E premte, 03.04.2026, 10:34 PM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (9)

E premte, 03.04.2026, 07:02 PM


MARIA, VAJZA E ANGJELINA ARIANITIT DHE E STEFANIT III BRANKOVIÇ, BASHKËSHORTJA E BONIFACI III PALEOLOG I MONFERRATO. (9)

Nga Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali

Stema heraldike e markezëve Maria dhe Bonifaci III ka një strukture kulturore, sociale, fetare, politike dhe historike ndryshe nga stemat tradicionale të fisnikërisë të vendeve perëndimore, sepse ka bashkim dhe unifikim elementesh të stemave të dy familjeve, si dhe të stemës të Habsburgëve. Maria Arianiti Brankoviç, krahas stemave heraldike, kishte një repertor të gjërë shenja identifikuese familjare, që e prezantonin publikisht dhe si bashkëshortja e markezit të Monferrato – Bonifacio III Paleologu.

Markezia Maria ishte e shquar si administratore e shtetit të vogël të Monferrato në Padania, por dhe në jetën shoqërore dhe fetare. Ajo gëzonte nderim dhe respekt nga banorët dhe nga kleri, andaj në nderim të figurës së saj, në harkun mbi portën e kishës Shen Domeniko në Monferrato Casale, në kompleksin e skulpturavë është Maria me djalin Gulielmi IX. Edhe kur hynë brenda në kishë, në dy kolona, që ndajnë navatën qendrore me atë anësore, mbi kapitelet e kolonave janë gdhendur majtas stema e Maria Arianiti Brankoviç dhe djathtas stema e përbashkët e Bonifacit III Paleolog dhe e Maries. [Caramellino C., Il tesoro della cattedrale. Opere d’arte in Piemonte. Casale Monferrato, Grafiche Alfa, Torino 1979.]

Vlen të theksohet se Maria dhe Bonifaci III, adhuronin Shen Margaritën e Antiokio, si rezulton në relikuen e këmbës të Shen Margaritës e derdhur në argjend në vitin 1486, në pronësi të Maries dhe Bonifacit III, relikue të cilën ia kishin dhuruar kishës Shen Domeniko. Dy stemat heraldike në këtë relikue, djathtas stema e Maries me shqiponjën dykrenëshe të Arianitëve dhe luanin në pozicion ngritur në dy këmbët e pasme të Brankoviçëve dhe majtas stema e unifikuar e Maries dhe Bonifacit III, dëshmojnë për pozcionin e saj si fisnike dhe e lidhjes bashkëshortore me Bonifacin III. [Gabrielli N., L’arte a Casale Monferrato dal XI al XVIII secolo, Miglietta, Torino 1935, edizione Anastatica: Il Portico, Casale 1981].

Relikua e këmbës të Shen Margherita e Antiokia, e derdhur në argjend, në Muzeun e Duomo në Monferrato Casale, me Shen Margeritën ndërmjet stemës heraldike të Maries dhe stemës të Maries dhe Bonifaci III.

Studiuesi Rikaldone spjegon se shqiponja në stemën e dinastisë Paleologa, është e Arianitëve. Stema e kombinuar e dy familjeve, ndryshon nga stemat e zakonshme heraldike, që përdoreshin si tema të lidhjes martesore. Këto dy stema janë të pranishme dhe në kapitelet e kolonave në kishën e Shen Domeniko, çka shpreh një vendim të çiftit për të lënë kujtim dhe dedikim simbolik kishës dhe banorëve të Monferrato. [Aldo di Ricaldone 1972a, p. 51; Ricaldone 1972b, I, p. 382].

