E premte, 20.03.2026, 10:44 PM (GMT)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore ( 8 )

E premte, 20.03.2026, 07:00 PM


MARIA, VAJZA E ANGJELINA ARIANITIT DHE E STEFANIT III BRANKOVIÇ (8)

Nga Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali

Nga martesa e Angjelina Arianitit me Stefanin III Brankoviç lindën pesë fëmijë. Në vitin 1461, në Durrës u lind Gjergji, të cilin e pagëzuan me emrin e gjyshit Gjergj Arianiti, ndërsa kur u shugurua murg, mori emrin Maksim. Në vitin 1462 në Durrës u lindi vajza Irena, e cila vdiq tre muaj pas lindjes, ndërsa tre fëmijët e tjerë lindën kur u transferuan në Friuli – Itali. [Perego Stefano, Smilgevicius Kestutis. 2024, A proposito del Diarium primum di Angelo Massarelli, pp. 4-10].

Në vitin 1462 vdiq princi Gjergj Arianiti. Bashkëshortjë e tij baronesha Petrina Frankone Arianiti e mbetur e vè, bashkë me tre djemtë dhe vajzën, në verën e vitit 1463 u kthye në Pulja, në trojet e prindërve në feudin e Taurisano në Salento e më pas shkuan në Venecia. Angjelina me Stafanin III dhe djalin Gjergji, mbetën vetëm në Durrës. Në rrethanat e vështira që po kalonte Arbëria, Gjergj Kastrioti dhe Andronika i këshilluan Stefanin dhe Angjelinën të shkonin në Milano, madje iu dhanë letër rekomandimi për Dukën Sforca të Milanos.

Fillimisht Angjelina me Stefanin dhe djalin Gjergji shkuan në Venecia, madje lundruan në të njejtën anije me motrën Andronika Kastriotit, me djalin 9 vjeçar Gjoni II Kastrioti dhe Ipeshkëvin Pal Engjëlli, të cilët do të prezantoheshin para Senatit të Venedikut, për t’i njohur Gjonit II Kastrioti, të drejtat e fisnikërisë Veneciane, si ua kishte kërkuar Gjergj Kastrioti me letrën e 20 gushtit 1463. Më 25 shtator 1463, Angjelina asistoi në ceremoninë e shpalljes të Gjoni II Kastrioti, anëtar i Këshillit të Lartë të Bujarëve Venedikas, me diplomën e dhënë nga Dozha Kristoforo Moro. [Dorit Raines. Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e  presenza al Maggior Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297 - 1797. In Storia di Venezia, I, 2003, pp. 3 – 8]. [Marin Sanudo il Giovane. Vitae dei Dogi 1423 - 1473. Venezia  1999, Tom. 1. pp.183]

Angjelina dhe Stefani III me djalin Gjergji, qëndruan në Venecia, me shpresë se do të ndihmoheshin nga Serenissima, sepse Stefani III, nga viti 1441 ishte patric venecian, ashtu si dhe Angjelina, sipas marrëveshjes të vitit 1456, të Gjergj Arianitit me Dozhën eVenedikut Françesko Foskari, ajo dhe familja ishin në mbrojtje të Serenissima. Stefani III dhe Angjelina nuk e gjetën përkrahjen financiare nga Serenissima. [Aleksandar Fotic (2008) Famiglia Brankovi?. Enciclopedia dell'Impero Ottomano. New York: Pubblicat. Infobase. pp. 93 - 94]. [Giuseppe Bettinelli: Dizionario storico – portatile di tutte le  venette patrizie famiglie. Venezia, 1780, f. 48]

Në këto rrethana, u transferuan në Friuli, ku u vendosën në kështjellën e Belgradit pranë lumit Taliamento, në Varmo (Udine), kështjellë të cilën Stefani III dhe e motra Katarina (e martuar me kontin Ulriku II i Celje të Kroacisë), ia kishin blerë kontit Leonardo i Gorizia. [Altan Mario Giovanni Batista. Stefano Brankovi? despota di Serbia ed il castello di Belgrado nel Friuli, secolo XV: Revista Friulane. Atti dell’Accademia di scienze lettere e arti di Udine, 1981, pp. 15 - 29].

Në vitet që jetuan në kështjellën e Belgradit në Varmo, lindën dhe tre fëmijë: vajzën Milica (1464) djalin Gjoni (Johann) (1465) dhe vajzën Maria (1466), të cilën e pagëzuan me emrin e gjyshes Maria Muzaka.

Më 9 tetor 1476, vdiq Stefani III Brankovi?. E varrosën në Friuli. E detyruar nga vështirësitë ekonomike, Angjelina vendosi të largohej nga Venecia. Në vitin 1478, i kërkoi ndihmë Perandorit Frederikut III Habsburg i Austrisë, i cili e ftoi dhe i dhuroi kështjellën Weitensfeld, në Dukatin e Stiria, në juglindje të Austrisë, fqinje me Karincia dhe Slloveninë. Angjelina me fëmijët jetoi 10 vite në Stiria, natyrisht me mbështetje financiare nga Perandori Frederiku III, si dhe me ndihmat që i dërgonte e motra Andronika Kastrioti.

Në vitin 1485, Perandori Frederiku III ndërmjetësoi te Angjelina, për martesën e vajzës Maria me markezin Bonifacio III i Monferrato, pasardhës i dinastisë Paleologu i Bizantit në Itali, fisnik shumë i pasur, markezi i shtetit të Monferrato në Padania, i cili ishte vasal i Frederikut III të Austrisë. Pas divorcit më gruan e parë Orvietana di Campofregoso, në vitin 1484 i vdiq dhe gruaja e dytë kontesha Elena di Bresse. Ashtu si i vëllai Gulielm VIII dhe Bonifaci III kishin mbetur pa trashëgimtarë, andaj për të garantuar vazhdimësinë e dinastisë, Bonifaci III vendosi të martohet për të tretën herë. Në vitin 1485 me ndërmjetësinë e perandorit Frederiku III, markezi Bonifaci III 61 vjeçar, u martua me të bukurën Maria Brankoviç, që ishte 19 vjeçe. Martesa u celebrua me prokurë në Innsbruck më 17 tetor 1485, në mungesë të Bonifacit III, por në prani të nënës Angjelina Arianiti Brankoviç, të dy vëllezërve dhe të motrës Milica dhe të fisnikëve të oborrit Habsburgëve. Pas ceremonisë së martesës, Maria u kthyen në Monferrato e shoqëruar nga Angjelina Arianiti dhe nga një grup diplomatësh Habsburgë. Nga lidhja martesore e Bonifacit III me Marie Arianiti Brankoviç lindën dy djem: Guglielmo IX (10 gusht 1486) dhe Gian Giorgio (21 janar 1488). Lindja e djemëve u përshëndet nga kronistët e kohës dhe të oborrit të Habsburgëve, të cilët e cilësuan Marien shpëtimtaria e markezatit të Monferrato. [Luisa Clotilde Gentile. Dai Balcani al Monferrato: memorie araldiche di Maria di Serbia. Riletture e nuove attribuzioni. Palazzo Madamme 2024 – 2025, pp. 30 - 45]

Markezia e re Maria ushtroi rol me rëndesi në drejtimin shtetit të vogël dhe të pasur të Monferrato. Markezi Bonifaci III ishte i moshuar dhe nuk mund të ndiqte të gjitha aktivitetet e shtetit të tij, andaj adminsitrimin e pronave dhe regjencën e djemëve të mitur ia besoi bashkëshortes. Disa muaj më pas, me propozimin e Maries, i kërkuan Kostantin Arianitit, të bashkëpunonte si administrator i markezatit. Kostantin Arianiti, daja i Maries, e pranoi menjëherë ftesën, kësisoj në vitin 1486 e la detyrën e Protonotarit Apostolik në Vatikan dhe kaloi në shërbim të mbesës Maria. Kostantin Arianiti u bë personi i besueshem i Markezit Bonifaci III, si vërtetohet në testamentin e 11 majit 1491 të Bonifacit III, i cili e emëroi bashkëregjent i djemëve, që ishin ende të mitur. Bonifaci III, i vlerësoi aftësitë e Kostantinit dhe krahas detyrës të bashkadministratorit të shtetit të Monferrato në Padania, në vitin 1489 e martoi me vajzën e tij Franceska Paleologa, e cila ishte e bija e tij jolegjitime, por e njohur zyrtarisht nga markezi. [Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni, botim në Issue. com, Mars 2014].

Pas vdekjes të Bonifacit III më 1494 (u varros në kishën Shen Francesko në Casale), Maria mori drejtimin e markezatit dhe regjencën e fëmijëve, së bashku me dajën e vet, Kostantin Arianitin. Maria ishte autoriteti suprem i markezatit që në fund të vitit 1485, si ishte shprehur dhe Bonifaci III në testamentin e fundit të vitit 1491, duke e cilësuar Marien pronare e markezatit dhe regjente e djemëve pas vdekjes së tij. [Haberstumpf W, Il marchesato di Monferrato tra crociate e ricordi delle trascorse glorie oltremarine (secoli XV-XVI), in “Bollettino storico-bibliografico subalpino”, CXXI (2023/1), pp. 167-188].

Kur Maria arrijti në Monferrato në vitin 1485, pruri dhe stemën heraldike të familjes, e prezantuar me mburojën e ndarë në dy pjesë, në të djathtë fasha e kuqe dhe e bardhë, që ishte stema e Habsburgëve, ndërsa në gjysmën e majtë në pozicion diagonal, në sfond të kuq dy shqiponja dykrenëshe ngjyrë të artë, të dinastisë Arianiti dhe dy luanë të kuq në pozicion të ngritur mbi këmbët e pasme, të stemës heraldike të Brankoviçëve. Maria, markezia e Monferrato, kishte dhe vulë me këtë stemë heraldike, por kjo vulë ka humbur.

Stema heraldike e Maria Brankoviç dhe stema heraldike e Gjergj Arianiti.

(Benvenuto Biandrate di San Giorgio, Ragionamento familiare..., ms., Archivio di Stato di Torino, Paesi, Monferrato, Storia e genealogie, m. 1, f. 473r).

Në lidhje me shqiponjën e artë dykrenëshe, një grup studiuesish italianë bëjnë interpretime të gabuara, duke ia dedikuar dinastive serbe, por si me të drejtë spjegojnë një grup historianësh dhe ekspertësh të heraldikës, Brankoviçët në stemën heraldike kishin mburojën me luanin e kuq ngritur mbi dy këmbët e pasme në sfond floreal blu, madje kjo stemë ishte dhe në vulat e dhespotëve. Kështu p.sh xhaxhai i Maries, dhespoti Lazar Brankoviçi, në vitin 1457, në një kuitancë blerje malli në Raguza, kishte vulosur me dyll në letër, me vulën e tij, e cila në brendësi të mburojës ka luanin ngritur mbi dy këmbët e pasme dhe helmetën me brinjët e demit. Të njëjtën vulë kishte dhe Stefani III Brankoviç, babai i Maries, por vlen të theksohet se në kohën kur Stefani III ishte dhespoti i Serbisë, kishte vënë në qarkullim një monedhë me shqiponjën me një kokë dhe me helmetën me brinjët e demit. Edhe Katarina, motra e Stefanit III, kishte stemën me mburojën me në qendër luanin e ngritur mbi dy këmbët e pasme. Shqiponjën dykrenëshe e përdori në vitin 1492 i vëllai i Maries, Gjergji kur ishte dhespot, e më pas u shuguruar murg me emrin Maksim.

Natyrisht shqiponja e artë dy krenëshe e integruar në stemën heraldike të Markezatit të Monferrato, ishte ndikim i Angjelina Arianitit, e cila me të drejtë kishte sugjeruar, që Maria të përfaqësohet me stemën heraldike të dinastisë Arianiti. [Luisa Clotilde Gentile. Dai Balcani al Monferrato: memorie araldiche di Maria di Serbia. Riletture e nuove attribuzioni. Palazzo Madamme 2024 – 2025, pp. 30 - 45]

Pas martesës më Bonifacin III, stema heraldike e Markezatit të Monferrato u modifikua. Në këtë stemë të re, në kuadratin e sipërm djathtas të mburojës, në sfond të kuq u vendos shqiponja e artë dy krenëshe e Arianitëve, në qendër kryqi tetragramat i dinastisë Paleologo, që shprehte një moto kristologjike bizantine të origjinës së hershme të dinastisë Bonifaci, kryq që ishte dhe në stemën Gulielmit VIII Bonofaci. Në kuadratin e sipërm majtas, në pozicion vertikal shiritat të kuq e të verdhë të Paleologëve; poshtë në gjysmën e djathtë të mburojës dy peshq në pozicion vertikal në sfond blu, elemente të stemës të Bonifacit III; në kuadratin poshtë majtas, në këndet e kryqit katër brirët e demit të stemës Brankoviçëve dhe në qendër një mburojë e vogel më sfond të kuq e të bardhë, e stemës heraldike te Habsburgëve të Austrisë. [Haberstumpf, Walter (2009). Regesti dei Marchesi di Monferrato (sec IX-XVI). Alessandria: San Giorgio Editrice.]

Kjo stemë dhe objekte të tjera të Maries dhe të Bonifacit III, ruhen në Monferrato dhe janë përfshirë në historinë e arteve dekorative dhe punimet artistike e letrare të Noemi Gabrielli, të prezantuara në ekspozitën e Gotikut torinez dhe të Rilindjes piemonteze të organizuar nën kujdesin e Vittorio Viale. [Gabrielli N., L’arte a Casale Monferrato dal XI al XVIII se colo, Miglietta, Torino 1935 (ed. anastatica: Il Portico, Casale 1981].

Stema e markezëve të Monferrato: Bonifaci III Paleologu dhe Maria Arianiti Brankoviç.

(Stemmario trivulziano, Milano, Arkivi Historik Qytetar dhe Biblioteka Trivulziana, Cod. Triv. 1390, p. 322)

Si thekson historiania Luisa Clotilde Gentile në studimin e saj (faqe 32), nuk dihet kush ishin autorët e kësaj steme të re, ndofta ishte kompozuar nga specialistë të oborrit të Habsburgëve, ose ndofta ishte një ripunim nga mjeshtrat e Monferrato, të cilët krahas pjesëve nga stema e Bonifacio III dhe të Brankoviçëve, kishin marrë në konsideratë dhe sugjerimet e Nënë Angjelinës, lidhur më praninë e shqiponjës dy krenëshe me ngjyrë të artë, që ishte stema heraldike e të atit, princit Gjergj Arianiti. Kjo stemë e markezëve Maria dhe Bonifaci III ka një strukture kulturore, sociale, fetare, historike dhe politike ndryshe nga stemat tradicionale të fisnikërisë të vendeve perëndimore, sepse ka bashkim elementesh të stemave të tre familjeve, madje dhe të Habsburgëve. [Luisa Clotilde Gentile. Dai Balcani al Monferrato: memorie araldiche di Maria di Serbia. Riletture e nuove attribuzioni. Palazzo Madamme 2024 – 2025, pp. 30 - 45].

Maria Arianiti Brankoviç dispononte një repertor të gjërë shenjash identifikuese dhe relike fetare familjare, që e prezantonin publikisht si bashkëshortja e markezit të Monferrato – Bonifacio III Paleologu.

Më 27 gusht 1495, ende pa mbushur 30 vjeç, Maria Arianiti Brankoviç, vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe e varrosën krah bashkëshortit në kishën e Shen Françeskut në Casale di Monferrato. Për fat të keq, varri i Maria u shkatërrua në vitin 1750, por ruhet një bazoriliev me portretin e saj, vepër e Matteo Sammicheli, bazoriliev që aktualisht ndodhet i ekspozuar në Museun Civik të Monferrato. [Guerrini A., Matteo Sanmicheli in Duomo e di Casale Monferrato. Storia, arte e vita liturgica, atti del convegno (Casale Monferrato, 16-18 aprile 1999), Interlinea, Novara 2000, pp. 145-159.]

Markezia Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, gëzonte nderimin dhe respekte nga banorët e Monferrato, të cilët e kujtojnë me afekte dhe në ditët e sotme, ndryshe nga daja i saj Kostantin Arianiti, ndaj të cilit banorët e Monferrato nuk shprehnin simpati. Gjatë atyre pak viteve që jetoi në markezat u realizuan disa vepra nga humanistët e Monferrato, duke filluar nga kronikat e Galeotto Del Carretto dhe nga Benvenuto di San Giorgio, ashtu si dhe nga noteri dhe sekretari i tyre Guglielmo Cattaneo, të cilët kanë evokuar rolin e markezes Maria dhe mbështetjen e bashkëshortit Bonifaci III. [Galeotto Del Carretto, Cronica di Monferrato, ed. G. Avogadro, in H.P.M. SS., III, Augustae Taurinorum, ripubblicato 1848]

Në kishën e Shen Domeniko ku u varros Maria, ndodhej bazorilievi me portretin e saj, i realizuar nga Matteo Sanmicheli, akualisht ky bazoriliev lehtësisht i dëmtuar, ruhet në muzeun Civik të Monferrato. Gjithashtu ishte dhe një medaljon në porcelan me portretin e Maries, i përmendur në burimet historike dhe në kronikat e priftërinjëve domenikanë të kësaj kishe, por rezulton se ka humbur, më saktë është pervehtësuar nga dikush. [Gabrielli N., L’arte a Casale Monferrato dal XI al XVIII secolo, Miglietta, Torino 1935 (ed. anastatica: Il Portico, Casale 1981].

Kisha e Shen Domeniko në Monferrato (Provinca e Alessandria)

Në harkun (lunetta) mbi portën e kishës, janë tre grupe skulpturash në mermer të bardhë, në qendër Shen Maria me Jezusin foshnje, në anën e djathtë skukpturat e Gulielmit VIII dhe të vëllait Bonifaci III, ndërsa majtas Maria Paleologa me djalin Gulielmi IX.

Një ndër veprat artistike, kulturore dhe fetare në nderim të Maries dhe Bonifacit III është kompleksi i skul-pturave në mermer të bardhë, me stil gotik të vonshëm dhe me elemente të rilindjes italiane, i ruajtur në harkun mbi portën e kishës Shen Domeniko në Monferrato, i realizuar në vitin 1506 nga Giovanni Battista de Paris.     Në këtë kompleks skulptural prezantohen në qendër Shen Maria me Jezusin foshnje, në anën e djathtë Gulielmi VIII dhe i vëllai Bonifaci III; ndërsa majtas Maria me djalin Gulielmi IX. [Benvenuto Sangiorgio, Cronaca del Monferrato, ediz. G. Vernazza,  Torino 1780] [Sancio G., Cenno storico intorno ai marchesi del Monferrato di stirpe Paleologa, Casale Monferrato 1835]

Gjatë dhjetë viteve që jetoi në Markezatin e Monferrato, Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, ka lënë shumë kujtime e shquar si bashkëshorte, si regjente dinjitoze dhe si administratore e aftë. Gjthashtu ajo ka lënë trashëgim rreth 30 vepra arti, ndër ato stema heraldike, që nuk ndryshonin cilësisht nga stemat e fisnikëve te tjerë padanë, të cilat dëshmojnë për kulturën, shijet artistike dhe njëkohësisht devocionin për të prezantuar politikisht të dy dinastitë e familjes Bonifaci/Maria, ashtu si ka lënë dhe vepra fetare, të realizuara më nivel të lartë artistik dhe me prani të stemës heraldike të familjes, për të cilat do rrëfej në shkrimin e ardhshëm.

Vijon ….



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx