Malli për Oroshin dhe Shqipërinë”, “Tek varri i nacionalistit të flaktë Abas Kupi”, “Përballë memorialit të shërbestarit të kombit Mit’hat Frashërit”, “Si u bëmë kumbarë?”, “Ikja e ardhja e një engjëlli”, “Krenar, përpara shtëpisë së amshimit”, “Një darkë e paharruar”, që njëherazi janë edhe përjetime personale të vetë autorit.
Dom Zefi, ka merita të padiskutueshme si meshtarë dhe atdhetarë, por gjëja më e fisme, që e lartësoi shumë figurën e tij, është se asnjëherë nuk bëri kompromis me dy rrymat, që ishin kërcënuese për emigrantët shqiptarë: enveristët dhe përkrahësit e UDB – së.

 

Vijimsia - zinxhir i pakëputur barinjve shpirtërorë


Një kapitull më vete, jetëshkruesi, i ka kushtuar klerikëve të ditëve tona, që po vijojnë atë traditën e hershme të kuvendeve katolike në vendlindje, ku prelatët e shquar shpirtëror dhe meshtarët e thjeshtë, si misionarë apo ushtar shpirtëror të Krishtit, ecin në atë udhë mbi 2000 vjet të krishtërimit ndër shqiptarë. Këtë traditë e vazhdoi pa ndërprerje në ShBA (New York dhe Detroit) meshtari Mons. Oroshi, Dom Rrok Mirdita (sot Arqipeshkëv Metropolit në Arqipeshkëvin Tiranë - Durrës), At Prof. Dr. Andrea Nargaj O.F.M., Dom Prek Ndrevashaj, Dom Lazër Sheldija dhe po udhëtojnë me sukses klerikët e sotëm plot devocion të komunitetit shqiptaro – amerikanë, Të Përndershmit: Dom Pjetër Popaj, Dom Anton Kçira, Dom Ndue Gjergji dhe deri tek më i riu kleriku i përvuajtur Dom Nikolin Përgjini.
Nga ana e tjetër Mrijaj, nuk ka lënë në harresë as vrasjen mizore 21 vjet më përpara në New York të meshtarit misionar Dom Lazër Sheldija, nderimin dhe respektin, që sërisht gëzon këtu dhe vendlindjen e tij në katundin Sheldi të Shkodrës.
Lidhja kuptimplote dhe historike, që autori i ka bërë temës: “Dy personalitete të shquara Imzot Vinçenc Prennushi dhe Imzot Rrok Mirdita”, janë pikërisht domethënia e argumentit tim që citova pak më lart. Dy portrete, që dallojnë mes tyre vetëm nga emrat, sepse Jeta, Rruga dhe e Vërteta e Fjalës së Zotit, ka qenë gjithnjë e njëjtë për të dy prelatët shqiptarë. I pari i martirizuar, ndërsa i dyti që ecën mrekullisht nën shembullin e pararendësit të tij. Ipeshkët e lartë: Prendushi e Mirdita, analizohen me fakte historike përmes detajeve interesante historike.
Gjatë mendimeve sintezë që argumenton jetëshkruesi, shohim se lindja e një fëmijë në Ulqin, ishte një gëzim i madh për familjen me origjinë mirditore Mirdita. Ky vogëlush me emrin e pagëzimit Rrok do të ketë shpejt thirrje të brendshme nga Zoti. Ai më vonë do të vijojë shkollën dhe do të marrë udhën e bukur meshtarisë. Bariu i ri do të shërbejë në Arqipeshkëvinë e hershme të Tivarit si meshtar i thjeshtë dhe më vonë, me kërkesë të Mons. Dr. Zef Oroshit, ai do të thirret në New York dhe do të bëhet zv/administrator i Kishës shqiptaro – amerikane “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx NY. Më 25 Prill 1993 Dom Rrok Mirdita (1939) shugurohet Ipeshkëv me një meshë solemne në Katedralën e “Shën Shtjefinit” (1858) nga polaku Papa Gjon Pali II. (Kjo Ringjallje e hierarkisë kishtare, u bë përmes prelatëve të rinj: Shkëlqësisë së Tij Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolitan në Arqipeshkëvinë Tiranë – Durrës dhe Imzot Frano Ilia (1918 – 1997), Arqipeshkëv Metropolitan i Shkodrës, Ipeshkëv Ndihmës në Arqipeshkëvinë e Shkodrës Imzot Zef Simoni (1928 – 2009) dhe Ipeshkëvi i Pultit dhe Malësisë së Madhe Imzot Robert Ashta (1918 – 1998). Që të tre klerikët ishin martirë të gjallë, të mbijetuarit e burgjeve shfarosëse komuniste në Shqipëri).
Pra Rroku i vogël vinte në jetë, një kohë që prelati aktual Imzot Prennushi (1885 - 1948), syrgjynosej në burgjet e tmerrshme komuniste në Shqipëri. Ai plot dhimbje po kalonte mbi shpinë golgotën e madhe të përsekutimit mizor ateist. Dhe në këtë rast kemi rilindjen mbi rrënjët e gjakut të kuq të derdhur ndër shekuj për Fe e Atdhe nga prelatët dhe klerikët katolikë shqiptarë…
