E merkure, 25.03.2026, 05:21 AM (GMT)

Kulturë

Tefë Topalli: Gjon Marku - 'Drita e syve të mi'

E marte, 24.03.2026, 06:50 PM


PËRMBLEDHJE POETIKE:

Drita e syve të mi

Nga Prof. Dr. Tefë Topalli

Kështu u formulua kreu i këtij sythi, sepse, më së shumti, shkrimtarët e nisin krijimtarinë me vargje, siç kanë bërë në letërsinë tonë Kadareja, Agolli e mjaft të tjerë, për t'u hedhur më pas në hapësirën e lirë të prozës. Por Gjon Marku duket se i kthehet poezisë ndryshe, në një mënyrë siç ndodh mes dy të dashuruarve, kur takohen pas shumë viteve: përqafohen me njëri-tjetrin, sa për kortezi, jo me pasionin e rinisë së tyre...

Ndoshta, ndoshta, autori ynë i ka shkruar me kohë vjershat e veta, por tash së fundi ka vendosur t'i publikojë... Gjithçka ngjet midis krijuesve; veçse kjo hyrje miqësore nuk ka asnjë lidhje me vlerësimin e vjershërisë së këtij autori, i cili deri më sot, në moshën më të mirë krijuese, numëron plot 26 libra të botuar... dhe një album filatelik kushtuar Nënë Terezës, publikuar këto ditë.

Për këtë do të flasim e shkruajmë në vijim të paraqitjes së kësaj përmbledhjeje, të cilën poeti e quan Drita e syve të mi.(5)

Si pakkush ndër krijues, Gjon Marku e ndan përmbledhjen e mësipërme në dy pjesë, secila me ngjyrë motivesh: në të parën, me 10 grupime, kurse në të dytën, me 6 të tilla.

** *

Që në hyrje, autorit i vjen mbarë të deklarojë "Unë jam", të pohojë qenien e tij dhe, në vjershën e tretë, të shpallë se ndihet më mirë dhe ka zgjedhur të jetë i rëndë si një gur - një varg përmbyllës me peshë guri, që na kujton thënien e urtë popullore: "Guri i rëndë në vend të vet!". Vetëm me këtë peshë të patrandshme ai ka dinjitet, nuk përkulet ndaj pabesisë, nuk i përulet dhimbjes, nuk bëhet shtrojë e askujt, nuk lë këmbë njeriu ta shkelë, fiton mbi trishtimin që jo rrallë e kaplon, nuk i bëhet urë kërkujt... sepse ka zgjedhur vendin që do të zërë në jetë. Dhe ai vend është vendi i tij, i pakrahasuar me asnjë prej vendeve ku kanë mërguar e jetojnë prej vitesh bashkatdhetarë të shumtë, të cilët, sado krenarë e kryelartë, ndoshta edhe bëhen puthadorë të njeriut të huaj...!

Të më shkelë me këmbë njeri s'lë,

E të jem për gjithkënd si një urë,

Kam zgjedhur vetë vendin që do zë:

Zgjodha të jem i rëndë si një gur.(6)

Nuk ka ego personale të dalë në pah e të ngrihet mbi të tjerët poeti, por ai e ndien se, në këtë kohë aspak të butë të klimës shoqërore, i duhet të nënshkruajë "Unë jam...", për t'u njohur dhe theksuar se është zjarr, flakë e llavë vullkani,(7) që prej mallit brenda vetes thyen edhe kristale! Poeti është futur në jetë si furtunë; e kanë prerë në besë, megjithëse ka qenë lis i pashembur; e kanë sulmuar si bishë: "Po s'mund të ecni mbi mua, se nuk jam trung!". Për më tepër, na zgjon mendime se në jetën e tij ka pasur çaste lotësh: mëkati e gëzimi, që ia kanë lagur qerpikët, dhe përuljen hyjnore... prej tyre duhet pasur frikë, sepse prekin pafajsinë e djegin si zjarr... dhe, ndonëse është i brishtë, loti i kthehet si llavë me fuqi supreme, prej zemre!

Për gjithë këtë hyrje të kursyer poetike fliste e shkruante V. Hugo, kur thoshte: "Ka një ligj: poeti niset prej vetes për të ardhur tek ne."(8) Dhe kështu vjen Gjon Marku, pa kryelartësi, thjesht, si qytetar i lirë me dinjitet shoqëror, që hyn në jetën e vrullshme, duke e njohur egërsinë e saj...!

Tek grupi i vjershave titulluar "Përulja e përjetshme" (f. 19-30), autori vijon të paraqesë vetveten: nga babai që e la jetim në moshën e fëmijërisë dhe iku mes yjesh, diku në qiell, të ndriçojë - është formula e gjuhës me më të vegjlit që provojnë të mos i shohin prindërit, edhe pse i kërkojnë për shumë e shumë ditë e javë; kur, në këtë çast, nëna bëhet edhe baba:

Nëna më afrohej e më merrte në gji,

- Duhet të pranosh fatin, më thoshte me bindje.

- Më ler, përgjigjesha, dua ta shoh kur në qiell të ndriçojë!

Gjithçka për fëmijën bëhet nëna: me qeshje qelibari, ledhatuese, me fjalë të ëmbla, e shenjtë, që jep jetën për fëmijët, që lotët i rrjedhin si kristal, me lumë trishtimi e flokët vijimisht në thinja, me këngën e saj (kur zë e këndon), që bën të heshtë bilbili... dhe... djepin e ka fshehur diku, ajo nënë me dhjetë fëmijë e poetit!

Për çudi, vijnë e i shtohen thinjat nënës.

Fjalën e ëmbël, si melhem shërues mbi plagë, end,

U këndon yjeve dhe hënës;

Për çudi, djepin e paska vënë në tjetër vend!(9)

Dhe, siç rrezaton pa prerë dashuria e nënës për fëmijët, ashtu vërshojnë vargjet për nënën te: Përkëdhelja e nënës, Nënë, hajde, Dritë e vetme më bëhet hija jote, Nënë, Në ëndërr desha të më vije, Shpirti yt gjithnjë atje do të ndriçojë, Tek varri i prindërve të mi. Janë gjashtë poezi, aq sa janë ditët e krijimit të Perëndisë, për të pushuar ditën e shtatë - të dielën!

Atë ditë pushimi hyjnor, poeti humbet e zgjohet nga kujtimi për gjyshin (f. 29-30); vjen e krijon tablonë e trishtuar të ditës së varrimit të atij burri epik, kur, në imagjinatë, sheh bashkëkohësit e tij teksa sjellin ndër mend kuvende burrash, fjalët e tyre që janë si lisat e papërkulur në vetëtima; piskama e gjyshit në kohën e tij. Kulla e moçme i ka bashkuar atje, në kodër, por ai ende nuk po ua nis fjalën; veçse vendlindja, të gjithëve, zemrat ua ndez në atë përcjellje nderi, megjithëse korbat kanë mbushur lisat e lashtë. Amaneti i atij brezi mbetet e do të jetë: Shqiponja do të fluturojë e lirë, s'ka tjetër!(10)

Mirë. Është mbyllja e atij kujtimi që nuk shuhet (për gjyshin), po krijimet e gjashtë ditëve të poetit - ashtu si në uratën e mbrëmjes:

Dita festë e dita e Dielë

Asht e Zotit që rri n'qiell;

Gjashtë ditë neve na ka dhanë,

Një për vedi ma s'ka lanë.(11)

...Çfarë ka thurrur autori ynë? I ka kënduar dashurisë për nënën, nisur nga përkëdhelja e saj, që ka qenë përkëdhelje edhe për të atin në qiell. E ndrydh veten poeti të gjejë dhe të ndjejë atë përkëdhelje, e ta vërë në zemër dhe të shuajë mallin, etjen, vetminë; buzagazin e saj ta sjellë para syve, dorën që i prek flokët... por veç thërret nëpër shtëpi: "Nënë, Nënë!". Kështu, heshtja i jeton e përjetshme për mungesën e saj!

Midis këtyre ndjenjave-dallgë, i jepet ta thërrasë: "Hajde!",[12] se do të flerë, se kërkon ta puthë, ta shohë vetëm një çast, se "Zemra mos t'i plasë / sepse ikën prapë!". Ia lë portën hapur, pa fre malli, ngaqë:

"Prej vetmisë po tutem / hajde, o vegim... o malli im!"

Këtyre thirrjeve, që mbeten në kllapinë e gjumit të trazuar, poeti u vë pas nga një strofë katërshe, me strukturë të rrallë gjuhe, ku hija e nënës i bëhet dritë – ku figura e mrekullueshme l'enjambement në dy vargjet e fundit e ngre poezinë në lartësi mjeshtri; po kështu edhe në strofën vijuese, ku kjo hije e nënës i bëhet germë e gëdhendur në gur.

Malli për ty shkrim në qepallat e mia,

Që në një ëndërr plot mall merr jetë sonte;

Në lotin e bardhë nga malli, dashuria

Dritë e vetme bëhet hija jote.

Iku nëna dhe yll u bë atje.

Një zë i zemrës me aq nur;

Po në zemrën time ka fole:

Si një germë e shkruar në gur.

Me simbolin e dritës kanë gjeneruar vargje edhe poetë si Andon Zako Çajupi, për shembull, në elegjinë revoltuese ndaj Perëndisë, për Evgjeninë, kur ajo kaloi në amshim dhe la djalin jetim, pa rritur:

Doje dritë, o qiell, more dritën time

Dhe më mbushe jetën plot me hidhërime!(13)

Kaq i mbushur me mall është poeti ynë, sa lutet e kërkon që nëna t'i vijë, së paku, në ëndërr, sepse shpirti po i thërrmohet dhe trishtimi me vetminë po e mbytin; ai përkund pagjumësinë e vet duke u lutur:

"Në ëndërr do të desha të më vije!"(14)

Ka një shprehje ngushëllimi në Mirditë, dhe ndoshta më gjerë, në Veri, kur njerëzit shkojnë për kryeshëndosh në familjen që ka humbur të vetët, fjala e parë është: "Dritë pastë!", jo rrallë edhe: "Dritë i bëftë shpirti!". Pagane kjo apo kristiane, vjen shumë e goditur dhe ngushëlluese. Këtë ka zgjedhur poeti ta shtjellojë në një strofë, ku vetëm vargu i parë me fjalën "kambanë" lidhet me kishën dhe ceremoninë fetare; i dyti del si pasqyrë e kohës pa shpresë, që, veshur në gri, i rri sipër njerëzimit; por Nëna - Nënë vijon të ndrijë nga lart jetën e poetit!

Një kambanë tringëllon së largu e zi ndjell

Në këtë kohë pa shpresë, veshur në gri;

Ike nënë dhe yll u bëre atje lart në qiell

E shpirti yt gjithnjë atje do të ndriçojë.(15)

Kjo thirrje për t'iu shfaqur në ëndërr vjen dhe përsëritet edhe kur autori shkon tek varri i prindërve të vet dhe u flet me përdëllesë:

"Së paku m'u shfaqni / Në ëndërr, / Kam mall, dua t'ju puth." (f. 28)

Ky segment vjen si motiv i Andon Zakos, në një sekuencë nga Vaje, pjesa IV, kur vetë poeti i Zagorisë shkon midis varreve:

"Kur shkoj ndër nëpër varre, ku ka mbirë bari,

Që rritet e mbahet me trupin tënë,

Kujtoj kush ka vdekur, mendoj s'kanë qenë,

Zemra më lëndonet dhe s'pushon së qari..."(16)

Cikli i pesë poezive, grupuar tek Drita e syve të mi, që i jep edhe emrin përmbledhjes së autorit, spikat për intimitet familjar, për ndjesi të larta prindërore, për peshën dhe përgjegjësinë si baba, kushtuar dy fëmijëve të poetit.[17]

Vjen një vjershë monokolonë, pa metër, me rimë të largët, me 17 vargje, ku vëmendja përqëndrohet kryesisht tek fjalët: gjykoni, verbërisht, bekimin, të shenjtë-të shtrenjtë, në gji, si dhe tek sintagmat: drejt në sy, sy të lig, rezatojnë ligësi, dy yje, engjëj mrekulli, dritë e dritës.

Tek vjersha Tim biri(18) ka nota përngjasimi moral si tek poezia e famshme e poetit indo-anglez Rudyard Kipling (1865–1936), me titull If (Sikur, në mundësh), cilësuar si marrëveshje ideale që duhet të përmbushin mendja, shpirti dhe trupi, në mënyrë që njeriu të jetë Njeri.

Përfundimisht, kjo këngë krejt e çiltër shëron të dëshpëruarit dhe shëndosh të pamundurit. Jeta nuk vlen të jetohet pa ia shpirtëruar as kushtoret. (19) Përndryshe,
Kushtoret e jetës, siç është quajtur kjo poezi e njohur në të gjitha kulturat letrare të botës, është një bisedë, monolog i një ati me të birin e tij: çfarë dëshiron ai t'i mësojë për jetën!

Natyrisht, në vjershën–monolog të Gjon Markut, në skenë është një baba shqiptar, para një djali shqiptar, që dëgjon në heshtje, sikurse biri anglosakson apo biri i secilit njeri nga milionat e miliardat e njerëzimit! Në 16 vargjet e poetit tonë nuk ka asnjë "sikur" të anglosaksonit, por ka disa "kur" dhe mjaft "mos"; vargu final pothuajse vjen i njëjtë: gjithë baballarët duan ta bëjnë trashëgimtarin njeri – dhe kjo na qenka më e mira! Sepse, thotë autori ynë: "Që të mos pendohesh kurrë!"

Nëse vjersha e Kiplingut nis me kushtin e lartë, kushtin bazë të jetës tokësore:

"Në mund ta ruash arsyen...

gjykimin...
mendjen... nëpër vështirësitë e jetës..."

poezia e Gj. Markut nis dhe mbyllet me vdekjen dhe varrin e ligjëruesit – babait që flet e flet dhe gjithnjë ndihet i pasigurt për rrezikun që i biri: do të trishtohet prej lajmit mizor të ikjes në botën tjetër; do të lëshojë veten, do t'i shohë plagët në zemër të babait, do të përkulet e të kërkojë falje se nuk u bë si deshi i ati; por njëherësh, nëpër vargje endet hija e zezë e ateizmit, që ka dashur t'ia përcjellë në mendje e shpirt djalit, duke iu drejtuar me këshilla mohimi, si: mos u trishto, mos shih, mos e lësho veten, mos iu lut Zotit, mos vështro, mos u ndal para kufomës, mos kërko falje, harroje të shkuarën dhe mos u pendo!

Por lexuesi e ka të vështirë të kuptojë sentimentet ateiste me të cilat qenkësh ushqyer autori, paçka se fëmijëria dhe adoleshenca e tij janë shtrirë në ideologjinë e egër të luftës kundër fesë dhe besimit, që diktohej nga shteti i vetëm ateist në botë! Veçse është e njohur edhe teza se midis brezave ka pasur e do të ketë përherë kontradikta, pengje dhe mungesa të më të rinjve, që nuk mundën t'u ngjasin baballarëve (prindërve) në mbarësinë e jetës! Kjo shpjegon jo rrallë edhe përcjelljen me lot të hidhur ditën e ndarjes së përjetshme...! Është një poezi prekëse për të gjitha kohët, kur lexon, të shkruara me gjakftohtësi, vargje të tilla nga një 60-vjeçar...!

"...Zotit mos i bëj lutje,

Mos ngri meshë në një vend të shenjtë (kishë)...

Mos sill lule e kurora ndër varre...!" (f. 33)

Dhe të jepet të pyesësh: mos vallë poeti Gj. Marku është njeriu i ri, i formatuar nga koha e ateizmit? Dhe përpiqet t'ua kalojë fëmijëve të tij veten, ashtu siç dëshiron?! Jo, nuk është fjala këtu, por në këto vargje ravijëzohet ideja se autori kërkon që, mbi çdo gjë, mbi çdo atribut të njeriut, të vërë Njeriun e Kiplingut – njeriun, vetëm njeri...!

Por, pa pritur vdekjen, iu larguan fëmijët edhe poetit... dhe atij iu rëndua gjithçka: dera e kullës, ra heshtje nate pa hënë e pa yje... nuk ka më prind, as fëmijë... ballit i shtohen rrudhat, sepse "Në udhëkryq shoh jetën e vdekjen" dhe "vatra mbytet në zi!": ka mbetur vetëm kulla dhe një kuti duhani për miqtë, që nuk do të trokasin më kurrë... Dëshpërimi vjen në shkallë të lartë, para dhomës bosh:

"I ngjis shkallët për në kullë,

Para meje prin një hije,

Që e shoh të ecë nëpër gurë

E ndalet te dhoma ime!"

Nuk i janë larguar Shqipërisë vetëm djem e vajza nga male e fusha, por edhe bij inxhinierësh e ekonomistësh, mësuesish dhe profesorësh, edhe fëmijë shkrimtarësh; për të gjithë poeti ndjen dhe i sheh si fëmijët e tij...! Në momente dëshpërimi dhe mërzitjeje të thellë, autori ynë zë e mendon për ikjen nga kjo jetë, sikur bën një bilanc për sjelljen dhe veprimet e tij në shoqëri: sa ka lënduar, si vdiq, por kërkon të njoftohet si ka jetuar! U ka qëndruar sulmeve dhe egërsisë, duke ruajtur nderin dhe punën, pa i lënë njollë askujt! Edhe dy fëmijëve u kërkon të bëhen dëshmitarë: sa herë e kanë plagosur, e kanë vrarë shpirtërisht! Ata duhet të shohin e të ndihen krenarë, duke vështruar majat ku është ngritur në jetë! (f. 36)

Te sythi Pendesa ka 11 vjersha: në varg të lirë dhe strofa në katrenë, me rimë me skemë të caktuar apo rima të largëta, si dhe strofa monokolonë me 7, 8, 24, 7 vargje, si dhe 4 vjersha me nga një strofë të rimuar me skemat: AABB, ABAB; në vargjet kolonë, bie fjala: Njeriu, Ata dhe unë, Jeta, Pendesa, Lutem, Sërish do të vijë, Vetëdije, Fjala, Mbeta ai që isha, Vret fjala, Ndryshimi. Ka në këto vargje tablo të jetës në antitezë: me dritë dhe hije, me ngritje e zbritje, ditë bardhë e zi, me diell e sterrë, me ndjesi lumturie e trishtimi, por nuk mungon shpresa:

"Sado e ashpër të jetë furtuna,

Dielli prap do të ndriçojë,

Sado e gjatë të jetë nata,

Dita sërish do të vijë."(2)

Poeti ka vetëdijën se nuk pajtohet me inferioritetin; qëndron kundër autoritetit, padijes dhe ndërgjegjes së rënduar; hedh poshtë heshtjen kur duhet të flasë. Ai nuk e do shkëlqimin dhe verbërinë, dhe gjithmonë i mbështetet gjykimit të drejtë. Ai urren fjalën që vret si plumb dhe, mbi të gjitha, shpall se ka synim të mbetet ai që ka qenë, pa mundur të kapërdijë trishtimin që duan t'ia mbjellin në zemër!

Ai i kthehet sentencës popullore: "Fjalët s'bëjnë mort!" dhe shpreh habi të thellë: "Sot vret fjala e padrejtë që mbjell zi!" dhe na kujton me zë të lartë:

"Ku shkoi fjala e mirë, e ëmbël e dlirë?

Ç'po ndodh: thyhet buka pa u ndarë ara,

Zot mëshirë pasosurit, lutem për mëshirë,

Dikur vriste plumbi, sot vret fjala."(22)

Poeti është një qenie si gjithë njerëzit e tjerë, por shkon përtej të gjithëve kur vjen puna tek ndjesitë e shpirtit, qoftë edhe kur vështron i vrenjtur se kanë prerë rrafsh me tokën një pyll të ri. Ai ka shpallur edhe për vete fjalën e urtë latine "Homo sum!"(23) dhe ngre zërin për ta dëgjuar.

Janë dy sythe (grupime) poetike që vijojnë pas atyre më lart: njëri me dy folje në antitezë, "ndez""fik", si dhe fjala, si vrastare, në ditët e sotme për vendin e tij:

Vetmi

Emigranti - me vajin e qyqes që e shoqëron; Një fshat i bukur grek,(24) që vret bukurinë për emigrimin - plagë pa shërim;Një fundvit me emigrantë - me qyqet, që poeti ua njeh vajin.

Janë fjalë aq të kursyera, me të cilat poeti ndërton një oksimoron të goditur në dy vargjet e para, në karakterizimin që i bën jetës së sotme për familjet e migrantëve:

Qyqet

Këndojnë,

apo qajnë!

Unë s'ua njoha

dot këngën,

po veç vajin...(25)

Tek Vetmia, me 9 vjersha: kolonë dhe me strofa katërshe me klauzola rime ABAB (me metër të ndryshëm), numërohen atributet e kësaj lekseme kaq të rëndë për shqiptarët:

"Vetmi-a" - këngë që s'këndohet,

Ështw  lot në sy,

Wshtw djerr i pafund,

Wshtw tmerr mbytës,

që tret shpirtin,

Wshtw fjalë e fundit të ferrit!

Në këtë vetmi dhe dëshpërim, autori gjen ngushëllim tek kujtimi për Skënderbeun, Gjergjin me shpatë, si e quan populli:

"Në shekuj rendin mbi bedena,

Shpatë e mprehtë, mbi turq pa da...

Me flamurin që mban në dorë

Si bekim që vjen prej Zotit

E ban Krujën të shungullojë

Legjendari Kastrioti!"(26)

Mbyllet kjo tubë poetike me dy strofë – shkaku i vetmisë është "Ikja",(27) ku dy pleq kuvendojnë për ditët e fundit, kulla e gurtë hesht... dhe po luhet drama e Shqipërisë, me shpopullimin e saj të dhimbshëm!

Tuba që ndjek vëllimin Gjer në zenit(28) (f. 69), me 10 vjersha, ndër të cilat, për të nxjerrë veten nga vetmia dhe molisja, rreshton vjershën Puthja e parë,(29) ku strehë e saj është një shkëmb në brigjet e detit Jon; më pas, tek autori zbret rrezja e dritës si zanë ledhatuese, që i kërkon të fshehtën e asaj molisjeje.

Duket se e fshehta është...

Një përjetim i dashurisë së pare(30) është ndër poezitë më të gjata të përmbledhjes, me vargje të rimuara, me skemë të rregullt ABAB (pa përjashtuar ndonjë asonancë). Është një vjershë e lirë në përmbajtje, që ngre lart dashurinë trup më trup, me epsh të ëmbëlsuar ëngjëllor, me puthje të pafund dhe melhem hyjnor, deri edhe në ekstazë qiellore:

Froni i ndjenjës sonë është në qiell

Është koha të jetojmë lakuriq një moment të rrallë,

Yjet që bien brenda një loti djegin sa një diell,

Malli shkrin lotin e ne jetojmë dashurinë e parë.

Gjendjen e halucinacionit - përçartje, ndijim a përfytyrim i rremë - poetët, jo rrallë, e çojnë deri në zenit(31):

"Brenda meje vërshon dalldisja e ndjenjave, tërbuar

E unë s'mund të fsheh, miliona dëshira gjer në zenit!

Kërkojnë ata çastin që drithëron, epshin e fshehur

dhe mëkatin e ëmbël që rrjedh rrëke!"

Këto çaste magjike, nën pushtetin e pasioneve, mbajnë pranë një djep që pret të përkundë madhështinë Njeri!

Jo rrallë poetë të ndryshëm, edhe të afirmuar në fushën e poezisë, devijojnë nga krijimet e mirëfillta dhe anojnë nga folklori - jo si plagjiat, por duke u përafruar me strukturat gjuhësore të muzës popullore. Në rastin e autorit tonë, me vjershën E te kroi prap më prit(32) duket qartë influenca e Lazgush Poradecit, i cili ka sjellë në artin tonë të vjershërimit perla të këtij lloji, të cilat kanë përfunduar edhe në pentagrame kompozitorësh.

Është një tetërrokësh idilik në katrenë, me rimë të puthur, shpesh me klauzola foljore, si dhe fjalë një- dhe dy-rrokëshe me theks oksiton. Krojet janë simbole të vendtakimeve të dashurisë (edhe tek eposi ynë, Muja e njeh vashën e grabitur nga Zanat tek kroi; atje lë edhe takimet për ta çliruar atë). Gjuha e autorit përdor idiomën gegëveriore, e përzier me disa trajta fonetike dhe leksikore: ëmbël, krua, të dua, mua, rrëzon, thuaj.

Gjithë poezia përshkohet nga folje lëvizjeje, që japin përshtypjen e një tabloje filmike: del drita, ty të pres, gjithnjë ruj, u përule, u ule, më mbush, bie mbi buzë, po shndrit, bie ballit, u jep, do të ndriçojë, do të vij, po digjet, më lidhet, po digjem, s'di, t'ia bëj hallit; ndale hapin, kam një fjalë, them, ruj, ta dinë, ta dijë, ta shoh, të them; po flet, rrëzon, ma thuej, the, të dua, më do, u zunë, mos ik, më prit.

Gjithë kjo tablo përshkohet nga drita e mëngjesit, kroi, muzë, rreze dielli, borë mali, freskia, lulja me hijeshi, hana, flladi, zana, ora e zanave, dielli e hana, t'bukurin sy, burim uji, dielli, zogjtë, bilbilat, bahçet, trëndafila, yjet, retë, bora, mbramja kroi.

Janë prirje leksikore të gjetura rrallë, edhe paqë autori nuk konsiderohet një parnasian i veçantë gjatë krijimtarisë së tij të hershme. Dashuria kërkon mjedis për të shpërthyer, hijeshinë për t'u zbukuruar, këngët e zogjve për ta përcjellë, hënën për ta ndriçuar, yjet për ta vështruar nga lart, dhe bashkimin dorë për dorë! Studiesit vërejnë se këto përfytyrime japin ndjesinë e një lëvizjeje magjike, madhështore, harmonike, hyjnore e sugjestive.

E gjithë kjo krijohet prej endjes së tekstit - "Texte veut dire Tissu"(33) - siç e quan Roland Barthes(34):

Kur del drita në mëngjes

Unë te kroi, moj ty të pres

E buzmbrëmje gjithnjë ruj

Kur ti vjen për me mush ujë...

E u zunë bashkë dorë për dorë

Por si ujë n'majën me bore

Dhe në mbramje ti mos ik

E te kroi prap më prit.

Në një prej strofave më poshtë (f. 79), poeti ndërton një ndërrim të vetës foljore, duke kaluar veprimin nga e para në të dytën, pastaj menjëherë tek e para, sikur druhet të mos i rrëshqasë lumturia e atij çasti sublim.

Folja pres (të pres dhe më prit) në strofën e parë dhe atë të fundit krijon një kornizë stilistike në gjuhën e poezisë, edhe pse nuk ndodhet në të njëjtën strofë.(35)

Edhe vjersha tjetër Unë të dua e s'dua kënd tjetër(36), që mbyll ciklin e veçuar te autori Gjer në zenit, trajton të njëjtin motiv dhe është e ngjashme në përmbajtje dhe formë me poezinë paraardhëse. Idioma gjuhësore del në gegërisht, me përzierje të lehta fonetike. Janë gjashtë strofë katërshe në 8-rrokësh "të sforcuar", me rimë të puthur; mbizotërojnë foljet, të cilat, në ndonjë strofë, krijojnë klauzola vargjesh, si për shembull në strofën e dytë: më pruj/më ruj/m'u druj/mos luj.

Ka vargje "të ndezura", me krahasime, epitete, frazema dhe fjalë të poetizuara.

Porsi zanë e porsi flutur

Vjen e bukura belkëputur,

Dhe kur nata m'merr në gji,

Unë i lumtur s'jam pa ty.(37)

Studiuesit pohojnë se poezitë me frymëzime folklorike shpesh janë më të dobëta, më të varfra në ide dhe me mungesë të shkëndijës krijuese që shfaqet tek poezitë e tjera.(38) Disa prej tyre mbartin naivitetin e vargjeve popullore dhe cektësi, duke munguar thellësia krahasuar me korpusin poetik të autorit tonë.

Megjithatë, kjo nuk ndodh në krijimtarinë e Gjon Markut, pasi kërkimi poetik i fjalës dhe i grupfjalëve e çon atë në rivlerësimin e shprehjes dhe realizimin e idesë deri në përndëritje dhe në krijimin e figurës së Zanës shtojzovalle.

Poeti Gjon Marku të befason me variacione trajtash formale në strukturat e strofave: herë me vargje kolonë, të ndjekura nga thurje njëpasnjë - tri apo katër vargje të tilla, siç ndodh në sythin Jemi një, me tetë poezi që mbeten në motivet intime të dashurisë. Poezinë e parë me të njëjtin titull(39) e sjell me varg të lirë dhe rimë ABAB, tre vargje të bardha dhe mbylljen me skemë të puthitur; ky është një stil shprehjeje i kohëve të sotme në letërsinë tonë, të cilin e lëvrojnë shumë letrarë.

Kështu alternon më tej autori edhe tek vjershat Në sytë e tu, Aty, Dua që pritja shpejt të vdesë(40).

Vjersha e parë përmban vetëm një fjali, me një folje:

Në sytë e tu të thellë

Oh ç'vështrim i rrallë

A thua brenda s'mbajnë lotë

Por margaritarë.

E dyta vjen si epanaforë, me përsëritjen e fjalës Aty pesë herë në tetë vargje, duke krijuar një skemë strukturore:

Aty ku shelgu lotues... duket...

Aty të kam pritur në ditët me...

Aty ku sot era po luan

Aty kam ndjerë puthjen...

Aty do të më gjesh, sa herë...

Tek vjersha e tretë ngrihen dy shtylla njësish predikative, që i prijnë fjalive drejtuese; e dyta - njësi kallëzuesore kohe - i del para disa njësive fjali, duke krijuar një ndërtim interesant:

Kur s'jam aty

Ti zvogëlohesh shumë

ndër deje vrapon

një mall, si një lumë

Kur s'jam aty

si dita diellin pres

heshtjen shtrydh

mes ëndrrash të gjej

Gjithsesi dua

Që pritja shpejt të vdesë

Vjersha Gjithnjë të pres është një vegim ëndrre, ku simboli i shelgut lotues shpreh pritjen e gjatë dhe të pashpresë. Puthja nuk ka ardhur ende, prandaj pika të panumërta shiu përzihen me lotët e shelgut, ndërsa djali e sheh veten nën degët e shelgut, që krijojnë një ombrellë për dashurinë. Por ëndrra e lë në vetmi: errësirë pa hënë e yje, sytë përloten dhe ëndrra tretet si vesë mëngjesi, ndërsa era luan me degët, duke i rikthyer pritjen pafundësisht.

Nën degët e shelgut, oh syri ç'm'u përlot

Ëndrrat e mia u tretën si vesë,

Aty ku era me degët e shelgut po loz

Bashkë me shelgun, ty gjithnjë të pres.(41)

Bashkëtingëllorja grykore g, e përsëritur në vargjet 1, 3 dhe 4, krijon fonetikisht idenë e ngurtësisë dhe mohimit: një sentencë arbëreshe thotë, "Ai që ngë di, është si ai që ngë sheh!"

Vjersha me ritëm të shpejtuar Zinete(42), tri strofa me vargje 5/6 dhe ndonjë 7-rrokëshe, prezanton një variant të veçantë; heroi (poeti/autor a personazh tjetër) shfaqet trimëruar në emër të dashurisë, me folje urdhërore që i drejtohen vetes dhe partneres, për të mos lejuar që të dëgjohen fjalët e botës. Foljet mbartin kuptime leksikore të ndryshme: të pari, të ndieri (verba participiendi), të ndjenjës (locutions affectae), të zotuari (verba promittendi), të kumtuari (verba communicandi), si: lëri, s'prajnë, mbahu, thotë, braktis, gjete, u shua, mbahu, harro, dua etj.

Grupimi i emërtuar Eja përbëhet nga gjashtë vjersha kushtuar dashurisë, që është vegim, hije, ëndërr dhe kujtim - herë pranë, herë larg. Kujtimi i dashurisë së parë shfaqet si imazh që flet me hënën dhe yjet, duke u shfaqur e zhdukur para syve, shpesh i ngrirë nëpër terr dhe shi, dhe shkakton pagjumësi (f. 92).

Në vjershën Malli(43) ëndrra sjell mallin që i përzë gjumin; nuk është bimë si trëndelina apo erëmirë, por një figurë përrallore, e përfytyruar si njeri që vjen kur flemë dhe na zë frymën:

Shoh, po rreth meje s'kam askënd

Veç mallë e dhimbje këtu me mua,

Vuaj plagën e një ndjenje pa vend

E brengën e një ëndrre që u shua!(44)

Pa dalë nga gjumi, dhimbja dhe dashuria takohen në ëndërr. Këto gjashtë poezi lidhen mes tyre, sepse i dashuruari e pohon vetes "Të kërkoj" (f. 94), ndërsa gjendja shpirtërore, dëshpërimi i heroit, shfaqet edhe në ëndrrat që ikin pa kthim. Poezi pa metër korrekt, me rima dhe asonanca ABAB, sjellin leksema dhe sintagma që pikturojnë shpirtin e autorit brenda dhimbjes që nuk i ndahet: ëndrrat e ikura, nuk kthehen, nuk gjej.

Mes lotëve, dhimbja hedh rrënjë; ditë e vrenjtur prish ëndrrat. Dhimbje e mekur, nëpër muzg, ra shi - shi i prajshëm që ndalet - zymtësi, shpresa larg; shpirti i qetë, por trishtimi më kaplon, dhe vetmia merr jetë:

Dhimbjen mundohem ta largoj

Që shpirti im të jetë i qetë,

Po trishtimi shpejt më kapëloi

Dhe vetmia brenda meje merr jetë.(45)

Nëse në këtë poezi vajza del si objekt kërkimi dhe pritjeje, në vjershën pasuese autori ndërron regjistër: vasha shndërrohet në subjekt me "Ti" (f. 95). Titulli përemëror shërben si kryefjalë e fjalive të të gjitha vargjeve, dhe vjersha, me 9–10 rrokje, dy strofa dhe rimë të alternuar ABAB, merr pamjen e mëposhtme:

Eh, ëndrrat nëpër gjumë m'i vret

Më djeg e ndez si zjarr në shpuzë

Brenda shpirtit diçka sikur më tret

Kur puthjen e ëmbël e ndal mbi buzë.

Me lajka plot nur në dritën e hënës

Me trupin lastar, spërkatur me vesë,

Me magjinë e bukur, hijeshinë e zanës

Në krahët e mi zgjohesh në mëngjes.

Pas këtij gëzimi të mëngjesit të ëndërruar, heroi shpërthen në vargje të lira, monokolonë, në poezinë Eja, sepse pritja ende nuk ka marrë fund. Ai ndjek një ëndërr dhe kuvendon me hënën dhe yjet, të cilëve u kërkon shpresën.

Në përbërje të përmbledhjes, autori rrallë sjell vjersha me ëndrra të pamundura që nuk mund të bëhen realitet (f. 100–101), për t'u lidhur më pas me tuba më të mëdha në numër, si cikli Në fytyrën e hirtë(46), ku rikthehen poezitë erotike: Pa dashuri, Ke zënë vend në ëndrrat e ikura, ku heroi ndjehet pa dashuri, sepse dhimbja dhe trishtimi po i vidhet:

Ti s'je më në zemrën time kurrësesi...

Ai çast, tek shelgu lotues, le të mbesë. Ndërsa tek poezia me varg të lirë dhe pa metër, por me rima dhe asonanca të rastit, "Liqeni mërdhih... mërdhih!" (f. 107), në zemrën e poetit bie shi dhe askush nuk dëshiron ta presë pranë liqenit të dridhur nga i ftohti. Pritja e ka gërryer, dhe i ka lënë vetëm vetmi dhe shkretim.(47)

Në vjershën e lirë Dashuri, një gjendje pa dashurinë e ëndërruar, heroi bashkëflen me trupin, vetminë dhe natën idhnake; emri i së ëndërruarës, për një kohë të gjatë, i ngjall trishtim, pasi ditët ia kaloi pa mirësi.(48)

Në këtë cikël të gjatë, nis ftohja nga partnerja, largimi dhe njëfarë mjerimi; zjarri shuhet, ëndrra thyhet, lind dëshira për ta harruar; nis venitja dhe pamundësia për t'u kthyer tek ai. Dashuria e saj shndërrohet në hijen e tij, ndjenja bëhet gur, dashuria bëhet dhembje, trishtim e lot. Ka ndodhur ikja në kopshtin e harrimit, sepse ajo do të quhet "grua e lëshuar e trishtimit të tij në ikje", pa të drejtë të kthehet më, pasi dashuria nuk rilind më; ai ia lë Zotit të gjykojë. Në poezinë e fundit të sythit, nuk vjen mallkimi, por një karakterizim i rëndë në trajtë dënimi, me mbyllje cikli që tingëllon si krrokama korbash:

Fjalët e tua si re të zeza në çdo anë

Në zemër paske pasur helm nepërke,

Ndryshe flisje kur të kisha pranë

Pas shpine më ngrije veç kurthe!(49)

Në vjershat për dashurinë tek autori, dallohen lidhje të vogla me krijimtarinë popullore, siç vëren studiuesi L. Topçiu për L. Poradecin: këto poezi janë të hapura në strukturë, stilema dhe frymë autoktone, me procedura që gjenden në poezinë popullore, imazhe thelbësore për folklorin me notë autoktonizmi.(50)

Këto vjersha i kushtohen dashurisë tokësore, reale, të provuar (ndonëse humbur), me pak tone onirike, ndryshe nga krijues të tjerë me të njëjtën temë. Heroi lirik, pas humbjes së ndjenjës së dashurisë, kthehet tek vendi i tij (f. 135) me dy vjersha simbol, Përgjysmë(51), ku e sheh Shqipërinë si gotën e ujit:

Gjysma plot apo gjysma bosh...

poezinë 50 me 50, autori shfaq raportin midis së Keqes dhe së Mirës, që e kaplojnë protagonistin; ndërsa në Shqiponjës, katër vargje i blatojnë nderimin hyjnor. Gjon Marku shfaqet në vjershërim me të papritura dhe befasi tematike. Në këtë cikël, na vjen edhe një rapsodi, ndoshta një tekst kënge, si Bashkë me zogjtë do fluturojë(52), një krijim i lëvruar, veçanërisht pas viteve 1990, kur nis mërgimi masiv i të rinjve, dukuri që po shkreton Shqipërinë. Teksti paraqet nënat shqiptare që, me lot syve, përcjellin djemtë e tyre, ndoshta për të mos i parë më:

Oh, jo nanë, ti mirë ta dish

Se atdheu s'mund të lëngojë;

Sa herë, nanë, të thërrasish,

Bashkë me zogjtë do t'fluturoj.(53)

Po kështu, atdheut i kushtohet edhe një tjetër vjershë ku djali mërgimtar ndjen plagë në gjoks; kur pyetet se çfarë është ajo, përgjigjet se të gjithë duhet të shohin plagët që therin Shqipërinë, sepse ato sjellin dhimbje dhe vuajtje për shqiptarët e mërguar.

Poeti vijon me grupimin Mirditë (f. 141–152), ku shfaq vargje me esklamacione, të shtrira në tercina me rimë interesante: ABC (me asonancë), AAA, AAA, AAA, AAA, AAA (me asonancë), dhe AAA (me një asonancë). Kjo trevë paraqet hapësirën historike dhe qëndresën shekullore të Mirditës, me krenari për banorët dhe pasurinë nën dhe mbi tokë, heronj të rrallë, doke dhe zakone, virtyte dhe vlera morale të pakrahasueshme. Karakterizimi i hapësirës bën të dukshme palcën e dhimbjes, lavdinë arbërore dhe përjetësinë morale të saj:

Mirdita shfaqet sulmuar nga rrebeshe, me thikë pas shpine, e papërulur, me barut ngjeshur, me ëndërr lirie, me qëndresë ndaj osmanëve, me heronj që lëshuan gjamë dhe kulla me themele gjaku. Vargjet e tij ngrenë një imazh të fuqishëm:

Pse Mirditë kurrë burrnia s'të vyshket

Ani se magjia mund të të myket,

Por pushka kurrë nuk të ndryshket!

Autori nuk kënaqet vetëm me tercinat; ndërron regjistër dhe kalon në katrenë me rimë të rregull, duke provuar metafora kozmogonike dhe duke iu drejtuar malit për ta krahasuar me rrufetë që e përshkojnë relievin:

Bukuria jote Munellë, verboi dhe rrufetë.(54)

I dashuruar me krahinën e vet, poeti përdor metafora dhe epitete të goditura: nuse e lazdruar, hije kapsallitëse, përqafohet me erën, mantel të argjendtë, shijoj buzë të ngrohta, shkëlqime të ftohta, sy të krijuar nga meteorë, vetmia ritmon, erë e çmendur, lot i rëndë, verboi rrufetë. Ai këndon Mirditën e tij me krenari të ngritur sipër reve; pa iu përulur rrufeve dhe duke e mbrojtur truallin nga pushtuesit. Kullat hijerënda, toka e ushqyer, e tërheqin poetin; ai është i tronditur se e ardhmja e tij atje i ka ikur, por mbahet në vetvete, sepse kullat e gurta nuk kanë harruar të ruajnë historinë. Fundi i plakut të vetëm në atë kullë e trondit autorin, si të dëgjonte gugatjen e zezë të korbave dhe ngrihet me të madhe:

Mos e kopjoni atë krrokamë!

Vjersha O Mirditë(55), e pasur me mjete gjuhësore të veçanta për këtë krahinë, duket se është hartuar si tekst kënge me çifteli ose në grupe koncertale me ndërrime zërash. Është një tetërrokësh, duke ndjekur traditën e gjatë të krenarisë, heroizmit dhe trimërisë, siç bënin edhe Gjokë Beci, Dedë Ndue Lazri dhe rapsodë të tjerë. Vjersha e gjatë me 15 strofë duhet vlerësuar për leksikun e zgjedhur dhe sintagmat e lidhura natyrshëm, si: mal mbi male, rreze dielli plot nur, gdhend fjalën, lëshojnë rrufe, princa kapidana.(54)

Rrezja e artë e dritës, lëmon fjalën dhe figurat e tjera poetike, por kjo duhet parë edhe në kontekstin e një periudhe të gjatë historike, duke theksuar në mënyrë të veçantë kontributin e djemve dhe intelektualëve mirditorë që nga Kuvendi i Arbërit (1703), kur u përmend e u shkrua për herë të parë emri Shqiptar i kombit tonë. Autori përmend Lekë Dukagjinin dhe fjalët e tij të urta të gdhendura në gur përgjatë Kanunit, Gjergjin me shpatë dhe vëllezërit humanistë Gazullorë – njëra anë e emrave të shquar; ndërsa në anën tjetër vijnë Abat Doçi, pararilindës dhe kryetar i Shoqërisë "Bashkimi", Gjergj Fishta, që ndriti Shqipërinë me shkronjat e gjuhës shqipe; Pashko Vasa, valiu i Libanit; Ndre Mjeda, poet i madh; dom Nikollë Kaçorri i Lurës, pranë Mirditës, nënkryetar i qeverisë së Vlorës, përkrah Ismail Qemalit. Për këta burra të mendjes dhe të pushkës, Mirdita krenohet dhe i quan bij të saj.

E kur meshën ngre Gjergj Fishta

Abat Doçi ban kryq në lter

N'kamë ish ngritë e tan Mirdita

Me lavdi, me turr, me nder...

Kur i lirë flamuri u valvitte

E u mblodhën burrat n' Vlorë,

Dom Nikolli prej Mirdite

Nënkryetari mendjehollë.

Për Fishtën dhe të tjerë, që autori i sjell në poezi, ngulmohet prejardhja nga Mirdita, siç është familja e Poetit të Lahutës, por kjo nuk duhet kuptuar si ndarje me flamur; figura të tilla si Abati Doçi, Fishta dhe Imzot N. Kaçorri janë bij që i kanë shërbyer Atdheut me mendje dhe zemër. Autori bën një paralelizëm me Greqinë e Lashtë, ku shtatë qytet-shtete grindeshin për origjinën legjendare të Homerit, i cili konsiderohet baba i gjithë poetëve të botës; në sofrën e tij u ushqyen tragjiktë grekë dhe figurat kryesore të letërsisë europiane.

Një tjetër tekst kënge, Ndale hapin, mos u turr(56), paraqet një popull që mbron Shqipërinë dhe flamurin; fëmijët shkrijnë barut nga frika, sepse varret e të parëve tronditen kur sulmohet vendi. Në qiell nuk kanë vend korbat, por shqiponjat; kur lëndohet atdheu, rrufe shkrepen dhe gjaku ngjyros retë dhe tokën si vullkan që shpërthen. Herë pas here, poeti kujton me mall vendlindjen(57), duke përjetuar ëndrra dhe dhimbje për atë që sheh: uji që gurgullon, kënga e bilbilave, rrezet e arta që lëmojnë faqet e maleve e magjepsin autorin.

Katër këngë për Kosovën – palcën e dhimbjes pa cak – i kushtohen ngjarjeve të përgjakshme andej kufirit, pas tragjedisë historike, kur çelin lulet si gjak(58). Simbolit të këtyre ngjarjeve, Adem Jasharit(59), heroi i paharruar i Kosovës martire, i drejtohet autori me "Ti", sikur ta kishte para syve dhe pranë vetes – foljet në vetën e dytë: dëgjove, jepeshe, kishe lindur, s'të mposhtën, u ngrite, i fale, (ti) mblodhe, këndon, ke fluturuar. Poezia e sjell heroizmin e Jasharit:

Ti mblodhe shikimet si rrezet e diellit

Larg nga lotët e brengës si e truer,

Këndon këngën e krenarisë të zgjimit

Me shqiponjën në flamur, ke fluturuar!

Në dy poezitë e fundit të këtij cikli, Kosovës dhe Fluturon në flamur (f. 156-157), krijohet tabloja e zjarrit çlirimtar pas tragjedisë së Prekazit:

Bjeshkët e Namuna qiejsh kuvendojnë.

Mbytur në grahma dhimbjesh gjer në zgrip...

Sepse kudo, në tokën e përgjakur,

Janë bijtë e shqipes që shkulen nga dheu;

Në disa vende të përmbledhjes, si segmenti Nderim kësaj bote(60), vargjet e tij flasin për heroin më të ri të Kosovës, Afrim Bonjakun (1955–2923), dëshmor i Banjskës së Leposaviçit, rreshter i Policisë së Kosovës, vrarë në përballje me forcat serbe. Poeti i kushton vargje edhe Nënës Botërore të Bamirësisë - Nënë Terezës:

Nanë Terezë, shpresë sjell ndër ne

Siç sjell dielli n'ditë të re;

Kudo janë në botën mbarë,

Ban krenar ti çdo shqiptar.(61)

Pa bërë dallim e rend mes tyre, Gjon Marku nuk lë pa i thur një ditiramb të veçantë heroit më të ri të Kosovës, ushtarakut Afrim Bunjak[62], i cili ra përballë plumbave të një bande që tentoi të shkelë një tokë të përgjakur në Banjskë. Për bijtë e çmuar të një vendi, krahas të rënëve në fushëbetejë, duhen nderuar edhe ata që u njohën në lëmë të artit dhe skenës, si Leze Spaçi[63], për hapësirën e Kosovës, dhe këngëtari i shquar popullor, Artisti i Popullit Bik Ndoja[64]; edhe këta kanë marrë vjersha nga pena e Gjon Markut.

Me dhjetë poezi të përfshira në sythin Marrëzi (f. 165–177) mbyllet kjo përmbledhje poetike e shkrimtarit Gjon Marku. Nisur nga vjersha me dy strofë e me të njëjtin titull, poeti ngrihet me zë të lartë, duke vënë në dukje se demokracia, e sjellë prej studentëve dhe intelektualëve, u shfytyrua keqas nga koha e pasurimit në kurriz të shoqërisë. Ai e paraqet këtë me një ton të ashpër:

I sheh tek kapërdisen hijerëndë zyrtarët

Vampirë, që nuk ngopen e me shpirtin e zi,

Medet nga mbinë këta, të pa soj, të marrët

Mjerë ata, kur ditë e ndëshkimit do të vijë!(65)

Midis atyre që solli demokracia, shumë kaluan në pellgun e "Vulgut":

Ju që dini të bëni veç elozhe

E dini ta hidhni vallen sipas avazit

Përdridheni si të jeni loze

Pas çdo fjale të shefit ia jepni gazit.

Vijojnë radhazi poezi satirike dhe sarkastike, në stil të Fishtës, si vjersha Cigarja:

Ti që nuk mësohesh dot me heshtjen

Më lan e më lyen si askush

Asgjë s'ta shuan dot kureshtjen

Pabesi dhe djallëzi i keni brenda jush.(66)

Zëri nën zë thekson një individ të tillë, të cilit i drejtohet autori:

Dikur lutesh e shtiresh marrëzisht

Po me ty djajtë bënë pajtesë

E ndër sy lot kristali e i brishtë

S'e fsheh dot tradhtinë e pabesë!

I tillë është edhe Gjyqtari, ku toga e zezë (pelerina) e bën gjykatësin hijerëndë-gjykatës korb që duhet të japë drejtësi. Ndër këto vjersha dallon poezia e gjatë me 16 strofa katërshe dhe një distik,

O medet, çfarë mban kjo tokë!, ku ndihet ndikimi i Fishtës dhe i krijuesve të mëvonshëm, ndoshta edhe i humoristit Bik Pepa i Estradës së Shkodrës.

Poeti përshkruan ministra e drejtorë injorantë, zyrtarë të padenjë, duke shfaqur skena zyrash plot me mediokërsi; deputetë që luftojnë me bërryla për poste kryetarësh; ministra që ai i quan "rruspi", të cilët kërkojnë të hapin akademi barinjësh për dhen e për dhi, dhe zyrtarë që kthejnë institucionet në motele, nga ministri deri tek patronazhisti - njeriu i ri i djeshëm - zuzar në vend të tij. Ai shqetësohet se "prijësit tanë" i përulen Europës dhe se shqiptarët po ikin:

Prap ka djem e ka rini

E nga fjala nuk kanë frikë

E në këmbë ngrihen një ditë

E atëherë prit e shif...

E këta bala e zagarë,

Këta hajdutë e të marrë

Prostitutë e të përdalë

Krejt për hundësh do t'u dalë.(67)

Në pjesën mbyllëse të kësaj tube letrare, zemërimi i poetit përzihet me urrejtjen ndaj pabesisë, rënies së drejtësisë dhe institucionet e korruptuara. Punonjësit shtetërorë shfaqen hipokritë, me lajka në karrierë, puthadorë ndaj eprorëve dhe shpesh të shndërruar në figura pa etikë, sidomos para ngjarjeve të hapura si 21 janari.

Gjon Markut, i cili merr dhe na thotë: Luftova fort për të mbetur njeri, çka tregon se ka lindur dhe ka arritur deri sot si Njeri.

R e f l e k s i o n

E habitshme ka qenë dhe mbetet bota e krijuesve në letërsi, jo vetëm për shkrimtarët shqiptarë, por kudo që janë dhe jetojnë, krijojnë dhe publikojnë. Arti poetik përmban të papriturën: figurën, magjinë, hermetikën, simbolin, historinë, flamurtarët, duelet, krenarinë dhe nënshtrimin, humbjen dhe fitoren, gazin dhe lotët, kujtimin dhe harresën, vetëmburrjen dhe përuljen, dashurinë dhe urrejtjen, ëndrrën dhe realitetin... pa fund mund të rreshtojmë terma si këta.

Veç duhet të dijë lexuesi se në vjershërinë e Gjon Markut ka mimoza e lot, errësirë e dritë; ka vegime dhe dhimbje, sfida dhe dehje (jo nga pija, por nga dashuria), natyrë liqeni dhe zana shtojzovalle, enigma dhe mbretëri të Alpeve; skena dhe tablo dashurie me nuse-hënë dhe djalë-dhëndërr; ka shumë Shqipëri dhe jo më pak mërgim; ka sirena dhe vajtim qyqeje, shi dhe ngricë, heshtje dhe djallëzi, vulg dhe deputetë, burracakë dhe dinjitarë morali; kohë e Gjergjit dhe e shqiponjës lart; tokë dardane dhe zemra nëne kosovarësh; ka zeninë e të varfër... dhe, diku-diku, edhe Konstandinë, që ngre rrasa varri, për të mbajtur besën.

Shkurt, pa shkelur në blasfemi, mund të themi se këto pesë tuba me grupime poetike të autorit ngjajnë si pesë sheshpushime apostolike të Udhës së Kryqit. Në të parin, kryesorin, autori synon të mos dalë nga natyra e kësaj qenieje që quhet NJERI, për të cilën ka luftuar me shpirt dhe zemër! Ai ka provuar vetminë, me të cilën, bashkë me mallin, ka flirtuar, qoftë edhe duke derdhur lot; ka pritur stinën e mimozave, që e mbushnin me shpresë, pa marrë parasysh se jo rrallë mbushej edhe me trishtimin e pagjumësisë.(69)

Poeti është i ndërgjegjshëm se Njeriut i duhet një "Ti" për të fituar në jetë; prandaj i drejtohet përsëri të birit, që ai të mos jetë vetëm një shelg i vetmuar:

"Jeta është e egër, ka Zot dhe dreq,

Ka një fjalë të vjetër që nuk thuhet keq:

Mos u tut, o birë, ruaju në çdo shteg.

Nuk mjafton, o birë, të jesh veç shelg."(f. 15)

-----------------------------------------------------------------------------------------------------

Literaturë e përdorur

[5] Gjon Marku, Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 184.
[6] Po ai, f. 16.
[7] Po ai, f. 14.
[8] Viktor Hugo,
William Shakespeare, Onufri, Tiranë, 2022, f. 292.
[9] Gjon Marku,
Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 21.
[10] Po ai, f. 30.
[11] Ky fragment lutjeje mund të jetë hartuar (përkthim ose përshtatje) nga Imzot Lazër Mjeda, qysh në fund të shekullit XIX, siç thuhet se është edhe lutja tjetër, me titull: "Unë prej Zotit jam i kështenë / E kështu dua gjithmonë të jem...".
[12] Gjon Marku,
Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 23.
[13] A.Z. Çajupi,
Vepra letrare, Uegen, Tiranë, 2001, f. 33–34.
[14] Gjon Marku,
Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 26.
[15] Po ai, f. 27.
[16] A.Z. Çajupi,
Vepra letrare, Uegen, Tiranë, 2001, f. 35.
[17] Gjon Marku,
Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 32.
[18] Po ai, f. 33.
[19] Rudyard Kipling,
If – Poezi, shqipëroi Ukzenel Buçpapaj, Arbëri, Tiranë, 1996, f. 130.

[20]  Gjon Marku, Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024

[21] Po ai, f. 43.
[22] Po ai, f. 48.
[23]
Homo sum (lat.) – Jam njeri, f. 49.
[24] Foqja – fshat turistik grek, f. 54.
[25] Po ai, f. 57.
[26] Po ai, f. 65.
[27] Po ai, f. 68.
[28] Zenit (arab. samt – qiell), term astronomik; fig. kulmi i zhvillimit, f. 69.
[29] Po ai, f. 70.
[30] Po ai, f. 72.
[31] Po ai, f. 73.
[32] Po ai, f. 78–79.
[33] Roland Barthes,
Texte veut dire Tissu.
[34] Luan Topçiu,
Poeti i vështirë Lazgush Poradeci, Onufri, Tiranë, 2024, f. 66–67.
[35] Xhevat Lloshi,
Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika, Albas, Tiranë, 2012, f. 86.
[36] Gjon Marku,
Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 80.
[37] Po ai, f. 80.
[38] Luan Topçiu,
Poeti i vështirë Lazgush Poradeci, Onufri, Tiranë, 2024, f. 70.
[39] Gjon Marku,
Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 82.
[40] Po ai, f. 84, 86, 88.
[41] Po ai, f. 85.
[42] Po ai, f. 87.
[43] Po ai, f. 93.
[44] Po ai, f. 93.
[45] Po ai, f. 94.
[46] Po ai, f. 103–133.
[47] Po ai, f. 108.
[48] Po ai, f. 109.
[49] Po ai, f. 132.
[50] Luan Topçiu,
Poeti i vështirë Lazgush Poradeci, Onufri, Tiranë, f. 68–69.
[51] Gjon Marku,
Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 136.
[52] Po ai, f. 138.
[53] Po ai, f. 138.
[54] Po ai, f. 143.
[55] Po ai, f. 147–149.
[56] Po ai, f. 151.
[57] Po ai, f. 152.
[58] Po ai, f. 154.
[59] Po ai, f. 155. Adem Jashari (1955–1998), Prekaz, Kosovë.
[60] Gjon Marku,
Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 159–164.
[61] Po ai, f. 163.
[62] Afrim Bunjaku (1973–2023), dëshmor i Banjskës së Leposaviçit, rreshter policie i Kosovës, vrarë në krye të detyrës kundër forcave serbe.
[63] Leze Spaçi (1935–2013), artiste nga Prizreni, aktore e njohur teatrore dhe ekranike.
[64] Bik Ndoja (Ludovik Ndoj Gjergji, 1925–2015), këngëtar popullor i Shkodrës.
[65] Gjon Marku,
Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024, f. 166.
[66] Po ai, f. 169.
[67] Po ai, f. 174.

[68] Gjon Marku, Ëndrrat e shpirtit – Poezi, Emal, Tiranë, 2025

[69] Gjon Marku, Ëndrrat e shpirtit – Poezi, Emal, Tiranë, 2025, f. 13.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx