Kulturë
Albert Habazaj: Mesazhet e qarta kombëtare të librit “Gjeopolitika dhe fuqia ushtarake e Shqipërisë në ‘Luftën e Ftohtë’” e autorit Zeno Jahaj
E marte, 24.03.2026, 06:23 PM

Albert Habazaj, Zeno Jahaj e Agron
Berdaj, Vlorë, 28.02.2026
MESAZHET E QARTA KOMBËTARE TË LIBRIT “GJEOPOLITIKA DHE FUQIA USHTARAKE E SHQIPËRISË NË “LUFTËN E FTOHTË” E AUTORIT ZENO JAHAJ
Nga MSc. Albert
HABAZAJ
Qoftë edhe dy fjalë të
shprehësh për një punim jo thjeshtë lartësisht profesional, por që i kap meritueshëm
majat shkencore, si libri voluminoz “Gjeopolitika
dhe Fuqia Ushtarake e Shqipërisë në “Luftën e Ftohtë” me 523 faqe i
studiuesit ushtarak dhe diplomatit Zeno Jahaj, është sinqerisht e vështirë. Për
fat, na ndihmon vetë autori, që strukturën e tekstit, falë intelektit të plotë
dhe zotërimit të sistemit të stileve, na e paraqet materialin e duhur me një
gjuhë të pastër shqipe, me një leksik të pasur e shkrimtarì të kualifikuar, me
një stil funksional, të thjeshtë e të rrjedhshëm, me synime fisnike dhe mesazhe
të qarta kombëtare. Në këtë libër, autori shfaqet me profilin e tij si shërbestar
i ndritshëm i kombit, sepse është modeli i diplomatit ushtarak, që me guxim e
besim vihet tërësisht në shërbim të çështjes kombëatare. Një këtë libër ne
shohim kompetentin shkrimor, që me njohuritë e thella, të plota e të përpikta
që ka në një fushat e shkencës ushtarake e diplomatike, tregon siguri, aftësi
dhe shkruan me kompetencë. Kam bindjes se çdokush që e ka lexuar apo do ta
lexojë këtë libër do të njëmendësohet me mua, se Zeno Jahaj është një
sakrifikues atdhetar. Kjo monografi sikur na jep mesazhin se nuk kemi të bëjmë
thjesht me një tekst universitar të fushave ndërdisplinore për studentët
ushtarakë apo ata që studiojnë për diplomaci, por me një botim të nivelit
akademik, me një aparat bibliografik sipas standardeve shkencore.
Diturinë ushtarake
dhe diplomatike të intelektualit Zeno Jahaj mund ta përmbledhim në trinitetin e
përbërë nga treshja: lufta e ftohtë, gjeopolitika dhe fuqia ushtarake shqiptare,
në rastin konkret të këtij studimi monografik lidhur të ngushtë ndërmjet tyre.
Tepër shkurt mund të
themi se autori shkrimtarinë e tij e vendos në kohën, hapësirën dhe me
personazhet e ngjarjeve të ndodhura në këtë Shqipërizën tonë të vogël hallerëndë,
si pjesë e së tërës gjeopolitike në rajon e më gjerë, jo vetëm gjeografikisht
midis Lindjes dhe Perëndimit.
Jahaj, Gjeopolitikën e trajton si një mënyrë të shikimit të
botës, që merr parasysh lidhjen mes politikave dhe vendeve, mes gjeografisë,
fuqisë dhe diversiteteve kulturore. Qoftë në rajonet e botës të përfshira nga
luftërat, atje ku kufijtë bëhen çështje e jetës apo vdekjes, qoftë në SHBA apo
Evropë, gjeopolitika është një pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme
globale. Madhësia e një vendi, lokacioni, sovraniteti, dhe resurset, të gjitha
këto kanë ndikim tek njerëzit që jetojnë dhe kanë ndërveprime me botën e gjerë.
Për të përmendur shembuj që nga hartat historike, filmat dhe retorikën e
liderëve politikë, të gjitha këto kanë të bëjnë me gjeopolitikën. Njohuritë dhe
vëzhgimet me pjesëmarrje në terren gati shteruese në këtë rrafsh të autorit do
të vërehen faqe mbas faqeje të librit, ku kjo degë e re e gjeografisë politike (shfaqur
në vitin 2010) është përdorur për të përshkruar një spektër të gjerë të koncepteve,
në kuptimin e përgjithshëm të përdorur si "sinonim për marrëdhëniet
politike ndërkombëtare", më saktë për të nënkuptuar strukturën globale të
këtyre marrëdhënieve", ku strumbullar është patjetër Shqipëria me fatet
dhe antifatet e saj. Në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare, autori e shikon
gjeopolitikën si metodë të studimit të politikës së jashtme për të kuptuar,
shpjeguar dhe parashikuar sjelljen politike ndërkombëtare nëpërmjet variablave
gjeografikë, krahasimtarisht me Shqipërinë dhe Fuqinë Ushtarake të saj në
kushtet e gogolit të padukshëm, por tmerrësisht sat ë frikshëm, aq të urryeshëm.
Nuk mund të lemë pa përmedur se në kët tekst Jahaj përfshin studimet e zonës,
klimën, topografinë, demografinë, burimet natyrore, sidomos burimet e naftës
dhe gazit dhe shkencën e aplikuar për vendin tonë, të rajonit, sidomos të
madhorëve sovjetiko-amerikanë që merr në shqyrtim se kanë qenë faktorë
vendimtarë për vendet dhe popujt vogëlushë. Në këtë libër, Gjeopolitika
përqendrohet në fuqinë politike të lidhur me hapësirën gjeografike. Në veçanti,
ujërat territoriale dhe territori i tokës në korrelacion me historinë
diplomatike në raport me të mëdhenjtë, superfuqitë e paevitueshme asnjëherë.
Mendoj
se jo vetëm studiuesit dhe lexuesit e kualifikuar e kanë të qartë se Luftë e
ftohtë u quajt lufta ndërmjet vendeve të Bllokut sovjetik dhe vendeve Perëndimore,
ose Lufta ku Traktati i Varshavës (Bashkimi Sovjetik me shtetet satelite) dhe Blloku i Natos (Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre
në NATO etj.) e kërcënonin dramatikisht rëndë njëri-tjetrin me tensione politike
dhe ushtarake, me armatime të
sofistikuara deri dhe me bombën bërthamore për
periudhën e nervave të hekurta nga vitet 1945-1947 deri në vitet 1990-1991.
Lufta e ftohtë ishte dhe s’ishte luftë, lufta e ftohtë ishte dhe s’ishte paqe. Të
jemi realist, të vërtëtë, sikurse autori dhe t’i shikojmë gjërat në kohën kur
kanë ndodhur, të veshim lëkurën e asaj kohe për ta gjykuar sot. E kemi jetuar
fort me përgjegjësi e përkushtim edhe ne atë kohë të stërvitjes ushtarake të
popullit ushtar, të gatishmërisë së përhershme luftarake me ato alarme të shtrira ritmisht dhe shpesh herë
befasisht, që i kemi marrë me aq seriozitet, që i kemi vlerësuar aq drejtë e
lartë, që i kemi realizuar si në luftë të vërtetë, edhe pse ajo nuk erdhi kurrë,
as kur Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës, më 12 shtator 1968, pas
pushtimit të Çekosllovakisë nga BS dhe forcat këtij pakti ushtarak të shteteve komuniste
të Europës Lindore.
Termi "e ftohtë" është përdorur për
shkak se nuk kishte luftime në shkallë të gjerë të drejtpërdrejtë mes dy
palëve, edhe pse ka pasur luftëra të mëdha rajonale, të njohura si luftëra me
prokurë.
Nuk mund të vijoj me analizën kronologjike të këtij
megateatri global tragjikomik, sepse i përshkruan autori saktë, qartë, bukur e
ndjeshmëri të theksuar kombëtare, por kujtojmë që Lufta
e Ftohtë dhe ngjarjet e saj kanë lënë një trashëgimi të konsiderueshme. Shpesh
përmendet në kulturën popullore, veçanërisht me temat e spiunazhit dhe
kërcënimit të luftës bërthamore.
Dëshiroj të flas pafund e me dëshirë, jo
vetëm se libri më pëlqeu shumë, nga i cili, edhe unë, edhe pse kam qenë oficer
karriere me Gradën Major, gradë e oficerit madhor të shkallës së parë, mësova
apo freskova vërtetë shumë gjëra, por dëshira dhe mundësia në këtë rast nuk
ecin paralel. Veçse dua të theksoj, që Fuqia Ushtarake e Shqipërisë ishte besim
për popullin shqiptar, apo ëngjëlli mbrojtës, si i thonë sot. Ushtarakët ishin
shumë atdhetarë. Populli ishte ushtar po aq serioz, i stërvitur dhe i përgatitur po aqsa ushtari
aktiv, me një moral të lartë e ndershëmri kombëtare të admirueshme nga të tjerët.
Pedagogu ushtarak, studiuesi i gjeopolitikës,
këshilltari ushtarak i Ministrit të Mbrojtjes, diplomati i shtetit shqiptar në
Greqi, labi bujar me rrënjë në palcën e kombit Zeno Jahaj ka patur fatin të
punojë me zell nëpër arkivat e botës për Shqipërinë dhe ka mirësinë që jo vetëm
historiografisë ushtarake t’i japë monografinë e parë shkencore ndërdisiplinore
të profilit të tij, por po i jep një ndihmesë të dukshme edhe historiografisë
shqiptare.