Kreu: “Shtypi për Mons. Oroshin dhe revistën “Jeta Katholike Shqiptare”, përmes hulumtimeve shumëvjeçare të studiuesit këmbëngulës Mrijaj, jepen të saktë dhe në gjuhën që janë shkruar nga vetë publicistët e njohur bashkëatdhetarë të kohës. Kështu i shquari Prof. Karl Gurakuqi nga Italia, do të bëjë një analizë dhe sintezë të përmbajtjes dhe rolit të pazëvendsueshëm që ka luajtur shtypi shqiptar në mërgim. Më konkretisht Prof. Gurakuqi shkruan: “Jeta Katholike Shqiptare – një revistë e re në mërgim”. Më pas spikat gazetari i Radio Londrës BBC Tajar Zavalani, duke njohur botën shqiptare me shkrimin: “Nji inisiativë e lavderushme”, dhe vijon me jehonën e revistës në fjalë: “Sa kam shpirt, kam shpresë”, nënshkruar nga gazetari me përvojë publicisti Lec Shllaku etj.
Ndryshe nga çfarë përshkruajnë sot mediat bashkëkohore, për jetën shqiptare në Amerikë dhe veçanërisht në New York, Dr. Rexhep Krasniqi, me ndjenjë të lartë atdhetari e aktivisti të palodhur, analizon dukuritë e zhvillimit të ngjarjeve brenda komunitetit tonë 42 vjet më përpara, duke qenë një shembull i freskët aktual për ditët tona.
Ëmbëlsira thotë populli, është lënë për në fund. Kjo është e vërtetë. Mrijaj, tregon se Monsinjori, merret shumë gjatë kësaj periudhe me aktivitet të begatë letrarë dhe publicistik, gjw që bie në sy të mirë tek kritikët e mprehtë të artit dhe kulturës shqiptare, sikurse ishin profesorët: Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi etj. Kësisoj novela narrative me subjekt të mirëfilltë shqiptar e titulluar: “Çohaja” (lexo tek revista “Shejzat” (le pleiadi), nr. 3 - 4, vjeti III, 1959, f. 131 – 136 Pjesa I dhe II nr. 5 – 6, f. 2002 – 2005), tregon për pendën e spikatur të Oroshit. Përmes gjetjes së qëlluar shkrimtari Oroshi, ka mundur të na dhurojë personazhin e Frrokut, që rrëfen përrallat, me një shije të hollë humori, theças e nënkuptimesh, që u shmangen shpërrallimeve e për rrjedhim logjik, dalin në pah shembuj morali e një lloj zgjidhje enigmash filozofike, të mbështetur thellësisht në gurrën e pasur të folklorit autokton të lashtë arbëror, shprehë bukur e ëmbël, përmes fjalorit të përzgjedhur dhe të kulluar të gjuhës amtare.
Nga faqja 241 deri në 278, lexuesi i kujdeshëm mëson edhe anët e tjera të Mons. Oroshit, si një njeri me kulturë dhe vizion të kjartë, për të ardhmen e komunitetit tonë. Kjo duket në mesazhet që ai përcjell, mesazhet e bashimit si një thirrje e brendshme shpirtërore, me shkrime, memorandume, letërkëmbime me të gjithë komunitetin shqiptarë, pa dallim feje dhe krahine, gjë e cila e ka bërë klerikun të nderohet dhe respektohet nga të gjithë dje dhe sot në këtë tubim përkujtimor.
Literatura dhe dokumentet e vjelur nga hartuesi i veprës, është shumë e pasur, duke zënë 8 faqe gjithësej. Kjo tregon dashurinë dhe respektin e thellë, për t’i ruajtur si relike çdo gjë që lidhet me jetën dhe veprën e personazhit të vet. Nga ana e tjetër, monografia e parë e plotë, tregon bindshëm seriozitetin dhe përkushtimin e vijueshëm me të cilën autori i palodhur ka punuar sistematikisht tash 20 vjet, për të ndërtuar këtë libër plot fakte, që sot kemi kënaqësinë të gjithë t’a kemi në dorë.
Në këtë rast publicisti mërgimtar, ka dhënë me veprën e re historinë e lavdishme të komunitetit katolik rreth institucionit të lashtë të Kishës Katolike, që si një Nënë e Mirë, ka ruajtur bijtë e shqipes nga vorbulla e asimilimit të shpejtë në Shtetet e Bekuara të Amerikës. Kjo histori, është sprova e mbijetesës dhe vijimsisë së trashigimisë së gjuhës, kulturës dhe vlerave më të mira atdhetare të një pjese të bijve të trojeve etnike shqiptare, që ndodhën këtu në mërgimin e largët në Amerikë. Ky libër është një gurë i çmuar edhe në vetë ndërtesën e historisë së këtij shteti gjigand, që falë lirisë dhe demokracisë shembullore për të gjithë botën, na bëri të ndjehemi krenarë, se jemi shqiptarë dhe amerikanë, që ruajmë emrin e mirë të komunitetit tonë ndër vite...
Tomë Mrijaj me këtë mision, ndezi një qiri të pashuar në komunitetin tonë, duke na e dhënë Mons. Dr. Zef Oroshin të pavdekshëm me jetën dhe veprën e tij në shërbim të fesë dhe atdheut.

Shënim:

Kjo kumtesë e shkurtuar është mbajtur ditën e Diele më 03/15/09, në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Hartsdale New York, në përkujtim të 20 – vjetorit të kalimit në amshimin e pasosun të Themeluesit të Kishës dhe Lidhjes së Parë Katholike Shqiptare në Amerikë Mons. Dr. Zef Oroshi.
klajdkapinova@yahoo.com



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora