Speciale » Alia
Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (7)
E premte, 13.03.2026, 07:00 PM
SHEN NËNË ANGJELINA
SHPIRTI
I SHENJTË ARBËROR (7)
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Një vend të
veçantë në historinë e kishës ortodokse europiane ka Shën Nënë Angjelina,
themeluesja e shumë manastireve dhe kishave, e kanonizuar shenjëtore nga Patriakana
e Kostantinopojës, e adhuruar dhe e nderuar nga besimtarët e mbi njëzet shteteve
europiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas vdekjes të
Nënë Angjelinës më 30 korrik 1520, sidomos pas kanonizimit shenjëtore nga
Patriarkana e Kostantinopojës, Angjelina u përjetësua duke i dhënë emrin e saj
disa manastireve dhe kishave, ashtu si u prezantua në qindra ikona, afreske dhe
mozaikë në manastiret dhe kishat e shumë shteteve.
Në shekujt XVI -
XVII ikonat, afresket dhe mozaikët dedikuar Shen Nënë Angjelinës, ishin
realizuara sipas traditës bizantine, ndërsa në vitet 1697 – 1757, mbizotëruan
krijime të stilit barok dhe në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit
XX, u realizuan ikona të të stilit gotik dhe të realizmit akademik, ku në
veçanti shquhet ikona e piktorit Pajo Jovanoviç, i cili e ka prezantuar Shen
Nënë Angjelinën me aureolën e artë të shenjëtores, jo me tunikë murgeshe, por
me veshje aristokratike, ashtu si ishte princeshë aristokrate.
1
Krahas ikonave,
afreskeve dhe mozaikëve dedikuar Shen Nënë Angelinës, si dhe ikonave e afreskeve
së bashku me Shen Stefanin III, me Shen Maksimin dhe Shen Johanin në manastiret
dhe kishat e Vojvodinës, Vllahisë, Hungarisë, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjes,
Rumanisë, Ukrainës, Sllovakisë, Kosovës, Polonisë, Rusisë etj; një afresk i
Shen Nënë Angjelinës ndodhet në kishën Katalikon në manastirin Hillander në
Malin Athos – Greqi. [Fresques médiévales à Chilandar, Actes du XII
Congrès International d'Etudes Byzanti-nes, Ochride 1961].
2
Banorët e krishterë
të Kosovës, historikisht e kanë nderuar dhe e adhurojnë Shen Nënë Angjelinën,
si rezulton me praninë e afreskeve dedikuar shenjëtores arbërore në kapellën e Manastirit
të Patriarkanës së Pejës, në Manastirin e Deçanit, në Manastirin e murgeshave
në Graçianicë, në Katedralen “Zonja e Jonë” e Ljevis në Prizren. Këto katër
institucione ortodokse në Kosovë, janë përfshirë në listën e pasurive humani-tare
të UNESCO-s.

Manastiri i
Deçanit – Kosovë. Fotografi e vitit 1919 prezanton grupe shqiptarësh në sheshin
para manastirit dhe një grup burrash shqiptarë pas meshës
Manastiri i
Deçanit u ndërtua në vitet 1327 – 1335 mbi themelet e një kishe ilire. Punimet u
drejtuan nga gurëskalitsi arbëror Fra Vito Cuci (Kuçi), me 30 gurëskalitës nga
Kotorri. Në këtë manastir ndodhet një afresk i Shen Nënë Angjelinës, e nderuar
dhe e adhuruar nga besimtarët e kosovarë. Sipas Regjistrit të Sanxhakut të
Shkodrës i vitit 1485, treva e Deçanit banohej nga arbërorët ortodoksë dhe
katolikë. Manastiri i Deçanti është monument i respektuar nga shqiptarët, i
ruajtur prej shqiptarëve, i mbrojtur prej shqiptarëve dhe do të vazhdohet të
respekohet prej shqiptarëve të Kosovës. [Shkodran Imeraj. Manastiri i
Deçanit i respektuar dhe i ruajtur prej shqiptarëve, sepse ështe monument historik
ilir. Kulturë Arkivë. Anadolu Agency 2014]. [Agim Morina, Shqiptarët dhe
Manastiri i Deçanit. Drini.us, korrik 2022].
Një afresk i Shen
Nënë Angjelinës ndodhet dhe në kapellën e Manastirit të Patriarkanës të Pejës. Në
vitin 1219 Patriarkana e Kostantinopojës e njohu Patriarkanëne e Pejës Arkiveskovat
autonom, që kishte në juridiksion eparkitë e Star Rash, të Prizrenit, të Lipjanit
dhe të Sremit. Në vitin 1486, murgesha Angjelina Arianiti, në Srem ndërtoi
kishën e parë të Shën Luka Apostol, ku vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit
III, që u bë objekt i peligrinazheve nga besimtarët ortodoksë hungarezë të
Vojvodinës, vllahët, serbët, sllovenët, kroatët, bosnjakët dhe arbërorët.
Gjatë restaurimit
të manastirit të Patriarkanës së Pejës në vitin 1557, në kishën Apostolat e
Shenjtë, u realizua një afresk i Shën Nënë Angjelinës, afresk sipas traditës
bizantine, ku prezantohet me imazhin e manastirit në dorën e majtë. [Yurdan
Trifonov, I raporti della chiesa serba di Ipeks con la chiesa do Ohrid
all’inizio del dominio turco. Studi selezionati Varna Litter.Net 2008 - 2014]

Manastiri i
Patriarkanës të Pejës
Edhe në Manastirin
e murgeshave të Graçianicës, ndodhet një afresk dedikuar Shën Nënë Angjelinës.
Manastiri i Graçianicës është ndërtuar në shekullin XIV mbi rrënojat e kishës e
Lumtura Virgjëreshë, që ndodhej pranë qytetit antik të Ulpianës, 5 km larg
Prishtinës. Kjo kishë e herëshme ishte ngritur mbi një bazilikë të krishterë dardane
të shekullit VI. [Stefano Serafini. Monastero di Gracianica (Kosovo): SE,
Nordest News. 21 ottobre 2017]

Manastiri i
Gracianicës
Studiues dhe
historianë serbë theksojnë se ikonat dhe afresket e Shen Nënë Angjelinës janë
të pranishme në manastiret dhe kishat ortodokse në Kosovë, duke e cilësuar Shen
Nënë Angjelina serbe, ndërsa në fakt ka shumë studiues dhe historianë të tjerë serbë
dhe sllovenë, që e theksojnë shenjëtore me origjinë arbërore, e bija e princit
Gjergj Arianiti.
3
Një vepër e
rrallë, madje e vetmja, është shtatorja e Shen Nënë Angjelinës në manastirin
Notre Dame du Coral në komunën Prats de Mollò La Preste, në jug të Francës, në
lindje të maleve Pirene Katalane. Ky manastir ështe objekt peligrinzhesh gjatë
festave të shumta fetare.
Ekzistenca e
shtatores të Shen Nënë Angjelinës në Francë, u bë e njohur për publikun
shqiptar nga studiuesi dhe publicisti Arenc Bebja, i cili botoi një shkrim informativ,
të shoqëruar me një fotografi të shtatores të Shën Nënë Angjelinës në manastrin
Notre Dame du Coral në komunën Prats de Mollò La Preste. [Arenc Bebja: Një
manastir dedikuar Virgjëreshës Mari në Notre - Dame- du - Coral (Prats de Mollo
La Preste, Francë) ku gjendet statuja e Angjelina Arianiti – Komnenit. Botuar
në monografinë e Zenepe Luka “Angjelina Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë
arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020, faqe 185 - 190”]
Nuk ka
informacione në se kjo shtatore e Shen Nënë Angjelina Arianiti është prodhuar
në Manastirin e Notre Dame du Coral të Prats de Mollò - La Preste të Francës,
apo është sjellë nga emigrantë arbëror, apo nga arbërorët që militonin në
repartet e ushtrisë të mbretërisë së Francës, apo të Spanjës, kur ata pushtuan
trevat jugore të Francës. Në këtë shtatore, Shen Nënë Angjelina prezantohet
veshur me tunikën e murgeshës dhe me mantel fisnikërie, të zbukuruar me motive
floreale dhe me biblën në dorën e majtë.

