Speciale » Alia
Lutfi Alia: Prof. Pëllumb Bitri
E merkure, 25.03.2026, 06:59 PM
PROF. PËLLUMB BITRI
Nga
Prof. Dr. Lutfi ALIA
Vitet
e studimeve në Fakultetin e Mjekësisë të Universtitetit të Tiranës, ishin
periudha më e bukur për gjeneracionin tonë bloomer, ishin vitet e një rinie
modeste, dinamike dhe entuziaste, me dëshirë e vullnet për t’u formuar
profesionalisht, ishin dhe vite argëtimesh rinore, ndonëse të pakta, por
plotësonin jetën tonë aktive.
Një
aspekt i veçantë i jetës studentore në vitet 1965 – 1970 ishin raportet me
pedagogët tanë, shumica të diplomuar në universitete të huaja, me formim të
lartë profesional, specialistik dhe shkencor. Në gjeneracionin e pedagogëve të
atyre viteve, një ndër më të shquarit ishte Prof. Pëllumb Bitri, i diplomuar
mjek në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e qytetit Gorki në Bashkimin
Sovjetik, madje u diplomua dhe në filozofi. Pas përfundimit të studimeve, në
vitin 1954 Prof Pëllumb Bitri themeloi katedrën e Anatomisë Patologjike në
Institutin e Mjekësisë dhe të shkollës shqiptare të morfologjisë. Prof Pëllumbi
ishte specialist i klasit të lartë, studiues shkencor, ligjërues elekuent.
Për
merita në aktivitetet shkencore dhe didaktike, në vitin 1961 fitoi gradën
akademike “Docent”.
Në
vitin 1966, bototi tekstin “Patologjia morfologjike”, teksti universitar i pari
në historinë e Fakultetit të Mjekësisë. Në ato vite, lëndët e tjera ne i studionim
me shënime nga leksionet dhe disa prej tyre me dispensa, që ishin përshtatje
dhe përkthime jo cilësore të teksteve të autoreve sovjetikë, ndërsa me tekstin
universitar të Prof Pëllumbit studionin studentët shqiptar, më pas sudentët
kosovar dhe shqiptarët në Maqedoni. Për botimin e tekstit “Patologjia
morfologjike”, Prof. Pëllumb Bitri u nderua me “Çmimi i Republikës” dhe dy vite
më pas u dekorua me urdhërin “Naim Frashëri” dhe çmimi “ Punonjës i Dalluar i
shkencës dhe i teknikës”.
Prof.
Pëllumbi ishte pedagog me formim kulturor të admirushëm, ishte poliedrik,
njohës kompetent i historisë dhe i kulturës kombëtare dhe botërore, njihte dhe
këndonte bukur rreth 50 arie të muzikës operistike klasike; ishte pedagog i
kompletuar në të gjitha aspektet, ishte shkencëtari që gëzonte respekt dhe
admirim nga kolegët dhe sidomos nga sudentët. Studentët e kishin idhull, e
admironin dhe e nderonin, ishte pedagogu ideal, ligjëruesi elekuent, oratori i
paimitushëm. Ai shquhej për metodikën didaktike të zhvillimit të leksioneve dhe
mësimeve praktike. Në leksionet e tij, auditori mbushej plot dhe ligjëratat e
tij i ndiqnin jo vetëm studentët, por dhe mjekët që kryenin specializimin
pasuniversitar. Prof. Pëllumbi ishte pedagog me kulturë të kompletuar, erudit
dhe poliglot, zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja.
Në
mbledhje të ndryshme të fakultetit, Prof Pëllumbi shquhej për oratorinë në
diskutimet dhe trajtimin me kompetenca e me argumenta të problemeve që
analizoheshin, duke krijuar miratim dhe admirim nga auditori.
Ai
mbetet simbol i pedagogut, që me dinjitet dhe aftësi profesionale dhe
shkencore, kontribuoi në edukimin dhe formimin profesional të dhjetramijëra
mjekëve, si dhe në veçanti në specializimin pasuniversitar të mjekëve në
anatomominë patologjike. Gjithë jetën punoi me përkushtim për krijimin e një
mjekësie të niveleve shkencore bashkëkohore, si dëshmojnë studimet e botuara në
revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe shumë referime në
sesione, konferenca dhe kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare.
Prof.
Pëllumb Bitri është autori dhe bashkautori i 25 teksteve dhe monografive
shkencore, madje bashkautor dhe i dy manualeve didaktike të anatomisë
patologjike të botuara në Spanjë.
Për
merita shkencore dhe didaktike, në vitin 1970, Pëllumb Bitri fitoi titullin
akademik Profesor.
Në
vitet 1970 – 1971, Prof. Pëllumbi zhvilloi një cikël me ligjerata në Fakultetin
e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Studentët kosovar i frekuentonin
masivisht ligjeratat e tij, madje asistonin dhe studentë të kurseve të larta,
pedagogë dhe mjekë. Ligjeratat e Prof Pëllumbit, kanë lënë mbresa të
pashlyeshme ndër pedagogët dhe studentët kosovar, sa në ditët e sotme kujtohet
me nderime, si eksperiencë e rrallë dhe e pa përsëritshme.
Në
vitin 1972 u dërgua në Francë për të kryer një specializim gjashtë mujor në
fushën e mikroskopisë elektronike në Institutin e Studimeve Shkencore “Goustave
Rousy“ në Villejuif, Paris, të drejtuar nga Prof. Wilhelm Bernard. Gjatë
periudhës që punoi në këtë Institut Prof. Pëllumb Bitrin e bënë anëtar nderi të
Shoqatës Franceze të Mikroskopisë Elektronike. Pas specializimit në Francë, Ai
u impenjua të aplikoi këtë eksperiencë në Shqipëri, por fatkeqësisht,
burokracia nuk i dha këtë mundësi, përkundrazi e pengoi, sepse mikroskopin
elektronik e vendosën në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Në
fund të vitit 1972, Prof. Pëllumbi pati një debat konfliktual në katedër me tre
asistentët e tij dhe Byroja e Partisë së Punës dhe dekanati i fakultetit,
organizuan një mbledhje kolektivi ku asistuan pedagogë të shumtë dhe plot
studenta, një mbledhje për diskutimin e situatës në katedër sipas modelit
kinez, duke e bërë publik konfliktin. Por ndryshe, si kishin parashkuar
partiakët, nga kjo mbledhje, Prof. Pëllumb Bitri doli fitimtar, më i fortë dhe
më shumë i respektuar dhe i nderuar nga kolegët, në veçanti nga sudentët,
ndërsa tre asistentët e tiju kritikuan dhe u diskredituan para pjesmarrësve dhe
nga kolegët e katedrave të tjera.
Pas përfundimit të këtij debati, dekanati dhe byroja e Partisë Punës e fakultetit vendosën qarkullimin e Prof. Pëllumbit dhe të tre asistentëve të tij, të cilët u zevendësuan me pedagogë të rinj por pa përvojë pedagogjike.
Prof.
Pëllumb Bitri ishte intelektuali, pedagogu “rrebel”, personaliteti publik,
intelektual i shquar, patriot i çështjes
kombëtare, i cili me kurajo dhe dinjitet ndoqi rrugën e të vërtetës, të
progresit social, kulturor dhe shkencor të shoqërisë shqiptare, duke u bërë
intelektuali protagonist i kohës së tij.
Në
shtator të vitit 1973, Prof Pëllumb Bitrin e qarkulluan, e transferuan ne
Spitalin Civil të Elbasanit, në shërbimin e anatomisë patologjike. Ardhja e tij
në spitalin e Elbasanit shënoi një rritje cilësore të shërbimit të anatomisë
patologjike. Me insistimin e Prof Pëllumbit u masivizua praktika e biopsive, si
kriter i domozdoshëm për diagnozën e herëshme të sëmundjeve, për shkurtimin e
ditëqëndrimeve dhe uljen e kostos të sëmurëve të shtruar në pavionet e
spitalit. Prof. Pëllumbi e rriti cilësinë e ekzaminimeve histopatologjike,
aplikoi për herë të parë ekzaminimet histokimike dhe ekzaminimet e para
imunohistokimike, duke e rritur nivelin shkencor të diagnozës të sëmundjeve.
Në
vitin 1974, Prof Pëllumbi u bë organizatori i sesionit të parë shkencor të
spitalit të Elbasanit, një aktivitet dinjitoz e me nivel, ku spikati aftësia e
tij organizative dhe niveli i lartë shkencor i referimeve të tij në këtë
aktivitet, madje prezantova dhe unë referatin e parë shkencor si bashkautor me
Prof. Pëllumbin. Një kontribut të veçantë dha në organizimin e konferencave
anatomo-klinike, një aktivitet ku u shqua me diskutimet e tij të nivelit
shkencor, çka ndikoi ndjeshëm në rritjen e nivelit dhe të cilësisë të
shërbimeve klinike.
Gjatë
dy viteve që punuam së bashku, unë mësova shumë prej tij, Ai e pasuroi me
njohuri profesionale dhe shkencore formimin tim. Prof Pëllumbi ishte pedagogu
im në vitn e tretë të Fakultetit të Mjeksisë, pedagog autoritar dhe i
respektuar nga studentët, por gjatë viteve që punuam së bashku, nuk mbajti
distancë me mua si ish studenti i tij, përkundrazi krijoi raporte miqësore dhe
një bashkpunim profesional, që rritej e forcohej nga dita në ditë, madje
krijuam nje konfidencë dhe besim reciprok në marrdhëniet tona. Miqësia mes nesh
ishte si vena e vjetër, sa më shumë kohë kalonte, aq më e fortë dhe e qëndrushme
bëhej, pavarësisht se disa mendje shtjerrakeqe ishin përpjekur me të gjitha
mënyrat për ta sabotuar miqësinë tonë. Së bashku ndamë të mirat, së bashku
pësuam dhe të këqiat dhe intrigat e politikës absurde të asaj kohe të
mbrapshtë, së bashku i vuajtëm pasojat e krijuara nga prapaskenat e
intrigantëve, cmirëzinjëve dhe sulmet e mediokërve e të karieristave, që
drejtuan deri në rrënim vendin tonë.
Në
fillim të vitit 1975 edhe mua më qarkulluan, më dërguan mjek i përgjithshëm në
Ndërmarrjen Bujqësore Belësh, pikërisht shërbeja në qendrat shëndetësore të
sektorëve Fierzë, Çepa, Kosova, Çorraga dhe Dragoti. Prof. Pëllumbi mbeti
vetëm, duke përballuar një vëllim pune më të madh, se në vitet kur punonim së
bashku. Partiakët nuk u mjaftuan me kaq, por e urdhëruan të merrte në Elbasan
dhe bashkëshorten Dr. Fina me fëmijët.
Deri në këtë kohë Prof Pëllumbi ishte sistemuar në një dhomë komode në
spitalin distrofik, por më ardhjen e familjes u vendosën në një apartament.
Këto
vendime absurde nuk e thyen karakterin e fortë të Prof. Pëllumbit, përkundrazi,
të gjithë këto situata të vështira i përballoi me kurajo dhe me dinjitet. Në
Elbasan gëzonte respekt, simpati dhe adimirim si nga kolegët dhe nga banorët.
Bashkëshortja
Dr. Fina, specialiste pediatre, gëzonte respekt dhe simpati si nga personeli
mjekësor dhe nga pridërit që e takonin gjatë vizitave të fëmijëve. Me
profesionalitetin, me sjelljen fisnike dhe komunikimin me kulturë, Dr Fina
fitoi një respekt të veçantë dhe admirim nga banorët e Elbasan të Librazhdit dhe
të Gramshit.
Në
vitin 1979 Prof. Pëllumb Bitrin e kthyen në Tiranë, e emëruan drejtues i
shërbimit të anatomisë pato-logjike të spitaleve dhe shefi i lëndës të
anatomisë patologjike në Fakultetin e Mjekësisë. Në fakt ishte ndjerë ndjeshëm
mungesa e tij, askush nuk arriti të zëvendësonte autoritetin, prestigjin dhe
formimin e tij profesional dhe shkencor.
Nga viti 1980 deri në vitin 1985, nën drejtimin e Prof Pëllumbit anatomia patologjike mori formën dhe nivelin shkencor, si një ndër qendrat më të rëndësishme të didakditës dhe të studimeve shkencore në Fakultetin e Mjekësisë. Brenda pesë viteve, Prof Pëllumbi organizoi dhe drejtoi një seri studimesh shkencore dhe të gjithë pedagogët efektivë dhe pedagogët e jashtëm të anatomisë patologjike, mbrojtën dhe fituan tituj shkencor si kandidat shkencash, doktor shkencash dhe titullin akademik docenta. Në këtë grup ai përfshiu dhe ish asistentat e tij, që dikur e kishin sulmuar padrejtësisht e me tendenciozitet. Anatomia patologjike, ishte e vetmia lëndë në Fakultetin e Mjekësisë, ku të gjithë pedagogët efektivë dhe të jashtëm ishin me tituj dhe grada shkencore dhe kjo për meritën e pa diskutushme të Prof. Pëllumbit.
Në
vitin 1992, me një vendim paradoksal të administratës Fakultetit të Mjekësisë,
Prof. Pëllumb Bitri doli në pension, si kuptohet pension parakohe, ndërkohë që
në vendet demokratike, profesorat e kalibrit të Prof. Pëllumbit pensionohen mbi
75 vjeç, madje, ndonëse pensionista mbahen në shërbimet e anatomisë patologjike
si konsulenta dhe ligjërues me studentat dhe me mjekët, që ndjekin kurset e
specializimit pasuniversitar.
Përsëri një padrejtësi ndaj tij, një vendim politik absurd, një largim nga fakulteti në kulmin e përvojës dhe formimit të tij profesional dhe shkencor. Drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë e larguan si pedagog, e braktisën Prof. Pëllumbin. Për ironi të jetës dhe të shkencës, në Shqipëri Prof Pëllumb Bitrin nuk e vlerësuan për aftësitë pedagogjike dhe shkencore, andaj burokratët pseudodemokratë e nxorrën në pension, si thonin latinët: “Nemo propheta acceptus est in patria sua”.
Pas
këtij vendimi absurd, Prof. Pëllumbi, së bashku me familjen, në vitin 1991
emigroi në Spanjë, ku jetuan në Bilbao. Ndonëse pensionist dhe emigrant, Prof.
Pëllumb Bitri nuk u dorëzua, nuk u thye para këtij fati të pamerituar, nuk
pranoi të bëjë jetën pasive të emigrantit pensionist, përkundrazi, me
karakterin e tij të fortë dhe të papërkulur, me personalitetin e intelektualit
dhe shkencëtarit dinjitoz, Prof Pëllumb Bitri u integrua në jetën akademike të
Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Publik De Pais Vasco në Bilbao. Stafi
i departamentit të anatomisë patologjike i Fakultetit të Mjekësisë në
Universitetin e Bilbao e mirëpriti dhe i vlerësoi aftësitë e didaktike dhe
shkencore të Prof Pëllumb Bitri, andaj e pranuan pedagog efektiv, ku mbajti
leksione dhe drejtoi seminaret me studentët e vitit të tretë mjekësi dhe
stomatologji, si dhe me mjekët në kurset e specializimit pasuniversitar. Për
aftësitë e tij të shquara didaktike dhe shkencore, brenda vitit, Prof. Pëllumb
Bitrin e zgjodhën anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Mjekësisë të
Universitetit Publik De Pais Vasco në Bilbao. Në Fakultetin e Mjekësisë në
Universitetin e Bilbao, Prof Pëllumb Bitri punoi 15 vjet. Gjatë atyre viteve
Prof. Pëllumbi, në bashkpunim me Prof. Jose Maria Rivera Pomar pergatiten dhe
botuan: “Manuali i anatomisë patologjike” për studentët e mjeksisë dhe “Manuali
i patologjisë maksillofaciale për studentët e stomatologjisë.
Më
13 nëntor të vitit 2016, në moshën 88 vjeçare, Prof. Pëllumb Bitri u nda nga
jeta.
Gjatë
kohës që jetoi në Itali, kam pasur fatin të takohem dhe të njihem me opinionet
për meritat dhe vlerat dedaktiko-shkencore të Prof. Pëllumb Bitri, të shprehura
nga disa personalitete të anatomisë patologjike si Prof. Hans Cottier (Drejtori
i Institutit të Anatomisë Patologjike në Universitetin e Bern – Zvicër), Prof.
Piero Tosi (Drejtori i Institutit të Anatomisë Patologjike në Universitetin e
Sienës-Itali), Prof. Jose Maria Rivera Pomar (Drejtor i Departimentit të
Anatomisë Patologjike të Universitetit Publik De Pais Vasco në Bilbao –
Spanjë), Prof Gallo D’Amato (Drejtor i Departamentit të Anatomisë Patologjike
në Universitetin “Sapienza”, Roma – Itali); Prof Juan Rosai (Drejtor i
Departimentit të Patologjisë në Universitetin e Yale në USA dhe drejtor i
Departimentit të Patologjisë në Institutin Nacional të Tumoreve në Milano -
Itali) etj.
Vlerësimet
për Prof Pëllumbin nga këto eminenca botërore të anatomisë patologjike, janë
sfida ndaj mediokërve shtjerrakeqës në Shqipëri, të cilët nuk ia vlerësuan
meritat pedagogjike dhe shkencore, madje e braktisën Prof Pëllumb Bitrin,
ndërsa në Francë, Spanjë, Itali, Kosovë etj., e vlerësonin dhe e ngritën në
piedestalin e shkencëtarit.
Prof. Dr. Lutfi ALIA

Siena – Itali: 20. 03. 2026









