Kulturë
Albert Zholi: Unë dhe ai
E diele, 22.03.2009, 10:40 AM
Skicë
Albert Zholi
UNË DHE AI
Mora pasaportën te polici i shërbimit dhe u nisa për në shtëpi. Ato dy ditë brenda rajonit të policies më kishin tjetërsuar fare. Koha e verifikimit të dokumentave kishte zgjatur sikur të ishin qindra vetë. Polici që më dha pasaportën, jashtë natyrës së edukates sime, nuk më përshëndeti fare. Doja të fitoja edhe të qindën e sekondës për të qenë jashtë asaj biruce ku ndenja padrejtësisht 48 orë. Sa dola nga porta e policies eca me nxitim pa vënë re se ç’bëhej rreth meje. Desh u përplasa te kthesa e rrugës me një patrullë policie, që kish venë në mes tre djem 20-25 vjeçarë. Njëri prej tyre nuk m’i ndau sytë deri te kthesa. Që ishin shqiptarë nuk kisha mëdyshje, por atë që më shihte nuk e njihja. Me këto mendime mbërrita te stacioni i autobuzëve në “Sintagma.
U ula te stolat e stacionit. Ishte e diel dhe në stacion u gjend vetëm një mesoburrë, i dobët, i parruar e i veshur keq. Shqiptar duhet të jetë-thashë me vete. Hamendja nuk më gënjeu. Në xhepin e këmishës i dilte pasaporta e kuqe, që kish dale jashtë funksionit, por bashkëatdhetari im ndoshta e mbante si relikë apo për ndonjë hall-shqiptari. Rrinte ulur, me shikimin drejt përpara, pa lëvizur as qerpikët.
-Prisni njeri këtu?-e pyeta.
Ai ndenji edhe disa sekonda në atë drejtim pa lëvizur, pastaj me një ngadalsi bezdisëse, foli:
-Jo, pres veten time.
-Më fal por unë nuk lashë të kuptonit se po tallem, ju pyeta njerëzisht.
-Pse unë po tallem?-foli normalisht.
-Por, ja…
-Jo, jo zotëri, nuk po tallem. Po them një të vërtetë: Pres veten time. Nuk e di ku jam, nuk edi kush jam. Ndonjëherë harroj dhe emërin tim. Sa herë kam gjetur punë të rastit, aq emëra të rinj më kanë venë pronarët grekë. Kur harroj kush jam, nxjerr nga xhepi këtë palo pasaportë, që ka dale nga përdorimi. Rrapo Mali më quajnë, he, he(qeshi).
-Punon?
-Kam ditë pa punë. Të kisha punë të vazhdueshme nuk do të kisha kohë të harroja veten time. Papunësia t’i sjell të gjitha: të çburrëron, të verbon, të bën shurdh e ç’nuk të bën… Kam njëzetë e pesë ditë pa punë. Më pushuan se nuk kisha dokumenta. Edhe nga banesa më zbuan se nuk kisha mese të paguaja qeranë. Në Shqipëri, gruaja dhe dy fëmijët presin nga unë, po unë nga kush të pres?!
-Tani ç’do bësh?
-Ç’të bëj? Ditën kërkoj punë te Omonia, natën bredh rrugëve të Athinës të më zerë policia. U dal përpara policëve por ata kthejnë rrugë ose bëjnë sikur nuk më shohin. Më pandejnë për ndonjë drogaxhi. Kësaj ç’i thua. Kur do edhe policët nuk të kapin, kur nuk do, të gjejnë edhe në vrimë të halesë. Mos di ti ndonjë rajon policie?
-Po, tani sapo dola andej. Më mbajtën 48 orë për verifikim dokumentash., - dhe i tregova rajonin.
-Faleminderit, faleminderit shumë, më ke bërë nder. Më mirë në birucë, pak bukë - thatë dhe pastaj në Shqipëri. Të më shohin fëmijtë të paktën, të mos mendojnë ndryshe…
Athinë, 14 shtator 2000