Shtatoria e Shen Nënë Angjelina Arianiti në Manastirin Notre Dame du Coral (Prats de Mollò La Preste, Francë). Fotografia është dërguar nga Association Prats toujours - Bureau d’Information Touristique: Fort Lagarde – Prats de Mollò la Preste – Francë
Në këtë manastir, krahas shtatores të Virgjëreshës
Maria, e prezantuar e ulur sipas traditës romake, janë të pranishme ikona dhe
shtatore të shumë shenjëtoreve dhe ndërmjet tyre shquhet shtatorja e stilit
gotik e Shen Nënë Angjelinës arbrëore. Gjatë një restaurimi në shekullin XIX,
imazhi i fytyrës u përmirësua.
Në këtë manastir të lashtë, janë të
vazhdueshme peligrinazhet e besimtarëve, sidomos në festat fetare si të hënën e
Rrëshajave (Pentekoste), 12 gushti (kisha ortodokse celebron datën e Shën
Angjelinës), 15 gushti data e Shen Maries, 14 shtatori (festa e ngadhënjimit të
Kryqit të Shenjtë) etj.
4
Nderimi dhe adhurimi i Shen Nënë
Angjelinës arbërore i ka kapërcyer kufijt e Europës, kështu rezulton se një
ikonë dhe një afresk të saj janë në kishën e Shen Gjergjit, e njohur si kisha e
Fan Nolit në Boston të shtetit Massachusets në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
si e kanë përshkruar gazetarët Rajmonda Moisiu dhe Fuat Memeli në reportazhin:
“Angjelina Arianiti
e vetmja Shenjëtore mes 40 shenjtorëve në kishën e Fan Nolit në Boston - SHBA”, botuar në monografinë e Zenepe Luka:“Angjelina
Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020,
faqe 173 - 184”.
Emigrantët
shqiptarë në SHBA, kanë më shumë se një shekull, që ruajnë me krenari
origjinën, kujtesën, vlerat shpirtërore dhe atdhetare, të shndërruara në vlera
të larta qytetarie dhe shenjtërie. Një aspekt sa shpirtëror dhe qytetar, sa
intelektual dhe atdhetar, shqiptarët e Amerikës është përkushtimi ndaj figurës
së Shën Angjelinës arbërore, e vetmja murgeshë e shenjtëruar ndërmjet 40
shenjtorëve meshkuj, të pasqyruar në Kishën e Shën Gjergjit, në Boston –
Massachusetts të SHBA.
Kisha e Shen
Gjergjit në Boston, është simboli i rilindjes kombëtare, i krenarisë, i respektimit,
i trashë-gimisë, i atdhetarizmit, i kulturës, i gjuhës shqipe, i shpirtit të
shenjtë shqiptar, është simboli i tolerancës fetare, pjesë integrale e jetës të
komunitetit shqiptaro-amerikan. Kisha e Nolit mban derën hapur për shqiptarët e
më gjerë dhe në veçanti komuniteti shqiptar në SHBA, merr pjesë vazhdimisht në meshat dhe
aktivitetet liturgjike, por dhe në veprimtaritë përkujtimore me taban historik
e kombëtar, që kjo kishë mbart në misionet e saj.
Të dy gazetarët
Rajmonda dhe Fuati tregojnë rreth pranisë të ikonës dhe të afreskut dedikuar Shen
Nënë Angjelinës në kishën të Shën Gjergjit në Boston, ashtu si ua rrëfeu në
vitin 2020, At Arthur Liolini, rektori i katedrales të Shen Gjergjit në Boston
dhe Kancelar i Merituar i Arçidioçezës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës. At Arthur Liolini u nda nga jeta më 28 shtator 2023.

Ikona e Shen Nënë
Angjelinës në kishën e Shen Gjergjit në Boston të shtetit Massascusets në SHBA

Afresku me Shen
Nënë Angjelina, Shen Teodorin dhe Shen Thomain (Tomasi) në kishën e Shen
Gjergjit në Boston të shtetit Massascuttes në SHBA
Gazetarët Rajmonda
Moisiu dhe Fuat Memeli në reportazhin e vitit 2020 tregojnë: “Sa herë vijnë
vizitorë në Kishën e Nolit, At’Arthur Liolini, ndalet dhe i kushton vëmendje ikonës
dhe afreskut të Shën Angjelinës, më tepër se tek afresket e 40 shenjtorëve të
tjerë dhe e komenton në mënyrë të veçantë personalitetin dhe figurën e kësaj
Shenjtore arbërore.
At’Arthur Liolini
është me origjinë shqiptare, i lindur dhe i rritur në Amerikë. Prindërit e tij
janë nga Boboshtica e Korçës. Ai është një burrë i gjatë, i pashëm dhe fisnik,
veçmas gjatë shërbesave kishtare At’Arthur Liolini, me zërin e butë, të ngrohtë
e të përzëmërt, të mrekullon me shqipen e kulluar dhe me kulturën, megjithëse
është brezi i tretë i lindur në Amerikë. Ndër materialet studimore, shkencore
dhe historike të Shen Nënë Angjelinës arbërore, At’Arthur Liolini si gjithmonë
i papërtuar tregon: “Po, është mëse e vërtetë, se tek kisha jonë, gjenden një
ikonë dhe afresku kushtuar Shën Angjelinës. Afresku ndodhet në kishën tonë,
sapo hyn në krahun e djathtë. Me kërkesën e kishës, afresku është realizuar në
vitin 1980, nga një ikonograf me origjinë rumune, që jetonte në Boston. Në afresk
është shkruar diçitura në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe, Saint Angelina
Albania - Shën Angjelina shqiptare. Para figurës së saj, ne bëjmë pagëzimet e
fëmijëve në kishën tonë. Gjithashtu në atë mjedis, festojmë ditën e saj”. Më
tej At’Arthur Liolini, kleriku i shquar, që mbajti gjallë traditën mikpritëse Noliane
na tregoi edhe rreth jetës së Angjelinës së Arbërisë”.
Pas kësaj bisede
informative, At Arthur Liolini, i sugjeroi të dy gazetarëve të takonin zonjën
Neka Doko, e cila për rreth 17 vite kujdeset për Bibliotekën e Kishës, ku ka
bërë dhe vazhdon të bëjë një punë të madhe dinjitoze në ruajtjen dhe
katalogimin dixhital të Arkivës Noliane. Zonja Neka Doko për kishën e Shen
Gjergjit rrëfeu: “Katedralja e Shën Gjergjit në Boston është blerë në vitin
1949-ë, më herët ka qenë kishë katolike Unitare. Në vitin 1950 filluan
rinovimet brenda saj dhe u bënë ndryshime në afresket e mëparshme. Altari dhe
ikonostatsi ndryshuan komplet dhe u realizuan me stilin bizantin. Ikonat në
pjesën ballore, si në asnjë kishë tjetër ortodokse, kanë tekste në gjuhën
shqipe. Dekoracionet e ikonstatit janë punuar nga mjeshtër Dhimitri, një ndër
shqiptarët e parë të mërguar në Boston. Kisha e thënë ndryshe “Kapella e Faljeve”,
u konceptua dhe u ndërtua për qëllime pagëzimi dhe memorial kujtese e të
Shtunës së Shpirtrave. Në raport me këto objektiva, u rimodelua komplet ikonostatasi
dhe u vendosën afresket e 40 shenjtorëve të hierarkisë ortodokse të miratuara
nga Patriarkana Ortodokse e Konstandinopojës, midis tyre, e vetmia murgeshë
shenjtore është Shen Nënë Angjelina arbërore, e prezantuar me një ikonë të
stilit bizantin, e cila mban në dorën e majtë imazhin e një manastiri, çka
evokon kontributet e saj në hapjen e shumë manastireve dhe kishave ortodokse.
Në këtë kishë është dhe afresku me Shen Nënë Angjelinën, krahas dy shenjëtorëve
Shen Teodori dhe Shen Thomai.”
Shen Nënë
Angjelina arbërore nderohet edhe në kishën Ortodokse Shqiptare të Shen Trinisë
në Boston. Mitropoliti i kësaj kishe At Ilia Ketri, i lindur dhe i rritur në
Amerikë, me prindërit me origjinë shqiptare nga Sinica e Devollit. At Ilia
Ketri mes të tjerave rrëfeu, se për të nderuar Shen Nënë Angjelinën arbërore,
dy herë në vit, në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shen Trinisë organizohen mesha
përkujtimore, në datën e lindjes dhe në datën e vdekjes së saj.
Të dy gazetarët
Rajmonda dhe Fuati takuan dhe besimtarin veteran shqiptaro-amerikan, Aleko
Dhimën, i cili psall te Kisha Ortodokse e Shën Trinisë. Aleko rrëfeu për Shën
Nënë Angjelinën e ndër të tjera tregoi, se kur kishte shkuar në Beograd disa
vite më parë, ndjente keqardhje, që nuk kishte mundur të vizitonte kishën ortodokse
serbe, që mban ende emrin e shenjtores shqiptare, por disa besimtarë serbë i
patën treguar për figurën e saj. Midis të tjerave ata i kishin thënë se: “Ajo
ka ndihmuar së tepërmi njerëzit e varfër, veçmas të moshuarit, etj. Varri i saj
ndodhet në kishën e Krushedol, që mban emrin e saj. Shen Nënë Angjelina ishte
dhe është urë miqësie midis popujve serbë dhe shqiptarë. Janë popujt, kultura
dhe besimi i tyre në Zot, që në kundërshtim me politikën, ngrenë urat e
komunikimit dhe miqësisë mes tyre”.
Në mjediset e Kishës
Ortodokse të Shën Trinisë në Boston është dhe shkolla e gjuhës shqipe për
fëmijët e emigrantëve shqiptarë, shkollë e hapur me inisiativën dhe kontributin
e nënave shqiptare të Bostonit.
Shen Nënë
Angjelina njihet, nderohet dhe adhurohet nga besimtarët e rreth 20 shteteve, madje
në shumë shtete, bazuar në rregullat e të drejtës kanonike dhe të normave
liturgjike të Kishës Ortodokse, disa manastire dhe kisha i janë dedikuar Shen
Nënë Angjelinës, proçedurë që kryhej nga ipeshkëvët dioçezanë.
Ndërsa Shen Nënë
Angjelina shenjëtoria e parë shqiptare që në shekullin XVI njihet, nderohet dhe
adhurohet nga besimtarët e shumë shteteve, në Shqipëri nuk njihet si
shenjëtore, madje Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk është impenjuar
për njohjen e saj, në manastiret dhe kishat ortodokse shqiptare nuk ka asnjë
ikonë, afresk e mozaik, dedikuar shenjëtores sonë të shquar.
Uroj që Kisha
Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të zgjohet nga kjo letargji e pajustifikuar
dhe t’i japi vendin që meriton Shen Nënë Angjelinës arbërore.
Vijon në numërin e ardhshëm ....