Lidhur më relikuen e këmbës të Shen Margeritës, mendohet se Bonifaci III dhe Maria ia dhuruan kishës Shen Domeniko në vitin 1486 me rastin e lindjes të djalit të parë Gulielmi IX. Mbetet enigmë në çfarë rrethanash kjo relikue ishte në pronësi të Bonifacit III dhe Maries. Hamendësohet se kish mbërrijt në markezat në kohën e kryqëzatave të herëshme të Aleramici, por disa studiues theksojnë se ishte dhuruar Maries nga Nëna Angjelina, çka konsiderohet dhe më e besushme. Walter Haberstumpf mendon se origjina e kësaj relikue është më e herëshme, lidhet me grabitjet e kishave të Kostantinopolit në vitin 1204, kur Bonifaci I i Monferrato hyri në kompleksin monumental të Boukoleon, ku ndodhej Kapella e Shenjtë e mbushur me relikue të shumta. [Haberstumpf W., Il marchesato di Monferrato tra crociate e ricordi delle trascorse glorie oltremarine (secoli XV-X VI), in “Bollettino storico-bibliografico subalpino”, CXXI (2023/1), pp. 167-188.]

Një aspekt i veçantë i bashkëshortëve Maria dhe Bonifaci III, janë stemat heraldike të pikturuara në tavanin e shtëpisë Bekaris (Beccaris), në rrugën Leardi, në qendër të Kantonit Brignano në Monferrato Casale. Pikturat e stemave heraldike janë realizuara në respekt të traditës së mesjetës së vonëshme europiane, një status simbol dhe tipik lombard, i një tavani të pikturuar bukur dhe me elegancë në sallën e pritjes të rezidencës të familjes, çka shpreh mrekullisht raportet e lidhjes bashkëshortore të Maries me Bonifacin III. [Gentile L.C., Sigilli dei marchesi di Monferrato, in “Monferrato. Arte e storia”, XVIII (2006), pp. 5-26]

Në trarët e gjërë të tavanit, krahas pikturave të kafshëve, zogjëve, vazove me fruta dhe me lule, janë radhitur dhe stemat në formë mburoje tipike të rilindjes, që i përkasin grupeve familjare paraardhëse të markezëve të Monferrato si Gaspardone, Selvatiko, Valperga, Guiskardi, Bazani, Millo dhe dy më të vjetra të paidentifikuara. Krahas këtyre, në pozicion qendror të tavanit, dallohen tre stema heraldike: në qendër stema e Bonifaci III Paleolog dhe e Maria Arianiti; djathtas stema e Maries dhe e Stefanit III dhe majtas stema e Kostantin Arianitit Komneni, me mburojën me katër kuadrate: 1 dhe 4 me shqiponjën e artë dykrenëshe të Arianitëve në sfond të kuq; në kuadratet 2 dhe 3 me kryqin ortodoks të artë në sfond blu dhe poshtë kryqit, tre këmbana të zeza në sfond të artë, që shprehin prejardhjen e tij nga Komnenët e Bizantit. Studiuesi Giulio Ieni, mendon se prania e stemës të Kostantin Arianit lidhet me rrethanat se vila Bekaris (Beccaris) ishte banesa e parë e tij, madje dhe në vitet e më pasme, kur shërbeu administrator i markezatit. [Giulio Ieni 2001 p. 70; Guerrini 2002, p. 137; Per l’arrivo dell’A rianiti a Casale, cfr. Babinger 1962a.]

1. Stema e Maria Arianiti Brankoviç (e njejtë dhe në relikuen e këmbës të Shen Margerita).

2. Stema pas martesës të Maries me Bonifacin III.

3. Stema e Kostantin Arianitit.

Studiuesit Guerrini dhe Retstap theksojnë se prania e stemës heraldike të Kostantin Arianitit në tavanin e vilës është e viteve 80’ kur Bonifaci III ishte ende në jetë dhe kur i kishte besuar Kostantinit administrimin e markezatit bashkë me mbesën Maria Arianiti Brankoviç dhe kur në vitin 1489, Ai u martua me Françeskën, e bija illegjitime e Bonifacit III. [Rietstap J.B. 1861, Le tre campane figurano nelle armi di varie famiglie trapiantatesi in Occidente, che pretendevano una discendenza dai Comneno: tra queste vi erano anche dei Comneno milanesi e savoiardi, vol I, p. 452]. [Guerrini A., Ritrattistica di corte e cicli profani nella Casale dei Paleologi, in Intorno a Macrino d’Alba. Aspetti e problemi di cultura figurativa del Rinascimento in Pie monte, atti della giornata di studi (Alba, 30 novembre 2001), Fondazione Ferrero, Alba 2002, pp. 131-144.]

Stema e markezëve Bonifaci III Paleologu dhe Maria Arianiti Brankoviç, u përdor në fund të shekullit XV, kur markezati i Monferrato u ngushtua ndërmjet Savojës dhe dukatit të Milanos dhe u përdorën si mjet për të afirmuar publikisht edhe simbolikisht autonominë e markezatit, madje kjo stemë u trashëgua në shekullin XVI nga djemtë, kësisoj djali i madh Gulielmi IX Paleolog, e përdori të pandryshuar. Gjatë kohës që drejtoi markezatin Gulielmi IX prodhoi monedhën me vlerë dy dukate ari, me portretin e tij në faqen e përparshme dhe stemën heraldike të familjes në faqen e pasme. Kjo monedhë u perdor deri në fillimet e shekullit XVIII. [Biandrate di San Giorgio, Benvenuto, Ragionamento familiare de la origine, tempi et posthumi de li illustrissimi principi marchesi de Monteferrato, ms., Archivio di Stato di Torino, Paesi, Monferrato, Storia e genealogie, m. 1] [Del Carretto Galeotto, Libro de la genealogia et vite de gli illustrissimi principi et excellentissimi marchesi de Monferrato, 1493, Bibliothèque Nationale de France, Paris, ms. it. p. 412.]

Pas vdekjes të Bonifacit III dhe të Maries, markezati i kaloi djalit të madh Gulielmi IX, por nën tutelën e Kostantin Arianitit, si e kishte saktësuar në testament Bonifaci III Paleolog, ashtu si e kishte miratuar dhe perandori Maksimilian i Habsburgëve.

Gulielmi IX Paleolog, markezi i Monferrato (Portret i realizuar nga Macrino d’Alba)

(Ndodhet në Santuarin e Assunta, Serralunga di Crea)

Monedha me vlerë 2 dukate ari, me portretin e Gulielmi IX dhe në faqen e pasme stema heraldike e familjes.

Gjatë dhjetë viteve të jetës në Monferrato, Maria ka lënë plot kujtime, që shprehin rolin e saj si markeze bashkëshorte e Bonifacit III Paleolog, si administratore e markezatit, si regjente e dy djemëve dhe si besimtare e denjë katolike. Në veçanti vlen të theksohet se stemat heraldike të Maries, shprehin politikën kulturore dhe fetare të saj si fisnike dhe njëkohësisht janë objekte të artit dekorativ në markezatin e Monferrato në vitet e fundit të shekullit XV. Disa prej objekteve të familjes, janë me rëndësi si relikua e këmbës së Shen Margeritës, e cila aktualisht ndodhet në muzeun e Duomo; stemat heraldike në kapitelet e kishës Shen Domeniko; vizatimet e stemave heraldike në tavanin e vilës të Paleologëve në Bekaris (Beccaris) në Monferrato Casale, portreti i saj në bazoriliev mermeri në kishën e Shen Françeskut si dhe antifonario FL8, që ndodhet në arkivin e katedrales të Monferrato, të konfirmuara me akt juridik administrativ që ishte dhuruar nga Maria.

Këto objekte, krahas vlerave artistike dhe kulturore shprehin pushtetin dhe memorien kolektive të Bonifacit III dhe Maries dhe janë realizuar nga viti 1485, viti i martesës të markezit Bonifaci III me princeshën Maria Arianiti Brankoviç, deri në vitin 1495, viti i vdekjes të Maries, ndërsa kompleksi i skulpturave mbi portën e kishës Shen Domeniko është më i vonshëm, pikërisht pas vdekjes së Maries. [Gabrielli N., L’arte a Casale Monferrato dal XI al XVIII se colo, Miglietta, Torino 1935 (ed. anastatica: Il Portico, Casale 1981)].

Një objekt me vlera, që shpreh personalitetin dhe rolin shoqëror dhe fetar të markezes Maria në Monferrato, është Antifonario (Antiphonarium festivum et commune sanctorum), i cili aktualisht ndodhet në Arkivin Historik të Katedrales Dioqezane. [Casale Monferrato, Archivio Storico Diocesano, fondo del Capitolo della Cattedrale, ms. FL8, f. 3v]

Antifonario është libër litugjik i fesë katolike, ku përmblidhen këngë gregoriane, psallme dhe hymne, të cilat këndohen nga kori dhe nga solista gjatë orëve kanonike të liturgjisë (Antiphonarium offici). Antifonario prezantohet si vëllim dorëshkrimesh, i pasuruar me miniatura me ngjyra. E veçanta e këtij antofonario është se në kornizën e poshtëme është stema heraldike e Maries, krahas stemave të familjes të markezëve Paleologa dhe të mbretit Liutprando. [Palmieri L., Alcune preziose oreficerie conservate nella Cattedrale di Casale Monferrato e a Moncalvo: nuovi contributi su un patrimonio ancora tutto da studiare, in Arte e carte nella

diocesi di Casale, Provincia di Alessandria, Alessandria 2007, pp. 206-225.]

Antiphonarium festivum et commune sanctorum: Miniatura me stemat e markezëve të Monferrato, të mbretit Liutprando dhe të markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa.

Më 27 gusht 1495, ende pa mbushur 30 vjeç, Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe e varrosën krah bashkëshortit në kishën e Shen Françeskut në Monferrato Casale. Për fat të keq, varri i Maries u shkatërrua në vitin 1750, por ruhet një bazoriliev me portretin e saj, vepër e Matteo Sammicheli, bazoriliev, që aktualisht ndodhet i ekspozuar në Museun Civik të Monferrato. Vdekja e parakohëshme e Maries shkaktoi dhimbje dhe pikëllim për familjen dhe për banorët e Monferrato, por la pas kujtime të bukura, nderime dhe respekte, si figurë e shquar e administrimit të Monferrato, shtetit të vogël padan.

Manifesti i kuvendit historiko-kulturor “Tra oriente e occidente – Ndërmjet perëndimit dhe lindjes”, dedikuar markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, aktivitet i organizuar më 27 shkurt 2026, në sallën e Bibliotekës Komunale “Giovanni Canna” në Monferrato.

Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, mbesa e jonë arbërore, nuk njihet nga opinioni shqiptar, por njihet, vlerësohet dhe nderohet edhe në ditët e sotme nga institucionet dhe nga banorët e Monferrato.

Më 27 shkurt 2026, me nismën e Cirkut Kulturor “Markezët e Monferrato”, nën patronazhin e Komunës  Monferrato Casale dhe Provincës së Alessandria, u organizua një kuvend historiko-kulturor “Tra oriente e occidente – Ndërmjet perëndimit dhe lindjes”, dedikuar zonjës fisnike, markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa. Kuvendi u zhvillua në sallën e Senatit të Bibliotekës Komunale “Giovanni Canna” në Monferrato, me pjesmarrje masive të banorëve, të studiuesve dhe historianëve.

Në manifestin e këtij aktiviteti është vendosur fotografia me portretin e Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, e prezantuar me kurorën e fisnikërisë, portret i prezantuar për herë të parë publikisht.

Fjalën e hapjes të këtij aktiviteti e mbajti presidenti i Cirkut Kulturor “Markezët e Monferrato”; në vazhdim Marko Mazzoni prezantoi panoramën mesjetare të Monferrato dhe të dinastisë Paleologa; studiuesi Graziano Canestri foli për jetën e markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, duke e trajtuar në kontestin gjeopolitik në marrëdhëniet ndërmjet lindjes dhe perëndimit në fund të shekullit XV; ndërsa studiuesja Manuela Lessio shtjelloi rolin si administratore të markezatit dhe aspekte të diplomacisë të Maries në dialogun interkulturor të mesjetës, të konkretizuar dhe në ditët e sotme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx