Speciale » Alia
Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (9)
E premte, 03.04.2026, 07:02 PM
MARIA, VAJZA E ANGJELINA ARIANITIT DHE E STEFANIT III BRANKOVIÇ, BASHKËSHORTJA E BONIFACI III PALEOLOG I MONFERRATO. (9)
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Markezia Maria ishte e shquar si administratore
e shtetit të vogël të Monferrato në Padania, por dhe në jetën shoqërore dhe
fetare. Ajo gëzonte nderim dhe respekt nga banorët dhe nga kleri, andaj në
nderim të figurës së saj, në harkun mbi portën e kishës Shen Domeniko në
Monferrato Casale, në kompleksin e skulpturavë është Maria me djalin Gulielmi
IX. Edhe kur hynë brenda në kishë, në dy kolona, që ndajnë navatën qendrore me
atë anësore, mbi kapitelet e kolonave janë gdhendur majtas stema e Maria
Arianiti Brankoviç dhe djathtas stema e përbashkët e Bonifacit III Paleolog dhe
e Maries. [Caramellino C., Il tesoro della cattedrale. Opere d’arte
in Piemonte. Casale Monferrato, Grafiche Alfa, Torino 1979.]
Vlen të theksohet se Maria dhe Bonifaci
III, adhuronin Shen Margaritën e Antiokio, si rezulton në relikuen e këmbës të
Shen Margaritës e derdhur në argjend në vitin 1486, në pronësi të Maries dhe
Bonifacit III, relikue të cilën ia kishin dhuruar kishës Shen Domeniko. Dy
stemat heraldike në këtë relikue, djathtas stema e Maries me shqiponjën dykrenëshe të Arianitëve dhe
luanin në pozicion ngritur në dy këmbët e pasme të Brankoviçëve dhe majtas stema
e unifikuar e Maries dhe Bonifacit III, dëshmojnë për pozcionin e saj si
fisnike dhe e lidhjes bashkëshortore me Bonifacin III. [Gabrielli N., L’arte
a Casale Monferrato dal XI al XVIII secolo, Miglietta, Torino 1935, edizione
Anastatica: Il Portico, Casale 1981].

Relikua e këmbës të Shen Margherita e Antiokia,
e derdhur në argjend, në Muzeun e Duomo në Monferrato Casale, me Shen Margeritën
ndërmjet stemës heraldike të Maries dhe stemës të Maries dhe Bonifaci III.
Studiuesi Rikaldone spjegon se
shqiponja në stemën e dinastisë Paleologa, është e Arianitëve. Stema e kombinuar
e dy familjeve, ndryshon nga stemat e zakonshme heraldike, që përdoreshin si
tema të lidhjes martesore. Këto dy stema janë të pranishme dhe në kapitelet e
kolonave në kishën e Shen Domeniko, çka shpreh një vendim të çiftit për të lënë
kujtim dhe dedikim simbolik kishës dhe banorëve të Monferrato. [Aldo di
Ricaldone 1972a, p. 51; Ricaldone 1972b, I, p. 382].
Lidhur më relikuen e këmbës të Shen
Margeritës, mendohet se Bonifaci III dhe Maria ia dhuruan kishës Shen Domeniko
në vitin 1486 me rastin e lindjes të djalit të parë Gulielmi IX. Mbetet enigmë
në çfarë rrethanash kjo relikue ishte në pronësi të Bonifacit III dhe Maries.
Hamendësohet se kish mbërrijt në markezat në kohën e kryqëzatave të herëshme të
Aleramici, por disa studiues theksojnë se ishte dhuruar Maries nga Nëna Angjelina,
çka konsiderohet dhe më e besushme. Walter Haberstumpf mendon se origjina e
kësaj relikue është më e herëshme, lidhet me grabitjet e kishave të Kostantinopolit
në vitin 1204, kur Bonifaci I i Monferrato hyri në kompleksin monumental të
Boukoleon, ku ndodhej Kapella e Shenjtë e mbushur me relikue të shumta. [Haberstumpf W., Il
marchesato di Monferrato tra crociate e ricordi delle trascorse glorie
oltremarine (secoli XV-X VI), in “Bollettino storico-bibliografico subalpino”,
CXXI (2023/1), pp. 167-188.]
Një aspekt i veçantë i bashkëshortëve
Maria dhe Bonifaci III, janë stemat heraldike të pikturuara në tavanin e
shtëpisë Bekaris (Beccaris), në rrugën Leardi, në qendër të Kantonit Brignano në
Monferrato Casale. Pikturat e stemave heraldike janë realizuara në respekt të
traditës së mesjetës së vonëshme europiane, një status simbol dhe tipik lombard,
i një tavani të pikturuar bukur dhe me elegancë në sallën e pritjes të
rezidencës të familjes, çka shpreh mrekullisht raportet e lidhjes bashkëshortore
të Maries me Bonifacin III. [Gentile L.C., Sigilli dei marchesi di Monferrato, in
“Monferrato. Arte e storia”, XVIII (2006), pp. 5-26]
Në trarët e gjërë të tavanit, krahas
pikturave të kafshëve, zogjëve, vazove me fruta dhe me lule, janë radhitur dhe
stemat në formë mburoje tipike të rilindjes, që i përkasin grupeve familjare
paraardhëse të markezëve të Monferrato si Gaspardone, Selvatiko, Valperga, Guiskardi,
Bazani, Millo dhe dy më të vjetra të paidentifikuara. Krahas këtyre, në pozicion qendror të tavanit,
dallohen tre stema heraldike: në qendër stema e Bonifaci III Paleolog dhe e
Maria Arianiti; djathtas stema e Maries dhe e Stefanit III dhe majtas stema e
Kostantin Arianitit Komneni, me mburojën me katër kuadrate: 1 dhe 4 me
shqiponjën e artë dykrenëshe të Arianitëve në sfond të kuq; në kuadratet 2 dhe
3 me kryqin ortodoks të artë në sfond blu dhe poshtë kryqit, tre këmbana të
zeza në sfond të artë, që shprehin prejardhjen e tij nga Komnenët e Bizantit. Studiuesi
Giulio Ieni, mendon se prania e stemës të Kostantin Arianit lidhet me rrethanat
se vila Bekaris (Beccaris) ishte banesa e parë e tij, madje dhe në vitet e më
pasme, kur shërbeu administrator i markezatit. [Giulio Ieni 2001 p.
70; Guerrini 2002, p. 137; Per l’arrivo dell’A rianiti a Casale, cfr. Babinger
1962a.]

1. Stema e Maria Arianiti Brankoviç (e njejtë dhe në
relikuen e këmbës të Shen Margerita).
2. Stema pas martesës të Maries me
Bonifacin III.
3. Stema e Kostantin Arianitit.
Studiuesit Guerrini dhe Retstap theksojnë
se prania e stemës heraldike të Kostantin Arianitit në tavanin e vilës është e
viteve 80’ kur Bonifaci III ishte ende në jetë dhe kur i kishte besuar Kostantinit
administrimin e markezatit bashkë me mbesën Maria Arianiti Brankoviç dhe kur në
vitin 1489, Ai u martua me Françeskën, e bija illegjitime e Bonifacit III. [Rietstap J.B. 1861, Le tre campane figurano nelle armi di varie
famiglie trapiantatesi in Occidente, che pretendevano una discendenza dai
Comneno: tra queste vi erano anche dei Comneno milanesi e savoiardi, vol
I, p. 452]. [Guerrini A., Ritrattistica di corte e cicli
profani nella Casale dei Paleologi, in Intorno a Macrino d’Alba. Aspetti e problemi di cultura figurativa del Rinascimento in Pie
monte, atti della giornata di studi (Alba, 30 novembre 2001), Fondazione
Ferrero, Alba 2002, pp. 131-144.]
Stema e markezëve Bonifaci III
Paleologu dhe Maria Arianiti Brankoviç, u përdor në fund të shekullit XV, kur
markezati i Monferrato u ngushtua ndërmjet Savojës dhe dukatit të Milanos dhe u
përdorën si mjet për të afirmuar publikisht edhe simbolikisht autonominë e
markezatit, madje kjo stemë u trashëgua në shekullin XVI nga djemtë, kësisoj
djali i madh Gulielmi IX Paleolog, e përdori të pandryshuar. Gjatë kohës që
drejtoi markezatin Gulielmi IX prodhoi monedhën me vlerë dy dukate ari, me
portretin e tij në faqen e përparshme dhe stemën heraldike të familjes në faqen
e pasme. Kjo monedhë u perdor deri në fillimet e shekullit XVIII. [Biandrate di San Giorgio,
Benvenuto, Ragionamento familiare de la origine, tempi et posthumi de li
illustrissimi principi marchesi de Monteferrato, ms., Archivio di Stato
di Torino, Paesi, Monferrato, Storia e genealogie, m. 1] [Del Carretto
Galeotto, Libro de la genealogia et vite de gli illustrissimi principi et
excellentissimi marchesi de Monferrato, 1493, Bibliothèque Nationale de France,
Paris, ms. it. p. 412.]
Pas vdekjes të Bonifacit III dhe të
Maries, markezati i kaloi djalit të madh Gulielmi IX, por nën tutelën e
Kostantin Arianitit, si e kishte saktësuar në testament Bonifaci III Paleolog,
ashtu si e kishte miratuar dhe perandori Maksimilian i Habsburgëve.

Gulielmi IX Paleolog, markezi i Monferrato (Portret i realizuar nga Macrino
d’Alba)
(Ndodhet në Santuarin e Assunta, Serralunga di Crea)

Monedha me vlerë 2
dukate ari, me portretin e Gulielmi IX dhe në faqen e pasme stema heraldike e
familjes.
Gjatë dhjetë
viteve të jetës në Monferrato, Maria ka lënë plot kujtime, që shprehin rolin e
saj si markeze bashkëshorte e Bonifacit III Paleolog, si administratore e
markezatit, si regjente e dy djemëve dhe si besimtare e denjë katolike. Në
veçanti vlen të theksohet se stemat heraldike të Maries, shprehin politikën kulturore
dhe fetare të saj si fisnike dhe njëkohësisht janë objekte të artit dekorativ
në markezatin e Monferrato në vitet e fundit të shekullit XV. Disa prej objekteve
të familjes, janë me rëndësi si relikua e këmbës së Shen Margeritës, e cila
aktualisht ndodhet në muzeun e Duomo; stemat heraldike në kapitelet e kishës
Shen Domeniko; vizatimet e stemave heraldike në tavanin e vilës të Paleologëve
në Bekaris (Beccaris) në Monferrato Casale, portreti i saj në bazoriliev
mermeri në kishën e Shen Françeskut si dhe antifonario FL8, që ndodhet në
arkivin e katedrales të Monferrato, të konfirmuara me akt juridik administrativ
që ishte dhuruar nga Maria.
Këto objekte,
krahas vlerave artistike dhe kulturore shprehin pushtetin dhe memorien
kolektive të Bonifacit III dhe Maries dhe janë realizuar nga viti 1485, viti i
martesës të markezit Bonifaci III me princeshën Maria Arianiti Brankoviç, deri
në vitin 1495, viti i vdekjes të Maries, ndërsa kompleksi i skulpturave mbi
portën e kishës Shen Domeniko është më i vonshëm, pikërisht pas vdekjes së
Maries. [Gabrielli N., L’arte a Casale
Monferrato dal XI al XVIII se colo, Miglietta, Torino 1935 (ed. anastatica: Il
Portico, Casale 1981)].
Një objekt me
vlera, që shpreh personalitetin dhe rolin shoqëror dhe fetar të markezes Maria
në Monferrato, është Antifonario (Antiphonarium festivum et commune sanctorum),
i cili aktualisht ndodhet në Arkivin Historik të Katedrales Dioqezane. [Casale
Monferrato, Archivio Storico Diocesano, fondo del Capitolo della Cattedrale,
ms. FL8, f. 3v]
Antifonario është
libër litugjik i fesë katolike, ku përmblidhen këngë gregoriane, psallme dhe
hymne, të cilat këndohen nga kori dhe nga solista gjatë orëve kanonike të
liturgjisë (Antiphonarium offici). Antifonario prezantohet si vëllim
dorëshkrimesh, i pasuruar me miniatura me ngjyra. E veçanta e këtij antofonario
është se në kornizën e poshtëme është stema heraldike e Maries, krahas stemave
të familjes të markezëve Paleologa dhe të mbretit Liutprando. [Palmieri L., Alcune preziose oreficerie conservate nella
Cattedrale di Casale Monferrato e a Moncalvo: nuovi contributi su un patrimonio
ancora tutto da studiare, in Arte e carte nella
diocesi di Casale, Provincia di
Alessandria, Alessandria 2007, pp. 206-225.]

Antiphonarium festivum et commune
sanctorum: Miniatura me stemat e markezëve të Monferrato, të mbretit Liutprando
dhe të markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa.
Më 27 gusht 1495,
ende pa mbushur 30 vjeç, Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, vdiq nga një
sëmundje e rëndë dhe e varrosën krah bashkëshortit në kishën e Shen Françeskut
në Monferrato Casale. Për fat të keq, varri i Maries u shkatërrua në vitin
1750, por ruhet një bazoriliev me portretin e saj, vepër e Matteo Sammicheli,
bazoriliev, që aktualisht ndodhet i ekspozuar në Museun Civik të Monferrato.
Vdekja e parakohëshme e Maries shkaktoi dhimbje dhe pikëllim për familjen dhe
për banorët e Monferrato, por la pas kujtime të bukura, nderime dhe respekte, si
figurë e shquar e administrimit të Monferrato, shtetit të vogël padan.

Manifesti i
kuvendit historiko-kulturor “Tra oriente e occidente – Ndërmjet perëndimit dhe
lindjes”, dedikuar markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, aktivitet i
organizuar më 27 shkurt 2026, në sallën e Bibliotekës Komunale “Giovanni Canna”
në Monferrato.
Maria Arianiti
Brankoviç Paleologa, mbesa e jonë arbërore, nuk njihet nga opinioni shqiptar,
por njihet, vlerësohet dhe nderohet edhe në ditët e sotme nga institucionet dhe
nga banorët e Monferrato.
Më 27 shkurt 2026,
me nismën e Cirkut Kulturor “Markezët e Monferrato”, nën patronazhin e Komunës Monferrato Casale dhe Provincës së
Alessandria, u organizua një kuvend historiko-kulturor “Tra oriente e occidente
– Ndërmjet perëndimit dhe lindjes”, dedikuar zonjës fisnike, markezes Maria
Arianiti Brankoviç Paleologa. Kuvendi u zhvillua në sallën e Senatit të
Bibliotekës Komunale “Giovanni Canna” në Monferrato, me pjesmarrje masive të
banorëve, të studiuesve dhe historianëve.
Në manifestin e
këtij aktiviteti është vendosur fotografia me portretin e Maria Arianiti
Brankoviç Paleologa, e prezantuar me kurorën e fisnikërisë, portret i
prezantuar për herë të parë publikisht.
Fjalën e hapjes të
këtij aktiviteti e mbajti presidenti i Cirkut Kulturor “Markezët e Monferrato”;
në vazhdim Marko Mazzoni prezantoi panoramën mesjetare të Monferrato dhe të
dinastisë Paleologa; studiuesi Graziano Canestri foli për jetën e markezes Maria
Arianiti Brankoviç Paleologa, duke e trajtuar në kontestin gjeopolitik në marrëdhëniet
ndërmjet lindjes dhe perëndimit në fund të shekullit XV; ndërsa studiuesja
Manuela Lessio shtjelloi rolin si administratore të markezatit dhe aspekte të
diplomacisë të Maries në dialogun interkulturor të mesjetës, të konkretizuar
dhe në ditët e sotme.









